Nocioni që s’është

16 Prill 2014 - 09:57 - Flaka Surroi      

Në pesëmbëdhjetë vjetët e shkuar, kosovarët nuk kanë treguar as vullnet politik e as profesional për vendime të dhimbshme dhe të rënda. Nuk kanë treguar ndërgjegje, sepse gjithmonë e kanë pasur rrugëdaljen: ikjen pa ndëshkim dhe pa brejtje ndërgjegjeje

Java u përmbyll me barsoletën e javës, që erdhi pasi u kumtua zyrtarisht se kryeministri Thaçi do të shkonte në Japoni: “Shyqyr po shkojka, e s’paskemi me pasë nja një javë fushatë”.

I pabesueshëm ritmi i imponuar nga ekipi i këshilltarëve dhe, me gjithë gjasë, një firmë që po paguhet mirë për ta bërë një fushatë para fushate për kryeministrin në dëshirën e tij të madhe për t’u afirmuar, për t’u treguar njeri i popullit, për t’u treguar lider nga i cili varet gjithçka në këtë shtet, por në trajtë më njerëzore.

Madje edhe paraqitja e tij në show programin më të shikuar kosovar, Oxygen, pas shumë vjetësh hezitimi, zgjoi dy reagime të kundërta që i dëgjova tek komentoheshin gjatë javës: e para, se është tepër i sigurt në suksesin e tij në zgjedhjet e ardhshme, saqë del edhe në programin të cilin e ka shmangur me vite, për të treguar se di të qeshë edhe atëherë kur e thumbojnë, ani që qeshja i duket mjaft e tharbur; e dyta, se ndien një pasiguri të madhe se po humb shumë terren, posaçërisht pas imponimit të Tribunalit për krime të supozuara të UÇK-së (që po komentohet jo pak si “tradhti” që ua bën Thaçi bashkëluftëtarëve të tij), dhe se për këtë pranon të dalë edhe në një show program.

Sido që të jetë, fushata e tij nuk u ndal as këtë javë kur kishte zgjedhur të shkonte në mensë të studentëve dhe ta ndante ushqimin edhe me ata që nuk pajtohen me të politikisht. Për më tepër, me ata që e quajtën “hajn” dhe të cilët hëngrën dajak nga mbrojtja e tij e afërt, fizikisht mjaft larg vetë kryeministrit. E vazhdoi edhe shënimin e gjashtëvjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, në të cilën ceremoni e tha një të pavërtetë të madhe: se Kushtetuta po zbatohej në të gjithë territorin e Kosovës. Koment që kaloi pa asnjë reagim nga “opozita”, e cila, siç ka zakon, i mbështet reagimet e veta më parë në bazë të raporteve që i bëjnë “KOHA Ditore” dhe Kohavisioni, sesa në analizën e vet të brendshme dhe mbledhjen e fakteve nga degët e tyre nëpër terren. Përfundimisht, me përmbylljen e këtij mandati do të konstatojmë se Kosova kurrë nuk i ka pasur punët më keq – jashtë gjendjes së përgjithshme katastrofale ekonomike dhe sociale – edhe politikisht: me një pushtet gati totalitar, gati pa asnjë grimë opozite.

Gjithë ajo trysni, pse bash tash?

Po kjo “opozitë”, e cila, tok me pozitën, por pa Vetëvendosjen, tashmë është bërë gati për ta votuar themelimin e Tribunalit të famshëm, pas presionit të jashtëzakonshëm dhe të koordinuar, të cilit i është nënshtruar Kosova. Dhe ajo që mbetet e paqartë është pse mu tash? Pse mu në kohën kur Kosovës iu kumtua se s’do të ketë liberalizim vizash sivjet, apo pse mu në kohën kur në Kosovë po shënoheshin 15-vjetorët e masakrave ndaj civilëve shqiptarë nëpër shumë fshatra, pavarësisht a në rrafsh të Kosovës a në Dukagjin?

Dhe, siç do të konstatohej me të drejtë – Tribunali është shndërruar edhe në një mjet me të cilin do të ndalet ecja e Kosovës përpara, përfshirë edhe liberalizimin e vizave, për shkak se njëri nga kushtet esencialë për të arritur te liberalizimi është sundimi i ligjit. E sundim i ligjit është të kesh drejtësi funksionale. E Kosova, përfundimisht, ka dështuar të krijojë sistem funksional të gjyqësisë, dhe këtu nuk mund të na shërbejë si alibi madje as fakti se kishte qenë UNMIK-u ai që i kishte instaluar gjyqtarët e huaj në Kosovë, send që nuk e kishte pasur në plan fillimisht. Por, që ishte send që u imponua, për shkak se riemërimi fillestar i gjykatësve dhe i prokurorëve që dikur kishin ushtruar këto detyra para se të përjashtoheshin dhunshëm nga puna në vitet ’90 të shekullit të shkuar, kishte qenë mbase vendimi që ia shkaktoi rrënimin këtij sistemi. Për shkak se këta njerëz nuk e patën as guximin, e as dijen për t’u ballafaquar me krimet e luftës dhe ato të pasluftës. Është se do të kenë pasur shumë frikë, të cilën e kishin kamufluar me patriotizëm.

Gjyqësia nga fundi i vitit 1999 e fillimi i vitit 2000 ka qenë rasti i artë për gjyqësinë kosovare. Ka qenë rasti ku është dashur të shoshiteshin dhe gjykoheshin të gjitha rastet e krimeve të luftës, pa marrë parasysh se kush do të ketë qenë kryerësi i supozuar, serb apo shqiptar – sepse ka pasur shumë njerëz të gatshëm të ngrinin padi e të dëshmonin në “atë të nxehtë”. Dhe sa më shpejt të ishim ballafaquar me rastet e krimeve brenda oborrit tonë, shumë më shpejt e më lehtë kishim mbërritur edhe te pavarësia e madje ndoshta edhe te pranimi në OKB. Por jo, ndodhi e kundërta. Ndodhi që kosovarët vendosën të mos merreshin me asnjë gjë, me asnjë krim, as në luftë e as në paqe – dhe ta fusnin kokën në zall.

Që pa fije ndërgjegjeje, dhe duke u mbështetur në papërgjegjshmërinë kronike që na karakterizon, t’i linin gjërat anash. E që ato të na ktheheshin bumerang, tash, 15 vjet pas, si shuplakë fytyrës.

Rudnica

Shuplakë si Rudnica. Dhe vazhdon të na dhembin fytyra e edhe shpirti sa herë që flitet për Rudnicën dhe për personat e pagjetur. Pamja më e neveritshme e javës ishte ajo e paraqitur në raportin e mbledhjes së përmbushët të komisioneve kosovare e serbe për personat e pagjetur, nën patronazhin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar: fytyra e Velko Odaloviqit tek shpjegonte diçka për të pagjeturit. Njeriut, i cili ka qenë “Načelnik Kosovskog Okruga” – guvernatori i Kosovës së okupuar në kohën e dëbimeve masive të popullatës shqiptare, të zhdukjes dhe të vrasjes së tyre masive. Njeriut, i cili ka qenë bashkëpërgjegjës, nëse jo material atëherë gjithsesi moral, i krejt veprimeve fashiste që i ka ekzekutuar regjimi serb në Kosovën e viteve nëntëdhjetë. Njeriut, i cili tash në emër të një shteti “të reformuar” negocion për personat e pagjetur, përderisa i fsheh informatat për të pagjeturit shqiptarë, që pasi u vranë, u transportuan si mall, për t’u hedhur nëpër varre masive gjithandej nëpër Serbi.

Dhe përderisa ushtrohet e gjithë kjo trysni mbi shqiptarët që të ballafaqohen me të kaluarën e tyre (të imagjinuar, të fryrë apo të vërtetë, një zot e di) dhe që me çdo kusht të themelojnë një trup gjyqësor me dy seli, serbëve u tolerohet ama bash gjithçka, përfshirë edhe zvarritjen e pafund të demolimit të një ndërtese që në kushte normale do të mund të bëhej brenda ditës. Për më tepër, nuk u dëgjua asnjë deklaratë e vetme e as një trupi ndërkombëtar që do të dënonte veprimin çnjerëzor, më së pari, të bartjes së kufomave me qindra kilometra, për t’ua humbur gjurmët, e më pas edhe asfaltimit të zonës dhe ndërtimit të një objekti kot, midis rrugës, për t’u siguruar që kufomat të mos gjendeshin kurrë... pos nëse dikush “i çmendur” do të tregonte pahiri për këtë “pallat”.

Askush nuk po i thotë Serbisë se mosdorëzimi i kufomave është krim dhe se me këtë sjellje antinjerëzore në asnjë variant nuk mund ta avancojë statusin e vet karshi Evropës. Përkundrazi. Tash Serbia, për shkak se e ka gjetur formulën e komunikimit me Evropën, duke parë metamorfozën e liderëve të saj politikë nga superprorusë (për krenari) në properëndimorë (për pare), trajtohet si viktimë, kurse Kosova, me udhëheqjen e vet të korruptuar dhe me shtetin e vet gjysmak, bëhet viktimizuese që duhet ta paguajë çmimin tash, 15 vjet më vonë.

Çmim, i cili do të na kushtojë shumë – me gjasë që do të na kthejë edhe më prapa seç jemi tash.

Tok me kriminelët më të mëdhenj në botë

E çmimi i parë që do ta paguajmë do të jetë reputacioni ynë, i cili edhe ashtu qëndron mbi këmbë të kristalta. Tribunali për krimet në Kosovë, i cili me gjasë nuk do të merret me krimet e serbëve ndaj shqiptarëve në Kosovë, por të shqiptarëve ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve, do të jetë, nëse nuk gaboj, i katërti i këtij lloji në historinë e gjyqësisë ndërkombëtare. Kosova, për fat të keq, do të barazohet me nazistët gjermanë të Luftës së Dytë Botërore; me katër luftërat e ish-Jugosllavisë që i kishte shkaktuar Serbia dhe ku serbët kishin vrarë më së shumti civilë, por që nuk u quajt për krimet e Serbisë ndaj të tjerëve; me masakrën milionëshe dhe të egër të Ruandës. Dallimi këtu do të jetë se po qe se Kuvendi i Kosovës e voton, këtë Tribunal nuk do ta themelojë OKB-ja. Porse me gjasë do ta financojë edhe bashkësia ndërkombëtare.

Se Kosova duhet ta luftojë krimin, nuk ka asnjë dyshim të vetëm. Se krimet e luftës ka mundur t’i trajtonte sikurse ia bëri Serbia – me themelimin e një gjykate të lartë që në përbërjen e vet do ta kishte seksionin e krimeve të luftës – e që të gjitha punët t’i mbante në shtëpi, nën mbikëqyrjen e afërt të të huajve, ka mundur ta bënte dhe do t’ia shpëtonte vetes fytyrën. Se ka mundur shumë më ndryshe, edhe ajo nuk ka dyshim.

Por nuk ka pasur vullnet as politik e as profesional. Nuk ka pasur ndërgjegje, për shkak se ky është nocion i panjohur për pushtetarët kosovarë. Të mësuar që t’u ikin ndëshkimeve e që akuzat e qortimet t’i marrin për shaka, kanë harruar edhe si është të ndiejnë brejtje të ndërgjegjes kur kryesisht nuk veprojnë atëherë kur munden. Atëherë kur duhet të marrin vendime kyç, edhe nëse kjo nënkupton se do t’ia prishin rehatinë vetes.

Sepse ende nuk e kanë kuptuar, e me gjasë tash është vonë, se nuk është fare me rëndësi a janë ata rehat në kolltukët e tyre. Me rëndësi është dhe do të jetë që populli të mos turpërohet nga vetja për faj të tyre.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...