Paranoja dhe Asociacioni

4 Shtator 2015 - 08:40 - Halil Matoshi      

Opozita etnonacionaliste shqiptare po trumbeton “minishtetin” serb në Kosovë, që nuk është, kurse pushteti po shpreson që serbët të mos dinë ta lexojnë marrëveshjen “në mënyrë shqiptare”. Të dyja palët e kanë dallash, sepse të dyja palët po sillen sikur janë zënë n’zgabim, edhe pse AKS-ja ka qenë kushti i paracaktuar (kompromisi për shtet) që nga bisedimet e Vjenës, pra çmimi që duhej paguar në këmbim të pavarësisë kombëtare…

Në Kosovë ka shpërthyer “epidemia” e paranojës masive nga pabesia serbe!

Pabesia nuk është kategori politike dhe nuk u prinë politikave ndërmjet kombeve.

Ajo na shfaq neve – foshnjërinë tonë si shoqëri politike – dhe nuk ka të bëjë asgjë me praktikat e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe me politikën si art i së mundshmes.

Kosovarët kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht Asociacioni i Komunave Serbe, sipas marrëveshjes së Brukselit, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë nesër, pra në një të ardhme, gjatë implementimit praktik.

Këtë frikë nga e nesërmja po e rrisin sa opozita profetike kosovare, po aq edhe pushteti.

Opozita duke e parë Asociacionin jo vetëm me syzet antiqeveritare, por edhe me syze të zeza nacionaliste, po dëshmon papjekurinë politike të shoqërisë kosovare, kurse deklarata e kryeministrit, Isa Mustafa, në servisin publik, se nuk u dashka t’u sillet ndërmend serbëve se si t’i shfrytëzojnë koncesionet e marrëveshjes, është thjesht qesharake.


Në anën tjetër, shumica e shqiptarëve kosovarë po e shfaqin obsesionin për sundim si një ligësi (po ashtu etnonacionaliste), pasi që më në fund me ndihmën e Perëndimit (…dhe Perëndisë!) janë gjendur në pozitë të japin ose të kufizojnë të drejta për “të vegjlit”, pa u shkuar mendja të mendohen për të kaluarën jo fort të largët, kur serbët ishin “të mëdhenjtë” që ua kufizonin të drejtat shqiptarëve…

Në demokracitë perëndimore askush s’e ka të drejtën të sundojë mbi pakicat, por duhet bashkëqeverisur me ta, sepse përfundimisht po zhvlerësohet raporti pakica-shumica.

AKS-ja është thjesht autonomi individuale/personale, autonomi e plotë kulturore, por jo as territoriale dhe as politike (nuk ka Ekzekutiv dhe as Legjislativ), sepse anëtarët e Kuvendit të Asociacionit delegohen nga kryetarët dhe asambletë e zgjedhura komunale, pra nga të zgjedhurit në zgjedhjet vendore të Republikës së Kosovës dhe nuk zgjidhen drejtpërdrejt nga populli. Kurse territori dhe kufijtë e Republikës së Kosovës janë çështje që sanksionohen me Kushtetutë dhe i përkasin sovranit.

Duke analizuar marrëveshjen pikë për pikë, nuk është e zorshme të konkludohet se ajo është shkruar nga ekspertë të shkollës perëndimore të negociimit dhe jo nga ballkanasit, sepse marrëveshja si e tillë kur krahasohet në të tria gjuhët (anglisht, shqip dhe serbisht) dhe nëse bëhen kërkime shtesë për nocionet e përdorura (që mund të shihen edhe si ambivalente), del se sipas marrëveshjes Asociacionin e dekreton Qeveria e Kosovës dhe jo ndonjë qeveri apo entitet tjetër juridik dhe politik, pra Asociacioni në thelb i “nënshtrohet” ligjit kosovar, dhe se në proces, të gjitha dokumentet, duke përfshirë edhe Statutin, i shqyrton Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe ky fakt i deplason të gjithë zërat që thonë se Kuvendi i Asociacionit gjatë amendamentimit të Statutit mund të fusë prerogativa që shpijnë legalisht në ndarjen e Kosovës.

Po ashtu pika 3 e marrëveshjes nëse krahasohet në të tria gjuhët, flet qartë se nocioni “constituent’”është ambivalent në anglishte, kurse në shqip dhe serbisht jo, ngase ky Kuvend sipas versionit shqip dhe serbisht është “Kuvend themelues” dhe jo Asamble Kushtetuese.

Në versionin anglisht, fjala "constituent" (d.m.th. përbërës) i ka edhe sinonimet e veta (sipas Oxford Dictionary):

a.) Që është një pjesë e një tërësie (mineralet përbërëse të shkëmbit),

b.) Është një anëtar që ka fuqinë e votës për të emëruar apo për të zgjedhur në një organizatë (trupi përbërës ka të drejtën e vetos),

c.) I aftë politikisht për të bërë (dhënë) ose të ndryshojë kushtetutën, një asamble kushtetuese,

d.) Anëtar i një zone, e cila zgjedh një përfaqësues në një organ legjislativ;

Porse duke e shmangur nocionin “constitucional” për "kushtetues" dhe/ose "kushtetutdhënës", operohet me një kallëzues emëror ambivalent.

Në versionin serbisht thuhet “konstitutivna skupstina” që i bie ‘kuvend themelues’.

Kuvend kushtetutdhënës ose asamble kushtetuese” në serbishte është "ustavotvorna skupstina", Kuvendi i Asociacionit nuk është kushtetutdhënës, sepse të tilla mund të jenë vetëm kuvendet që miratojnë Kushtetutën si aktin më të lartë juridik e politik të një shteti a entiteti të pavarur, ngjashëm me ish-republikat jugosllave apo sikur Kosova sipas Kushtetutës së vitit 1974 në ish-Jugosllavinë federale.

Mirëpo, sinonimet e nocionit “constituent” zhvlerësohen krejtësisht në pikën 21 të marrëveshjes, ku decidivisht thuhet: “Çdo amendamentim (ndryshim) i Statutit nga Kuvendi themelues që do të prezantohet nga ana e Asociacionit, do të miratohet me dekret dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”.

Ndërsa në pikën 12 thuhet qartë se “përfaqësuesi i Asociacionit do të ketë të drejtë të ketë qasje dhe informacione nga autoritetet qendrore në përputhje me ligjin e Kosovës”, çka i hedh poshtë spekulimet rreth termit "overview", që realisht nuk është “mbikëqyrje” qysh thuhet në versionin shqip dhe as “nadzor” në versionin serbisht. Fjala adekuate për "mbikëqyrje" apo "nadzor" në anglisht është "supervision" e jo "overview".

Overview, sipas Oxfor Dictionaryties, e ka kuptimin e “një raporti - pasqyre të nevojave të komunitetit”, pra një lloj informimi apo raportimi se çfarë është bërë dhe çfarë po bëhet për një çështje të caktuar.

Së këndejmi, për herë të parë serbët kosovarë e nënshkruajnë një kontratë me Prishtinën zyrtare. Me këtë marrëveshje rikthehet integriteti tokësor dhe sovraniteti i shtetit në veri të Kosovës dhe çështja e veriut nga një “çështje e ngrirë” është shndërruar në një çështje demokratike dhe po merr zgjidhje demokratike!
Sovraniteti i shtetit cenohet (kujtoni Serbinë më 1999), kur kufizon të drejtat e liritë e jo kur jep ato, si në rastin kosovar...
Prandaj marrëveshja është kushtetuese, ndonëse një kompromis!

Derisa në Evropën e rajoneve (sipas propozimit të Këshillit të Evropës) autonomitë nuk paraqesin kurrfarë problemi për funksionimin e shteteve përkatëse, por në Ballkanin Perëndimor autonomitë kuptohen si parashtete që presin momentin e duhur për t’u vetëproklamuar si të pavarura.

Vetëm gjashtë për qind austriakë në Itali (me 61.680,122 banorë) p.sh. kanë një autonomi të fuqishme, me ekzekutiv dhe legjislativ, në rajonin Trentino-Alto Adige/Südtirol (me një milion banorë.)

Po ashtu si autonomi reale dhe shumë e fuqishme njihet ajo e Katalonjës në Spanjë etj.

Kurse në vendet nordike pakica sami ka Parlamentin e vet në tri shtete: në Norvegji, Finlandë dhe Suedi. Sidomos në Norvegji, autonomia sami është shumë e ngjashme me atë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Parlamenti sami në Norvegji nuk ka pozicion të qartë kushtetues, nuk është nën kontrollin e qeverisë qendrore, por as nuk është një organ i pavarur.

E para, Asociacioni buron nga Pakoja e Ahtisaarit dhe ka qenë që në fillesat e negociatave të Vjenës (2005 -2007) bazë për çfarëdo kompromisi me Serbinë, për të marrë Kosova pavarësinë kombëtare jashtë kontekstit kolonial, pra si “vetëvendosje zhdëmtuese” (Marc Weller).

Pra duhej që Kosova të jepte më shumë të drejta dhe garanci shtesë për serbët kosovarë në këmbim të pavarësisë kombëtare;

Nëse Pakoja e Ahtisaarit me Asociacionin brenda e ka derivuar Kushtetutën e Kosovës, atëherë sipas ligjit të deduksionit rezulton se Asociacioni është kategori kushtetuese.
Së dyti, Asociacioni nuk mund të bjerë ndesh me prerogativat e Kushtetutës së Kosovës, u nënshtrohet ligjeve të Kosovës, varet nga institucionet qendrore, dhe brenda tij funksionojnë të gjitha agjencitë qeveritare.

Po kështu, Asociacioni nuk kontrollon doganat, ushtria e Kosovës (nesër) do të ketë një komandë qendrore, policia kosovare ka një komandë unike (Policia e Kosovës në rajonet që i bashkohen Asociacionit do të jetë konform përbërjes etnike, kurse Asociacioni i propozon emrat e komandantëve lokalë vetëm në katër komunat e veriut kurse ministri i Brendshëm kosovar e miraton ose jo listën.

Sistemi juridik (gjyqësori) është unik, po ashtu sistemi fiskal (Auditori i përgjithshëm i Kosovës i këqyr financat e Asociacionit…)

Nuk mund të ketë vlerë ekuivalente me Kushtetutën asnjë dokument tjetër (si Statuti i AKS-ë) brenda një shteti unik.

Serbëve kosovarë u janë dhënë të drejta shtesë (autonomi e plotë në fushën e arsimit, kulturës, planifikimit hapësinor dhe shëndetësisë) larg më të pakta se ato të Tirolit Jugor në Itali, por asnjë italian serioz nuk ngrihet që të kërkojë t’u merren tirolasve ato të drejta.

Shteti që jep të drejta dhe garanton liritë është shtet modern - jo ai që i kufizon ato, siç po kërkon Lëvizja VV dhe opozita tjetër kosovare…

Tendencat e VV-së për të kufizuar liritë dhe të drejtat e serbëve kosovarë dhe për t’i qeverisur ata me diktat janë thjesht fraza të pamenduara mirë që përkojnë me hegjemonizmin.

Shikojeni p.sh. edhe në Serbi opozita ka dalë kundër marrëveshjes.

Ish-negociatori nga Partia Demokratike e Serbisë, Borko Stefanoviq, po thotë se Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive (gjë që është e saktë) dhe as pavarësi në vendimmarrje.

Ndërsa për Vuk Drashkoviqin ky është hap i madh drejt njohjes së Kosovës shtet…

Porse, është praktikë gjithandej që marrëveshjet të paraqiten si fitore nga të dyja palët, pra secila nga palët përpiqet që ta shesë sa më shtrenjtë te publiku i vet.

Qeveria e Kosovës mund të akuzohet për korrupsion, padrejtësi, krime e abuzime me liritë dhe të drejtat e qytetarëve, por jo për marrëveshjet e arritura me Serbinë.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...