Miti për shkollën

30 Gusht 2015 - 08:00 - Elmaz Isufi      

Nëse kur flasim për të mirët dhe të suksesshmit themi se janë produkt i shkollës, atëherë produkt i kujt janë të këqijtë dhe dështakët

Sa herë më ka rënë të diskutoj për gjendjen në arsimin e Kosovës jam vënë në siklet.

Nuk e quaja assesi të dështuar sistemin arsimor, por as nuk arrija ta bindja veten që t’i jepja notë pozitive. Dhe çdoherë, për korrektësi ndaj disa njerëzve të mirë që ishin dhe janë brenda sistemit, më është dashur të nxjerr dy anët e medaljes së saj. Por ky ekuilibrim subjektiv ka nisur të krijojë dilemën e vërtetësisë së gjykimit për cilësinë e një sistemi sa publik aq edhe të komplikuar.

Perceptimi për shkollën shqipe në Kosovë ndër vite është krijuar mbi entuziazmin e fillimit dhe mbarimit të vitit të ri shkollor e akademik. Edhe kronikat dikur janë ndërtuar mbi shifrat dhe premtimet e dhëna më 1 shtator për të vegjlit dhe një muaj më pas, më 1 tetor, për të rriturit - brucoshët. Është harxhuar shumë energji për faktin nëse librat u janë shpërndarë me kohë filloristëve dhe nëse kishte sasi të mjaftuar. Nuk kanë munguar asnjëherë kronikat se si shkolla e filan fshatit apo qytetit nuk është bërë gati për t’i pritur fëmijët më 1 shtator, apo se gjatë dimrit ka mungesë ngrohjeje... Edhe përgjegjësit e institucioneve janë përpjekur që në këto data ceremoniale të jenë sa më të përgatitur, mundësisht të fshehin sa më shumë dështimet.

Por kanë munguar dhe mungojnë diskutimet profesionale dhe shkencore mbi rolin e shkollës në kushtet e zhvillimit të teknikës dhe teknologjisë, ndryshimeve globale, përfshirë tregun e punës. Për aplikimin e metodologjisë së re të mësimdhënies dhe shfrytëzimin e materialeve didaktike që së bashku nxisin kreativitetin dhe të menduarit kritik të fëmijëve e të të rinjve.

Madje edhe nëse ka pasur ndonjë diskutim publik, ato kryesisht janë orientuar në pagat për mësimdhënës, për politikat e punësimit – pakënaqësitë e individëve, për bordet drejtuese të institucioneve arsimore, çështjet e mandateve dhe të drejtat e vendimmarrjes. Budallallëqet nuk janë ndalur edhe rreth emërtimit të shkollave e universiteteve.

Pra, është folur shumë për “fasadë”, për çështjet teknike e menaxhuese, e fare pak rreth përmbajtjes së saj. Të bindur se mësimdhënësit dhe vetë shkolla janë pjesa më e ndritur e shoqërisë dhe shtetit, se ata kanë bërë dhe bëjnë punë të shenjtë, pakkush ka vënë në diskutim se kujt po i besohet edukimi i fëmijës së tyre, se kush po vë dorë në krijimin e personalitetit dhe të ardhmes së tij.

Të gjithë disi ende ndihemi borxhlinj ndaj shkollës. Ende mendojmë se mësuesit na kanë bërë një shërbim dhe se u detyrohemi atyre. Se na kanë edukuar, na kanë përgatitur për jetë. Asnjëherë nuk kemi vënë në peshojë nëse jemi mjaft të edukuar, apo nëse profesionet i ushtrojmë si dha sa duhet. Pra, nëse ata kanë bërë më pak sesa i detyroheshin profesionit.

Mësimdhënësin në të kaluarën e kemi parë të shkëputur nga sistemi dhe jo pak qytetarë sot kur duan të falënderohen për arritjet e tyre, shprehin admirimin për mësuesin-mësuesen e tyre, gati sa edhe për prindërit. Nuk më ka rënë të lexoj e të dëgjoj nëse dikush nëpërmjet subjektit mësues ka identifikuar sistemin arsimor të kohës. Nëse ai sistem ishte efektiv, nëse prodhonte kuadro të mira e për rrjedhojë edhe nxënës e studentë të mirë.

Edhe sot më bie të shoh prindër që ngarendin për t’i regjistruar fëmijët në shkollat më “në zë” dhe tek mësueset më me “autoritet”. Besimi i tyre vazhdon të jetë i lëkundur në sistemin e përgjithshëm arsimor e jo në mësuesin. Ende nuk binden se fundja të gjithë pak a shumë janë produkt i një mekanizmi dhe se i nënshtrohen të njëjtit diktat qeverisës. Ata ende besojnë edhe në mitin e shkollës. Se po qe shkolla me “emër” dhe fëmijët aty janë të familjeve me autoritet, edhe fëmija i tyre e ka të garantuar perspektivën. Nuk duan të besojnë se ashtu si më parë, ndikim të madh në edukimin dhe formimin e fëmijës ka prindi dhe vlerësimi që i jep ai shkollës dhe dijes, dhe se zinxhiri i faktorëve që determinojnë (mos)suksesin e shkollës është i gjatë dhe se asnjëri nga ta nuk mund të shpërfillet.

Harrojnë se mësuesit, ashtu si edhe çdo profesionist tjetër, punën me nxënës e konsiderojnë para së gjithash një vend pune, një mundësi për të siguruar ekzistencën. Puna me nxënës nuk vlerësohet më si dikur – edhe si një aktivitet patriotik.

Harrojnë edhe që ky komunitet është (vetë)përjashtuar nga jeta publike dhe nuk gëzon autoritetin që kishin dikur. Nuk janë fare pjesë e diskutimit për defektet në përmbajtjet e librave shkollorë, për mungesën e hapësirës për punë, për mungesën e mjeteve përcjellëse e as për mundësinë e avancimit të tyre profesional. Ata nuk i gjen më në teatër, në koncerte e në aktivitetet e tjera kulturore. Të paktë janë që lexojnë libër e gazetë, si atëherë kur ankoheshin se kanë rrogë të ulët, si tash që i kanë pak më dinjitoze.

Ata thjesht janë instrumente të sistemit që marrin atë që u ofrohet nga lart. Të vetmin reagim ata e kanë kur u preken pagat, dhe janë mjaft mobilizues kur sindikata i thërret në mosdëgjueshmëri dhe bojkot. Ndiejnë pasiguri për vendin e punës dhe aftësitë e tyre për profesionin. Dhe jo rastësisht kanë zgjedhur të heshtin, të mos bien në sy, duke lejuar kështu të shndërrohen jo në armatë krijuesish, por në një turmë që vihet në funksion të interesave politike - disa nga frika e disa për favore.

Shumë prej tyre janë kapur direkt edhe për pushtetin, ndërsa profesionin “e shenjtë” e kanë vetëm për prestigj. Dhe do të ishim me fat që kuadrot e arsimit, sidomos universitar, të përfshirë në politikë dhe në institucionet vendimmarrëse, të kishin reflektuar më shumë sesa ata që aty janë aksidentalisht dhe falë militantizmit partiak. Por ja që ka ndodhur e kundërta. Pikërisht kuadrot me grada shkencore në pushtet kryesojnë me sjelljet devijuese sociale, me akuza për abuzim postesh dhe fonde publike.

Vitet dhe muajt e fundit shumë nga ekspertët që u është besuar edhe puna në procesin mësimor janë bërë cak i akuzave të rënda. Dhjetëra mjekë, gjykatës e prokurorë janë bërë pjesë e hetimeve penale. Këta të akuzuar që do të duhej të kontribuonin në edukimin profesional dhe formimin e personaliteteve, që do të duhej të ndërtonin një sistem të mirë shëndetësie dhe drejtësie, në të vërtetë japin shembullin e keq për shtetin, për shkollën.  

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...