Gjithçka që noton nuk është peshk

26 Gusht 2015 - 12:40 - Adriatik Kelmendi      

Duke e falënderuar me dashamirësi Krenar Gashin që e ka lexuar dhe ka marrë mundin që të japë këndvështrimin e tij lidhur me kolumnen time në “KOHA Ditore”, që flet për marrëveshjen e fundit në dialogun e Brukselit, do të doja që t’i thosha PO.

Pra, po, pajtohem që shteti ynë, Kosova, nuk do të duhej të ndiqte politikë të inatit, meqë, siç e thotë Gashi, “efekti i tyre është pothuajse gjithmonë negativ, apo në rastin më të mirë, i kotë”. Por, mua, në rastin konkret dhe kontekstin e rrethanave, më duhet t’i them JO.

Dhe jo, pikërisht për shkak të atyre që i kam radhitur në shkrimin tim, e me të cilat çuditërisht Gashi thotë se pajtohet (“pajtohem me shumë pika të ngritura në të”, “nuk është as kundërshtim i elaborimit të Kelmendit në përgjithësi”, sic!). Argumentet që kam sjellë, besoj ravijëzojnë idenë e një reciprociteti në fushën e targave, si një mjet i fundit i domosdoshëm që të ketë rinegociim të marrëveshjeve diskriminuese për qarkullim të lirë.

Se, nëse secilën kërkesë për reciprocitet mes dy shteteve, e zhveshim nga argumentet kontekstuale konkrete dhe e stereotipizojmë me stigmën “politikë e inatit”, kjo i bie sikur të themi se bora bie vetëm në dimër, ose se gjithçka që noton është peshk. Gjë që nuk është absolutisht e vërtetë.

Për më tepër, edhe unë në shkrim e kam nënvizuar se “deri më tash Prishtina ka vepruar mirë që nuk i është përgjigjur njëjtë me politika diskriminuese Beogradit, duke treguar se i respekton njëlloj qytetarët e vet pavarësisht etnisë”, dhe kam shtuar se “tash nuk ka mbetur asnjë rrugë tjetër përveçse përgjigjes reciproke”.

Dhe këtë propozim, jo të dëshirueshëm, e kam dhënë pasi tash e një kohë të gjatë, ndoshta më tepër se secili nga kolegët e mi opinionshkrues, i kam ndjekur nga afër këto zhvillime dhe i kam trajtuar publikisht. Për të mos përsëritur argumentet e përmendura në kolumnen time në fjalë, këto janë arsyet: Përvojat teorike-praktike të negociatave tregojnë se për t’i ulur dy palë në tavolinë për të arritur një marrëveshje, të dyja palët duhet të kenë interesa konkrete në to.

Gjatë dy raundeve të bisedimeve në Bruksel, një herë në vitin 2011, kur është arritur ajo që është quajtur “Marrëveshje për qarkullim të lirë...”, dhe tash në verë të 2015-s me “Marrëveshjen për policat...”, Beogradi ka pasur interes që të ulet dhe të negociojë për shkaqet që i kam trajtuar më herët. Tash, pasi që janë arritur këto dy marrëveshje në Bruksel, Beogradi, si palë, ka siguruar qarkullimin pa pengesa në territorin e Kosovës, të njëjtë çfarë e ka edhe me shumicën e shteteve të Evropës, dhe më nuk ka asnjë nevojë që t’u kthehet bisedimeve për këtë çështje.

Në anën tjetër, Kosova, shkurt e qartë, me gjithë përfitimin e vogël, ka mbetur me nevojën për të paguar para për të qarkulluar nëpër Serbi dhe duke u poshtëruar me ndërrimin e targave në kufi. Së këndejmi, propozimi im për reciprocitet në targa ka të bëjë me sjelljen e të dyja palëve sërish në pozita të barabarta, me gjithë koston burokratike që përkohësisht do ta bartin (e që nuk është edhe kostoja e shpenzimit të parasë publike, të cilën gabimisht e përmend Gashi – më vonë argumentimi përse), në mënyrë që të dyja palët të kenë interes ta zgjidhin përfundimisht çështjen e qarkullimit të lirë të njerëzve, si dy shtete që aspirojnë aderim në BE dhe respektim të konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Aq më shumë që reciprociteti në targa të përkohshme, sipas ministres Edita Tahiri, ka qenë pjesë edhe e marrëveshjes së parë me Serbinë, por njëanshëm nuk është vënë në funksion nga Prishtina, për të treguar vullnetin e mirë, gjë të cilën e miradoj. Pra, këtu bëhet fjalë për një veprim të domosdoshëm politik, dhe jo për “politikë të inatit”. Sa i përket argumentimit të Gashit për rritjen e shpenzimeve publike në rast të zbatimit të reciprocitetit në vënien e targave të përkohshme, me gjithë respektin, më duhet të konstatoj se ai e ka shkruar këtë me një pandehje krejtësisht parimore, por fatkeqësisht pa marrë mundin që ta verifikojë se si qëndron puna në terren.

Shkurt: Nuk ka kosto shtesë për administratën publike çështja e targave të përkohshme, meqë atë procedurë deri më tash e kanë kryer policët e rregullt që kanë punuar në pikat kufitare. Pra, nuk është punësuar asnjë person më shumë, në mënyrë që kjo të jetë barrë për buxhetin. Përkundrazi, është mbushje e buxhetit, meqë për një ditë shfrytëzimi të targave të përkohshme paguhet 5 euro, plus rreth 18 euro taksa fillestare me të kaluar kufirin.

Tjetra shkurt: Numri i shtetasve serbë të Serbisë që udhëtojnë nëpër Kosovë mund të jetë momentalisht simbolik, por jo edhe numri i kamionëve e maunave me targa të Serbisë që angazhohen nga bizneset kosovare, i cili është tepër i madh, pikërisht për shkak të pengesave që transportuesit me targa kosovare kanë për të qarkulluar për shkak të diskriminimit që ua bën Beogradi dhe për shkak të mospasjes së Kartonit të Gjelbër.

Para se ta merrte guximin ta bënte një konstatim të atillë, Gashi mbase ka mundur t’i bëjë dy-tri telefonata me drejtues të dy-tri bizneseve të eksportimportit në Kosovë dhe do të bindej edhe prej tyre përse reciprociteti në targa nënkupton politikë shtetërore, për mbrojtjen e qytetarëve, që të gjithëve pa dallim, dhe asnjëherë politikë të inatit. Krejt në fund: Kam përshtypjen se edhe Gashi, ndoshta pa vetëdije, ka rrëshqitur në zallamahinë e një numri jo të vogël të njerëzve publikë te ne, të cilët ditë e natë na tregojnë se çka është keq sipas tyre, se çka nuk bën, por harrojnë të japin ndonjë propozim se si të bëhet mirë, ose se si – bën.

Vogëlsia ime në rastin në fjalë ka marrë guximin që publikisht ta japë një propozim, për të cilin jam i bindur se jep rezultate pozitive, por me të cilin mund edhe të mos pajtohet secili, gjë që e quaj normale. Pyetja që mbetet është – nëse jo kështu, atëherë si? Se, megjithatë, bora nuk bie vetëm në dimër, se gjithçka që noton nuk është gjithmonë - peshk.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Lexoni edhe: Reciprociteti si politikë e inatit

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...