Trashëgimia e panjohur dhe e pavlerësuar

23 Gusht 2015 - 08:45 - Brikenda Rexhepi      

Derisa Kosova po e përthekon dekadën e dytë të lirisë, shumë lokalitete që dëshmojnë për historinë dardane, por edhe epoka të mëvonshme, mbesin pa kujdes të duhur, pa promovim e pa një sistem të mbledhjes së të hyrave për vlerat dhe kënaqësinë që ofrojnë. Mburrja me historinë ende qëndron në nivel deklaratash hipokrite.

Sot secili njeri në Kosovë mund të bëhet një merimangë. Të kacavirret nëpër shkëmbinj. Të ngjitet nëpër shkallë të gdhendura para dhjetëra apo qindra vjetësh që nuk ua di kush lashtësinë. Ta ndiejë flladin e shpellës mistike që ka shumë legjenda dhe asnjë datëlindje. Ta lëshojë pak imagjinatën e të ndihet si mbretëreshë, apo si burri i saj, në “Shpellën e Mbretëreshës” – zgavrën e madhe në shkëmb, te kilometri i pestë në Rugovë.

Secili sot ka mundësinë të ngjitet në “shtegun e hekurt” të Rugovës të adaptuar nga “Via ferrata” e Alpeve. Një sistem që “Marimangat” e Pejës e kanë ngritur nëpër shkëmb, për t’ua mundësuar njerëzve një aventurë të sigurt, por jo krejt pa adrenalinë. Dhe, jo vetëm! Pak pas fillimit të shtegut, ndjenjat nisin të përzihen. Aventurës turistike ia merr anën kureshtja, kur arrin te një zgavër më e vogël në shkëmb, pranë së cilës shihet një lloj muri i vjetër. Pak metra më lart, një shteg shkëmbor dhe disa shkallë të gdhendura çojnë te “Shpella e Mbretëreshës”. Ajo e bën të vetën. Kureshtja nis të përzihet me imagjinatën. Shpella, vetë, nuk tregon më shumë se vetëm që dikush dikur ka qëndruar aty. Ka vrima trarësh. Madje dy palë, që lënë të kuptohet se mund të jetë shfrytëzuar në tri nivele. Kur, kush dhe pse nuk dihet! Legjenda e thashetheme ka plot, por jo një hulumtim ekspertësh, që do të rezultonte, së paku, me një pllakë informuese pranë hyrjes në shpellë. Guidat e “shtegut të hekurt” tregojnë se për të shuar kureshtjen e vizitorëve, rrëfimet i kanë kërkuar nga banorët e zonës. Flitet se ajo shpellë mund të ketë qenë një pozicion i ushtarëve austro-hungarezë në betejat me ushtrinë malazeze gjatë Luftës së Parë Botërore. Ka rrëfime edhe për periudha më të hershme, që në shpellë janë mbrojtur turqit gjatë sundimit otoman, kur janë sulmuar nga shqiptarët. Një tjetër legjendë lidhet me murgjit ortodoksë, të cilët kanë dashur të sprovojnë jetën e vetmisë. Por me emrin intrigues që ka – “Shpella e Mbretëreshës” – nuk lidhet asnjë rrëfim që kanë treguar ata. Andaj, derisa dikush ta plotësojë mozaikun e aventurës “Via ferrata” edhe me vlerat e faktet historike të këtij rajoni shkëmbor, vizitorëve të shumtë nga Kosova dhe jashtë saj, u mbetet ta shtrijnë imagjinatën e vet...

Kjo shpellë është vetëm një pikë uji në detin e madh të gjurmëve historike e kulturore që ka Kosova. Injorimi i saj është po ashtu një pikë uji në detin e madh të shpërfilljes.

Kosova tashmë ka dhënë fakte se këtu jetë ka pasur mijëra vjet para erës sonë. Çfarë jete e çfarë kulture e tregon skulptura e “Hyjneshës në Fron”, që daton 2.500 vjet para erës sonë. Ajo dhe të ngjashmet e kohës së saj sot flasin nga bodrumi i Muzeut Kombëtar, i cili është i mbyllur. Në 16 vjetët e pasluftës tani i ka ardhur rendi për renovim dhe madje sërish jo i plotë. Para u janë dhënë këngëtareve të preferuara të ministrave të Kulturës, filmave të parealizuar, vetes për vetura luksoze e gjërave të ngjashme që përfaqësojnë të kundërtën e “Hyjneshës”.

Artefakte madje edhe më të vjetra janë gjetur po ashtu. Datojnë prej periudhave më të hershme se 3.000-vjeçare para erës sonë në një lokalitet 120-hektarësh. Mbi bërthamën e këtij vendbanimi parahistorik, “Ulpiana”, një prej qyteteve më të mëdha në Dardani është ngritur në shekullin e parë. Sot, në shekullin XXI, së fundmi, konkretisht pesë muaj më parë, ky lokalitet arkeologjik ndodh të vërshohet nga uji. Faji i hidhet shiut e jo mungesës së drenazheve. Çdo gjë fatmirësisht kalon pa dëme të mëdha, por ajo mbetet nën ankthin e reshjeve. Në anën tjetër, atyre që dëshirojnë të jenë dëshmitarë të gjurmëve të qytetërimit, që ka shkëlqyer gjatë periudhës romake, institucionet përgjegjëse kosovare nuk u kanë siguruar kurrfarë shenjëzimi që i orienton. “Ulpiana” sot flet nga një fushë diku tetë kilometra në juglindje të Prishtinës. E vetme. Askush nuk ka menduar të organizojë një sistem nikoqirllëku për vizitorët kureshtarë që duan të paguajnë një biletë për të mësuar më shumë, e për dhënë një kontribut sado të vogël për punën e paraardhësve tanë.

Derisa Kosova po e përthekon dekadën e dytë të lirisë, shumë lokalitete që dëshmojnë për historinë dardane, por edhe epoka të mëvonshme, mbesin pa kujdes të duhur, pa promovim e pa një sistem të mbledhjes së të hyrave për vlerat dhe kënaqësinë që ofrojnë. Mburrja me historinë ende qëndron në nivel deklaratash hipokrite.

Përveç rasteve individuale, kur pronarë të objekteve të trashëgimisë kanë ngulur këmbë që t’i restaurojnë ato e t’i ndajnë me të tjerët, siç është rasti me disa kulla në Junik, ku vizitorët mund të shkojnë për të fjetur e për të ngrënë ushqim tradicional, janë edhe dy mënyra të tjera në të cilat trashëgimia shfrytëzohet për të gjeneruar mjete. Sado pak ose sado shumë!

Një mënyrë përfaqësojnë teqetë, por njerëzit që lënë para aty nuk e bëjnë këtë për shkak të vlerave kulturore-historike. Plotësimi i ndonjë dëshire është motivi që i çon te këto objekte shumë nga të cilat bëjnë pjesë në listën e trashëgimisë kulturore. Pra nuk ka dorë shteti as këtu.

Mënyra tjetër janë objektet, rrënimi i të cilave sjell mundësi ndërtimi banesash, apo edhe parkingjesh, siç ishte rishtas rasti i Hanit të Mullafazlive. Këtu ka dorë shteti. Leja për rrënimin e tij u dha nga autoritetet me arsyetimin se nuk është në listën e objekteve të mbrojtura, ndonëse Hani ishte në Zonën Historike të Prizrenit. E pronarët ia dolën për pak ditë që ta bëjnë gati vendin për parkimin e veturave të vizitorëve të shumtë të “Dokufestit”, një ngjarje kjo që promovon mes tjerash edhe vlerat kulturore të qytetit. Ngjashëm, shumë shtëpi që bartnin vlera të trashëgimisë në vitet e pasluftës janë shkatërruar për t’u liruar vend ndërtesave shumëkatëshe. Shumë të tjera kanë mbetur as në tokë as në qiell, për shkak se pronarët dhe shteti nuk po mund të merren vesh. Disave u është vënë zjarri.

Trashëgimia në Kosovë është diku mes rasteve ku nuk ka fare informata, siç është “Shpella e Mbretëreshës” e deri tek ato që nuk kanë shpëtim, siç është Hani i Mullafazlive. Ndërkohë institucionet janë diku mes deklaratave për rëndësinë e trashëgimisë dhe premtimeve për përpilim strategjish.

Ministria e Kulturës e pranon se nuk është bërë mjaftueshëm për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Edhe sot, gjashtëmbëdhjetë vjet pas luftës dhe tetë vjet pas pavarësimit, vazhdon të flasë për strategji të cilat natyrisht se ende nuk ekzistojnë, por “do të bëhen”.

brikenda@koha.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...