Dialogu me Serbinë do të zgjasë së paku edhe dhjetë vjet

19 Gusht 2015 - 08:27 - Augustin Palokaj      

Dialogu është ngadalësuar në dinamikë, ka ngecje në zbatimin e marrëveshjeve, raportet mes palëve janë larg nga normalja, ndërsa palët po e kuptojnë se janë shumë, shumë larg nga integrimi në BE dhe nuk u paguhet të bëjnë lëshime të mëdha në dialog. Duke e marrë parasysh se normalizimi “gjithëpërfshirës” i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet në prag të anëtarësimit të Serbisë në BE, e ky anëtarësim nuk do të vijë shpejt, është reale që dialogu të zgjatë edhe dhjetë vjet

Kosova ka një kryeministër formal, i cili merr pjesë në takimet e nivelit të lartë në dialogun me Serbinë në Bruksel. Pos këtij kryeministri, në takime merr pjesë edhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi. Por Kosova në Qeverinë e saj, me madhësi të cilën një shtet aq i varfër nuk do të mund t’i ofronte vetes, ka edhe një ministre të posaçme vetëm për këtë dialog.

Por të mos e lënë me kaq, Kosova ka edhe një koordinator për dialog, edhe pse asnjëherë nuk është sqaruar se mes kujt dhe çka koordinon ai. Edhe presidentja, edhe pse nuk ka ndonjë peshë formale në dialog, në shumë takime ndërkombëtare e ka dialogun si temë kryesore. Dhe të gjithë këta të cilët janë të përfshirë në dialog janë nga niveli politik, dhe ai më i larti. Të gjithë ata kanë edhe këshilltarë dhe bashkëpunëtorë, të cilët angazhohen rreth dialogut, udhëtojnë në takimet në Bruksel dhe, si rrjedhojë, që është e natyrshme, bëjnë edhe shpenzime për udhëtime dhe mëditje.

Këtyre duhet shtuar edhe nivelet teknike të ekipeve në dialog, nga ato të gjykatave, Doganës, distributorit të energjisë, telekomit, policisë dhe shumë të tjera. Një angazhim kaq i madh kushton, dhe në raste të mira do të duhej të kthehej një investim i tillë. Por problemi me këtë dialog qëndron në faktin se ai ka nisur me shumë paqartësi dhe shumë propagandë, pa mekanizma verifikues të asaj që duhet zbatuar, dhe do të vazhdojë ashtu siç ka nisur, pa ndonjë datë se deri kur do të zgjatë.

Të rikujtojmë se si Qeveria e Kosovës kur hyri në dialog tha se ai është “vetëm teknik”, sepse me Serbinë “nuk do të bisedohet në asnjë mënyrë për çështjet e brendshme të Kosovës”. Kjo mund të regjistrohet ndoshta si e pavërteta e parë e madhe e Qeverisë së Kosovës për dialogun, sepse edhe në atë kohë, duke e vënë në krye të delegacionit një zëvendëskryeministre, Kosova vetë i dha këtij dialogu karakterin politik. Që atëherë dihej se mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka probleme teknike të cilat nuk janë rezultat i mospajtimeve politike që kanë të bëjnë me qëndrimet rreth statusit.

Dhe në këtë periudhë më shumë se katërvjeçare nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrime. Kosova është shtet i pavarur, nuk e ka kontrollin në tërë territorin e saj, Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe ka aspirata territoriale ndaj saj, të cilat i ka edhe në vetë Kushtetutën e vendit, ndërkohë që praktikisht prej nisjes së dialogut vetëm ka rritur ndikimin në jetën politike dhe ekonomike të Kosovës. Sikur të mos ekzistonin këto probleme politike, nuk do të kishte nevojë fare për dialog për të zgjidhur problemet teknike.

Në kushte të vazhdimit të mospajtimeve politike mund të pritet që dialogun ta përcjellin mospajtimet edhe rreth temave për të cilat diskutohen dhe, edhe kur të arrihet marrëveshja, të ketë interpretime të ndryshme të tyre. Kjo sjellje e të tria palëve, duke përfshirë këtu edhe Bashkimin Evropian, e ka bërë këtë dialog të pakufi. Dhe ai pritet të zgjasë së paku edhe dhjetë vjet.

Dialogu është ngadalësuar në dinamikë, ka ngecje në zbatimin e marrëveshjeve, raportet mes palëve janë larg nga normalja, ndërsa palët po e kuptojnë se janë shumë, shumë larg nga integrimi në BE dhe nuk u paguhet të bëjnë lëshime të mëdha në dialog. Duke e marrë parasysh se normalizimi “gjithëpërfshirës” i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet në prag të anëtarësimit të Serbisë në BE, e ky anëtarësim nuk do të vijë shpejt, është reale që dialogu të zgjatë edhe dhjetë vjet.

Bashkimi Evropian në kornizën negociuese për anëtarësimin e Serbisë në BE ka përfshirë si kusht edhe normalizimin “gjithëpërfshirës” të raporteve me Kosovën. Është shënuar se ky normalizim duhet të arrihet përmes një dokumenti obligues ligjor” që shumë diplomatë e barazojnë me nevojën që Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës. Por tash thonë se “kjo mund të vijë në rend dite para anëtarësimit të Serbisë në BE”.

Pra, Serbia, sipas diplomatëve evropianë, duhet vetëm të shënojë “përparim drejt normalizimit të raporteve me Kosovën” dhe jo “ta njohë pavarësinë e Kosovës”, edhe pse njohja “mund të vijë në rend dite në të ardhmen”.

Duke pasur parasysh këtë kushtëzim, Serbia ka koordinuar edhe sjelljen e saj. Ajo zbaton marrëveshje vetëm atëherë kur ka kërkesë të prerë nga BE-ja dhe kur e di se çfarë mund të përfitojë nga lëshimet eventuale. Kështu, lëshimet më të mëdha i bëri kur mori statusin e vendit kandidat, pastaj kur u vendos data për nisjen e negociatave dhe më pas kur ato negociata nisën formalisht.

Tash nga Serbia mund të pritet që të shënojë përparim në zbatim vetëm nëse është e sigurt se si kundërshpërblim do të marrë hapjen e kapitujve të parë në negociata. Dhe kështu do të jetë derisa Serbia të mos i hapë dhe mbyll të gjithë 35 kapitujt dhe të përmbyllë negociatat e anëtarësimin në BE. Në kushtet kur zgjerimi nuk është më prioritet i BE-së, nuk pritet që Serbia të përparojë shpejt drejt anëtarësimit.

Por sado i ngadalshëm të jetë përparimi i Serbisë në këtë proces, ai duket sikur një sprint në krahasim me Kosovën. Në fakt, nga krejt ato premtime për kinse “pako shpërblimesh” nga BE-ja për lëshimet e rënda që bëri në dialog, Kosova nuk arriti asgjë. Nuk ka ende të nënshkruar as MSA-në, ndërkohë që procesi i dialogut për liberalizimin e vizave është shndërruar në një maratonë për Kosovën pa asnjë afat kohor se kur mund të hiqen vizat. Nuk ka afat kohor nga BE-ja, ndërsa afatet që kishin premtuar ata që hynë në dialog para më shumë se katër vjetësh janë tejkaluar tashmë disa herë.
Një arsye tjetër pse dialogu pritet të zgjasë shumë dhe të jetë barrë mbi Kosovën janë edhe komoditeti dhe promovimi personal i atyre që janë të përfshirë në dialog.

Kush do të thërriste për vizita dhe për çfarë do të flisnin me liderët e Kosovës sikur të mos ishte dialogu. Mustafa dhe Thaçi nuk do të udhëtonin jashtë shtetit aq shpesh po të mos ishte dialogu. Ata që mendojnë se nuk është ashtu le t’i numërojnë vizitat e tyre në Bruksel dhe vende të tjera evropiane në të cilat temë e bisedave nuk ka qenë dialogu me Serbinë.

E njëjta vlen edhe për Beogradin. Kush do t’i ftonte aq shpesh kryeministrin Vuçiq apo ministrin e Jashtëm Daçiq po të mos ishte dialogu me Kosovën. Edhe BE-ja nuk do të kishte ide se çfarë të bëjë me Kosovën po të mos ishte si temë dialogu. Dhe ky dialog është i mirë edhe për të vazhduar mbajtja e iluzioneve nga të tria palët; mbajtja e iluzionit të Serbisë se Kosova nuk është shtet, sepse dialogu është neutral ndaj statusit.

Iluzioni i Kosovës se përmes dialogut Serbia po detyrohet ta njohë Kosovën si shtet. Iluzioni i të dyja palëve se po bëjnë përparime të mëdha në procesin e integrimeve evropiane, dhe iluzioni i bashkësisë ndërkombëtare se përmes këtij dialogu ka zgjidhur probleme madhore në rajonin e Ballkanit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...