Serbia duhet ta kuptojë se popujt rreth saj kanë të drejtë të festojnë çlirimin nga okupimi serb

12 Gusht 2015 - 08:33 - Augustin Palokaj      

Si duket liderët e sotëm të Serbisë, që kanë rastisur të jenë nacionalistët dhe nxitësit më të mëdhenj të urrejtjes gjatë luftës, e kanë të vështirë të pranojnë faktin se në ato luftëra kanë qenë në anën e gabuar. Prandaj nuk kuptojnë se të tjerët nuk janë të interesuar për ide, përmes të cilave do të barazohej përgjegjësia për shkatërrimet dhe krimet e bëra gjatë atyre luftërave. Sikur në secilën luftë edhe në ato në ish-Jugosllavi ka pasur viktima nga të gjitha anët. Secila viktimë është e tepërt dhe për familjet e tyre e dhimbshme. Por kjo kurrsesi nuk i bën të gjitha palët pjesëmarrëse të njëjta të atyre luftërave.

Para disa ditësh me veturë isha duke shkuar nga Zagrebi në bregdetin e Dalmacisë, rajonin e Splitit. Në radion kroate dëgjoja lajmet për shënimin e 20-vjetorit të operacionit “Oluja”, me të cilin Kroacia kishte çliruar një pjesë të madhe të territorit të saj, të cilin deri atëherë e mbanin të okupuar forcat serbe.

Për vetëm disa ditë forcat kroate, ushtria, policia dhe të mobilizuarit për këtë operacion kishin çliruar një territor që përafërsisht kap sipërfaqen sa territori i Kosovës. Dhe ishte çliruar pikërisht territori përmes të cilit isha duke kaluar në ato momente kur dëgjoja këto lajme. Në fund të lajmeve radioja publike e Kroacisë raportonte edhe për reagimet në Serbi rreth shënimit të këtij përvjetori jubilar. Lidershipi i sotëm i Serbisë thoshte se “nuk po kuptojnë se çka po feston Kroacia”.

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, i cili vetëm kohë pas kohe arrin të mbulojë ndjenjat e tij çetnike nacionaliste, nuk ngurroi të quante Kroacinë e sotme, anëtare të BE-së dhe NATO-s, si vazhdimësi e shtetit kroat, të krijuar në kohën e nazizmit. Por reagimet nga Serbia në Kroaci kryesisht hasnin në injorim e kishte edhe të atillë që gëzoheshin pse lidershipi i sotëm i Serbisë po zemërohet aq shumë.

Para 22 vitesh kisha udhëtuar nga Zagrebi për në qytetin e Splitit. Për dallim nga tash kur mbërrin për më pak se katër orë në atë kohë udhëtimi zgjaste një ditë, dhe ishte i rrezikshëm. Sepse duhej udhëtuar rrotull, duke kaluar ura të montuara, duke kaluar madje me trajekt për të ardhur në qytetin më të madh në bregdetin kroat.
Dhe tash për mua nuk ka dyshim se Kroacia ka shumë arsye të festojë 20-vjetorin.

Dhe përgjigjja e thjeshtë në pyetjen që parashtron lidershipi i sotëm i Serbisë se “çfarë po feston Kroacia?” është se “po feston fitoren, lirinë, tërësinë territoriale”. Këtë e dinë mirë edhe kryeministri i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetari Tomislav Nikoliq. Të dy ishin pjesë aktive e atyre që këtë luftë e humbën. Vuçiq madje në atë kohë i quante “tradhtarë” ata të cilët thoshin se “Kraina, Karlovci, Karllobagu dhe Virovitica (të gjitha këto qytete në Kroaci) nuk janë Serbi.

Vuçiq në të njëjtin fjalim në atë kohë kishte kërcënuar se, në rast të sulmeve të forcave ndërkombëtare ndaj pozicioneve serbe në Bosnjë e Hercegovinë, “për një serb do të vrasin 100 myslimanë”. Vuçiq sot thotë se “ndër marrëzitë e shumta që ka thënë në të kaluarën është edhe ajo!” Dhe natyrisht se kjo humbje nga forcat kroate për ta duhet të ketë qenë një traumë e rëndë përkundër faktit se sot paraqiten sikur të moderuar dhe si politikanë që duan të ndahen nga e kaluara.

Por për dallim nga e kaluara e tyre e turpshme në Kroaci, populli ka kujtesë për një të kaluar të palavdishme. E ngjarja pa dyshim më e lavdishme në historinë e popullit kroat është pikërisht operacioni “Oluja”, sepse në këtë operacion kombi ishte i bashkuar, fitoi uniteti kroat kundër një armiku shumë më të fortë dhe më mirë të armatosur, i cili kishte mbajtur atë territor për katër vite dhe kishte armatim me të cilin, me ndihmën e ish-Armatës jugosllave, që ishte bërë pjesë e projektit të Serbisë së madhe ta mbante dhe me vite. Dhe ishte ky operacion që bëri të bjerë miti mbi karakterin fitues dhe guximtar të ushtrisë serbe.

Me këtë u parandalua edhe rënia e Bihaqit në Bosnjë e Hercegovinë dhe gjenocidi që ka mundur të ndodhë atje ndoshta me përmasa edhe më të mëdha sesa në Srebrenicë. Këtë sot e pranojnë edhe ish-diplomatët amerikanë.

Kroatët sot nuk mund as ta paramendojnë se çfarë do të kishte ndodhur sikur të mos kishin ndërmarrë këtë operacion dhe sikur në fillim të gushtit të vitit 1995 të mos e kishin çliruar këtë pjesë të territorit të tyre. Nuk dihet sa do të kishte zgjatur lufta. Ndoshta kjo pjesë e Kroacisë, një e katërta e territorit, do të ishte njëfarë “Republika Srpska” apo njëfarë “Kosove veriore”, ku ndonjë lider lokal servil, i dirigjuar nga Beogradi, do të vazhdonte ta shantazhonte Kroacinë.

A do të vinin në kushte të tilla në Kroaci 13 milionë turistë të huaj në vit dhe a do të përfitonte Kroacia 8 miliardë euro nga ta çdo vit? A do të ishte Kroacia fare shtet funksional, i cili do të mund të anëtarësohej në BE dhe NATO- apo ndoshta Kroacia do të ishte e përgjysmuar, ndoshta me një pjesë territori formalisht në kuadër të saj, por praktikisht jashtë dhe me ndonjë entitet politik, i cili do ta kushtëzonte politikën e shtetit. A do të kishte Kroacia ndoshta ndonjë enklavë në krye të së cilës do të ishte ndonjë lider serb, siç është Milorad Dodik në Bosnjë e Hercegovinë, i cili nuk do të lejonte që shteti kroat ta njihte pavarësinë e Kosovës apo të mbështeste sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

Kroatët e dinë mirë se sa vlerë ka operacioni “Oluja” për ta dhe, edhe pse të ndarë në përmasa të mëdha në linjat ideologjike, kroatët janë unikë në vlerësimin e këtij operacioni. Prandaj me aq entuziazëm dhe gëzim ndoqën paradën ushtarake që u zhvillua këtë vit në nder të 20-vjetorit të këtij operacioni.

Në Serbi dëshirojnë të manipulojnë me fatin e refugjatëve serbë nga Kraina për ta kriminalizuar operacionin “Oluja” pa dyshim humbjen më të madhe ushtarake serbe në kohën moderne. Kroacia nuk lejon të shantazhohet me këto ofendime nga Serbia. Në fakt vetë shteti kroat ka pranuar se ka pasur krime edhe ndaj popullatës civile serbe dhe, kur janë gjetur dëshmi, ka nxjerrë para gjykatave dhe ka dënuar ata të cilët janë përgjegjës. Në Tribunalin e Hagës janë akuzuar edhe ushtarakët kryesorë të Kroacisë që kanë udhëhequr betejat dhe shumë prej tyre janë shpallur të pafajshëm, përfshirë edhe gjeneralin Ante Gotovina.

Kroacia nuk e mohon faktin se një numër shumë i madh i serbëve i kanë lëshuar shtëpitë e tyre pas hyrjes së forcave kroate në ato pjesë, por u ka mundësuar të gjithë atyre që duan të kthehen të marrin shtetësinë kroate dhe t’u kthehen pronat. Edhe sot ka probleme me kthimin e disa të drejtave për disa prej tyre, por Kroacia merret seriozisht me këto raste. Liderët e Kroacisë së pasluftës kanë thënë gjithmonë se e bëjnë këtë pikërisht për të mos lënë ndonjë njollë në operacionin “Oluja”.

Si duket liderët e sotëm të Serbisë, që kanë rastisur të jenë nacionalistët dhe nxitësit më të mëdhenj të urrejtjes gjatë luftës, e kanë të vështirë të pranojnë faktin se në ato luftëra kanë qenë në anën e gabuar. Prandaj nuk kuptojnë se të tjerët nuk janë të interesuar për ide përmes të cilave do të barazohej përgjegjësia për shkatërrimet dhe krimet e bëra gjatë atyre luftërave.

Sikur në secilën luftë edhe në ato në ish-Jugosllavi ka pasur viktima nga të gjitha anët. Secila viktimë është e tepërt dhe për familjet e tyre e dhimbshme. Por kjo kurrsesi nuk i bën të gjitha palët pjesëmarrëse të njëjta të atyre luftërave.

Nëse Kosova mund të marrë shembull nga Kroacia, atëherë është se si të ruhet dinjiteti i luftës dhe luftëtarëve, të cilët kanë sakrifikuar për çlirimin e vendit, Kjo nuk bëhet në mënyrën siç bëjnë sot ata të cilët bazohen në meritat e luftës për të bërë biznese apo për të përfituar politikisht. Kjo bëhet duke respektuar ata që kanë luftuar, duke ndihmuar invalidët, familjet e dëshmorëve, por duke i dënuar ata të cilët kanë bërë keqpërdorime.

Vetëm atëherë edhe Kosova, sikur Kroacia, mund të përmbyllë temat e luftës, t’ua lërë përvjetorëve që do të shënohen, dhe të punojnë në ndërtimin e një shteti funksional, me tërësinë territoriale, që nuk do të lejojë që të shantazhohet nga Beogradi siç bëhet sot me Kosovën.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...