Autogoli Special

11 Gusht 2015 - 08:18 - Flaka Surroi      

Specialja kaloi, për shkak se ashtu e deshi Thaçi. Dhe takimet e shpeshtuara që i mbante me grupin e vet parlamentar nuk do t’i kuptojmë seriozisht si masa trysnie. Më parë dukeshin veprim për të krijuar bindjen se sa vështirë e kishte, porse që me këso përpjekjesh dëshmonte se është i vetmi njeri këtu që “mund të kryejë punë”

Në pesë ditët e fundit, ballinat e gazetës e kishin kryefjalë “Specialen”. E si të mos e kishin, që pas zvarritjes së një teme që ka mundur të jetë zgjidhur para shumë muajsh, iu nënshtruam një parodie që përshkallëzoi në një sërë batutash që hiç s’ishin “funny” dhe më pas edhe në një gati konfrontim fizik, pas këmbimit të një grumbulli llomotitjesh e fyerjesh që nuk u kanë hije as kapadainjve, e lëre më “përfaqësuesve të popullit”.

Në përpjekje për t’u treguar më parlamentari dhe më demokrati nga të gjithë kryetarët e Parlamentit, Mr. Kty vendosi t’ua jepte mundësinë që të gjithëve që të flisnin aq sa të donin, për çka të donin, pavarësisht se tanimë e kishin të qartë se si do të votonin. E prandaj seanca e cila do të duhej të ishte vetëm përsëritje e votimit të seancës paraprake, që kishte ndodhur para pesë javësh, zgjati 10 sahat, pa e llogaritur pjesën e dytë të kalimit të ligjeve që ndërlidheshin me Specialen, e që zgjati gati edhe tri orë shtesë.

Përpjekja e opozitës për ta rrëzuar votimin e Speciales me mocionin për Rezolutën që spikat gjenocidin serb gjatë luftës së Kosovës, ishte lëvizje taktike e mençur, por jo mjaftueshëm e mençur, për shkak se nuk e mori parasysh një fakt të thjeshtë: se patriotizmi i deputetëve tanë ndizet me teledirigjues sa herë që të ketë nevojë. E kësaj radhe, deputetët e koalicionit e kanë pasur sinjalin “off” dhe përqendrimin vetëm në temën e Speciales. Kjo edhe për shkak të faktit se kjo rezolutë do të riprocedohet, mbase edhe do të votohet. E mandej çka me të? Asgjë, sikurse me të gjitha rezolutat e tjera që i ka miratuar Legjislativi.

Sidoqoftë, Specialja u votua dhe tash priten edhe ca procedura shtesë për t’u jetësuar. Nëse ky është vërtet qëllimi i PDK-së, e besa edhe i të huajve.

Seancë maratonike për kot

Tashmë po e dimë se si rrodhi seanca. Mbase vlen të përmendet se gjëja më e mirë që ndodhi qe se nuk pati incidente fizike, e as përpjekje të çfarëdo lloji për t’i ndaluar punimet e Kuvendit, apo për t’ia mohuar kujtdo të drejtën për të folur. Ani që fjalimet që na i shpalosën qenë të kota, të mërzitshme dhe kryesisht patetike. Për më tepër, qe mjaft e pakuptimtë se pse u desh të këmbeheshin tone të rënda për t’u dëshmuar se kush ishte më mbrojtës i UÇK-së. Se fundja kalimi i Speciales nuk do të thotë se do të gjykohet UÇK-ja. Për fat të keq, kalimi i Speciales i kriminalizon shqiptarët nëpërmjet ca eksponentëve të UÇK-së, dhe kjo u përsërit e u ripërsërit me javë të tëra. E që kjo ka mundur të parandalohej qysh vjet, kur u votua marrëveshja për themelimin e kësaj Gjykate, kur një pjesë e opozitës atëherë, që vazhdon të jetë opozitë edhe sot, i pati çuar gishtërinjtë në përkrahje të saj. Prandaj mbrojtja e “parimit” tash nuk kishte kuptim, pasi që parimi tashmë ishte shkelur vjet.

Në këtë atmosferë la përshtypje paraqitja e veçantë e deputetit Ilir Deda, që ishte kritik edhe ndaj taborit opozitar. Sado i ngarkuar me tensionin që e krijoi krejt rrjedha e seancës, megjithatë ia doli ta përçonte një porosi të qartë: deputetët nuk ishin duke e kryer detyrën për të cilën ishin zgjedhur, por po merreshin me këmbime personale me tipare ideologjike. Specialja do të kalonte ose nuk do të kalonte, dhe në të dyja variantet do të kishte pasoja për Kosovën, e për të cilat pasoja as Kuvendi e as cilido institucion i këtij shteti, nuk janë të gatshme as të japin përgjigje e as zgjidhje. Qasjen e tij e elaboroi më pas në një paraqitje të shkëlqyer në Interaktiv, e që do të duhej të shërbente si mësim i mirë për “përfaqësuesit e popullit”. Sepse arsyeja se përse janë zgjedhur nuk është të na e komplikojnë jetën edhe më, por të kuptojnë se në duar e kanë pushtetin për të vendosur për të mirë. Që të mos pranojnë imponimin, por të veprojnë sipas ndërgjegjes. Që të mos udhëhiqen nga emocionet dhe ideologjia, por nga pragmatizmi dhe nga nevoja për të zgjidhur probleme jetike.

Kaloi

Specialja kaloi, për shkak se ashtu e deshi Thaçi. Dhe takimet e shpeshtuara që i mbante me grupin e vet parlamentar nuk do t’i kuptojmë seriozisht si masa trysnie. Më parë dukeshin veprim për të krijuar bindjen se sa vështirë e kishte, porse që me këso përpjekjesh dëshmonte se është i vetmi njeri këtu që “mund të kryejë punë”. Pra, të mos kishte dashur, Specialja nuk do të kishte kaluar. Mbase arsyeja se përse kësaj radhe u mblodhën votat qe taktizim i tij, duke llogaritur në gjaknxehtësinë e përfaqësuesve të opozitës, që me automatizëm i qasen Gjykatës Kushtetuese sa herë që pretendojnë se janë shkelur procedurat. Nga aspekti juridik, veprimi i opozitës është legjitim, përderisa kjo ka besim të plotë në argumentet që do t’i paraqesë para Kushtetueses. Mirëpo, se a janë argumentet e saj të qëndrueshme përderisa Rregullorja e Kuvendit dhe Kushtetuta kanë mangësi dispozitash që e përcaktojnë se çka nëse amendamenti i Kushtetutës nuk kalon – atë do ta dëshmojë Kushtetuesja po qe se lënda do t‘i dërgohet.

Në situatën hipotetike që kjo të ndodhë, dy janë rezultatet e parashikueshme: një, që Kushtetuesja ta rrëzojë vendimin e Kuvendit dhe ta rikthejë procedurën në rivotim, apo dy, që ta refuzojë ankesën e opozitës dhe të shkohet tutje. Siç ka funksionuar Kushtetuesja deri tash, po qe se shtyrja e procesit do t’i konvenojë Thaçit, atëherë me gjasë do të anulohet vendimi i Kuvendit. Kjo do t’i japë kohë edhe nja një muaj për të negociuar ende sigurinë se nuk do të jetë i përfshirë nga Specialja. Po qe se presioni i jashtëm do të jetë më i fuqishëm, sepse durimi po u humb, atëherë Kushtetuesja do të thotë se kjo çështje tashmë është vlerësuar, dhe se nuk ka asgjë të re për të thënë.

Nëse ndodh kjo e dyta, hapi i ardhshëm do të jetë ratifikimi i marrëveshjes ndërshtetërore me Holandën, në mënyrë që të lejohet bartja e Speciales edhe në Hagë. E që kjo të ndodhë, do të nevojiten sërish dy të tretat e votave të deputetëve, përfshirë edhe dy të tretat e minoriteteve. Dhe po qe se Thaçi nuk do, kjo mund të mos kalojë. Dhe për këtë mund të gjenden një milion arsye, kurse ne do të mund t’i nënshtroheshim edhe një serie sesionesh torturuese, ku sërish do të dëgjojmë se kush është më patriot dhe kush e do UÇK-në më shumë, se kush ka kontribuuar për UÇK-në, se kush ka pasur më shumë viktima në familje..., pra sërish një rast për të treguar se e gjitha varet nga ai: i vetmi njeri me fuqi për t’i realizuar në praktikë gjërat që i kërkohen Kosovës.

Edhe një dështim?

Ndërkohë, Evropa po bëhet gati për të gjetur fonde për ta hapur, pajisur dhe mbajtur një Gjykatë, që sipas ligjit dihet kur nis, por nuk dihet kur do të mbarojë punë. Një Gjykatë që tashmë i ka materialet gati për t’i ngritur aktakuzat, por të cilat nuk do t’i bëjë pa kaluar gjashtë muaj, aq sa thuhet i duhen për t’u aktivizuar. Bëhet fjalë për nja 500 milionë euro, të cilat në të shumtën do t’u shkojnë gjykatësve, prokurorëve, përkthyesve, administratorëve – pra sërish do t’u kthehen shteteve nga kanë ardhur në formë rrogash, honorarësh, e mbase edhe pagesash të tjera.

Ajo që nuk është e qartë qysh tash, është nëse insistuesit për ta themeluar Gjykatën tashmë i kanë identifikuar gjykatësit dhe prokurorët profesionalë që do ta kryejnë punën në afat të gjatë, e jo sikurse kanë bërë në misionet e UNMIK-ut dhe EULEX-it, që tashmë gjithkush e di, kanë dështuar krejtësisht për ta kryer detyrën e tyre. Sepse të kishin vepruar si duhet, dhe sipas ligjit, Specialja nuk do të ishte themeluar, sepse s’kishte pasur nevojë për të.

Dhe pa dashur të paragjykoj asnjë gjë, e kam vështirë të besoj se Specialja do të bëjë më shumë sesa misionet paraprake në Kosovë. Tashmë bëhet bujë me emra të llojllojshëm, se kush do të mund të ishte subjekt gjykimi. Se kush do të jenë ata, mbase do ta shohim nga fillimi i 2016-s. E meqë tashmë është në prag të formimit, atëherë do të duhej vërtet t’i gjykonte ata të cilët kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës. Sepse të thuash se nuk ka pasur krime të kryera nga ana e shqiptarëve, është në fakt mohim i krimit. Sado që ai nuk mund të krahasohet me masakrat që i kanë shkaktuar serbët, e që kjo Gjykatë nuk do t’i trajtojë. E mbase nuk do t’i trajtojë asnjë gjykatë tjetër. Ne vetes i dhamë autogol me Specialen, tash duhet t’i bartim pasojat.

Taktika me cak të gabuar

Fati i Speciales dhe muhabetet që do të pasojnë për të në javët në vijim, e lënë në hije temën e nxehtë të Zajednicës, që tash dikujt i është kujtuar ta lidhë për formimin e FAK-ut. Pas gjithë asaj që ka ndodhur në procesin e Brukselit dhe mohimit të shpeshtuar se Zajednica nuk do të ketë fuqi ekzekutive, është gati e sigurt se ajo do të dalë e të votohet. Në formë amendamenti kushtetute me gjasë, mu për shkak të fuqive ekzekutive që serbët i kërkojnë. Në këtë kontekst, shihet tepër e rrezikshme bile ideja që ky votim të ndërlidhet me krijimin e FAK-ut dhe me votimin e tij në Kuvend. Kjo, për shkak se nuk e vlen votimi i ushtrisë (ngase tashmë ekziston ushtria, ani që e ka emrin FSK) nëse serbëve do t’u jepet edhe autonomia.

Mbase do të duhej kujtuar deputetëve se momentalisht serbët kanë vende të garantuara në Kuvend, e kanë serbishten gjuhë zyrtare në të gjithë Kosovën, e kanë sistemin e arsimit më shumë të lidhur për Serbinë sesa për Kosovën dhe në komunat e veriut i kontrollojnë të hyrat doganore vetëm për vete. Nëse kësaj ia shtojmë edhe klauzolën e votës së dyfishtë në Kuvend, paramendoni se çfarë ndodh po qe se bëhen edhe me autonomi. Kosova do të bëhet edhe më jofunksionale seç është, dhe kjo do të jetë vulosja e ndarjes së Kosovës.

Përfundimisht, kujtdo që i ka shkuar madje në mendje kjo punë, do të jetë shumë shkurtpamës dhe diletant. Shumë më shumë humb Kosova nëse e voton Zajednicën, vetëm sa për ta fituar një ushtri, e cila edhe ashtu nuk do të ketë punë, përderisa janë forcat e KFOR-it duke e siguruar Kosovën. Dhe jam e sigurt se po edhe u formua ushtria, KFOR-i ende do të qëndrojë këtu. Për një arsye shumë të thjeshtë: sepse të huajt nuk u besojnë shqiptarëve.

* * *

Specialja është njollë shumë e keqe për shqiptarët, aq sa edhe vetë kryeparlamentari e quajti Nuremberg i Kosovës, duke pranuar në formë indirekte se shqiptarët janë kriminelë lufte. Por njollë shumë më e madhe për të do të jetë humbja e territorit në veri, në çastin kur të formalizohet Zajednica. Po e paramendoj ditën e votimit. Shefi i shefave do të sillet prej një ulëseje në tjetrën, duke lobuar për vota, ashtu siç bëri kur u votuan anëtarët e Bordit të RTK-së. Për shkak se kështu duket se shikohet edhe i gjithë ky proces në Bruksel – si një lojë shahu, ku figurat lëvizin. Porse këta ekspertët tanë po harrojnë se shahu është punë logjike dhe se në çdo lojë përballen me dy kundërshtarë të mëdhenj: me orën dhe me dikë më të mençur se ata.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...