Përtej patetizmit

10 Gusht 2015 - 09:10 - Lumir Abdixhiku      

Kosova do të kthehet paradoksalisht në faqet e historive të vrasjeve e krimeve të luftës gjithandej nëpër botë. Temat tona të brendshme do të mbyten nga diskutime edhe më patetike, të heroizmave e sakrificave, të idealizmave e padrejtësive historike; por s’do të kemi kohë më të flasim për punë, standard, mirëqenie zhvillim – siç dhe nuk patëm kohë asnjëherë.

-1-

Do të ketë qenë dita më e bajatshme, më e padurueshme, më patetikja dhe gjithsesi më papërmbajtësorja në tërë historinë parlamentare të Kosovës, dita e ripërsëritur e diskutimeve mbi Gjykatën Speciale. Kaq shumë patetizëm e kaq pak argumentim – për dhe kundër Gjykatës pa dallim – vështirë se mund të ketë pasur ndonjëherë.

Në të vërtetë, arena e vetme e bukur bëhej jashtë Parlamentit, nëpërmjet një talljeje të gjithandejshme qytetare ndaj diskutuesve, tallje e përzier domosdo me shumë dozë habi për nivelin e paditurisë e pagdhendësisë që gjendej aty. Parlamenti ishte bërë interesant jo pse ofronte mend e dije, e zgjidhje, por sepse ishte tragjikomik.

Përjashto aty-këtu individë të rezonit – në numër më pak se gishtat e njërës dorë – që gjetën megjithatë guxim të dilnin nga shabllonet e fiksuara partiake, të tjerët përbënin zinxhirin e gjatë dhe torturues të mendimeve parlamentare, mbi një temë jetike e esenciale për vendin. Nuk ishin në gjendje të diskutonin profesionalisht, pa përzierje të parëndësishme e ngritje të muhabeteve kafeneske.

Në njërën anë ishin promovuesit e Gjykatës, pushteti pra, i cili, siç dhe ndodh zakonisht deri më tani, ishte i ndarë. Pacifistë, në njërën anë, kishin zgjedhur heshtjen. Nga mosdija apo mosguximi nuk ka rëndësi, ata në momentet më historike për vendin po prodhonin abstenim – siç dhe prodhojnë rëndom të padobishmit. Çlirimtarët, në anën tjetër, kishin zgjedhur argumentimin absurd se Gjykata Speciale ishte një regres nacional (i sjellë nga ta), por duhej përmbushur regresin për hir të përmbushjes së kushtëzimit, e jo për hir të përmbushjes së drejtësisë apo vërtetësisë.

Dhe si oponencë e një pushteti të bërë për të votuar e kaluar sfidat si këto, ishte një opozitë që me më shumë patetizëm, aktrim e brutalitet argumentues bënte pushtetin të dukej si i arsyeshëm – para vendorëve e ndërkombëtare njësoj. U nxorën fjalime të parëndësishme, u fol temë e lirë, u shpërndanë sërish mitet për Specialen – të zakonshmet e të replikuarat në bajatizëm tashmë – u çirr e u thirr në të lavdishmen, të paprekshëm, utopiken (ani pse më vonë u akuzuan të paprekshmit për krime njëtrajtësisht), pa përfunduar me asnjë argument të vlefshëm gjysmoratorik që jepte alternativë të parrezikshme e jo vetëvrasëse. Standard i tyre tashmë.

-2-

Natyrisht se, siç po ndodh tashmë në secilin diskutim parlamentar, edhe në këtë të tashmin u hap historia e pretendentëve politikë – po jepej e vërteta e tyre. Secili bëhej më hero, më atdhedashës, më patriot se tjetri.

Nga idealizmi i gërditshëm se shqiptarët me uniformë nuk bëjnë krim – madje as nuk zënë banesa (zënë banesa, shtëpi, tokë e shtet besa – u thonë zaptues), e deri tek kush kishte të drejtë në Rambuje; nga kërkesa për luftë të përjetshme, e deri në kundërshtim të gjithçkaje që kemi sot – të kompleksuarit nga renditja e gabuar në të shkuarën në përballje me kapësit e shtetit, të tashmes e të së ardhmes njëtrajtësisht, provonin të jepnin versionin e tyre historik mbi ngjarje që nuk kishin më rëndësi.

E gjitha kjo në një ditë diskutimi parlamentar mbi Gjykatën Speciale pra. Kaq dhe mund të bëjnë këta sinqerisht. Në këtë diskutim kohe na mbajnë të gjithë, pushtet e opozitë tash e gjashtëmbëdhjetë vjet rresht. Të gjithë kanë ngecur në vitin 1999.

Dhe mu ky nivel diskutues i opozitës – sepse pozita këtë do – që fokusohet për teke të një individi në histori – duke provuar të përbaltë ngjarjet më të rëndësishme të Kosovës që kanë ndërtuar mu këtë pavarësi e këtë Republikë – ka sjellë opozitën në gjendjen më të rëndë të mundshme ndonjëherë.

Përballë një pushteti aspak të pëlqyeshëm, hiç energjetik, opozita është shndërruar në front të pallavrave munduese, me rima plot – por pa përmbajtje e rezon; të rrezikshme sa s’bëhet më. Opozita do të përfundojë, rrjedhimisht edhe më keq.

Fatkeqësisht, për aq sa kanë treguar në të gjitha këto vite, kjo opozitë nuk mërzitet fare sa do të bjerë. Janë fanatikë të ideve (të rrezikshme gjithsesi), dhe djegës brilantë të përkrahjeve publike. Natyrisht, për dallim nga e shkuara, këtë herë do të mbesin edhe pa përkrahje publike, edhe pa atë qytetare.

Do të kthehen në klube ekstremistësh e shëtitjeve me gomarë – siç mund të kenë qenë të destinuar përjetësisht; ani pse s’kanë për t’u mërzitur asnjëherë.

Fatkeqësia më e madhe mbetet se Kosova dhe kosovarët do të mbesin sërish pa alternativë normale. Ato do të duhen sërish të zgjedhin në më të keqen e vogël, nga një lëmsh i madh politik. E ky nivel politik, kjo gjeneratë politike, nuk ka për të sjellë asnjëherë zgjedhje mes të mirës e së keqes; do të zgjedhim keq ose shumë keq.

-3-

Për dallim nga përkrahësi e gjykatës, dhe kundërshtarët e saj, them se, siç edhe kam argumentuar më parë, themelimi i Gjykatës Speciale është zgjidhja më e mirë – gjithsesi më e vështirë – nga zgjidhjet në tavolinë. Kosova kishte një obligim moral, ligjor dhe ndërkombëtar trajtimin e pretendimeve për krime. Kosova nuk kishte të drejtën më për të bërë këtë gjykim vetë.

Të tjerat diskutime nacionaliste, euforike e patetike, në këtë kontekst kohor, dërgojnë vendin vetëm në izolim, e shndërrimin tonë në një Republikë Serbe të Dodikut; frankenshtajn entitet – pikë refuzimi për gjithë Perëndimin. Natyrisht se disa kapës e revolucionarë njëtrajtësisht edhe këtë zgjidhje s’do ta kishin problem, përderisa u vazhdon ideja (e krisur) e pushteti (zaptues) – të dyve pa përjashtim.

Kosovarët e tjerë ndërsa, përtej Gjykatës Speciale, duhet të brengosen më shumë për nivelin politik në vend. Ky nivel politik, i shpërfaqur mbarësisht në Parlament, pa fije dallimi në mes të pozitës e opozitës – patetikë e jopërmbajtësorë të gjithë, ka për të sjellë gjithmonë alternativa në mes të së keqes dhe shumë të keqes; mirë nuk dinë.

Dhe në gjithë këtë mundësi zgjedhjeje, Kosova do të heqë copa të identitetin e sovranitetit në vazhdimësi. Shkatërruesit e rrënuesit do të duken sërish para forcave përcaktuese politike të jashtme si më të arsyeshmit; ne të tjerët si jomeritorë që dërgojmë të tillë në politikë.

E politika bëhet në kohë reale, jo në kredi të pashpenzuara historike. Alternativat e sotme të pamundura mund të bëhen fare të lehta në të ardhmen po qe se në vazhdimësi ne sjellim para vetes alternativa të këqija dhe shumë të këqija për zgjedhje.

Dhe alternativa të vështira na vijnë në ditët në vijim; gjithsesi. Nuk ka për t’u bërë më lehtë. Kosova do të kthehet paradoksalisht në faqet e historive të vrasjeve e krimeve të luftës gjithandej nëpër botë.

Temat tona të brendshme do të mbyten nga diskutime edhe më patetike, të heroizmave e sakrificave, të idealizmave e padrejtësive historike; por s’do të kemi kohë më të flasim për punë, standard, mirëqenie e zhvillim – siç dhe nuk patëm kohë asnjëherë. Peng të kapësve për gjashtëmbëdhjetë vjet, peng të tyre dhe për shumë kohë.

Kosova bën mirë të lirohet sa më parë nga e shkuara e saj; jo duke e harruar atë, por duke menduar për të ardhmen. Sepse e ardhmja jonë, e kapur nga e shkuara – me njerëz e ide njëtrajtësisht – duket hiç shpresëdhënëse; e frikshme madje.

abdixhiku@facebook.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...