Evropa e dy shpejtësive të ndryshme

12 Prill 2014 - 08:43 - Halil Matoshi      

Siguria e Evropës varet nga shpejtësia e burokracisë së saj për t’i bindur euroskeptikët se tash është momenti i duhur për bërjen e saj të tërë dhe unike. Brukseli si seli e BE-së dhe e NATO-s e ka rritur shpejtësinë e hapave për të krijuar avantazh në kohë, duke e falënderuar Vladimir Putinin. Megjithëse ende është shumë prapa në kohë, ngase i ngjan një makinerie gjigante me timonierë të këqij

Pushtimi “i bardhë” i Krimesë (dhe frika nga i njëjti yrnek i Moldavisë rreth Transdiestrisë) dhe propozimi i Putinit që Perëndimi duhet të hyjë në negociata të sërishme për rirregullimin (federalizmin e Ukrainës) është rikthim klasik tek Stalini, në Jaltën e vitit 1945.

Kritiku letrar austriak, Karl-Markus Gauss, shkruante se tashmë janë “krijuar” e qartësuar dy Evropa. Këtë çarje e hetoi Kremlini, për t’i rikthyer politikat e veta të Jaltës dhe përmes një mashtrimi të madh ta bindë sërish Perëndimin se është koha e një ndarjeje të re të Evropës!?

Pushtimi “i bardhë” i Krimesë e zuri n’zgabim BE-në (ekziston dhe frika nga i njëjti yrnek në Moldavi, rreth Transdiestrisë), prandaj Putin propozon negociata me Perëndimin për rirregullimin (federalizmin e Ukrainës), gjë që do të ishte rikthim klasik tek Stalini, në Jaltën e vitit 1945.

“Krahas Evropës klasike, perëndimore, muzeale, madhështore, historiko-patetike, merr frymë edhe një Evropë e dytë, modeste, e rrasur në një qoshe, periferike prej shekujsh, Evropa e popujve të Lindjes dhe të Juglindjes. Këta janë popujt e Baltikut, të zonës së Danubit dhe të Karpateve, të popujve ballkanikë, të cilët nuk pranohen brenda mureve evropiane, por detyrohen të jetojnë antemural (përtej mureve), duke krijuar një lloj fortese kundër rrezikut osman, mongol, si dhe kundër çdo rreziku, ushtarak apo politik”, – shkruante Gauss. Në këtë kontekst “Evropa e dytë” kahmot ishte e frikësuar dhe frika rëndom është një këshilltare e keqe, sepse ajo shpie në dhunë. Kjo u pa në vitet ’90 me shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë, të cilën dëshironte ta ruante Perëndimi deri në ditën e shpërthimit të luftës në Kroaci.

Në prag të këtyre luftërave dhe pas tyre, sidomos ballkanasit e këshillonin Evropën që t’i merrte në mbrojtje, përndryshe “madhështia e saj patetike” po shndërrohej në “tigër prej letre”, mirëpo Evropa, ajo e para e fuste kokën në zall edhe më thellë, edhe më monotone dhe u desh që Amerika për herë të tretë në shekullin 20 ta “shpëtonte” këtë Evropë me fytyrë.

E tash?
Leksioni i Krimesë, falë Vladimir Putinit, po e mëson Evropën që të udhëtojë me një shpejtësi të rritur, por trupi i saj burokratik po lëviz ende ngadalë, i kalamendur dhe konfuz.
Por BE-ja më nuk ka nge.

Ashiqare Rusia e Putinit i dha leksionin më të keq, dhe në kohën që Brukseli zyrtar nuk e priste, sepse burokratët e Brukselit tek po hanin patatina me “Coca-Colën” magjike, duke parë në TV protestat në Kiev, i duartrokisnin ndryshimit nga brenda, por ky ndryshim që edhe ndodhi (kryetari marionetë Janukoviç u rrëzua dhe iku në Moskë) ia hapi shtegun Rusisë për ta rikthyer një copë toke pa e shkrepur asnjë plumb, sepse për këtë nuk ishin as koha dhe as mundësitë.

Ndodhi pothuajse njësoj sikur atëbotë, në të vitet ’90, kur trupat ruse rrafshuan me tokë Groznin, kryeqytetin e Çeçenisë, dhe arritën ta shuajnë kryengritjen e prirë nga Xhohar Dudajev, për ta sjellë në pushtet një kukull – me profilin e një vrasësi serik - si Ramzan Kadirov.

Porse tash Rusia përdori një armë të llojit tjetër, rusët etnikë të Krimesë, të cilëve Moska ua përgatiti skenarin për të fituar legjitimitetin e shkëputjes, me pretekstin se kinse fashizmi i Kievit po rritet dhe se ata do të rrezikoheshin.
BE-ja tashmë e mori një leksion.

Nëse Evropa vazhdon të dergjet në letargji (e nxitur edhe nga eurocentristë dhe euroskeptikë të ngjyrimeve të ndryshme) Rusia do ta tkurrë atë duke e shtyrë në drejtim të Brukselit!?

BE-ja dhe NATO-ja duke u gjendur në këso situate kur u kanë mbetur vetëm fjalët për ta qortuar Putinin, me deklarata politike, nisën që t’i rrisin shpejtësitë drejt kësaj Evropës së dytë, duke ndërmarrë disa hapa vërtet simbolik, por që inkurajojnë popujt “nga vija e parë e zjarrit” kundruall Rusisë, veçanërisht moldavianët, të cilët fituan liberalizimin e vizave, kurse kosovarët përfituan nga “alarmi i kuq” për t’u bërë vëzhgues në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, e në anën tjetër, për ta nxitur Brukselin që të ecë me shpejtësi të rritur, 12 kongresistë amerikanë kanë propozuar një Rezolutë për mbështetjen e pranimit të Maqedonisë në NATO e dorëzuar nga Kendis Miler, kryetare e Grupit për miqësi me Maqedoninë në Kongresin e SHBA-së.

Rezoluta i bën thirrje Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit shtetëror të punojnë që të sigurohet pranimi i Maqedonisë në NATO në samitin e Britanisë së Madhe në shtator.

Përderisa Moldavia e gjetur e frikësuar nga gogoli Kremlin, arriti që për 36 muaj të zbatojë kushtet për liberalizim, Kosova nuk është askund afër, sepse është larg Rusisë!?

Mirëpo, e ka “poligonin” ku mund të nisë të ushtrohet Transdiestria apo Krimeja – pjesën veriore të vendit, prandaj në disa situata emergjente, disa hapa janë të domosdoshëm edhe pse mund të mos jenë të duhurit.

Evropës i duhet përparësi në kohë, që të jetë secilën ditë një hap para Kremlinit, prandaj anëtarësimi express i Maqedonisë, i Malit të Zi, i Bosnjës dhe Hercegovinës dhe i Kosovës në NATO, si dhe liberalizimi i vizave për kosovarët dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE, pa e lënë manash Serbinë, do të ishte vërtet fitore në kohë, shpejtësi e një leopardi karshi “ariut të stepave”, rëndom me mbipeshë, ashiqare agresiv dhe për fat të mirë, tepër të ngadalshëm.
Mirëpo edhe Shqipëria, edhe Kosova, edhe Maqedonia dhe Serbia duhet t’i rrisin shpejtësitë në makinat e tyre të memories. Dhe jo vetëm të memories. Sepse vetëm integrimi i plotë euroatlantik u siguron këtyre shteteve sigurinë kombëtare, por ato duhet që të nxiten që vetë të prodhojnë siguri e të mos mbesin vetëm konsumuese. Siguri këtyre vendeve u garantojnë edhe marrëveshjet ndërmjet vete, pra shkëputje brilante nga epoka e grindjeve (të përgjakshme) dhe arritja e një marrëveshjeje e Shkupit me Athinën për emrin e shtetit, po ashtu marrëveshje për ndarjen e pushtetit me shqiptarët, përkatësisht zbatimin e plotë të Marrëveshjes kornizë të Ohrit, zbatimi me shpejtësi të madhe i marrëveshjeve që kanë buruar nga dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe një pakt i ri mes pushtetit dhe opozitës në Tiranë.
Në këtë situatë Shqipëria, ndonëse për nga shpejtësia e internetit mbetet e fundit (me 6.04 Mbps) pas Maqedonisë madje, ajo është në avantazh karshi fqinjëve për sa i përket shpejtësisë në integrime.

Ajo është anëtare me të drejta të plota në NATO dhe nuk ka konflikte të hapura me fqinjët, po ashtu ka siguruar një rotacion pushteti të padhunshëm.

Ndërsa Prishtina zyrtare është në pozicionin më të keq rajonal, sepse Qeveria e saj për të siguruar jetëgjatësinë e pushtetit personal i ka zvarritur të gjitha proceset integruese, disa nga to madje i ka degjeneruar fare (sidomos drejtësinë).

Dhe tani kur u gjet n’zor të madh dhe kur e kuptoi se nëse nuk i kryen detyrat e shtëpisë, dikush kujdeset për ndëshkimin - derisa vrapon – të rrahë me kamxhik nga pas, lidershipi kosovar duket i thyer dhe në panik, sepse Tribunali u bë fakt i kryer.

Nuk është rastësi që kësaj legjislature të Kuvendit, të mbushur me njerëz të fuqishëm të luftës e të pasluftës, me komandantë milicish sekrete e batakçinj të ndryshëm iu dha detyra që ta votojnë në pako ndërrimin e misionit të EULEX-it dhe krijimin e Tribunalit për krime lufte të UÇK-së.

Pse kjo detyrë pikërisht tash dhe pikërisht këtyre?
Sepse duke e ndier veten tepër të fortë po talleshin me vendin dhe njerëzit e tyre, e me gjysmë goje dhe në gjysmë errësirë edhe me amerikanët dhe evropianët, me UNMIK-un e EULEX-in; pra po talleshin me ata që 15 vjet më parë ua kishin siguruar lirinë kombëtare, sepse tashti ishin këtu si prokurorë apo gjykatës.
Së këndejmi kjo barrë nuk do t’i lihet legjislaturës që vjen, e cila do të ketë rastin të dëshmohet serioze në bërjen e shtetit ligjor.
Mbi të gjitha, Kuvendi i ardhshëm do të jetë i çliruar nga frika.

© Koha Ditore

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...