Na keni kqyrë, na keni nimu...

4 Gusht 2015 - 08:19 - Flaka Surroi      

Ndërkombëtarët do të duhej të ishin të brengosur për rezultatin e gjithë atij mundi e investimi: Kosovën e sotme të mjerë

Pa dyshim lajmi i javës është ngritja e aktakuzës ndaj ish-rektorit të UP-së dhe ish-kryetarit të Kushtetueses, Enver Hasani. Prokuroria Speciale, pas një hetimi të gjatë, ka konkluduar se ka bazë të mjaftueshme që Hasani të ballafaqohet me gjyqin, nën dyshimin se ka bërë falsifikim të një kontrate për qëllime lukrative.

Dhe, në të kundërtën e rastit, me dyshimin për falsifikim të një vendimi sa ishte kryetar i Kushtetueses, duket se këtu tashmë nuk mund të thirret në asnjë lloj imuniteti. Se çfarë do të ndodhë tutje me këtë proces, mbetet të shihet. Ashtu siç mbetet të shihet nëse do të ketë gjykatës e gjyq që do ta trajtojë çështjen pa ndërhyrje politike.
Shikuar në këtë kontekst, Baba do të mund të konsiderohej edhe si produkt i rendit shoqëror e politik, i cili është krijuar në Kosovë që nga çlirimi e këndej.

Për më tepër, në raste të caktuara, Hasani ka qenë edhe krijues i rregullave të këtij rendi shoqëror, ku favorizohen të fortët dhe statusi i tyre dominues në shoqëri. Në krah të vet popullit dhe të vet së ardhmes së shtetit, të cilin ka vite që na e ndërtojnë kryesisht të huajt, por të cilët nuk ia dalin t’ia eliminojnë të çalën.

Se pse njerëzit sikur Hasani vijnë e mbajnë poste të rëndësishme shoqërore e politike në Kosovë, e kemi fajin vetë ne që heshtim karshi interesave klanore, biznesore e partiake. Porse, një pjesë të madhe të fajit se pse jetojmë kështu, dhe përse na udhëheqin këta që na udhëheqin e kanë edhe të huajt. Ne për shkak se vuajmë nga kompleksi i inferioritetit, kurse ata për shkak se na shohin të vegjël, të paaftë dhe të parëndësishëm.

Borxhi

E se bashkësisë ndërkombëtare i kemi shumë borxh, aty nuk ka asnjë dyshim të vetëm. Po të mos ishte ndërhyrja e NATO-s, ne me gjasë nuk do të ishim sot këtu për të folur e biseduar për atë që na bren. Me gjasë do të shkruanim vargje pikëllimi, po qe se do të ishim gjallë, kuptohet, prej një pike të largët të rruzullit, duke e ëndërruar ditën e kthimit në “tokën e bekuar”. Po të mos kishte qenë ndihma financiare, të cilën na e ofruan për shumë vjet me radhë, zor që do të ringjalleshim si feniksi – zor se do të kishim shtëpi, shkolla, ambulanca e rrugë.

Po të mos ishte KFOR-i, me gjasë do t’ia kishim hëngër njëri-tjetrit veshët menjëherë pas luftës, atëherë kur nisi grabitja e së huajës dhe marrja nën kontroll e gjithë asaj që jepte pushtet. KFOR-i nuk mundi t’i parandalonte vrasjet e pasluftës, porse gjithsesi e parandaloi ndonjë masakër të përmasave të konfrontimeve mafioze, aso çfarë më së miri i përshkroi Coppola në serinë e filmave “The Godfather”.

Po të mos kishin qenë ndërkombëtarët, zor se kishim mundur të ëndërronim se ndonjëherë do të bëheshim shtet dhe se shumë shtete do të na pranonin shtetësinë. Për këto dhe shumë gjëra të tjera, do t’u jemi borxhlinj liderëve të fuqive të mëdha që na mbrojtën atëherë kur gati krejt shpresat na ishin shuar. E atë që kemi mundur të bënim ne për t’ua kthyer këtë borxh ka qenë të bëheshim shtet i mbarë e i mirë.

Shtet që di nga është nisur dhe që resurset e veta natyrore dhe njerëzore di t’i shfrytëzojë për të mirë dhe për zhvillim e prosperitet. Ne nuk deshëm të bëheshim të tillë, për shkak se ata që na udhëheqin qe sa vjet nuk ditën të punojnë për të mirën e askujt pos së vetes. Për shkak se ata që na udhëheqin ende mendojnë se shoqëria kosovare duhet të organizohet në baza fisnore e regjionale.

Fajet kryesore të bashkësisë ndërkombëtare

Po t’u kishim hyrë analizave të thella, me gjasë lista e fajeve do të ishte më e gjatë. Prandaj vetëm sa për rikujtim do të duhej veçuar nja dhjetë pika, ku (mos)veprimi i të huajve ka rezultuar me Kosovën jofunksionale.

1. Koketimi me “elitën”

Për ta ruajtur sigurinë në Kosovë, e për pasojë edhe në rajon, edhe KFOR-i, UNMIK-u dhe EULEX-i zgjodhën që të mos i ngucnin ata që e kishin fuqinë e armëve në dorë. Në çastin kur vëllai i ish-kryeministrit u zu me rreth do miliona marka në dorë, puna u fashit asisoj që askush më nuk dëgjoi as për arrestimin e as për konfiskimin e parave. S’bënte, se bëhej fjalë për një familjar të një komandanti me ndikim – dhe për të siguruar qetësinë, u kalua nëpër rastin, thuajse asgjë nuk ndodhi. Kur e çmilitarizoi UÇK-në, lejoi krijimin organizatave të sigurisë, që kryesisht u veçuan për fuqinë e zhvatjes së bizneseve nëpër qendra komunale. Por ata nuk i prekën kurrë. Ashtu siç nuk u prekën pushtetarët që vidhnin me kova, e që asnjëri të mos jetë dënuar apo t’i jetë konfiskuar pasuria.

2. Mitrovica

Qenë pikërisht ushtarët e kontingjentit francez të KFOR-it ata që e vendosën barrikadën mbi urën e Ibrit. Në çastin që u vendos ndarja fizike e qytetit në dy, forcërisht ndodhi edhe “këmbimi demografik”: serbët në veri të urës, shqiptarët e të tjerët në jug. Të vetmit me fuqinë për të bërë diçka ishin forcat e KFOR-it. Nuk e bënë, sepse nuk donin ta prishnin stabilitetin dhe paqen në Kosovë. Dhe kështu lejuan lulëzimin e krimit të organizuar jashtë çdo kontrolli. EULEX-i, me marrëveshjen gjashtëpikëshe me Beogradin, hoqi dorë nga përfshirja në këtë problem, deri në negociatat e Brukselit.

3. Privatizimi

Të huajt e krijuan një sistem të mbrapshtë të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, sipas parimit të “tregut të lirë”. Për ne doli të ishte tejet i lirë, aq sa e gjithë prona e Kosovës u shit për nja 600 milionë euro, aq sa përafërsisht kishte kushtuar privatizimi i një fabrike të duhanit në Vranjë të Serbisë.

Në krye të agjencisë së privatizimit kishte vendosur njerëz të këqij, të paaftë dhe në fund del me tipare dallaveraxhinjsh, të ndihmuar nga një zëvendës shqiptar, jo fort me nam për ndershmëri. Prona kaloi në duart e një grushti njerëzish, që madje e blenë arin e tokës për një euro. E se biznesi i privatizimit ishte tepër i rëndësishëm dhe i leverdishëm e dëshmoi edhe (vetë)vrasja e shefit të AKP-së, në rrethana të pasqaruara.

4. Gjyqësia

E patën në dorë të gjithë sistemin e gjyqësisë. Shtylla e Parë, e më pas edhe Misioni më i madh dhe më i shtrenjtë evropian i sundimit të ligjit me gjithë atë përkrahje financiare, nuk u morën as me krime lufte, e as me krimin e rëndomtë që e kanë pllakosur Kosovën që nga fundi i luftës.

Kur UNMIK-u e shoi aktivitetin e vet të administrimit të protektoratit, la pas vetes 250 mijë raste të pazgjidhura. Për më keq, nuk bëri dorëzimin e rasteve tek EULEX-i, ashtu siç e kërkon protokolli edhe juridik. Kurse tash, kur EULEX-i do të tërhiqet ngadalë, numri i rasteve të pazgjidhura mbërrin në 400 mijë.

5. Ndërmarrjet publike

UNMIK-u i menaxhoi keq dhe shtrenjtë ndërmarrjet publike, që në vend se të ishin fitimprurëse për buxhetin, u bënë fole punësimesh familjare e partiake të të fortëve. Telefoninë ia dorëzoi Alcatelit më të dobët krahasuar me Siemensin gjerman.

Kodin telefonik ia pagoi me para të majme Monakos, të cilën na e la jadec edhe sot e kësaj dite. Për strujë na e solli një “ekspert”, të cilin e paguante madje 25 mijë euro në muaj dhe avaritë në termocentrale ia veshi fuqisë së Zotit. I mësoi mirë trashëgimtarët vendas. Prandaj, edhe Distribuimi u shit për 26 milionë, kurse PTK-së i ra vlera tre a katërfish.

6. Arsimi, Shëndetësia, Kultura e Mirëqenia Sociale

Ishin përgjegjësitë e deleguara, për të cilat të huajt as që donin të dëgjonin. Për pasojë, u bëmë me sistem 13-vjeçar shkollor që askush s’e mori vesh pse. U bëmë me 32 “universitete” private dhe kush e di sa shkolla fillore e të mesme pa kriter e cilësi. Spitalet ua lanë në dorë mjekëve, të cilët kishin detyrë partiake për t’i menaxhuar, kurse QKUK-në përherë në duar të njerëzve që nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë fjala “menaxhim”.

Mjekët do të punonin në spital për t’i identifikuar më pas pacientët që do t’i trajtonin në “klinikat” e tyre private e do t’i shëronin me barnat e falura që do t’i shisnin; Arritjen më të madhe në kulturë do ta kishin mbrojtjen fizike të kishave pas marsit të 2004-s dhe kthimin e “Hyjneshës në Fron” prej Beogradit në formë teatrale; Mirëqenia sociale do ta shënonte turpin e pensionit prej 28 eurosh për ata që i kishin mbushur 65 vjeç e tutje. Pa mbikëqyrje, ajo që kemi sot, janë sisteme të rrënuara të arsimit e shëndetësisë. Dhe ikje të 100 mijë njerëzve prej Kosovës për më pak se katër muaj.

7. Zgjedhjet

Secila palë zgjedhje e organizuar regjistronte më pak e më pak votues. Me gjithë fuqitë ekzekutive të përfaqësuesve të OKB-së, e më vonë edhe të BE-së, askush nuk ndërmori gjë që të pastroheshin listat e votuesve. Krejt miqtë ndërkombëtarë u deklaruan më 2010-n se votat janë vjedhur në masë, por absolutisht askush nuk kërkoi që ato të përsëriteshin.

Bënte që hajnat e votave ta merrnin pushtetin, sepse do të ishin më të dëgjueshëm. Kryetarin e shtetit na e zgjodhën të huajt me SMS. Nuk e di për çfarë arsyeje bënë që Kushtetuesja ta anulonte atë. Por kjo solli zgjedhjen e kryetares së re nga zarfi, me marrëveshje kundërkushtetuese të bekuar nga ambasadori amerikan. Dhe me heshtjen e BE-së.

8. Rruga e Kombit

Kontratë e keqe, që i kushtoi Kosovës një miliard euro, për një rrugë të papërfunduar që nuk i ka as 100 kilometra. Paratë shkuan të gatshme, sërish me bekim të ambasadorit amerikan, që më vonë u bë nëpunës i kompanisë ndërtimore, dhe kontrata kurrë nuk u bë publike. As kurrkush nuk u mor në përgjegjësi, kur u kuptua se shpenzimet ishin tejkaluar për dy herë e gjysmë nga sa ishin planifikuar. EULEX-i nuk u mor me këtë punë. Ani që ka mundur. Por me gjasë nuk ka dashur.

9. Kriza e 2014-s

Krizën e krijoi PDK-ja, por e ndihmuar shumë nga të huajt që as nuk e donin Ramushin kryeministër e as VV-në në Qeveri. Gjenin arsyetim edhe aty ku nuk kishte hapësirë për ta pranuar vazhdimin e mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë që e linin Kushtetuesen pa kuorum dhe pa fuqi për të vendosur.

Insistuan fort që të krijohej koalicioni i madh plus Lista Srpska, me idenë e vetme se vetëm në këtë formë mund të jetësohet marrëveshja e Brukselit që do ta krijojë republikën e re federale të Kosovës, ku 5% e popullsisë ka po aq fuqi sa 95-përqindëshi tjetër. Madje edhe fuqi bllokuese, tamam mos me lënë të funksionojë si shtet.

10. Gjykata Speciale

Mbase gjëja më e shëmtuar që do t’i shënjojë shqiptarët si kriminelë, do të jetë krijimi i kësaj gjykate. Sepse është njëetnike, përderisa krimet më të mëdha në Kosovë i kanë kryer serbët që mbesin jashtë juridiksionit të saj. Dhe krijimi i saj vjen si rezultat i paaftësisë, me gjasë të qëllimshme të të huajve që e kanë administruar gjyqësinë në Kosovë që nga 1999-a.

Me këto krime është dashur të ishin marrë Tribunali i Hagës në vakt të vetin, gjykatat e UNMIK-ut e edhe të EULEX-it. Porse jo. Anëtarët e këtyre misioneve kanë qenë më të zënë me punën e mbledhjes së rrogave të majme sesa ta bëjnë punën e tyre profesionale. Se për gjykatësit vendorë, të cilët i kanë trajnuar të bëhen po aq të ngathtë, s’kemi çka flasim. Kjo gjykatë, në fund doli të jetë mjet shantazhi, për t’u futur në negociata të papërgatitura, dhe për ta futur Serbinë në Evropë.

*

Shumë miliarda janë shpenzuar në Kosovë, por shumë prej këtyre parave janë kthyer në vendet që na i kanë falur, qoftë me pagat e majme të të huajve, qoftë me “kthimin e investimeve” të bëra këtu.

Për fat të keq, shumë nga këto para kanë mbaruar në xhepat e atyre që do të duhej të ishin prapa grilave e në vend të kësaj e udhëheqin shtetin të cilin e kanë sakatuar qysh në lindje.

Por mbetet fakt, se gjithë këtë krim nuk kanë mundur ta kryenin pa e pasur edhe pëlqimin dhe përkrahjen e të huajve. E këta të fundit do të duhej të ishin të brengosur për rezultatin e gjithë atij mundi e investimi: Kosovën e sotme të mjerë.


flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...