Turqia duhet të flasë zyrtarisht (edhe) shqip

31 Korrik 2015 - 08:17 - Halil Matoshi      

Më në fund shqiptarët duhet të kërkojnë reciprocitet me Turqinë. Rilindja e kulturës turke në hapësirat shqiptare presupozon rilindje shqiptare në Turqi!!!

Që nga ky vit gjuha turke do të përdoret në 38 komunat e Kosovës si gjuhë zyrtare për dokumentet dhe certifikatat e lindjes, shtetësisë, vendbanimit dhe martesës.

Ky ishte lajmi që trazoi shumë shpirtra jo vetëm në Kosovë.
Është fenomen i ditur tashmë se nacionalizmi po rritet kryesisht në hapësirat ballkanike, ku shqiptarët janë pakica etnike, të mëdha ose të papërfillshme.

Prandaj andejpari edhe u ndez një kinse debat, që më shumë ishte agjitacion antiturk se sa një debat racional për të drejtat e pakicave konform me vlerat e përbashkëta evropiane
Në një shoqëri të lirë dhe demokratike, në një shtet modern, secili individ (secila pakicë) duhet të trajtohet e barabartë në qytetari, pra ka të drejtë të pajiset me dokumente në gjuhën e tij etnike, porse më parë, individi duhet t'i jetë luajal dhe t'i dëshmojë besnikëri shtetit ku jeton.

Nuk mund t'i mohohet përkatësia etnike dikujt (e tillë çfarë secili individ e ndien), porse më përpara duhet t'i kërkohet besnikëri ndaj shtetit, përkatësisht kombit-shtet!
Prandaj e ka keq secili që mendon se duke u dhënë të drejta pakicave Republika e Kosovës shpërbëhet ose stërkeqet - jo – ajo mund të tkurret dhe të zhbëhet pikërisht nga e kundërta, nga intenca për të kufizuar të drejtat e pakicave që në secilin shtet demokratik janë të nënkuptueshme.
Nuk bëhet Kosova 'xhamahiri' (siç po pretendohet nga albanocentristët, nëse turqve kosovarë u njihet e drejta e përdorimit të gjuhës turke, sepse vetëm kështu Republika e Kosovës bëhet më liberale dhe më humane...
Shtet modern.

Nëse serbët kosovarë i kanë këto të drejta, pse të mos i kenë kosovarët me origjinë turke, boshnjake, rome, malazeze etj.?
Këta kosovarë që sot reagojnë ndaj njohjes së gjuhës turke në nivel shteti, duke e cilësuar Kosovën 'xhamahiri', nuk kanë reaguar atëbotë kur serbëve u njoh e drejta e vetos në shtet, e konform me Pakon Ahtisaari do t'u jepen ende më shumë të drejta!?

Sepse pavarësia e Kosovës si vetëvendosje zhdëmtuese është arritur në këmbim të këtyre të drejtave për kosovarët joshqiptarë.
Përjashtimisht, popujt ballkanikë i konsideroj ende shoqëri jopolitike, të paemancipuara dhe jo të perëndimorizuara, duke qenë se i ushqejnë armiqësitë që shkojnë thellë në histori ndaj njëri-tjetrit dhe po ashtu i ushqejnë pa u kursyer etnonacionalizmat e tyre…

Në këtë kontekst, si qytetar racional dhe jo skajshmënisht emotiv, nuk kam ndonjë simpati të veçantë për ta, pra as për turqit, porse u jep zë të drejtave të tyre të ligjshme, pa u hamend...
Në anën tjetër, kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, gjatë një vizite në Shkup, ka deklaruar se Turqia është duke punuar për rilindjen e kulturës turke në disa vende të Ballkanit.
Mes tyre ai përmendi Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjën.

“Ne do të dërgojmë nga një fjalor turqisht në çdo familje të Shkupit. Po punojmë që në gjithë Ballkanin, dhe sidomos Maqedoni, Bosnjë, Kosovë dhe Shqipëri, të ketë një rilindje të kulturës sonë“.
Për nacionalistët mendjelehtë, kjo deklaratë merr përmasat e një inkursioni të mirëfilltë kulturor turk në Ballkan dhe kjo ata i çmend, duke i nxitur në reagime banale dhe egërshane.
Frika rëndom është joracionale dhe ka kundërefekt.
Duhet shikuar përpara me guxim.

Reagimi racional shqiptar duhej të ishte shumë më gjeneroz, pra edhe më i sofistikuar.
Nëse sipas Davutogllu (libri “Thellësia strategjike”) Turqia moderne - sipas shembullit neotoman - duhet ta rikthejë (kulturalisht) ndikimin e vet “thellë” në Ballkanin Perëndimor, ku ajo “i ka mbetjet e veta”, edhe 'mbetjet tona' (shqiptare) në Turqi duhet të rilinden, kulturalisht e politikisht, ngase miliona shqiptarë të origjinës kanë shërbyer në Perandori prej jeniçerëve e deri te Kryeministria!

'Thellësia strategjike' neootomane mund shtrihet vërtet deri aty ku nuk ka fare strategji kombëtare (si në Shqipëri, Kosovë ose Maqedoni), por jo më tej...
Prandaj institucionet e shteteve përkatëse (ku jetojnë shqiptarët) duhet të reagojnë me reciprocitet.

Liderët politikë të shqiptarëve kudo në rajon, por posaçërisht Atifete Jahjaga, Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Kadri Veseli duhet të flasin hapur dhe t'i bëjnë 'selam' mikut të tyre Davutoglu se "...do të dërgojmë nga një abetare (po ashtu nga një fjalor shqip) shtëpi për shtëpi, gjithandej në Turqinë e sotme ku jetojnë turq të origjinës shqiptare.

Dhe jo vetëm kaq.
Republika e Kosovës (prej nga supozohet se ka më së shumti emigrantë në Turqi) duhet t’i drejtojë kërkesë zyrtare shtetit turk, për hapjen e shkollave të kombinuara (dygjuhëshe, shqipe dhe turqishte) gjithandej, aty ku p.sh. deklarohen mbi 5.000 veta që i përkasin një komuniteti të origjinës shqiptare."

Shqip për ta ruajtur identitetin etnik dhe turqisht për t’i dhënë dashuri e besnikëri shtetit mikpritës, që u bë i tyri me kalimin e shekujve e dekadave, por edhe për hir të prosperitetit ekonomik e social...
"Mbetjet tona në Ballkan" (mbetjet otomane) sipas Davutoglu duhet të rizgjohen, porse koncepti i tij neootoman mundet të lulëzojë vetëm duke qenë se shqiptarët sundohen nga një klasë kleptokratike pa vizion dhe tepër vasale, pra inferiore.

Në anën tjetër turqit kosovarë (secili që e ndien veten të tillë) duhet inkurajuar që të kërkojnë pa hezitim dhe t’i realizojnë të gjitha ato të drejta që u duhen (u takojnë) për të jetuar të lirë në shtëpitë e tyre. Mirëpo ata si këmbim, duhet t'i dëshmojnë Republikës së Kosovës besnikëri e lojalitet, gjë që edhe po e bëjnë ku më heshtur e ku më zëshëm…

Qytetarët me origjinë shqiptare në Turqi, së këndejmi, duhet të kërkojnë nga shteti turk reciprocitet, dygjuhësi në administratë, në Prokurori, gjykatë e polici (ku janë më shumë se 5 mijë persona) dhe t'ia nisin me hapjen e shkollave shqipe (dygjuhësore) gjithandej ku mund të rreshtohet një klasë nxënës, që ndihen se përkasin në arealin shqiptar.
Pra duhet të mësohemi që të luajmë fer...

Rekomandimet e Hagës lidhur me të drejtat e shkollimit të pakicave kombëtare në frymën e instrumenteve ndërkombëtare (1996) ua njohin të drejtën personave që u takojnë pakicave kombëtare për të mbajtur identitetin e tyre dhe këtë mund ta realizojnë plotësisht vetëm në qoftë se u mundësohet arsimi në gjuhën amtare. Në të njëjtën kohë personat që u takojnë pakicave kombëtare duhet të integrohen në shoqëri duke mësuar gjuhën e shtetit.

Nëse në Turqi jetojnë miliona turq të natyralizuar me origjinë shqiptare (historianë e demografë të proveniencës albanologjike thonë se janë mbi pesë milionë dhe se vetëm në Izmir jetojnë gati aq shqiptarë sa ka banorë Kosova, rreth 1. 6 milionë!?), atëherë çdo fjalë për rizgjimin kulturor të turqve të Ballkanit pa ua njohur këtë të drejtë edhe shqiptarëve të Ballkanit që me shekuj jetojnë në Turqi, mund të kuptohet se intencë abuzive, e pandershme dhe politikisht jokorrekte nga ana e shtetarëve turq.

Studiuesi gjerman, Stephan Lipsius, duke bërë një kërkim shkencor mbi origjinën e shqiptarëve që jetojnë në Turqi për revistën e njohur gjermane "Albanishche Hefte",
duke dhënë informacione mbi gjuhën shqipe në Evropë, tha se shqiptarët e Gjermanisë “e jetojnë” gjuhën e tyre dhe se ato vazhdimisht kërkojnë t'u jepet e drejta e përfshirjes së gjuhës shqipe në shkolla.

Ndërkohë ai ka shprehur habinë në faktin se shqiptarët e Turqisë janë integruar në mënyrë vullnetare në kulturën dhe gjuhën turke.
Lipsius theksoi gjithashtu se shqiptarët që jetojnë në Turqi në ambientet e shoqatave apo lokaleve të tyre pranë flamurit shqiptar ose kosovar e mbajnë patjetër një flamur turk dhe se ky veprim po ashtu është vullnetar.

"Edhe pse thonë që janë shqiptarë ata e mbajnë me fanatizëm kulturën dhe zakonet turke po aq sa ato shqiptare. Në Gjermani nuk ndodh kjo. Një shqiptar nuk jeton si gjerman dhe nuk bën veprimet e tij. Ai gjithmonë mundohet të nxjerrë në pah shqiptarizmin e tij."
Lipsius ka thënë gjithashtu se ky integrim i vullnetshëm mund të jetë fryt i bashkëjetesës afro 600-vjeçare, ndërsa prania dhe ndihma ekonomike, sociale dhe kulturore e Turqisë në vendet e Ballkanit mund të jetë një shkak tjetër, ka thënë ai.

Sipas tij, Gjermania dhe shtetet e tjera evropiane i konsiderojnë veprimet e Turqisë në vendet e Ballkanit si një "evolucion osman".
Çështja e Perandorisë Osmane dhe invadimi i tokave të arbërve në shekullin 14 është komplekse, por jo thjesht një “barbari aziatike” siç shkruajnë në disa tekste historianë të dobët shqiptarë.

Autorët më seriozë perëndimor si Malcolm dhe Bartl, këtë mënyrë të të shkruarit të historisë nga ana e shqiptarëve e cilësojnë si “besim popullor” dhe interpretim ideologjik (komunist) të historisë (Bartl dhe Schmitt).

Noel Malcolm, që e ka shkruar historinë më të besueshme të Kosovës ka një pozicion më racional për trajtimin e Perandorisë Osmane në historiografinë kosovare. Sipas tij, rrëfimet për “barbarët aziatikë” etj. “të gjitha këto pohime apo mëtime janë, në rastin më të mirë, çoroditëse, kurse përndryshe krejtësisht false”.
(Kosova, një histori e shkurtër, fq.96.)

Në anën tjetër Peter Bartl, profesor në Universitetin e Münchenit dhe autor i librit “Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912) shkruan:
„Për shembull, sundimi turk paraqitej gjatë sundimit komunist, ashtu si edhe më përpara, si koha më e errët e Shqipërisë, gjë që nuk është krejt e drejtë dhe po punohet për ta korrigjuar. (…) Një pushtim, që zgjat 450 vjet, nuk është më pushtim (...)”.

Ata që s’dinë mendojnë se vërtet Turqia po dëshiron të na e ndërrojë historinë, gjë që nuk është e vërtetë. Sepse shteti turk ka kërkuar rishikim të disa fjalëve fyese për turqit e të gjitha kohërave, rishikim të disa teksteve e përmbajtjeve ku faktet janë interpretuar ideologjikisht, por jo ndërrimin e historisë, sepse ajo nuk mund të ndërrohet. Mund të ndërrohet mënyra e shkrimit të historisë, pra historiografia dhe këtu, në këtë pështjellim nocionesh kanë rënë “viktimë” shumë shqiptarë, madje edhe historinë.

Duke manipuluar një kërkesë të shtetit turk që i është bërë Prishtinës zyrtare në mirëbesim, ata kanë dashur ta japin kushtrimin: Turqia po na e ndërron historinë!?
Vraponi gra e burra t’ia ndalim turrin!?
Prandaj shqiptarët duhet pasur shumë kujdes që të mos manifestojnë me asgjë ndonjë gverr antiturk, pra ndaj një shteti joarmiqësor karshi shtetit kosovar!

Historiografia do t’u nënshtrohet kritereve të Këshillit të Evropës dhe kjo ka për të ndodhur jo vetëm karshi turqve e Turqisë moderne, por edhe karshi fqinjëve tjerë ballkanikë. Një ditë në Beograd historiografia do ta përshkruajë fashizmin e Milosheviqit me emrin e vërtetë, fashizëm, siç cilësohet në Berlin nazizmi hitlerian.

Por edhe në Prishtinë do të ndërpritet qasja alabanocentriste ndaj historiografisë, e cila nuk do të shkruhet si tregim letrar dhe si mit, por si fakt dhe ngjarje në interaksion mes subjekteve.
Dhe, jo vetëm për hir të emocioneve të dikujt, por për hir të realitetit, për hir të vlerave të përbashkëta në Turqi duhet të flitet edhe shqip!
Zyrtarisht.
Siç flitet turqishtja gjerësisht në Kosovë.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...