Shkathtësitë komunikuese të shqiptarëve në stilin “Ti për lisa, unë për fshisa!”

29 Korrik 2015 - 08:49 - Augustin Palokaj      

Nuk është problem pse gazetarja e ZDF-it gjerman ia ka ndërprerë intervistën presidentes Jahjaga për arsye se ajo as përafërsisht nuk merrej me pyetjen e shtruar. Problemi është se mediet tona nuk ua ndërpresin politikanëve mikrofonin kur ata bëhen të shurdhër ndaj pyetjeve rreth temave të rënda dhe në vend të përgjigjeve flasin për sukseset e tyre

Opinioni në Kosovë është duke u marrë tash e sa ditë me një intervistë të dështuar të presidentes së Kosovës në një emision të Televizionit publik gjerman ZDF. E quajmë intervistë të dështuar, sepse as gazetarja gjermane nuk e mori përgjigjen për pyetjen e cila e shqetëson opinionin gjerman e as presidentja nuk arriti të përçojë mesazhin e vet për të cilin ne nuk e dimë se cili mund të ketë qenë.

Dhe në opinion dëgjohen komente të ndryshme, nga ato se “Shteti gjerman na ka fyer” (Mbase mendojnë se “TV publike” në Gjermani është e kontrolluar nga shteti) deri tek ato se u desh kjo intervistë që kosovarët të shohin se nuk kanë liderë të denjë t’i përfaqësojnë as në media të huaja. Gjithsesi ka pasur shumë komente të tepruara, por kjo intervistë mund të merret si shkas për të analizuar edhe një herë kulturën politike ndër shqiptarë, e cila shihet edhe përmes një injorimi dhe nënçmimi total që ua bëjnë medieve politikanët tanë.

Këtu nuk është problemi pse gazetarja e ZDF-it gjerman ia ka ndërprerë intervistën presidentes Jahjaga për arsye se ajo as përafërsisht nuk merrej me pyetjen e shtruar. Problemi është se mediet tona nuk ua ndërpresin politikanëve mikrofonin kur ata bëhen të shurdhër ndaj pyetjeve rreth temave të rënda dhe në vend të përgjigjeve flasin për sukseset e veta.

Problem edhe më serioz në diskursin publik të politikanëve shqiptarë janë edhe lëvdatat që ua japin shefave të tyre ata këshilltarë të cilët do të duhej t’i përgatisnin ata më mirë për ato paraqitje. Zakonisht politikanët pyesin pas secilës paraqitje “si dola” e madje edhe vetë gazetarin e pyesin shpesh “si t’u duk?”. Dhe zakonisht hasin në përgjigjen “superrr!!!” ose “Ia ke lëshu mirë!!”

Kjo është kështu kur më shumë sesa ajo që thonë u intereson përshtypja të cilën do ta lënë. Sepse ekziston edhe një anë tjetër e medaljes në komunikimin me opinionin e ajo është në faktin se përshtypja shpesh është më e rëndësishme sesa substanca.
Nuk ka nevojë tash të hyjmë në analiza se si u zgjodh presidentja, a ka apo jo ajo kompetenca të duhura dhe a është apo jo oratore e denjë.

Paraqitja e saj është një shfaqje tipike për politikanët shqiptarë, porse në mediat tona pak ka udhëheqës të cilët insistojnë në përgjigjet në pyetjet e tyre e jo në vetë promovimet e politikanëve. Dhe kjo ndodh me vite me shumë politikanë të Kosovës dhe Shqipërisë.

Stil të veçantë paraqitjen e tillë e kishte presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, por atij edhe i shkonte, sepse iu bë një “Trade mark”. Ai pa marrë parasysh pyetjet e gazetarëve për 15 vjet fillonte përgjigjet me “përshëndetjet dhe falënderimet “ për presidentin amerikan, Clinton, kancelarin gjerman, Shreder, presidentin e Francës, Shirak, Papën Gjon Palin e Dytë dhe miqtë e tjerë, për të cilët thoshte se po ndihmojnë popullin e Kosovës.

Për Rugovën disa kolegë tregojnë se si një herë në një pritje për Vitin e Ri u kishte thënë se “besoj se Vitin e Ri të ardhshëm do ta presim në Kosovën e pavarur” dhe kur një gazetar ia kishte bërë pyetjen “Zoti Rugova, Ju e keni thënë të njëjtën gjë edhe një vit më parë!” ai ia kishte kthyer: “Po shihet se je gazetar i ri. Un këtë po e them qe 15 vjet!” Kjo mund të jetë edhe anekdotë e sajuar, por nuk është larg realitetit. Sado të përsëritura dhe tejet të parashikuara të kenë qenë prononcimet e presidentit të parë Ibrahim Rugova vështirë është të thuhet se ato nuk ishin të lidhura fare me realitetin.
Por ka pasur dhe ka shumë liderë të cilët ia huqin totalisht kur flasin në momente të caktuara.

Më kujtohet se si ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në ceremoninë e ngritjes së flamurit të Shqipërisë në selinë e NATO-s, vetëm disa ditë pas anëtarësimit në këtë Aleancë, kishte folur për turizmin në Shqipëri dhe bukuritë natyrore. Vetëm kur kryeministri i Kroacisë përmendi në fjalimin e tij Kosovën, dhe kur mes gazetarëve u përfol se si lideri i Shqipërisë harroi të përmendte Kosovën, me porosi një gazetare pyeti në konferencë shtypi rreth Kosovës dhe ekipi i Berishës u mundua ta paraqiste përgjigjen e tij sikur ta kishte përmendur edhe në fjalim. Kur Berisha në Parlamentin Evropian ishte pyetur rreth konfliktit politik që e bllokonte vendin e tij ai kishte folur për tolerancën e madhe fetare ndër shqiptarët, e cila është edhe shembull për tërë Evropën.

E kur jemi tek presidentja Jahjaga kulminacioni i paraqitjeve jashtë çdo realiteti, që bëri edhe diplomatët evropianë të pyesin se “ku jeton kjo?” ishte thënia në Bruksel se “çështja e veriut të Kosovës nuk ekziston” dhe se “Kosova kurrë nuk do të pranojë të bisedohet me Serbinë për çështjet e saj të brendshme”. Nuk ka nevojë të rikujtojmë se në dialog me Serbinë flitet vetëm për çështjen e brendshme të Kosovës, për veriun e Mitrovicës e jo për veriun e Kralevës apo Kragujevcit.

Ministrja për Dialog me Serbinë, Edita Tahiri, nuk lëshon rast pa përmendur se “Serbia e ka marrë porosinë e qartë nga BE-ja” edhe pse ajo është përfaqësuese e Kosovës e jo e BE-së dhe ajo këtë përgjigje e jep kur pyetet konkretisht për ndonjë pikë të marrëveshjes dhe moszbatimin e saj. Dhe kur ne kërkojmë nga BE-ja sqarime se “çfarë porosie të qartë i kanë dhënë Serbisë” nuk marrim përgjigje.

Një politikan nga Kosova në Parlamentin Evropian, i pyetur se përse në Kosovë nuk ka ende energji të mjaftueshme elektrike, kishte nxjerrë shifrat për Kosovën e pasur me miniera dhe me një pasuri nëntokësore prej qindra e miliarda eurosh. Disa politikanë nga Shqipëria nuk ngurrojnë të përmendin se si ky shtet ka dalje në dy dete dhe ekzagjerojnë duke parashikuar se vetëm nga turizmi Shqipëria mund të përjetojë një zhvillim të jashtëzakonshëm.

Nuk ka nevojë këtu të përmendim se si disa nga vendet më të bukura në botë janë edhe të varfra, nga Meksiko e Kuba e deri tek Zambia dhe Kenia, sepse bukuria natyrore nuk mjafton për të rritur ekonominë dhe zhdukur papunësinë. Greqia është superfuqi turistike, por është para bankrotit. Holanda dhe Japonia janë vende të cilat duhet t’i vjedhin tokë detit, sepse nuk kanë tokë të mjaftueshme për të jetuar dhe janë ndër vendet më të zhvilluara të botës.

Nganjëherë politikanët tanë kanë aq shumë mungesë të shkathtësisë së të shprehurit saqë shpesh tingëllojnë sikur futbollistët apo trajnerët e skuadrave të cilët të gjitha komentet i përmbledhin me stereotipet si “topi është i rrumbullakët”, “loja zgjat 90 minuta, “qëndruam mirë në terren” dhe se “tifozët ishin lojtari ynë i 12!”. Sikur edhe sportistët kur humbin që fajësojnë referin, ashtu edhe liderët shqiptarë në rast të mungesës së suksesit përgjegjësinë ia bartin ose “faktorit ndërkombëtarë” e shpesh edhe opozitës.
Një shprehi e tillë komunikuese në gjuhën e popullit në Kosovë përshkruhet me thënien “Ti për lisa e unë për fshisa!”

Sot po të dëgjoni politikanët e Kosovës dhe Shqipërisë krijohet përshtypja se e gjithë Evropa është e mahnitur me sukseset në këto dy shtete. E vërteta është se Evropës, e sidomos Gjermanisë, nuk i intereson asgjë më shumë sesa përgjigjja në një pyetje: Pse po ikin në numër kaq të madh shqiptarët nga vendlindja e tyre, si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria? Këtë pyetje e bëjnë jo vetëm mediat, por edhe politikanët. E kishte bërë këtë pyetje edhe vetë ministri i Brendshëm i Gjermanisë.

Ata kanë arsye pse pyesin. Kanë ndërhyrë në Kosovë për ta çliruar, kanë dërguar ushtarë për ta ndërtuar paqen, policë, gjykatës dhe doganierë për të ndihmuar sundimin e ligjit dhe për ta luftuar korrupsionin. Kanë strehuar edhe dhjetëra e mijëra njerëz në kohën kur ata kishin arsye për të kërkuar strehim, sepse ishte luftë. Kanë dhënë edhe si shtet e edhe si pjesë e BE-së miliarda euro. Dhe tash kanë të drejtë të pyesin se pse njerëzit ikin nga Kosova? Dhe Çfarë kemi bërë ne deri tash që nga Kosova të na vijnë më shumë refugjatë sesa nga Siria dhe Afganistani së bashku.

Politikanët kosovarë i kishin porositur që moti që të analizojnë arsyet e ikjes, të merren më seriozisht me kthimin e besimit të qytetarëve në një të ardhme më të mirë. Por politikanët vazhdonin me të vetën. Ndoshta gazetarja gjermane ka mundur ta ftonte kryeministrin Mustafa dhe ta pyeste atë si presidenten Jahjaga. Fundi i fundit kryetari i qeverisë ka më shumë kompetenca dhe mbase edhe informata për një temë të tillë. Por në atë rast ZDF-i do të rrezikonte të merrte përgjigjen se “po ikin dhe njerëzit që kanë Iphona”. Pra posedimi i Iphonit na qenka për kryeministrin kriter për arsyen për t’u larguar nga Kosova apo jo.

Përsëri pasojat e një sjelljeje të tillë të politikanëve do t’i vuajë populli, sepse edhe kjo paraqitje e presidentes, pa marrë parasysh se a kishte apo jo probleme teknike në komunikim, mund të kuptohet si mungesë e gatishmërisë së lidershipit kosovar për ta pranuar problemin serioz që ekziston në këtë shtet nga i cili njerëzit janë të gatshëm të rrezikojnë aq shumë për t’u larguar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...