Zgjidhje për Kosovën

28 Korrik 2015 - 08:09 - Flaka Surroi      

Paralajmërimet për zgjedhje të parakohshme do të duhej ta aktivizonin opozitën për të krijuar një front të gjerë që do ta luftonte të keqen të cilën ka shumë kohë e durojmë me mazohizëm. Front që do të synonte një qeveri teknokratike, ku nuk do të sundojnë egot personale të liderëve politikë, por zgjidhjet pragmatike që do të na nxirrnin prej krizës dhe defetizmit

Çfarë do të mund të shkruante kushdo këtë javë, e që këtë mos ta ketë dëgjuar në një formë ose tjetrën në ditët, muajt a vitet e shkuar. Shumë pak që nuk është përsëritje e një fenomeni kriminogjen, i cili është bërë pjesë jona e pandashme, me gjithë manifestimin e tij të larmishëm. Fenomeni quhet mosndëshkim, kurse pasoja e drejtpërdrejtë e tij e ka bërë këtë vend jo park nacional të luleve, por të krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Javën e shkuar Prishtina mbeti pa ujë për shkak të kërcënimit terrorist ende nën hetime; këtë javë mbeti pa rrymë, sepse, siç tha zëdhënësi i KESCO-s, “pa planifikuar” ishte prishur njëri bllok i TC “Kosova A”. Për ta mbuluar këtë mangësi, po kjo kompani nisi të importonte rrymë me çmim shtatë fish më të madh sesa që kushton në treg në kushte normale. Ndërkohë, u mor vesh se QKUK-ja me vite të tëra paska blerë barna joesenciale me çmim dyfish më të lartë se sa do të duhej...

Ndërkohë, Kuvendi mblidhej të mërkurën me vonesë edhe për shkak se GP i PDK-së u ftua në mbledhje “të të bindurit” që u përcoll me një deklaratë tipike autoritare të kryeministrit të Jashtëm: “S’ka me shku në pushim, pa u votu Specialja”. D.m.th, shefi i krejtçkaje tu Kosovës është ai, prandaj edhe mund të vendosë për pushimin ose jo të trupit, i cili supozohet se duhet t’ia mbikëqyrë atij dhe pjesëtarëve të tjerë të Qeverisë punën..., e mandej u mblodh edhe të enjten dhe e kaloi një rezolutë për cilën nuk ka as vullnet raportimi, e për më keq, nuk ka as fuqi implementimi, sepse i fton përfaqësuesit e segmentit tjetër (në teori të pavarur), gjyqësisë, për t’i raportuar Kuvendit.

Dhe mbase lajmi që shënoi javën, e mbeti boronicë në këtë tortë të hidhur, qe arrestimi i kryetarit të Gjykatës së Apelit, të akuzuar për shpërdorim të pozitës zyrtare, marrje ryshfeti e favoresh “intime” në emër të ndërhyrjes te kolegët gjyqtarë për ta liruar dikë nga burgu. Dhe në vend se të bunte në Dubravë për ca kohë, vazhdon të rrijë në banesën e tij, në arrest shtëpiak.

Marre

Prokuroria speciale në bazë të dyshimeve, foto, video dhe audio incizimeve ka konkluduar se kryetari i Gjykatës, që supozohet duhet të ndajë drejtësi duke ua korrigjuar gabimet e gjykatave më të ulëta, kishte shkelur ligjin duke e keqpërdorur pozitën e vet për përfitime personale. Nëse të gjitha këto dalin të vërtetuara në gjykatë, atëherë ky njeri e meriton një dënim ekzemplar, brenda kornizave të ligjit, dhe natyrisht ndalim ushtrimi të profesionit, të cilin në këtë formë do ta ketë turpëruar.

Porse, janë dy gjëra që kanë ndodhur ndërkohë, e nuk flasin fare mirë për gjyqësinë kosovare (e jo që ka pasur shumë raste për ta lavdëruar atë). E para, kërkesa e prokurores së Prokurorisë speciale për paraburgim njëmujor për gjykatësin, u refuzua dhe iu mundësua të rrinte në shtëpi, pasi që i është konfiskuar pasaporta. Por mbase gjyqtari i lëndës ka harruar se në Shqipëri mund të shkohet edhe me letërnjoftim – pra, kush po garanton se gjykatësi nuk do të mund ta shfrytëzonte këtë mundësi për të ikur, për shembull. Pra, sikurse edhe në rastin e VIP-ave të tjerë, masa e paraburgimit nuk u zbatua. Status i beneficuar i thonë kësaj pune.

Beneficioni tjetër qe se gjykatësi u soll në gjykatë fshehurazi, pa pasur mundësi ta shihnin as qytetarët e rastësishëm, e as gazetarët që e përcillnin rastin. Mbase “për t’ua shpëtuar fytyrën” të të arrestuarve. Kështu nuk u veprua në rastin e të arrestuarve të Badovcit, për shembull – ani që as nuk më shkon në mendje t’i krahasoj veprat penale me të cilat ngarkohen, porse nga aspekti procedural, të gjithë janë të dyshuar, pra të gjithë do të duhej të trajtoheshin njësoj.

Pra i gjithë ky rast lë shije jashtëzakonisht të keqe për dy arsye, porse jep edhe një fije shprese se mbase diçka ka nisur të lëvizë në këtë sektor. Shija e keqe, për shkak të derexhesë në të cilën kemi rënë, kur njeriu me post kaq të lartë gjyqësor pretendohet të ketë dëshmuar se nuk ka as etikë e as turp. Shija e keqe edhe për shkak se për dikë drejtësia është më e butë, pse bart kollare, e për dikë është tamam si duhet kur ka dyshim për rrezikim jetësh. Shpresa që ngjall është se Prokuroria Speciale po tenton të dëshmojë se për ta nuk ka kriminelë (të pretenduar) që janë më shumë kriminelë ose më pak kriminelë – dhe nëse në të ardhmen ia del të ngrejë aktakuza edhe kundër VIP-ave të tjerë që shkelin ligjin, atëherë askush nuk mund të thotë se prokuroria nuk është duke e kryer punën e vet. Por shtrohet pyetja se sa prokurorë të këtillë, të guximshëm e profesionalë, ka nevojë ky shtet për ta ndjekur krimin ashtu si duhet? Me gjasë shumë. Por edhe me këta pak, nëse kanë përkrahje e mbrojtje fizike, shumëçka në këtë vend mund të ndryshojë.

Zgjedhje të parakohshme?

Por ndryshimi nuk mund të ndodhë përderisa nuk ka ndërrim pushtetarësh që kanë shtrirë kontrollin mbi të gjitha segmentet e jetës në Kosovë. Nëse nuk e keni ditur, së fundi doli një shënim nga instituti GAP, sipas të cilit Kosova i ka 91 mijë shërbyes civilë/publikë. Pra, vetëm nëse supozojmë se 70% e tyre (sa për ta thënë një shifër) janë militantë aktivë a pasivë të koalicionit në pushtet, llogaritni se bëhet fjalë për 65 mijë votues që kur shumëzohen për nja katër anëtarë të tjerë familjeje i mbërrijnë nja 250 mijë votues – pra pothuajse tamam sa për t’i fituar zgjedhjet në Kosovë, kurdo që ato të mbahen. Ajo që vlen të ceket është se numri i shërbyesve civilë/publikë është rritur për nja 15 mijë në dekadën e fundit, e me siguri këta nuk janë punësuar duke iu falënderuar meritave.

Tutje, zërat për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme duket se po shtohen edhe më, posaçërisht pasi nisi të përhapej fjala sesi “miqtë” do të donin që Jahjaga ta përsëriste mandatin. Sa a do të ishte kjo e mundur teknikisht, dhe se a do të mundte të na dilte edhe një zarf në muajt në vijim, këtë nuk mund ta dimë por vetëm ta supozojmë. Porse, ajo që u dëgjua edhe nga një krah i opozitës ishte se zgjedhjet duhej mbajtur sa më shpejt, për shkak se “kjo punë kështu më nuk shkon”.

Pa sondazhe të mirëfillta që tregojnë pozicionin aktual të partive politike është vështirë të thuhet se cila parti udhëheq sipas bindjes së votuesve potencialë. Porse ajo që dihet është se partitë që janë në pushtet në qendër dhe nëpër komuna janë në përparësi: një për shkak të arsyes që u përmend më lartë dhe dy për shkak se kanë kontrollin mbi paranë publike, që në forma të ndryshme mund të devijohet në arkat partiake. Pra, paraja blen vota – e kjo është dëshmuar në të gjitha zgjedhjet që janë mbajtur në Kosovë deri tash. E dyta, për shkak se ende gëzojnë përkrahjen e “miqve” që janë duke i mbështetur për muri në lidhje me dialogun me Serbinë, që është punë shumë më e rrezikshme se nëse votohet Specialja. Dhe në sytë e të huajve, ky kombinim është i vetmi që mund “t’i prodhojë rezultatet” që ata ua kanë vënë cak për ta shpënë Serbinë më shpejtë, e më afër BE-së.

Shansi i opozitës

Në këtë situatë, opozitës po i mbetet një opsion i vetëm – ta krijojë një koalicion më të gjerë që do të garonte kundër PDK-së fillimisht, e besa edhe LDK-së, po qe se ajo parti vendos të garojë me një paramarrëveshje për vazhdimin e koalicionit të madh. Porse ky koalicion ideal e ka një të metë bajagi të madhe – dhe ky është fakti se në të do të garonin edhe njerëzit që nuk janë shumë të pranueshëm të votuesin, për shkak se perceptohen se janë të njëllojtë me liderët e PDK-së. Pra, udhëheqës me duar të papastra, të cilët nuk do të duhej të ishin eksponentët dhe emrat kryesorë në këtë listë të përbashkët. E nëse këta përnjëmend e duan Kosovën, siç thonë, do të duhej të tërhiqeshin e të dilnin në rreshtin e dytë, përderisa në rreshtin e parë do të ftonin figura të shoqërisë kosovare që nuk kanë lidhje me parti politike, njerëz që në rastin më të mirë do të ishin pjesëtarët e një qeverie teknokratike, për ta nxjerrë vendin nga kriza edhe ekonomike, edhe politike e edhe sociale. Krejt kjo, me një program të qartë jopopulist, por pragmatik, që, në rend të parë, do të përkujdesej për sundimin e ligjit dhe pastrimin e Kosovës nga politikanët, gjyqtarët, mjekët e të korruptuar të tjerë.

Sado idealist që mund të duket ky elaborim, megjithatë nuk është gjë e pamundur. Për të funksionuar vyen vullnet politik dhe gatishmëri të palëve për kompromis, dhe kur them kompromis nuk flas për poste, por kompromis idesh, por jo edhe vlerash, që do të ravijëzoheshin në një program të fuqishëm ekonomik që do të niste fillimin e ndryshimeve sociale dhe ekonomike në Kosovë. Program, i cili do të kuptonte se arsimi është kyç për zhvillim e jo vetëm shpenzimi i parasë publike në infrastrukturë të shtrenjtë dhe në paga të shërbyesve civilë/votues apo edhe shëtitjet e shfrenuara të politikanëve që nuk kanë masë. Pra do të duhej pasur vullnet për ta ndryshuar mendësinë e krijuar prej vitesh dhe për ta eliminuar defetizmin që na ka kapluar në gjithë këto vite të mëvetësisë: “Krejt janë hajna, po s’kemi çka u bëjmë”.

* * *

E nëse përnjëmend nuk do të jemi në gjendje të tregojmë pjekuri të mjaftueshme për ta hequr të keqen me të cilën jetojmë dhe të cilën e durojmë me mazohizëm, shkenca duket se na e ka gjetur zgjidhjen. Pardje NASA bëri zbulimin epokal: se diku në gjithësi po ekzistonte edhe një tokë tjetër. Ende nuk po e dinë nëse është e banuar ose jo, porse e kishte një përparësi: viti i kishte nja 20 ditë më shumë sesa që i kemi ne.

Buxheti i Kosovës nuk ka para të mjaftueshme për t’ua paguar udhëtimin krejt atyre që i kanë gllabëruar të gjitha që i kemi pasur si pasuri e pronë ndonjëherë. Nuk do të ishte keq, që me ofertën që të jetojnë nga 20 ditë më shumë në vit për t’i shpenzuar krejt ato që na i kanë marrë, minus bileta njëdrejtimëshe për në Kepler 425B, të niseshin në grup e ta linin të qetë popullin që vërtet e do Kosovën për atë që është e jo për paranë që e prodhon.

flaka@koha.net 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...