Rruga për në theqafje

27 Korrik 2015 - 08:31 - Lumir Abdixhiku      

Tregimi për një vend të nxënë keq në lëmshin e vet

-1-

Truku më i madh që kapësit e shtetit kanë nxjerrë nga mangët ndonjëherë, është mosvotimi i Gjykatës Speciale dhe marrja e duartrokitjes opozitare për këtë. Do ta kenë menduar gjatë e mirë – siç rëndom i mendojnë gjërat mbrapshtë këta – për të provuar bindjen e gjithandejme se ndërvarësit e SHIK-ut, shërbëtorët e pakontestueshëm tash e gjashtëmbëdhjetë vjet, na u paskan bërë me një copë integritet, për të dalë faktorë në mosbërjen e obligimit më të përfolur ndërkombëtar të Kosovës; Gjykatës Speciale, pra.

E secili që beson se kjo Gjykatë nuk është votuar për shkak të ndonjë fitoreje opozitare, të shikojë refuzuesit e saj nga pushteti njëherë. Shihni njerëzit që refuzojnë, të nënshtruar e dëgjues të pakontestueshëm ndonjëherë; me përvojë ndaj të njëjtëve që bëhen sikur të dëshpëruar nga mosvotimi – dirigjentët e vetëm në gjithë këtë tregim.

Kështu, siç dhe ndodh rëndom tash e sa kohë, relacionet kosovare me perëndimin vazhdojnë të mbesin peng i kërcënimeve për stabilitet nga një grusht zaptuesish, të cilët, në përpjekje dëshpëruese, por me plot durim, vazhdojnë të ngrenë pazarin lart për veten e vet.

Gjykata do të bëhet, s’ka se si të mos bëhet sinqerisht, por formësimi i saj, sot për sot, mbetet ekskluzivisht në qejfet e zaptuesve; të duartrokitur natyrisht nga një opozitë gjysmë axhami, gjysmë idhnake.

Këta zaptues do të rifaktorizojnë veten sërish, si përcaktues të vetëm të mundshëm të proceseve politike në vend. Sërish, të njëjtët, do të arrijnë që nëpërmjet kërcënimit e bllokimit të gjithë vendit, të shpërfaqin veten si shpëtimtarë të tij. Fuqizimi i tyre, ndërsa, përbën lajmin më të keq për vendin. Ky fuqizim veçse zgjat për më shumë gjithë ngecjen tonë.

-2-

Se mbetemi të varur nga pazaret individuale të kapësve, kjo më nuk bën risi. Ngecja si produkt i kapjes është më se evidente tashmë. Këtë javë, në këtë formë, u dha edhe Raporti i Progresit, i cili, nëse asgjë tjetër, për një vit matjeje konfirmoi status quo-në. Ngecje në ekonomi, ngecje në gjyqësor, ngecje në demokraci e ngecje në ecjen evropiane.

Një vit i tërë për të bërë asgjë, është pikërisht qëllimi i kapësve të sotshëm. Sepse kapësit, nisën nga pozicioni që kanë, nuk kanë as më të voglin motiv e nxitje për të ndryshuar gjërat; as për mirë e as për mbrapshtë. Janë mirë të akomoduar, bëjnë të vetmen gjë dinë të bëjnë – pra kapjen; rehatojnë familjarë, miq e militantë; pasurohen e ndërtojnë perandori biznesesh që sot qëndrojnë mirë në këmbë – dhe nuk i japin as edhe pesë pare për ecjen e Kosovës në, dhe për Evropë.

Kapësit, ç’është e vërteta, mund ta mbajnë Kosovën në këtë formë për vite të tëra, siç dhe kanë mbajtur tash e sa kohë. Përveç nëse, ka një reaksion.

-3-

Reaksion evolutiv, jo revolucion, siç mund të ngazëllehen revolucionarët neokomunistë që kemi këndej shpeshherë. Por i cili megjithatë nuk vjen. Nuk vjen sepse në këtë vend ende festohet me valle, këngë e hallakamë për një copë asfalt, e bëhet lajm nacional vënia e semaforëve në qytetin e pestë më të madh në vend, të dytin me siguri për nga aktiviteti ekonomik. Këtë nivel të mjerimit shoqëror, vështirë mund ta shpjegoj – sinqerisht. Me reagues të tillë, natyrisht se kapësit ndiejnë komfort për të mos dhënë gjë e për të mbajtur vendin në status quo.

Ata si këmbim ndaj kotësisë gjithëshoqërore që feston për asfalt e semaforë në shekullin e 21-të do të japin edhe një universitet. Sërish kapësit u servojnë vëzhguesve të kapjes menynë standarde tashmë, pak gurë, pak rrugë, edhe një Universitet për secilën mëhallë.

Kjo meny e pashijshme duartrokitet e merret si e qenë. Kështu, kualitetit të dobët arsimor në vend, i shtohet dhe sasia. E një kuantitet pa kualitet natyrisht se nuk sjellë progres. Sjell pra ngufatjen shoqërore në kozmetikë e në sipërfaqësore; kjo ngufatje këndej shihet si pasuri, jashtë nga ky vend mbetet e pavlerë.

Shkollat, që ta dinë këta, nuk bëhen me hapje të parvjetshme të universiteteve në një vend që nuk mund të bëjë as edhe një siç duhet – me plot katërdhjetë e kusur vjet përvojë – e as me infrastrukturë tenderësh; prej të cilëve, meqë ra fjala, ndërtohen perandoritë e kapësve sërish.

Shkolla, që ta dinë këta, ka një mjeshtëri, i thonë mend. Ajo bëhet me njerëz, profesionistë e të dalluar në kategori më të larta se muhabeteve me apo pa semaforë. Dhe këso njerëz, jo që nuk kemi mjaftueshëm, por as që mërzitemi t’i ndërtojmë ndonjëherë.

-4-

E kur ngecja në aksion të kapësve e reaksion të të kapurve është çfarë ky vend prodhon, atëherë njerëz me maska e më një flamur të zi, në një liqen uji të pijshëm dhjetë kilometra nga Prishtina shpërfaqen lehtësisht. Ekstremizmi individual e grupor i bindjeve të keqkuptuara fetare ka kohë që po shënon fitore këndej.

Ishte për marre e turp anulimi i festimeve në shesh nga frika e sulmeve si këto; tregon se ky vend është në mbrojtje e defansivë; terroristët ndërsa kanë marrë shembull se mund të triumfojnë. Dhe kështu nuk bën. Ky vend që krenohet me forcën më kredibile policore në rajon, me inteligjencë të re e me përkushtim për aksion, të reagojë për të dhënë siguri; alternativisht të lëshojë rrugë për dikë që një gjë të tillë mund të bëjë.

Ndërkohë, mbetet fakt se Kosova, me gjithë fukarallëkun e vet shoqëror që ka, do të prodhojë – jo vetëm strehojë – ekstremistë të tillë e terroristë. Do të shfaqen trushpëlarët e pistë në mendje që besojnë se xhirimet e prerjeve të kokave, e skllavërimeve e masakrimeve janë veçse shpikje hollivudiane.

Të njëjtët do të shëtisin rrugëve e lagjeve tona, do të kalojnë për ditë nga shkollat e fëmijëve tanë, e do të marrin një ditë udhë për të vrarë civilë. Me të tillët kompromisi është i paarritshëm; por ama, për të parandaluar nismat e tjera, ky shtet duhet të ecë fillimisht.

Duhet të krijojë punë e mirëqenie, duhet të krijojë progres, që fëmijët e së sotshmes i largon nga bindjet ekstreme religjioze. Fatkeqësisht, as progresi e as puna nuk kanë për t’u bërë asnjëherë me këta kapës e zaptues që kemi këndej. Sepse, siç dhe kemi parë kaherë, këta vetëm ngecjen dinë të bëjnë.

abdixhiku@facebook.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...