A do t'u sigurohet drejtësi veteranëve të vërtetë të luftës

10 Prill 2014 - 09:13 - Augustin Palokaj      

Ministri Agim Çeku, i cili është në krye të Komisionit për verifikimin e statusit të veteranëve të luftës duhet të ketë përvojë nga Kroacia. Këtë përvojë duhet ta shfrytëzojë për të nxjerrë mësimet e mira dhe të këqija. Të mos lejojë që në listë të ketë më shumë njerëz që në jetën e tyre frontin e kanë parë vetëm në TV sesa luftëtarë të vërtetë

Është për keqardhje se si zgjidhja e fatit të veteranëve të luftës është dashur të presë 15 vjet. Por, në anën tjetër, është thënia ”më mirë vonë sesa kurrë“, edhe pse momenti i zgjedhur përsëri i jep krejt këtij procesi një ngjyrim politik me qëllime të përfitimit në prag të zgjedhjeve. Po ashtu edhe debati për këtë ligj, me propozimin e LDK-së për të përfshirë edhe Ministrinë e Mbrojtjes të Qeverisë Bukoshi, i cili u refuzua, dëshmoi se ndasitë rreth UÇK-së, të cilat kanë ekzistuar në kohën e luftës, ekzistojnë edhe sot.

Ka pasur pas luftës disa tentime që në emër të unitetit të harrohen ndasitë nga periudha e luftës. Por në fakt ato më shumë kanë qenë pazare me interesa politike që kanë mundësuar krijimin e disa qeverive sesa një unifikim i sinqertë i atyre që quheshin “krah i luftës“ dhe “krah i paqes“. Kështu në Kosovën e pasluftës ka ndodhur që secila parti ka qenë me tjetrën në një moment në koalicion, me përjashtim të “Vetëvendosjes”, ka ndodhur që edhe Bujar Bukoshi ( të cilin aktivistët e UÇK-së në kohën e luftës e identifikonin si përgjegjësin kryesor për futjen e përçarjes) të hyjë në Qeverinë e Hashim Thaçit, por nuk ka ndodhur ende pajtimi që do të mundësonte edhe pranimin e kërkesës së LDK-së në Kuvendin e Kosovës.

Veteranët e luftës, familjet e tyre, sidomos ato që në luftë kishin humbur të afërmit, kanë pasur nevojë për ndihmë tërë kohën. Shumë prej tyre janë bërë raste sociale, ndërsa vazhdimisht është rritur numri i atyre që kanë qenë të zhgënjyer. Kjo ka bërë që të dëgjohen edhe pyetje “pse kemi luftuar“ dhe “a është kjo Kosova për të cilën kemi luftuar“.
Një pjesë të fajit e kanë edhe vetë luftëtarët e vërtetë, të cilët kanë lejuar që të manipulohen për qëllime politike. Kanë lejuar që të përçahen dhe të manipulohen nga ata të cilët në shtete dhe shoqëri normale do të quheshin, e besa edhe do të dënoheshin, si përfitues lufte. Nuk janë marrë aq shumë me aktivitete sindikale për të siguruar të drejtat e tyre, por janë fokusuar më shumë në aktivitetet politike, në të cilat në anën tjetër nuk kanë arritur fare të ndikojnë.

Numri prej 60.000 kërkesave për të marrë statusin e veteranëve të luftës duket në shikim të parë i stërmadhuar. Dikush do të thoshte me ironi se „sikur të kishte pasur UÇK-ja kaq ushtarë, Kosovës nuk do t’i duhej NATO-ja“. Ndonëse është vështirë të dihet saktësisht se sa ka pasur pjesëtarë UÇK-ja në Kosovë në kohën e luftës, nga burimet ndërkombëtare jozyrtarisht dëgjohej për një shifër “rreth 20.000 ushtarë“. E numri duket se ka filluar të rritet kah fundi i luftës e sidomos pas përfundimit të saj. Janë paraqitur të ashtuquajturit “partizanët e 1945-s!“. Të mos flasim për ata që me ironi quhen si “komandantët e zonës së Vjenës, Zurichut, Stutgardit, Durrësit etj.“.

Duke pasur të gjitha këto parasysh, Komisioni i udhëhequr nga Agim Çeku nuk ka punë të lehtë. Duhet të ketë parasysh se duhet të veprojë drejt dhe kjo vlen edhe për vetë Agim Çekun, i cili, edhe pse është bërë politikan rekorder me ndërrimin e partive politike, ende gëzon një respekt të madh si ushtarak, madje shumë më të madh sesa si politikanë. Çeku nuk duhet të lejojë që të futen në listë njerëzit të cilët nuk e meritojnë, por tentojnë që përmes lidhjeve politike të sigurojnë statusin. Nuk guxon të lejojë që eventualisht nga lista të mungojnë ata të cilët vërtet kanë marrë pjesë në luftë.

Ministri Çeku në këtë rast në cilësinë e kryetarit të Komisionit për verifikimin e aplikacioneve ka një shembull që e njeh mirë nga i cili mund të mësojë: nga Kroacia. Këtë përvojë duhet ta shfrytëzojë për të nxjerrë mësimet e mira dhe të këqija. Të mos lejojë që në listë të ketë më shumë njerëz që në jetën e tyre frontin e kanë parë vetëm në TV sesa luftëtarë të vërtetë.
Edhe në Kroaci luftëtarët sot e kësaj dite janë të ndarë në disa shoqata dhe “shtabe“. Disa prej tyre ende janë vegël e disa strukturave politike. Kur u botua lista e luftëtarëve të Kroacisë, botimi i së cilës është bërë edhe lëndë në Gjykatën Kushtetuese, opinioni i Kroacisë ishte shokuar kur pa se kush ishte në listë. Ka pasur aty shumë veteranë për të cilët asnjëherë nuk ka ditur kush se kanë qenë në front. Ka pasur tepër shumë “invalidë të luftës“ të cilët kanë pësuar “në ndeshje trafiku duke shkuar në linjën e frontit“.

Për luftëtarët e vërtetë në Kosovë duhet të ketë drejtësi. Nëse në mesin e tyre futen luftëtarë të rrejshëm, atëherë kjo do të jetë një padrejtësi për luftëtarët e vërtetë.

 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...