Tregimi me helm (2)

19 Korrik 2015 - 17:33 - Halil Matoshi      

Nuk i mohoj tendencat e disa klerikëve islamikë dhe kinsedijetarëve fanatikë që propagandojnë sheriatin si rregullim ideal shoqëror (Shefqet Krasniqi & Co) dhe islamin politik (qasja wehabiste) si rizgjim të fesë së profetit Muhamed, por unë dyshoj se në Kosovë ka organizata terroriste me ideologji të ISIS-it, të gatshme për sulm, mbi gjithçka dhe gjithsecilin. Dhe nuk kam asnjë dyshim se këto tendenca luftohen vetëm me dialog e debat të gjithanshëm shoqëror, me rehabilitim e riintegrim, me punësim e shkollë të mirë, me edukim qytetar dhe zhvillim ekonomik. Jo me masa policore…

Por ç‘i duhet politikës të ndërhyjë në operacione të tilla strikte policore - po supozojmë - profesionale?

Në vend se të flasë ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni (i cili duket se është fort larg çështjeve policore!?) foli ish-shefi i SHIK-ut, aktualisht kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Besoj ta dijë zoti Veseli se në demokraci pushtetet janë të ndara dhe të balancuara dhe ai nuk ka të drejtë ta influencojë hetuesinë, përkatësisht drejtësinë?

Ai i ka paragjykuar pesë të arrestuarit e dyshuar për terrorizëm, duke i cilësuar si "fundërrina."

Dhe nëse politika i paraprin një gjykimi, duke ndëshkuar verbalisht të pandehurit para se një gjykatë e rregullt (kjo është sindroma kosovare!?), atëherë kemi të bëjmë me drejtësi të dirigjuar, të kapur nga politika, që legjitimon ndëshkimin e dikujt ende pa ia shpalosur provat, një armiku të fabrikuar, një kundërshtari ideologjik ose politik, një konkurrenti në biznes ose dashuri, një besimtari që i përket një feje tjetër ose “tonën” të padëshiruar!
Po të nisemi nga parimi universal, se askush nuk është i fajshëm derisa nuk i dëshmohet fajësia, nga një gjykatë e rregullt, del se në rastin e Kosovës kundër fanatizmit fetar, politika po përzihet brutalisht në gjyqësor dhe se gjyqësori është 'nën presion', pra nën diktatin e politikës.

Fjalia që përdori i pari i Kuvendit shkon e tëra në favor të parantezës se ky operacion policor është ndërmarrë për interesa të politikës ditore, sepse ai lavdëron veten, përkatësisht klasën politike aktuale, së bashku me policinë, për tërë këtë “punë të paçme”!???

“Qytetarët e Kosovës duhet të jenë të kënaqur me institucionet e tyre, që arritën t`i kapin këta persona menjëherë.

Qe tendenca e hapur që para publikut kosovar të riparohet imazhi i kriminalizuar i elitës politike aktuale në Kosovë dhe t’i "rritet pazari" asaj brenda dhe jashtë, i pavetëdijshëm se me këtë ai veç sapo e thellon hendekun e dyshimeve, se i tërë operacioni mund të jetë i ideuar në zyrat e pushtetit politik dhe i urdhëruar nga politika - për ndërrim agjendash – shmangie së paku e përkohshme, nga presioni amerikan dhe ai i BE-së për themelimin e Gjykatës Speciale, për ta fokusuar luftën "e ashpër" kundër terrorizmit global/islamikëve fanatikë...

Po çfarë do t’i thotë publikut kosovar kryetari i Kuvendit nëse eventualisht Prokuroria pushon hetimet ndaj atyre të pestëve, ose nëse ata nga gjyqi dalin të pafajshëm?

A do t’u kërkojë falje publike atyre dhe familjeve të tyre, fëmijëve të tyre?

A do t’u kërkojë falje qytetarëve të Kosovës për “përralla të përgjakshme” dhe “tregime me helm”, ose më thjesht për paragjykim të drejtësisë?

Vitin e kaluar kam shkruar se aksioni i arrestimit të 40 personave, ishte më shumë një reaksion pompoz i klasës politike, për t’i larë faqet para Perëndimit, se sa një operacion profesional që parandalon një të keqe madhore.

Po ashtu, kam shkruar se koalicioni i dikurshëm PDK –AKR ishte thellësisht i implikuar në rritjen e islamit politik, duke koketuar me myftiun Naim Tërrnava dhe imamë të vijës radikale si Shefqet Krasniqi e Irfan Salihu dhe se para së gjithash është dashur të arrestoheshin ata klerikë të cilët me lejen e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) predikojnë islamin politik dhe antisemitizmin, si dhe ngrihen kundër vlerave të përbashkëta evropiane (lirive e të drejtave të njeriut, demokracisë, lirive civile, barazisë së grave etj.) nëpër xhamitë kosovare, kurse politika bën seri, për t’i ‘grabitur’ votat e xhematit.

Atëherë, arrestimi pompoz i rreth 40 të rinjve druaja se mund të ketë efekt të kundërt, nga ai i dëshiruari.

Pra, këto spektakle të shtetit po e martirizojnë një shtresë shumë të mjerë e të izoluar, naive dhe injorante të popullsisë, të cilëve shteti nuk u ka dhënë as punë, as shkollë dhe as perspektivë, kurse me aksione policore tek një pjesë e publikut kosovar (tek besimtarët islamë) po e krijojnë idenë se po persekutohen besimtarët islamë, në mënyrë frontale dhe selektive.
Ashiqare, veprimet e tilla janë kundërproduktive!

Së pari, ideja ime e kamotshme ka qenë që personave që luftojnë në Siri e gjetkë për shtetin islamik të mos u lejohet kthimi në atdhe – pra përmes marrjes së shtetësisë me privim – sepse nëse ata kanë marrë pjesë në luftërat në Siri, përkatësisht në Irak – krimet eventuale të tyre do të mbesin të pazbardhura dhe ndjekja dhe dënimi i tyre eventual tingëllon thjesht në “ndjekje shtrigash”!?
Fundja, Kosova ka tashmë një ligj me të cilin mund të dënohen këta persona, por dilema mbetet se si mund të provohet veprimtaria e tyre klasike terroriste, e cila, për bindjen time, është vështirë e dokumentueshme – sepse veprat eventuale terroriste nuk janë kryer brenda Kosovës - porse në vende kaotike që gjenden në vlugun e luftërave civile dhe nga ku, Skënder Hysenit nuk i vijnë provat.

Prokuroria e Shtetit - pos spektaklit - nuk do të mund të sigurojë prova të mjaftueshme për ngritje aktakuzash, kurse gjyqësori nuk do të arrijë kurrë t’i vërtetojë dyshimet e bazuara që mund të shpijnë në ndëshkimin eventual të këtyre të rinjve kosovarë.
Dhe kjo, pothuajse, doli e saktë.

Shumica nga të arrestuarit vjet, ndërkohë janë liruar në mungesë provash, pra Prokuroria i ka ndërprerë ose pezulluar hetimet.
Ata që duhej të përgjigjeshin penalisht para drejtësisë dhe moralisht e qytetarisht para publikut, para shoqërisë, imamët karizmatikë (Shefqet Krasniqi, Ekrem Avdiu, Enis Rama, Zekiria Qazimi…kurse Irfan Salihut, as që iu prish ‘abdesi’) që hapur mbështetën wehabizmin dhe islamin politik, madje edhe ndihmuan përmes shoqatave kinse humanitare regrutimin e të rinjve për ISIS dhe propaganduan aplikimin e Sheriatit në Kosovë si qëllim suprem të përpjekjeve të tyre, shëtisin të lirë, madje bëjnë ‘ziaret’ tek njerëzit e fuqishëm të politikës kosovare, duke pirë kafe e bërë llafe me ta.

Prokuroria ka dështuar që të ngrejë aktakuza ndaj tyre!?
E kush mund të besojë në polici profesioniste, me gjithë dëshirat dhe vullnetin e mirë, derisa ajo “performon” spektakle të tilla me urdhër të politikës?

Në favor të kujt shkon pra ky represion ndaj ‘kosovarëve terroristë” derisa këta politikanë, hapur po mësyjnë të dëshmojnë përkushtim e patriotizëm para zgjedhësve të tyre (para popullit) dhe të imponohen para bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht para aleatëve të Kosovës si të domosdoshëm për stabilitetin, pra të dëshmojnë se "pa ne" s'ka qetësi në Kosovë dhe rajon!?
Në anën tjetër, ajo që shqiptoi avokatja Jashari, dyshohet se është hedhur si 'karrem' në të cilin kanë rënë media dhe një pjesë e madhe e publikut kosovar.

Por pikërisht ky skandal e krijon një përfytyrim final se çfarë vërtet “po luhet” në prapaskenat e drejtësisë kosovare!?
Thjesht lojëra të dyfishta për ta justifikuar ‘luftën tonë të drejtë”, kundër atyre, të këqijve, armikut fiktiv…

Duhet të pritet megjithatë fjala e gjyqit si instanca kredibile e së vërtetës (do të duhej të ishte!?) në këtë situatë tepër konfuze...
Mirëpo a do të funksionojë vërtet gjykatësi i pavarur për t’ia dhënë publikut kosovar të vërtetën?

Dyshoj.

Tregimi me helm

Nëse askush nuk i beson fjalës së avokatit Bajram Tmava që e shihte klientin e tij (Milazim Haxhiaj) si besimtar të devotshëm, që s’është në gjendje t’i bëjë keq njeriu, duhet t’i besojë traumës së fëmijëve të tij, të cilëve, nesër askush s’do të dijë t’u tregojë përse iu shkaktua ajo traumë, në emër të cilës kauzë dhe në emër të cilës ide a ideologji?

Ata janë shqiptarë të Kosovës, njerëzit tanë, duhet folur me ta, duhet dhënë një ‘xhevap’…

Dhe këtë përgjigje ende s’e ka shoqëria kosovare.
Sepse, as që ka dashur dikush që të hyjë në një dialog, në një debat të hapur shoqëror me ata të rinj, që sheshit janë të manipuluar dhe të indoktrinuar.

Atyre duhet dhënë mundësia që të riintegrohen.

Ata ose duhet të lihen të lirë në besimin e tyre (liria e besimit është e garantuar), ose duhet të dënohen me një shumësi argumentesh që flasin kundër tyre, me një kodër provash të pakontestueshme, porse, provat duhet “qëruar” nga mbështjellësit e vizllueshëm medial dhe politik.

Përndryshe, shoqëria kosovare po shkon drejt përçarjes dhe shpërbërjes, duke e zmadhuar armikun, i cili, ndonëse për shumicën e kosovarëve ende fiktiv, me këtë rritje aritmetike, po i prek shumë shtresa shoqërore…

Prandaj, para se të rreshtohen skuadrat e policisë speciale dhe antiterroriste, partitë politike dhe institucionet e shtetit (politike, kulturore e arsimore) duhet të koordinojnë veprimet për të hartuar një strategji kombëtare për “ta pajtuar” islamin kosovar (evropian) me demokracinë dhe shtetin modern shekullar, pastaj me urgjencë duhet nxjerrë ligji për bashkësitë fetare dhe nga ekspertë e teologë islamë, duhet hartuar një rregullore (një lloj kurrikule e re) që eviton propagandimin politik në xhamitë kosovare si dhe nxjerr jashtë predikimeve disa ajete kur’anore që mund të interpretohen si thirrje në dhunë - dijetarët e islamit në Kosovë, veçmas hoxhallarët duhet të insistojnë dendur tek ana paqësore e Kuranit, për t’i shquar suret dhe ajetet që promovojnë paqen dhe tolerancën ndërnjerëzore e ndërfetare, “duke i shmangur pjesët e vajtueshme të Kuranit” (Robe rt Wright) – siç duhet shmangur pjesët e vajtueshme të çdo dorëshkrimi fetar…

Së këndejmi duhet prerë rrënjët doktrinës wehabiste të rizgjimit (politik) islam - për t’i lënë hapësirë besimit në islam në konditat tradicionale – evropiane.

Ekspertë policorë dhe pjesëtarë të inteligjencës kosovare duhet të analizojnë modelin e fabrikimit të armikut në Kosovë nga regjimi jugosllav, sidomos pas vitit 1981, sepse jo të gjithë shqiptarët e Kosovës në fillim ishin kundër tij.

Sidomos jo qindra e mijëra anëtarë partie, administrata, policia dhe ushtria, drejtues universiteti, burokracia arsimore e kulturore, bartësit e posteve publike, si dhe poseduesit e të mirave kombëtare material dhe bartës privilegjesh tjera, së bashku me familjet e tyre…

Kujdes nga fabrikimi i armikut!

Po e përmbyll këtë shkrim me suren kur’anore 9.29: "Kurse robërit e të Mëshirshmit janë ata të cilët nëpër tokë ecin qetë (lehtë), ndërsa kur u drejtohen injorantët, thonë: “Paqe e qetësi!”

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...