Tribunali për zgjedhje

9 Prill 2014 - 09:30 - Flaka Surroi      

Në çastin kur të zyrtarizohet, kjo do të thotë se do të ketë aktakuza. Dhe këto aktakuza lehtë do të mund t’i përcaktojnë fituesit e zgjedhjeve..., e fituesit do të jenë drejtësia dhe populli

Zor se do të imagjinoja që një nga ditët e lumtura që do t’i përjetoja në Kosovën e pasluftës do të lidhej për arrestimin e madje 11 personave të dyshuar për krim të organizuar. Ende pa e ditur nëse janë të fajshëm ose jo, tashmë janë pagëzuar “mafia e ndërtimit”, në shenjë të identifikimit me kancerin urbanistik nga i cili prej vitesh vuan jo vetëm Prishtina, por secili qytet në Kosovë që dikur i ka pasur tiparet e një vendbanimi normal.

Dhe nuk ka dyshim se ky ishte lajmi i javës, për shkak të të cilit shkuan në aut edhe Ligji i veteranëve; edhe Ligji i zgjedhjeve, edhe trysnia e fuqishme ndërkombëtare për themelimin e Tribunalit për krime lufte në Kosovë e edhe njëri nga raundet e bisedimeve ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit që nuk solli asgjë të re, pos një premtimi se çështja e gjyqësisë në veri të Kosovës do të zgjidhej pas konstituimit të Qeverisë së re serbe.

Sulmi frontal i EULEX-it

Para më pak se dhjetë ditësh, prokurori i EULEX-it, Jonathan Ratel, kishte deklaruar në emisionin “Puls” të KTV-së se do të kishte aksione të shpejta dhe të efektshme të EULEX-it në kapjen e të dyshuarve për kryerjen e veprave të rënda penale, e se këto do të jenë të tilla, sa që do t’i qisnin në hije krejt të tjerat të realizuara deri tash. E jo që EULEX-i bash mund të lavdërohet me arritje të mëdha në sferën e ndjekjes penale dhe të gjyqësisë në përgjithësi..., por megjithatë kësaj radhe, arrestimi i komplet një departamenti administrativ, që do të duhej të merrej me rrëzimin e objekteve ilegale ose me parandalimin e ndërtimit të tyre, ishte mbresëlënës.

Porositë e nxjerra nga ky veprim i EULEX-it mund të jenë disa. Një, se EULEX-i i ka marrë seriozisht kritikat se duhet të merret me krime “të përditshme” më shumë se me ato të luftës, posaçërisht në kohën kur ushtrohet trysnia për themelimin e një Tribunali të veçantë për këto motive. Dy, se me ndërrimin e pushtetit në Prishtinë, ka nisur bashkëpunimi shumë i afërt ndërmjet pushtetit të ri dhe organeve që duhet të sigurojnë sundimin e ligjit – kështu, qeveria e re lokale i shmanget identifikimit me krimin eventual, po qe se vërtetohet. Tre, se po qe se do të dëshmohej se të arrestuarit janë fajtorë, atëherë do të nxirrej konstatimi se këta nuk kanë mundur të funksionin kokë më vete; se kjo punë e tyre paskësh qenë, nëse jo e urdhëruar prej së larti, atëherë gjithsesi e toleruar nga ata që ditë më ditë e kanë parë degradimin e substancës së qytetit, duke qenë përgjegjës për ta parandaluar. Katër, arrestime si këto është dashur të bëheshin shumë më herët dhe jo vetëm në Prishtinë. Për shkak se krimi në Kosovë nuk është perceptim, por për fat të keq është realitet.

Ky realitet nuk do të ndryshojë pa e parë bile njëherë se si dikush nga peshqit e mëdhenj, aq shumë të përmendur dhe të komentuar, dënohet dhe shkon prapa grilave, përderisa e gjithë pasuria e grumbulluar në formë ilegale t’i merret në formë legale dhe të kthehet në ndonjë investim që do të krijojë vend të ri pune apo edhe që do ta zgjidhte një problem social. Dhe kjo nuk do të ndodhë përderisa Kosova, me gjithë prezencën e EULEX-it këtu, të ketë një gjyqësi jofunksionale dhe joefikase çfarë e ka. Aq të paaftë dhe joefikase e ka, saqë Gjykata Themelore në Prishtinë aktualisht merret me shqyrtimin e rasteve të vitit 2012, duke mos u lodhur fort po qe se ka lëndë që do të parashkruhen për shkak se këta nuk kanë kaçik për t’u marrë me të gjitha lëndët. Ose për shkak se nuk kanë “kohë”. Ose për shkak se nuk kanë “vullnet”. Ose për shkak se kështu ua qet më mirë. Ndërkohë, qytetarët presin e durojnë, se ndoshta nesër do të bëhet më mirë.

Ligji zgjedhor 1

Ashtu mbase do të jenë menduar veteranët e luftës në Kosovë. Se do të bëhej më mirë. Për shumë syresh të paraqitur si veteranë, miratimi i këtij ligji, ishte send i mirë. Sepse do të jetë zgjidhje e një problemi – sepse kontributi në luftë do t’i shpaguhet me para, në formë pensioni. Për shumë kë tjetër, që gjithashtu ka qenë ushtar kryesisht në Dukagjin, por në përbërje të FARK-ut, do të jetë zhgënjyes fakti se nuk do t’i njihet statusi i pensionistit, sepse sikurse edhe në luftë, është vendosur ndasia ndërmjet “këtyre” dhe “atyre”.

Debati parlamentar për këtë punë, na ktheu prapa në periudhën 1998/1999 – atëherë kur ndarjet ndërmjet rrymimeve të ndryshme të faktorit politik shqiptar, për pak sa nuk na morën në qafë krejt neve. Po të mos kishin qenë amerikanët edhe atëherë, Kosova kurrë nuk do t’ia dilte ta formonte një ekip të vetëm politik që do ta përfaqësonte në Rambouillet. Për shkak se nuk merreshin vesh se kush do të duhej organizuar ushtri dhe kush do të duhej blerë armë, u futën në qarkullim dy fonde: ai i 3%, i kontrolluar nga LDK-ja dhe ai tjetri “Vendlindja thërret” që në fund nuk e di se prej kujt u kontrollua, porse e bëri zengjin shumë kë...

E besoj se është shumë jokorrekte dhe e padrejtë që cilido qoftë ushtar a veteran që ka luftuar përnjëmend, të jetë përjashtuar nga kjo listë, për shkak se nuk i përket “ushtrisë së duhur”. Teksa i dëgjoja raportet për rrjedhën e seancës së Kuvendit, m’u kujtua komandanti, të cilin e kisha takuar në një fshat të Malishevës në verë të 1998-s. Ishte plagosur dhe e kishin tërhequr nga fronti i luftës të cilin e kishte mbajtur vetë me ushtarët e tij për më shumë se gjashtë muaj, e që ishte mjaft larg nga vendi ku e kisha parë. Më mbresëlënësja në gjithë atë që ma kishte thënë atëherë ishte se ishte vënë në komandë të formacionit atje, pa e dhënë betimin, se nuk kishte kujt – se s’dihej kush komandonte as cilat emblema përdoreshin për ta identifikuar ushtrinë. Nëse unë nuk e kam parë këtë njeri duke u plagosur, ia kam parë këmbët e bëra shoshë nga automatiku dhe e besoj breshëria e plumbave që e kishte hëngër ishte “dhuratë” për shkak se kishte luftuar për Kosovën. Dhe se përfundimisht e ka merituar pensionin, ani që nuk ka pasur kujt t’i betohej.

Si do që të jetë – atë që e di si fakt është se ky ligj ka qenë në përgatitje që nga 2004-a. Derisa ka qenë UNMIK-u, ai nuk ka pasur interesim të merrej me një temë kaq të ndjeshme duke vendosur t’ua linte kosovarëve të merreshin me të. Dhe kosovarët nuk ditën si t’i qaseshin ndryshe pos ta përdornin si mjet për sigurimin e votave. Mbi gjashtë vjet është shtyrë miratimi i tij – dhe po duket se nuk do të jetë plotësisht i drejtë, sepse me të do të shpërblehen edhe ata që nuk kanë luftuar përderisa do të injorohen të tjerët që uniformat mund t’i kenë pasur ndryshe, porse që njësoj kanë pasur për qëllim ta çlirojnë vendin e vet. Është mëkat të jenë harxhuar gjithë këta vjet, e të jenë instrumentalizuar ata të cilët është dashur ta kenë pasur një jetë të dinjitetshme, e jo të lëmoshëkërkuesit.

Ligji zgjedhor 2

Po të njëjtën ditë u miratua edhe Ligji i ri zgjedhor, i cili pa dyshim ka qenë humbja më e madhe e kohës që kemi përjetuar si anëtarët e Qirkuzit ashtu edhe ne. Janë shpenzuar rrafsh tre vjet në atë që tash konsiderohet si ligj i ndryshimeve kozmetike, që mund të shkojë shumë lehtë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ose me kërkesë të minoriteteve ose me kërkesë të shoqërisë civile. Si do që të jetë, miratimi i këtij ligji tash vetëm ka konfirmuar se sa joserioze ka qenë Marrëveshja Thaçi-Mustafa-Pacolli (me Dellin në prapavijë) për ndryshimet kushtetuese dhe reformën zgjedhore – dhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarit/es. E kritikuar si marrëveshje jokushtetuese, doli të ishte përfundimisht një tallje me popullin.

Pra, po qe se nuk do të ketë kontestim të këtij Ligji, tashmë ka bazë ligjore për t’i organizuar zgjedhjet e reja, që mund të jenë të jashtëzakonshme për t’u mbajtur në maj, në qershor a në shtator (tre muaj opsionalë që po qarkullojnë) apo edhe të rregullta në nëntor (me shumë pak gjasa për këtë). Porse ajo që ende nuk është siguruar është leja e të huajve për legjitimimin e këtyre zgjedhjeve: ambasadorja amerikane u desh t’u tregojë udhëheqësve kosovarë se papërgjegjësia e tyre nuk do të tolerohej dhe se e deshën ose jo, Tribunali për krimet luftës apo të ndërlidhura me luftën në Kosovë do të formohej. Nëse Kuvendi nuk do ta votonte këtë punë, do ta votonte Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Pra, aty ku Amerika e ka veton, por ku mund të zgjedhë të mos e përdorë.

Në takimin e organizuar në Ambasadë sërish nuk u ftua “Vetëvendosje”, dhe sërish e besoj se është bërë gabim – sepse edhe po qe se janë zëri i vetëm që do ta kundërshtojë Tribunalin jashtë Kosovës për çështje parimore, kjo parti e bën fuqinë e tretë më të madhe politike në Kuvend. Ndoshta nuk u ftua edhe për shkak të faktit se do të mund të argumentonte se përmendja e Këshillit të Sigurimit në këtë kontekst është edhe pasojë e Fusnotës editiane, asaj fjolle të pashkrirë.

Sido që të jetë, Tribunali do të themelohet – dhe modaliteti i themelimit do të jetë irrelevant. Thonë se do të nisë së funksionuari vitin tjetër dhe do të kushtojë nja 170 milionë që me gjasë do t’i paguajmë ne. Në çastin kur të zyrtarizohet, kjo do të thotë se do të ketë aktakuza. Dhe këto aktakuza lehtë do të mund t’i përcaktojnë fituesit e zgjedhjeve..., e fituesit do të jenë drejtësia dhe populli. Posaçërisht ky i fundit, që nuk e ka merituar që në këta tre vjet e fiu të përfaqësohet nga një Kuvend, ku bile një e katërta e anëtarëve të vet janë ose nën hetime, ose të akuzuar ose madje të dënuar me burg në shkallë të parë.

E mira e së mirës do të ishte që dyshimet për aktakuza të bëheshin pak a shumë publike para zgjedhjeve. Edhe do të kursenim kohë, edhe para e besa edhe nerva.

Dhe mbase do ta përjetonim edhe ndonjë ditë të lumtur, që do të sjellë ndryshimin për të cilin lëngon Kosova.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...