Elita

14 Korrik 2015 - 08:12 - Flaka Surroi      

Pra, pos shtetit më të varfër, Kosova vazhdon të jetë shteti më i keqqeverisur në rajon. Dhe asnjë strategji e re (e gjashta a shtata në 13-14 vjetët e shkuar) nuk do ta zgjidhë problemin, sepse ligjet e letrat mund të ndryshojnë, porse asgjë nuk do të ndryshojë përderisa është “elita e Capusellas” ajo që e udhëheq Kosovën

Duket se i nxehti tropikal ka ndikuar që punët nëpër institucionet tona politike të ngadalësohen edhe më shumë seç shkojnë rëndom. Pos seancave të kota të Kuvendit edhe aty-këtu ndonjë debat “për të ardhmen evropiane të Kosovës” nuk pati ndonjë gjë që e dalloi punën e tyre këtë javë.

Por, ata të cilët duket se kanë vendosur të tregojnë se zgjedhja telenoveleske e kryeprokurorit ka qenë e rëndësishme për ta lëkundur hetuesinë nga letargjia, janë prokurorët, që gjithë javën e kaluan duke ngre aktakuza për hajni e besa edhe për terrorizëm. Se sa larg do të shkojnë, do të na e dëshmojë breshka e madhe e quajtur gjyqësi pas një kohe. Ose nuk do ta dëshmojnë fare.

Hitet e javës

Sidoqoftë, java i shënoi tri ngjarje mbresëlënëse.

Njëra ishte e keqe dhe lidhej me Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe veton ruse kundër rezolutës së propozuar nga Britania e Madhe për ta cilësuar masakrën e Srebrenicës si gjenocid. Kalkulimet mikro dhe makropolitike bënë që Rusia, përkundër negociatave të gjata dhe pa e paralajmëruar veton madje si opsion, ta ndalonte sjelljen e drejtësisë në vend, ani që vetëm pjesërisht. Vrasja e madje 8372 burrave e djemve brenda vetëm dy ditësh para njëzet vjetësh, vazhdon të mohohet si krim nga Serbia. E tash u mohua si gjenocid edhe nga OKB-ja, që ende bart një pjesë të madhe të fajit për atë që sot në formën më rrëqethëse e përfytyron varreza memoriale në Potoçari.

Ngjarja tjetër u lidh për vendimin, më në fund, të drejtë të Gjykatës së Arbitrazhit të Sportit që e prapësoi vendimin e UEFA-s dhe tri pikët e ndeshjes së ndërprerë në Beograd vjet ia dha Shqipërisë. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për dajakun të cilin e hëngrën futbollistët shqiptarë dhe për poshtërimin të cilit iu nënshtruan, kur policia serbe, sikurse bënte në Kosovë para çlirimit, i kontrolloi fizikisht edhe ata, e edhe çantat e tyre. Lajm është se me këto pikë Shqipëria e siguron barazhin, porse shumë më mirë do të ishte po qe se ia del të kualifikohet drejtpërsëdrejti. E për këtë gjithsesi duhet t‘i mundë danezët. Të shohim në vjeshtë.

E fundit, mbase më e bukura, ishte paraqitja e Ramë Lahajt në Operën e Sydneyt me “La Traviatan” e Verdit. Rrëfimi i një djaloshi që vetëm në moshën 21-vjeçare kishte nisur mësimin e solokëndimit, e që duke iu falënderuar talentit të jashtëzakonshëm i hapi vetes rrugë në botë, nuk ka mundur të ishte më i bukur se kaq, njëherë përnjëherë.

Rama, tenori kosovar, që sipas veshit tim amator e ka timbrin e butë të një Placido Domingos, ka vite që këndon nëpër shtëpitë operistike të Evropës. Nuk ka dyshim se ëndërr do ta ketë Metropolitan Opera Housein në New York apo edhe La Scalan në Milano – e ne prej këtu vetëm mund t’i urojmë që dëshira t’i plotësohet. Sepse me këndimin e tij, pos që i realizon ëndrrat dhe aspiratat e tij, bën edhe një gjë që shumë paratë që i kanë derdhur qeveritarët tanë nuk e kanë bërë: ta tregojë imazhin e Kosovës asi çfarë duhet të ishte, e jo atë të faqes së zezë që e kanë projektuar pushtetarët tanë. Imazhin e një Kosove me njerëz të rinj e të talentuar që me mund e përkushtim mund t’ia dalin edhe atëherë kur askush nuk llogarit se munden. Bravo Ramë!

Faqezinjtë

E ata që na e qitën faqen e zezë janë ata që autori i librit “Shtetndërtimi në Kosovë: Demokracia, korrupsioni dhe BE-ja në Ballkan”, Andrea Capusella, i quan elita. Mbase nuk do të duhej shpjeguar gjerësisht se kur e ka përdorur termin, nuk ka menduar në grupin e njerëzve që dallohen për nga cilësia, porse për nga aftësia për të përvetësuar të huajën dhe për ta bërë të veten.

Libri, versioni shqip i të cilit do të dalë në vjeshtë, tregon se si njerëzit që kishin pasur pushtetin e armëve dhe të dhunës ia kishin dalë t’i zinin pozitat kyç në shoqëri, dhe t’ua diktonin ritmin e veprimit të gjitha prezencave të huaja në Kosovë. Të lidhur ngushtë me “elitat” në vendet fqinje, posaçërisht në Maqedoni, ia kishin dalë ta mbanin peng komplet veprimin e misioneve të huaja, me kërcënimin e përhershëm se po ranë nga pushteti do të kishte destabilizim politik. Dhe ia kishin dalë t’i bindnin se ata ishin fuqia e vetme që do të mund t’i ndalte trazirat eventuale. Se ata ishin të vetmit që mund ta siguronin stabilitetin politik në Kosovë, e për pasojë, edhe në Ballkan.

Duke luajtur me kartën e stabilitetit, krijuan rrjetin e merimangës, ku shpërndanë njerëzit e tyre, të afërm e të dëgjueshëm – që kishin për detyrë t’ua mbushnin arkat, përderisa e kishin të lejuar që rrugës të nxirrnin edhe ndonjë qindarkë për vete, sado të vogla që kanë mundur të jenë krahasuar me thasët e parave që nënkuptuan tenderët dhe favoret që duhej paguar.

Capusella nuk e ka pasur të vështirë ta kuptonte realitetin e Kosovës, posaçërisht mbasi i kishte kaluar tre vjet në Bordin e Agjencisë së Privatizimit. Porse nuk e besoj se prej aty ka pasur mundësi të kuptonte se sa i gjerë është rrjeti i elitës, që ka prekur absolutisht secilin cep të shoqërisë kosovare, duke nisur nga arsimi, shëndetësia, e duke shkuar deri te institucionet e tjera që përfundojnë me sistemin e mjerë gjyqësor, të cilit i kanë kontribuuar me bollëk edhe ndërkombëtarët. Fillimisht UNMIK-u me dështimin e vet skandaloz, e më pas edhe EULEX-i me Misionin e vet (eksperimental) për sundimin e ligjit.

Se as Evropa nuk ka dashur apo nuk ka ditur të ndihmonte në zgjidhjen e nyjës gordiane kosovare, mbase më së miri e ilustron edhe shënimi që Capusella e jep në librin e tij, kur flet për numrin e njerëzve që janë marrë me luftimin e krimit në Kosovë në emër të Evropës: “Pozitat e gjykatësve dhe prokurorëve paraqisnin 2,3% të numrit të përgjithshëm të stafit të autorizuar të EULEX-it, pra më pak sesa të këshilltarëve doganorë (2,7%). Në mesin e prokurorëve, 13 ishin caktuar në zyrën e kryeprokurorit qendror, që merret me krime të rënda (0,4 % e stafit), dhe 14 u caktuan të merren me krime të rëndomta dhe të lehta. Në mesin e gjykatësve, 24 ishin caktuar në raste penale dhe 25 në ato civile dhe ekonomike. Policia me fuqi ekzekutive (5,3% e stafit) ishte përgjysmë më e vogël sesa e stafit këshillëdhënës, gjysma e anëtarëve të të cilëve (6,1% e stafit) kishin të bënin me administratën dhe me aktivitetet ditore të Policisë së Kosovës dhe nuk kishin asnjë rol në parandalimin apo shtypjen e krimit”.

Nuk e di nëse përpjesëtimi i këtillë i angazhimit të profesionistëve ka qenë objekt negociatash me elitën (që e dyshoj) apo se ka qenë gabim në planifikim (mbase i qëllimshëm, po qe se i qasemi teorisë së pastër të konspiracionit) – efekti në fund është se sistemi gjyqësor i Kosovës vazhdon të jetë po aq i keq, sa kishte qenë edhe para se të vinte ky mision i shtrenjtë.

Shpresë?

E nëse diçka kemi mësuar prej këtyre misioneve është se ne duhet t’i marrim gjërat në duart tona. Mundësisht të atyre që nuk u kanë borxh askujt asgjë dhe se besojnë në fuqinë që ua ka dhënë ligji. Mbase kjo javë tregoi se mund të kemi shpresë, po qe se prokurorët e kanë seriozisht, edhe po qe se gjendet ndonjë gjyqtar që gjithashtu e ka seriozisht.

Këtë javë u ngrit aktakuza ndaj disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë për një mashtrim që ka ndodhur para disa vjetësh, në lidhje me asgjësimin e barnave. Barnat nuk janë asgjësuar, ama paratë janë paguar. Se si dhe kujt, ajo tash do të mbetet për t’u parë në gjykatore. Në të njëjtën kohë, në gazetë doli lajmi për një skemë të komplikuar e që po hetohet nga Prokuroria speciale për keqpërdorimin e barnave shumë të shtrenjta të blera nga Ministria për nevojat e pacientëve me kancer, por të cilat në sasi jo të vogla janë gjendur më vonë në shitje të lirë dhe të shtrenjtë nëpër farmaci private. Se çfarë do të dalë prej kësaj pune, mbetet të shihet. Por nëse keqpërdorimi vërtetohet, atëherë ky do të jetë krim edhe më i rëndë, sepse u është bërë e padrejtë pacientëve që me gjasë mund të jenë terminalë, dhe të cilëve në vend se t’u sigurohet shpresa falas, obligohen që atë shpresë ta blejnë. Edhe shtrenjtë bile.

Rasti i fundit për të cilin u përfol angazhimi i prokurorit, është ai i ish-basketbollistit Edis Kuraja, i cili për shkak të neglizhencës dhe trajtimit joprofesional në QKUK, ka rënë në komë dhe është dërguar për trajtim të mëtejmë në Maqedoni. Se në procedimin e rastit të tij ka ndihmuar edhe fakti se Kuraja është fytyrë publike dhe se babai i tij është pjesëtar i gjyqësorit kosovar, nuk ka shumë dyshime. Por, për fat të keq, kjo tregon se sa e pavlerë është jeta në Kosovë, për shkak se kësi reagimi nga gjyqësia nuk ka në rastet kur pacientët janë njerëz të rëndomtë që nuk kanë përkrahje tjetër pos familjes. Mbase ky rast do të shënojë një kthesë.

* * *

Shumë herë e kemi përsëritur, se mos të ishte diaspora zor se do të mund të mbijetonim. Sivjet më në fund Qeveria u tregua e sinqertë dhe tregoi sesi nuk mund ta ngijmë veten me bukë, sepse nuk prodhojmë drithë të mjaftueshëm as për nevojat tona. Edhe kryeministri u tregua i sinqertë, kur tha se nuk mund t’i krijojë 100 mijë vende të punës, as tash në gjysmën e vitit të parë të mandatit, e me gjasë as atëherë kur ta përfundojë mandatin, sepse ky me gjasë nuk do t’i zgjasë shumë. E, megjithatë, për ta ruajtur këtë mandat, lëshon pe në të gjitha kategoritë e shpenzimeve për të mos e hidhëruar askënd, duke paguar edhe rroga ambasadorëve të dënuar me burgim e edhe deputetëve që mbajnë poste ekzekutive. Qeveritarët paguajnë shumë para për derivate, për telefona, për vetura, për dreka e darka, për udhëtime – dhe kur i krahason me qeveritë e shkuara, thuajse je duke e shikuar filmin e njëjtë përsëri. Asgjë nuk ka ndryshuar, pos disa fytyrave aty-këtu.

Pra, pos shtetit më të varfër, Kosova vazhdon të jetë shteti më i keqqeverisur në rajon. Dhe asnjë strategji e re (e gjashta a shtata në 13-14 vjetët e shkuar) nuk do ta zgjidhë problemin, sepse ligjet e letrat mund të ndryshojnë, porse asgjë nuk do të ndryshojë përderisa është “elita e Capusellas” ajo që e udhëheq Kosovën.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...