Grekët ta drejtojnë gishtin edhe nga vetja

9 Korrik 2015 - 08:27 - Enver Robelli      

Një komb i vogël kundër kapitalizmit të egër: ky është imazhi që duan ta shesin në opinion ideologët dhe motoçiklistët komunistë grekë. Si përherë, edhe kësaj radhe e vërteta është më e ndërlikuar – dhe jo vetëm grekët janë fajtorë

Sjellja racionale ndaj kritikës nuk ka qenë kurrë shkathtësi e Yanis Varoufakisit. Si të gjithë ideologët, të majtë apo të djathtë, edhe ky profesor ekonomie nga Athina përherë ishte i bindur se të vërtetat e tij janë absolute. Nëse grekët i pranojnë kushtet e vendeve të eurozonës për kursime e reforma të mëtutjeshme, atëherë ai kishte paralajmëruar dorëheqjen. Rezultati doli ndryshe, Greqia tha "jo", ashtu siç dëshironte Varoufakis, por motoçiklisti prapëseprapë u largua nga posti i ministrit të Financave. Duket se që nga ardhja në pushtet grupi i djemve të aleancës majtiste Syriza nuk e ka mësuar një gjë: se politika është art i së mundshmes. Edhe këtë e ka thënë një gjerman: Otto von Bismarck.

Me refuzimin e tij të pandërprerë ndaj çdo propozimi nga Brukseli, Varoufakis humbi besimin te vendet e eurozonës, dorëheqja e tij është një akt dëshpërimi në çastin e triumfit. Çfarë mbetet nga ky politikan? Ndoshta vetëm fotografitë e botuara në "Paris Match": Varoufakis në ballkon mbi pullazet e Athinës, Varoufakis në bibliotekën e tij, Varoufakis pranë pianos.

Si më tutje? Kjo është një pyetje me peshë prej disa miliarda euro. Liderët e BE-së do të diskutojnë në ditët në vijim nëse do ta shtyjnë Greqinë në "grexit" – dalje nga eurozona apo do të krijohet një bosht jugor i prirë nga Franca e Italia për të ndërmjetësuar mes Greqisë në njërën anë dhe vendeve që e kanë humbur durimin me taktikat politike të politikanëve grekë. Nuk është vetëm Gjermania këmbëngulëse që Greqia t’i kthejë borxhet – edhe shtete të tjera si Sllovenia e Sllovakia, të cilat i kanë kryer disa nga detyrat e tyre të vështira, nuk duan të lëshojnë pe dhe t’ia falin Greqisë miliardat e veta. Por edhe ky qëndrim i pakompromis është pjesë e një mashtrimi evropian, i cili është kultivuar prej vitesh. Mjerimin grek e kanë shkaktuar edhe bankat evropiane me kredi të lira. Pastaj me këto para grekët kanë blerë prodhime perëndimore, sidomos gjermane.

Megjithatë, fajin kryesor për tragjedinë greke e bartin, në radhë të parë, elitat politike greke – të cilat kanë ndjekur strategji aventuriere sa i përket buxhetit të vendit, kanë mundësuar fundosjen në korrupsion, kanë mbajtur një administratë larg përtej nevojave të shtetit dhe kanë krijuar iluzionin se në Greqi duhet të punosh vetëm 15 vjet për t'u pensionuar përgjithmonë. Pra, grekët duhet ta drejtojnë gishtin edhe nga vetja.

Në të njëjtën kohë njerëz racionalë si ish-kancelari gjerman Helmut Schmidt po bëjnë thirrje për të rimenduar politikën e vendeve të eurozonës ndaj Greqisë: "Ne duhet ta kuptojmë se një pjesë e borxheve greke duhet të shlyhen. Këto para nuk do të kthehen kurrë. Për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm, ndonëse e kemi vështirë. Në aspektin psikologjik nuk mund të merret me mend themelimi një plani Marshall evropian dhe njëkohësisht të mos preken të gjitha ato borxhe fantastike të Greqisë, të cilat gjenden vetëm në letër dhe nuk do të paguhen kurrë. Të thuhet diçka tjetër për këtë është marrëzi".

Po aq marrëzi e madhe është kur ideologët e Syrizas ekzaltohen që një komb i vogël fitoi kundër kapitalizmit të egër. Ideologjia është e tmerrshme si dashuria: të verbon plotësisht! Kolumnistja kroate, proserbe, antiamerikane dhe antikapitaliste Vedrana Rudan, për shembull, të hënën, shkroi: "Grekët për gjermanët janë ata që kanë qenë dikur hebrenjtë". Pjesa tjetër e tekstit të Rudanit është një hedhje e gurëve kundër shkrimtares së njohur Slavenka Drakuliq, e cila në një koment për “Jutarnji list” shkruan mbi ngjashmëritë mes kroatëve dhe grekëve: "Grinden, të gjithë janë kundër tyre, jetojnë mbi mundësitë e tyre, nuk i duan të huajt".

Ka mendimtarë origjinalë grekë që problemin e krizës në vendin e tyre nuk e shohin vetëm nga aspekti financiar. Autori dhe filozofi Nikos Dimou thotë se grekët, para së gjithash, kanë problem me identitetin. Jetojnë mes Lindjes dhe Perëndimit, lavdisë së vjetër dhe varfërisë së re. Problemi i parë është besimi se grekët rrjedhin drejtpërdrejt nga grekët e vjetër, nga Aristoteli, Platoni, Sokrati e Perikleu dhe kështu e vënë veten në situatë të pamundshme të krahasimit me majat e civilizimit klasik grek. Sipas tyre, është krejt e vetëkuptueshme që ata si "pasardhës" të grekëve të vjetër në asnjë mënyrë nuk mund të jenë katundarë të urbanizuar ballkanikë - çka në fakt janë. "Ne nuk jemi njerëz që mendojmë në mënyrë racionale, por emocionale", thotë Nikos Dimou. Ky autor në vitet ‘70 ka shkruar një libër me titullin “Fatkeqësia e të qenit grek”. Pas shpërthimit të krizës greke libri u bë aktual dhe bestseller në hapësirën gjermanofone.

Dimou është një provokator mendjemprehtë. Ai e thotë hapur se e pëlqen përkushtimin gjerman për punë dhe kritikon mungesën e përkushtimit për punë, rend dhe shtet funksional në Greqi. Me qëndrime të tilla, kuptohet, nuk krijoni miq në Greqi, sidomos jo në kohëra krize. Por Dimou duket se është mësuar me rolin e plangprishësit.

Në një intervistë dhënë gazetës gjermane “Die Welt” në fillim të vitit ai thoshte: “Me grekët dhe Evropën është çmenduri. Shumica e grekëve flasin për Evropën thua se nuk i përkasin asaj. Këtu mund të dëgjoni fjali si kjo: ‘Po udhëtojmë në Evropë’ ose ‘Kam studiuar në Evropë’ – thua se Greqia gjendet në një kontinent tjetër! Por, i mjeri unë nëse them Greqia s’ka ç’kërkon në Evropë. Atëherë njerëzit këtu zemërohen tmerrësisht dhe bërtasin: natyrisht ne i takojmë Evropës, ne ia kemi shpikur emrin dhe demokracinë! Por e saktë është se ky vend nuk ka qenë pjesë e zhvillimeve vendimtare të cilat Evropën e kanë bërë Evropë. Greqia nuk e ka përjetuar renesancën, reformizmin, revolucionin industrial dhe iluminizmin. Grekët kanë jetuar një mijë vjet nën Bizantin feudal, pastaj pasuan 400 vjet sundim osman. Kur Greqia rrëshqiti në kohën moderne, ky ishte shok kulturor”. Mbase ky sfond historik e shpjegon më mirë tragjedinë më të re greke.

© KOHA

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...