Të nëmur dhe të paguximshëm

7 Korrik 2015 - 08:03 - Flaka Surroi      

Kosova vendnumëron duke u marrë me gjëra që na imponohen për shkak të gjynaheve dhe fajeve të politikanëve kosovarë, që tash po shihet, janë e nëma më e madhe që do të na jetë bërë ndonjëherë si kolektivitet. Mjerë ne kush na udhëheq. Edhe më të mjerë që lejojmë që këta të na udhëheqin

Sezoni i dytë i serisë së Speciales nisi menjëherë të shtunën pas seancës së Kuvendit, ku votat përcaktuese të deputetëve të PDK-së nuk e kaluan amendamentin me të cilin do të lejohej themelimi i saj. Shprehje dëshpërimi nga përfaqësuesit diplomatikë këtu u pasua me vizitën që Mustafa ia bëri Gjermanisë me ftesë të kancelares Merkel, si dhe trysninë e ushtruar nga ajo, e që përfunduan me vizitën e kongresmenit amerikan, Engel, që vendin tonë e quan Kosova e jo Kosovo, që pati për detyrë t’ua përçonte mesazhin politikanëve si dhe popullit se, ani që e keqe, Specialja ishte e domosdoshme.

Dhe përderisa gjithë java shkoi duke dëgjuar opsione dhe kundërshtime të ndryshme lidhur me temën, në Bruksel vazhdoi seria maratonike e bisedimeve me Beogradin. Edhe pse të hënën nuk u nënshkrua asnjë marrëveshje, megjithatë del se shumëçka tashmë është përafruar dhe se Zajednica do të jetë çelësi i kompromisit për t’i “rregulluar” çështjet e telefonisë, energjisë dhe urës së famshme, e cila, siç është nisur, duket se do të çelet për qarkullim atëherë kur të shkrihet edhe fjolla editiane.

Ndërkohë ndodhën edhe dy gjëra interesante. Njëra kishte të bënte me parashtrimin e kërkesës, edhe pse pak të vonuar, por, megjithatë kërkesë për heqjen e imunitetit ish-kryetarit, si dhe kryetares aktuale të Kushtetueses, në bazë të kallëzimit penal për falsifikimin e një dokumenti zyrtar që në vete e përmbante një vendim shumë të rëndësishëm. Tjetra kishte të bënte me të pabesueshmen Agjenci të Statistikave të Kosovës, që pasi e shkretoi me regjistrimin e popullsisë, vjet na tregoi për motive elektorale sesi papunësia në Kosovë kishte rënë, për të na treguar sivjet, me gjasë, sipas diktatit politik, sesi papunësia na ishte shtuar së bashku me ngecjen e rritjes së ekonomisë.

Rezultati i gjithë kësaj: Kosova vendnumëron duke u marrë me gjëra që na imponohen për shkak të gjynaheve dhe fajeve të politikanëve kosovarë, që tash po shihet, janë e nëma më e madhe që do të na jetë bërë ndonjëherë si kolektivitet. Mjerë ne kush na udhëheq. Edhe më të mjerë që lejojmë që këta të na udhëheqin.

Specialja përsëri në fshat

Nuk ka asnjë dyshim se Specialja do të dalë në Kuvend sërish – me apo pa procedurë kushtetuese apo procedurale. Është urdhër i prerë i “miqve ndërkombëtarë” me të cilët “duhet ruajtur miqësinë”. Kjo është përafërsisht ajo që lexohet nga deklaratat e dëgjuara ditëve të fundit. Dhe kur të ndodhë kjo, do ta kemi situatën si vijon: ata që më së shumti e kundërshtojnë, nuk do t’i kenë numrat për ta rrëzuar amendamentin. Numrat i ka PDK-ja dhe ata do të aktivizohen mu në çastin kur për këtë vjen urdhri i prerë nga kryetari i partisë, që edhe ashtu i ka zgjedhur këta njerëz për përfaqësues të partisë së tij në Kuvend.

Mbase do të ketë përpjekje që votimi i amendamentit të parandalohet me ndonjë aksion mosdëgjueshmërie qytetare apo edhe ndonjë protestë. Veteranët me gjasë do të dalin sërish në rrugë, veç për të treguar për luftën e pastër të UÇK-së, atyre mbase do t’iu bashkohen edhe deputetët e opozitës, dhe kjo jo fort për motive parimore, posaçërisht ata të AAK-së. “Vetëvendosja” do të vazhdojë ta mbrojë republikën dhe sovranitetin mbase edhe me ndonjë fjalim patetik, e mbase edhe me ndonjë veprim të budallaftë të okupimit të foltoreve, apo të rrëmbimit të mikrofonave – me ç’gjë do ta bëjnë mu të kundërtën e asaj që e predikojnë: do t’ua mohojnë të tjerëve të drejtën për t’u shprehur dhe për të vepruar lirshëm, për shkak se mendojnë ndryshe nga ta. E nëse e bëjnë këtë, do të dëshmojnë se nuk kanë mësuar gjë nga gabimet e veta paraprake. Se nëse mendojnë se kanë fituar simpati herën e shkuar, kur e patën bërë gjithë atë lëmsh në Kuvend, gabim e kanë.

Topi ka mbetur në fushën e Thaçit. Prej tij varet se a do të ketë Speciale apo jo. Dhe nëse do të ketë Speciale, do të varet edhe nga fakti se çfarë garancish i ka marrë ai, që përmendet njëzet e kusur herë në raportin e Martyt, se mund të kalojë pa ndonjë therrë në këmbë, e që në vend të tij të gjykohen një duzinë oficerësh të rangut më të ulët dhe me këtë të përmbyllet e gjithë kjo telenovelë. Sepse arsye tjetër për zvarritje të procesit objektivisht nuk ka. Madje as kërcënimi se mund të destabilizohet Kosova, nuk pi ujë. Se s’kemi më çka të destabilizohemi më shumë seç jemi, meqë krejt gjërat po na ikin prej dore një nga një.

Nëse me votën kundër të piunëve të tij do që të shkaktojë krizë politike, që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme me të cilat do t’ia siguronte vetes postin e kryetarit të shtetit sipas parimit tashmë të njohur të vjedhjes industriale të votave, shumë lehtë mund të bëjë. Posaçërisht pas kësaj jave, kur e përjetoi përçmimin më të madh në karrierën e vet politike: kur e përcolli Mustafën në hije, si anëtar i thjeshtë i delegacionit kinez tu Kosovës që shkoi në Gjermani, e ku Mustafa u prit me nderimin më të lartë protokollar shtetëror nga Merkel, e cila kishte shtatë vjet që e injoronte ekzistencën e Thaçit si kryeministër.

Zajednica

E njëra nga “arritjet” më të mëdha të Thaçit si kryeministër qe nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit me Zajednicën e famshme në krye. Edhe pse gjatë gjithë kohës e kanë mohuar si njerëzit e tij ashtu edhe vetë ai, si dhe kryeministri nominal Mustafa, Zajednica megjithatë duket se do të ketë fuqi ekzekutive. Dhe kjo është lehtë e lexueshme nga sinjalet që vijnë prej Brukselit, si dhe mediave serbe të afërta me udhëheqjen e Serbisë.

Deri në nënshkrimin e marrëveshjes së re, që do të ndodhë brenda dhjetë ditësh ndoshta, ajo që thuhet për Zajednicën është si vijon: Zajednica do ta ketë stemën e vet, kuvendin, i cili merr vendime të detyrueshme për anëtaret e saj, kryetarin që e përfaqëson në Kosovë dhe jashtë saj, si dhe zëvendësin e tij, pastaj këshillin 30 anëtarësh, si organ politik që do të përbëhej nga kryebashkiakët, përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe dhe personalitete të shquara të mjediseve serbe. Gjithashtu parashihet që Zajednica të ketë këshill ekzekutiv ose bord shtatanëtarësh, që do të kishin resorët e vet, dhe ky organ do të merrte vendime me rëndësi për funksionimin ditor të saj; Zajednica do ta ketë administratën e vet, që udhëhiqet nga shefi, i cili i përgjigjet bordit, përkatësisht këshillit ekzekutiv. Të punësuarit, sipas marrëveshjes, do të merrnin pagat nga Zajednica, që do të financohej nga të hyrat vetjake, komunat dhe pushteti qendror në Prishtinë e Beograd. Po ashtu parashihet që Zajednica të lirohet nga pagesa e tatimit, doganës, tagrat dhe taksat.

Kjo mund të quhet Zajednicë, porse në literaturën juridike njihet si autonomi. E tash, a do ta ketë edhe të drejtën e shkëputjes nga Kosova, pra të vetëvendosjes, mbetet të rregullohet garant edhe me ndonjë marrëveshje të re të Brukselit.

E mbase do të duhej kthyer shiritin pas, dhe të kujtojmë se më 2011-n, kur kishin nisur këto negociata, posa ishte publikuar Raporti Marty. E s’ka si të të mos shkojë nëpër mend se ky ka mundur të jetë mjeti më i lehtë për ta shantazhuar aktorin kryesor të raportit, i cili jo vetëm se u kërcënua që do ta padiste Martyn, porse edhe do t’i zbulonte emrat e atyre që kishin folur për ta formuluar këtë dokument, duke i kërcënuar drejtpërsëdrejti edhe ata që së shpejti do të mund të bëhen dëshmitarët kyç të kësaj Gjykate. Në kohën kur zhvilloheshin hetimet në bazë të raportit, e gjithë trysnia ka mundur të binte mbi Thaçin që të pranonte çfarëdo, veç që ta shpëtonte veten nga ndjekja eventuale. E për më keq, pasi ta ketë vënë nënshkrimin në dokumentin që e ndan Kosovën, të dilte në FB për të na thënë se ky veprim paraqet suksesin e vizionit të tij politik.

Shtet hajgare

E se vizioni i tij politik ka qenë si të bëhet lider i përjetshëm i Kosovës, duke i shpërndarë njerëzit e vet në të gjitha institucionet që kanë ndonjë peshë në këtë shtet, e dëshmoi sërish Agjencia e Statistikave të Kosovës. Kjo agjenci vjet na pati dalë me një shënim sipas të cilit papunësia në Kosovë ishte 30%. Kjo ndodhte në kohën kur përgatiteshin zgjedhjet. Pra, i nevojitej një organizëm zyrtar që do t’ua mohonte matjet instituteve të pavarura e edhe Bankës Botërore – për të thënë se gjatë udhëheqjes së tij ia kishte dalë të siguronte vende pune.

Aq shumë elan euforik i kishte dhënë kjo statistikë, sa gjatë zgjedhjeve doli t’i premtonte krijimin e 200 mijë vendeve të punës. Se çka ndodhi ndërkohë, e pse ASK-ja doli tash për të na treguar se papunësia kishte mbërritur në 35%, një zot e di. Por ishte interesante të kuptohej nga ky raport se, sipas agjencisë zyrtare, Kosova i kishte “vetëm” 176 mijë të papunë. Kjo do të thoshte se po t’i fitonte zgjedhjet, Thaçi do t’ua mundësonte emigrantëve nga vendet e tjera të botës të vinin e të gjenin punë te ne.

E kur i shikon kushtet në të cilat jetojmë, del se të dyja shifrat janë rrenë e kulluar. Se as Thaçi e as Mustafa me këso Qeverie nuk mund t’i krijojnë 200 mijë vende të punës për katër vjet, e as nuk është e vërtetë se në Kosovë janë vetëm 176 mijë të papunë. Pos nëse këtu ASK-ja i ka fshirë me laps ata 100 mijë, që për shkak të “prosperitetit në Kosovë”, kanë ikur nga Hungaria për në Perëndim në shtatë-tetë muajt e parë të kësaj qeverisjeje.

Hajgare. E pakripë.

* * *
Nuk e di kush na ka nëmur kësisoj.

Nuk e di edhe sa kohë mund të qëndrojë kjo shoqëri kështu. Vetëm po mundem të imagjinoj se çfarë do të ndodhte po qe se diaspora nuk do ta ushqente Kosovën me gati gjysmën e buxhetit të vet shtetëror çdo vit. Nuk e di edhe sa kohë duhet pritur që të na udhëheqin njerëz që kuptojnë se zhvillimi i kësaj shoqërie varet nga arsimi cilësor dhe nga ekonomia që do t’i mbante të zënë dhe produktivë gjithë këta të rinj që perspektivën e vetme tash e kanë me pi makiato. Nuk na duhen as ideologji e as dogma – na vyen pragmatizëm, punë dhe guxim. Se për pallavra, hajni e mashtrime – jemi ngirë aq, sa na ka mbetur vetëm të kërcasim.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...