Shoqëria e padrejtë kalbëzohet dhe shthuret

3 Korrik 2015 - 08:37 - Halil Matoshi      

Shoqëria kosovare dhe klasa politike (institucionet e shtetit) kanë dështuar në raport me drejtësinë ndërkombëtare dhe shtetin e së drejtës në tri rrafshet vitale të shtetit të së drejtës: Së pari, ka dështuar në mbrojtjen e dëshmitarëve dhe nuk ka shfaqur asnjë trohë ndjeshmërie për viktimat; Së dyti, ka toleruar shmangie nga drejtësia (ikje nga vuajtja e dënimit) dhe negociimin e drejtësisë; Së treti, nuk ka garantuar procese gjyqësore fer e pa influencim politik.

Sa për informim të atyre tellallëve të pushtetit të papërgjegjshëm që bënin be në sovranitet (në epokën globale kur një pjesë e sovranitetit shtetëror të shtetit bartet tek organizatat mbinacionale si OKB, BE, NATO etj., por edhe kur sovraniteti klasik westphalian ka përjetuar vdekjen nga plakja dhe nga rendi i ri botëror, ngase mbi Serbinë dhe Malin e Zi si shtet sovran më 1999 aleatët e NATO-s kishin “shkarkuar” mijëra tonë bomba për shtatë javë rresht pikërisht për shkak të krizës humanitare në Kosovë) duhet të theksohet fakti se Gjykata Speciale identike si për Kosovën janë krijuar edhe në Sierra Leone, Liban dhe Kamboxhia, pos Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë dhe tribunaleve ndërkombëtare dhe gjykatave ndërkombëtare ad-hoc për një varg shtetesh të tjera.

Gjykata Speciale për Sierra Leonen është një organ gjyqësor i ngritur nga qeveria e Sierra Leones dhe Kombeve të Bashkuara për të "ndjekur penalisht personat që mbajnë përgjegjësinë më të madhe për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtën e Sierra Leones, të kryera nga 30 nëntori 1996 dhe gjatë luftës civile.
Gjuha e punës së gjykatës është gjuha angleze, kurse zyrat i ka në Freetown, Hagë dhe New York City.

Më 12 qershor 2000, Sierra Leone, presidenti Ahmed Tejan Kabbah i shkroi një letër sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, (për dallim, pasi që Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së, presidentja e Kosovës i ka shkruar BE-së) duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të përpiqen që të ndëshkohen ata që janë përgjegjës për krime gjatë konfliktit.
Më 10 gusht 2000, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, Rezoluta e miratuar 1315, i kërkon sekretarit të përgjithshëm për të filluar negociatat me qeverinë e Sierra Leones për të krijuar një gjykatë të posaçme.

Më 16 janar 2002, OKB-ja dhe qeveria e Sierra Leones nënshkruan një marrëveshje për themelimin e gjykatës.
Kjo gjykatë kishte juridiksion për të gjykuar personat që kanë kryer krime kundër njerëzimit, kundër civilëve që përfshinin: vrasje, shfarosje, skllavërim, dëbim, burgim, tortura, përdhunim, skllavëria seksuale, prostitucioni i detyruar ose ndonjë formë tjetër e dhunës seksuale; Persekutimi në bazë të politikës, racës, përkatësisë etnike ose fesë; dhe të tjera "akte çnjerëzore".

Përveç kësaj, gjykata do të ketë juridiksion për të ndjekur penalisht ata që kanë shkelur Konventën e Gjenevës të vitit 1949, si dhe Aktin e Sierra Leones për parandalimin e mizorive ndaj fëmijëve (1926), si dhe Aktin nacional kundër abuzimit të vajzave ose ‘dëmtimi me qëllim të keq (1861.)
Megjithatë gjykata nuk ka juridiksion mbi qytetarët nën moshën 15-vjeçare.
Për më tepër, ajo gjykatë është superiore ndaj çdo gjykatë në Sierra Leone dhe mund të marrë përparësi të juridiksionit, në rastet e mundshme kontradiktore
amnistitë e mëparshme në kundërshtim me kompetencat e gjykatës do të jenë të pavlefshme.

Tribunali Special për Kamboxhian është krijuar për të ndëshkuar Khmer Rouge (Kmerët e Kuq) që kishin marrë pushtetin në Kamboxhia në vitin 1975 dhe kishin vrarë më shumë se një milion njerëz gjatë sundimit të tyre katërvjeçar. Së fundi, më 17 mars 2003, Kombet e Bashkuara arritën një projektmarrëveshje me qeverinë kamboxhiane për një gjykatë ndërkombëtare penale, të quajtur “Dhomë e jashtëzakonshme në gjykatat e Kamboxhias, për të gjykuar ish-udhëheqësit e Kmerëve të Kuq. Marrëveshja erdhi pas pesë vjet të negociatave dhe 24 vjet pas Khmer Rouge u përzunë nga pushteti. Gjykata Kamboxhiane përbëhet nga dy gjyqtarë kamboxhianë dhe ndërkombëtarë, dhe ka juridiksion ekskluziv mbi krimet e përzgjedhura të kryera nga regjimi i Kmerëve të Kuq, nga mesi i vitit 1975 deri më 1979.

Vrasja e kryeministrit libanez, Rafik Hariri, nga shërbimi sekret sirian, e detyroi OKB-në, me gjithë sabotimin e Sirisë, që për ketë çështje të themelojnë një Tribunal Special, i cili pritet të fillojë gjykimin, 10 vjet pas vrasjes së Haririt.
Porse në rastin e Kosovës fatkeqësia kombëtare vjen nga shkaku se, me mosvotimin e amendamenteve kushtetuese që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale, institucionet e Kosovës dëshmuan se nuk i respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare (si subjekt i së drejtës ndërkombëtare), pra janë partnerë skajshmërisht joseriozë dhe jo të besueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, madje duke i tradhtuar edhe aleatët e vet, përkatësisht sponsorët e lirisë së vendit, sepse Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e kësaj gjykate përmes votimit të Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të bazuar në shkëmbimin e letrave ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga,dhe përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Kur vitin e kaluar shërbimet inteligjente të NATO-s publikuan raportet e tyre (edhe shërbimi zviceran), ishte mesazh i qartë se demokracitë që e mbështetën lirinë e Kosovës nuk duan më një shtet të kapur nga strukturat kriminale-mafioze, por duan që Republika t’u kthehet qytetarëve kosovarë, të cilët duhet lënë të lirë për të ndërtuar institucione kredibile e të përgjegjshme dhe strukturat aktuale të pushtetit, përkatësisht PDK-ja, duke e parë veten me një këmbë jashtë skenës politike, filluan taktizimet e tyre deri në përmasat e talljes me drejtësinë ndërkombëtare, duke u thirrur në sovranitet dhe tregime të pabesueshme ballkanike me “dragonj e kuçedra”, deri tek ato enveriste të “Jo-së” ndaj Perëndimit, duke ia ndjellë pabesisht shoqërisë kosovare izolimin, përkatësisht rikthimin nga Lindja…

Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë kombëtare (2008) Kosova u gjet në tehun e kritikave si shtet i dështuar, sepse nuk po vendosej sundim i ligjit. Atëbotë pas raportit shumë kritik të misionit të OSBE-së (Tim Guldimann ) për implikimin e politikës kosovare në polici, gjyqësor dhe media, kjo nuk e shqetësoi fare lidershipin që kishte marrë mandatin për ta drejtuar vendin.
Dhe që në vitin e parë nën qeverisjen e PDK-së shteti nisi të rrokullisej nga humnera.

Francis Fukuyama në librin “Ndërtimi i shtetit” thekson se as SHBA-ja e as komuniteti ndërkombëtar nuk kanë pasur progres të rëndësishëm në krijimin e shteteve të vetëqëndrueshme në çdonjërin nga vendet ku janë përpjekur ta bëjnë. Dhe si shembuj përmend Kosovën, Somalinë, Haitin, Bosnjën, Kamboxhian dhe Timorin Lindor.

Dhe sot, pas shtatë vjetësh, Kosova për sa i përket drejtësisë dhe domosdoshmërisë për të krijuar një Gjykatë Speciale për krimet e pretenduara të luftës, sërish përmendet në shoqëri me Kamboxhian, Libinë, Sierra Leonen, natyrisht për faj të kësaj klase politike, pushtetit dhe opozitës.

S’ka asnjë dyshim se refuzimi i Gjykatës Speciale nga vetë PDK-ja (partneri i madh i koalicionit qeverisës e ngarkon me faj pikërisht liderin e saj Hashim Thaçi) por e bë me faj edhe Kuvendin e Kosovës, përkatësisht përfaqësuesit e kosovarëve, të cilët për sa i përket shtetit të së drejtës priren nga “truri muskul” dhe gjykojnë sipas psikologjisë së turmave e jo sipas një Raison d’Etat (Rezonit shtetëror) duke e rikthyer sërish më skenë tezën njëshekullore serbe se shqiptarët e Kosovës nuk kanë aftësi për t’u vetëqeverisur!???.
Dështimi për t’i miratuar amendamentet kushtetuese rreth kësaj Gjykate në Kuvendin e Kosovës e forcoi idenë se Kosova është shtet i dështuar dhe jo vetëm tek armiqtë e pavarësisë së Kosovës, por edhe tek miqtë dhe aleatët e saj.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të bllokojnë përpjekjet e Rusisë për të krijuar Gjykatën Speciale në OKB”, është cituar të ketë thënë ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy N. Jakobson.
Gjykata Speciale është pasojë direkte që Kosova nuk ka mbajtur raport të qëndrueshëm ndaj shtetit të së drejtës, përkatësisht nuk ka vendosur drejtësinë në vend, sepse gjykatat e rregullta nuk e kanë dënuar asnjë shqiptar të Kosovës asnjëherë për asnjë krim të pretenduar lufte, ndërsa dënimet nga gjykatat e instaluara të UNMIK-ut, të Hagës dhe tash të EULEX-it janë përbuzur nga shumica e shqiptarëve deri në shpërfillje, madje shumicën e të dënuarve nga UNMIK-u, Gjykata e Apelit (Supremja) i ka liruar pas dy-tre vjetësh si të pafajshëm...

Rezistenca folklorike sipas logjikës antishtet të Nait Hasanit e Ganimete Musliut edhe mund të merreshin me mend, porse qasja e Ilir Dedajt nga lëvizja “Vetëvendosje” befasoi të gjithë, jo pse vota e tij nuk ishte e ndarë nga vota propagandistike e VV-së, porse pikërisht njëri nga themeluesit e ish-FER-it, liberali Deda, e tha fjalinë më të papërpishme (të përbindshme!) nga të gjithë deputetët që votuan kundër kësaj Gjykate.

"Të bëjmë Gjykatë për krime lufte me seli në Prishtinë" – tha ai.
Pikërisht gjashtëmbëdhjetë vjet pas çlirimit të Kosovës dhe shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë kombëtare të Kosovës, ndonëse krimet e luftës nuk vjetrohen, në këtë sens Dedaj ka të drejtë, mirëpo i njëjti qytetar (atëherë drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED, tashti deputet në Kuvend) më 2013 pati thënë: “Qeveria që e drejton Hashim Thaçi është korporatë kriminale dhe kjo qeveri po e shkatërron shtetin e Kosovës. Të gjithë në Kosovë po i shohin efektet e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, e cila është në Qeveri të Republikës së Kosovës. Z. Thaçi është në krye të kësaj korporate kriminale në Kosovë…”

Dhe besoni apo jo, po ky Dedaj iu bashkua ekstremit të partisë së Thaçit në Kuvend (përkatësisht taktikës së vet HTH) për të mos krijuar Gjykatë Speciale, e cila do t’i hetonte disa individë nga “korporata kriminale”, gjithnjë sipas fjalorit agresiv të Dedajt.
E tash po kërkon nga kjo “korporatë kriminale” që të themelojë Gjykatë për krime lufte në Prishtinë, derisa “korporata” i ka kapur institucionet e shtetit, pra edhe tërë sistemin e drejtësisë.
Qysh Ilir?
Derisa ti vetë ke thënë se shteti është i kapur nga “korporata kriminale” e tash po lyp Gjykatë për krime lufte në Kosovë, pra po i bie që “banda kriminale” ta bëjë Gjykatën dhe ta kapë veten duke e çkapur shtetin?

Qe ku shpie jokonsistenca mentale dhe lufta e paskrupullt për pushtet.
Në anën tjetër, ideja e shumë njohësve të politikave ndërkombëtare se nëse shoqëria (shteti) kosovare do ta mbaronte kaherë këtë punë (qoftë edhe formalisht si Serbia që e ka themeluar Gjykatën për krime lufte, por edhe Bosnja dhe Kroacia), Kosova tashti do të mund të kishte sfidat e kaosit urban dhe të bërllokut, e ndoshta edhe të papunësisë, por jo edhe sfidën e “kulturës së krimit dhe të pandëshkueshmërisë”.

Themelimi i kësaj Gjykate vjen si pasojë e një sjelljeje pafundësisht të papërgjegjshme të klasës politike kosovare që nga çlirimi i vendit e deri më sot.
Mbyllja e syve para krimeve eventuale të “kriminelëve tanë të mirë” dhe fokusimi tek krimet e armikut, përkatësisht tek “kriminelët e tyre të këqij”, pra mungesa e guximit politik e qytetar dhe paaftësia për të vendosur sistemin e drejtësisë së paanshme dhe gjyqtarit të pavarur, e nxiti bashkësinë ndërkombëtare që t’ia imponojë Kosovës edhe një formë tjetër gjyqësori: Gjykatën Speciale!

Dhe sot duhet harruar pallavrat e politikanëve, sepse nuk ka një të tillë në Kosovë që ka kredibilitet për ta penguar krijimin e kësaj Gjykate dhe për të themeluar kinse gjykatë vetjake për krime lufte, por në thelb nuk ka as fuqi për ta penguar themelimin e saj, sepse kjo është një punë tashmë e kryer.
Po të ndërtohej një sistem normal i drejtësisë në vend, menjëherë pas çlirimit, ose së paku pas shpalljes së Pavarësisë, po të dënoheshin eksponentë të ish-gueriljes UÇK për krimet eventuale të tyre, ose po të mbaheshin në burg ata që ishin dënuar, dhe po të mos zhdukeshin dëshmitarët dhe të mos mbizotëronte kodi i heshtjes së atyre dëshmitarëve që kishin mbetur gjallë, nga të gjitha rastet në gjyqësinë vendore (nën UNMIK) në atë ndërkombëtare (nën Tribunalin e Hagës) dhe tashti nën gjyqësinë e përbashkët eulexiano-kosovare, sigurisht që kosovarët nuk do të dëgjonin për këtë lloj gjykate asnjëherë.

Po të kishte vullnet politik për ta lejuar gjyqësorin ta bënte punën e tij të pavarur dhe po të kishte gjykatës të pavarur me etikë, nëse Qeveria (organet e ndjekjes dhe sigurisë) nuk do t’ua bënin me sy individëve të fuqishëm (kryesisht nga PDK-ja) që t’i shmangen drejtësisë, duke u vërdallosur të lirë nëpër Suedi e vende të tjera, atëherë qëmoti do të pastrohej lufta çlirimtare nga krimet eventuale dhe imazhi i Kosovës do të ishte ndryshe.

Por këtë nuk e deshi askush në Kosovë, që nga Qeveria e Përkohshme e drejtuar nga HTH dhe shumica e kësaj klase politike që ose kanë qenë dhe janë pjesë e ekzekutivit, ose janë deputetë në Kuvend, që lejoi madje edhe linçin publik në mes të Prishtinës ndaj qytetarëve serbë, ose që përzuri romët kosovarë...
Po të ndaleshin turmat e marrosura atëherë, sot Kosova do të shihej me simpati nga të tjerët. Tashti kjo gjykatë nuk mund të thuhet se do ta njollosë luftën e UÇK-së, sepse gjyqësori nuk është për të njollosur, por për të vënë drejtësinë në vend, mirëpo, nuk mund të thuhet as që do ta pastrojë UÇK-në, sepse ekziston mundësia të dëshmohen e të zbardhen krime monstruoze, për të cilat është përfolur si nëpër dhëmbë tash e 15 vjet në Kosovë.

E mira e kësaj pune është se nuk ka dhe nuk mund të ketë fajtor kolektiv dhe se askush në një proces gjyqësor nuk është i fajshëm përderisa të mos argumentohet fajësia e tij para një trupi legal gjykues.
Nëse Kuvendi i Kosovës nuk e themelon Gjykatën Speciale, ajo do të bëhet pa Kosovën dhe kundër saj, pra në aktin themelues të kësaj gjykate të OKB-së do të figurojë termi gjenocid (me akuzën se “UÇK-ja ka tentuar gjenocid mbi pakicat”); nuk do të ketë afate strikte – mund të shndërrohet në gjykatë permanente dhe në panele të saj mund të ketë rusë dhe filoserbë.

Do ta përmbyll këtë shkrim duke e cituar kolegun tim Arben Idrizi: “Refuzimi i deputetëve tonë për të votuar themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte është një apologji e krimit, mbështetje e vrasjeve të civilëve serbë, romë e shqiptarë, dëshirë për të mos u zbardhur kurrë ato krime makabre, ftesë brezave të ardhshëm në krim dhe barbarizëm..."

Në thelb, edhe drejtësia ndërkombëtare në Kosovë nuk ka funksionuar sipas standardeve të vendeve përkatëse që kanë participuar në këta mekanizma në Kosovë, por kjo nuk ia jep të drejtën askujt të thotë se s’u bë nami nëse dështojmë edhe ne.
Ndoshta dënimi në kohë jo të kalkuluar mirë nga drejtësia ndërkombëtare e Grupit të Drenicës, si dhe ndalimi i Ramush Haradinajt në Slloveni, që lë shije të keqe në marrëdhëniet e mira mes dy vendeve mike, sipas një fletarrestimi të Serbisë, kanë pasur kundërefekt, por ndoshta sipas abc-së së të gjitha teorive konspirative, kjo formulë edhe është synuar.

Që Kosova të thotë jo – për t’ia kaluar çështjen atij që bota e njeh si “Mister Njet” – ambasadorit rus në OKB Vitalij Çurkin!?
Ndoshta dikush ende kujdeset për lidhjet e vjetra ideologjike të shqiptarëve me Moskën!??? Ndoshta HTH do “t’i bindë” deputetët që “e tradhtuan” për të thënë “po” apo ndoshta Isa Mustafa do ta riformatizojë Qeverinë duke e joshur ndonjërin nga subjektet politike opozitare me ndonjë dikaster (ndodh që ndërtohet edhe qeveri teknike ose gjithëpërfshirëse) në këmbim të votës së opozitës. Porse këto janë opsionet kosovare.

KS i OKB-së e ka vetëm një opsion: Ta bëjë këtë Gjykatë qoftë duke e aktivizuar Rezolutën 1244, qoftë me një të re.
Atëherë votuesit që kanë zgjedhur për përfaqësues të tyre çiftet e atyre që i dhanë goditje shtetit kosovar, do të vijnë në atë derexhe sa t’i nxjerrin flokët e vet!

Gjykata Speciale është mekanizmi i fundit i influencuar ose i themeluar nga bota e lirë, që Kosova ta vendosë një raport normal e të drejtpeshuar me drejtësinë, të cilën gjatë e ka mohuar...
Sidoqoftë, secili qytetar i edukuar kosovar duhet të ndihet i turpëruar para viktimave eventuale dhe para botës demokratike.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...