Mbrojtësit e kriminelëve në vitin 2015

2 Korrik 2015 - 08:31 - Enver Robelli      

A kanë kryer pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës krime? Po. Madje shumë. A është dënuar ndonjëri prej tyre? Pothuaj askush. Pse nuk dënohen? Sepse prej kriminelëve të luftës janë shndërruar në banditë të pasluftës që kontrollojnë shtetin, vrasin dëshmitarë, frikësojnë prokurorë e gjykatës dhe kanë një hall: si t’i menaxhojnë e fshehin miliona euro që kanë vjedhur. Së paku po aq sa Kosovës i duhet liria, këtij vendi i duhet edhe një Gjykatë Speciale kundër kësaj bande sunduese! Kush e mbron krimin është armik i Kosovës

Kosova ka bërë luftë të drejtë kundër regjimit kriminal të prirë nga Slobodan Milosheviqi. Lufta e drejtë është bërë me mjete paqësore dhe me armë, me informim të opinionit perëndimor për krimet e regjimit të Beogradit, me sensibilizim të diplomatëve dhe organizatave ndërkombëtare. Kjo luftë ka qenë aq e drejtë, saqë Perëndimi nuk e ka pyetur as Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të shpëtuar popullin e Kosovës.

Në vitin 1999 Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndanë 12 miliardë dollarë për bombardimin e Serbisë, për shqiptarët e përndjekur nga Kosova dhe për rindërtimin e Kosovës. Në vitin 1999 Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore hyri në luftë për Kosovën përkundër kundërshtimeve të mëdha të një pjese të opinionit publik në këtë vend.

Duhet të dihet: nuk kanë qenë vetëm komunistët gjermanolindorë kundër intervenimit ushtarak. Skeptikë kanë qenë edhe politikanë si kancelari i bashkimit të Gjermanive Helmut Kohl dhe kancelari socialdemokrat i viteve 70, Helmut Schmidt. Pala serbe ishte përpjekur ta angazhonte Kohlin si ndërmjetësues për ndalimin e bombardimeve, Schmidt e ka thënë hapur se e konsideron gabim ndërhyrjen në Kosovë. Në vitin 1999 Franca ishte pjesë e shteteve perëndimore që bombarduan Serbinë, aleaten e saj në dy luftëra botërore.

Në vitin 1999 Britania e Madhe nën udhëheqjen e socialdemokratit, Tony Blair, ishte edhe më këmbëngulëse se Washingtoni për t’i dhënë fund fushatës shfarosëse të qeverisë serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Çfarë dallimi me qeverinë paraardhëse proserbe të kryeministrit John Major! Në vitin 1999 edhe Italia, e cila më parë kishte bërë mjaft biznese me regjimin e Milosheviqit dhe kishte për ministër të Jashtëm një komunist, ishte pjesë e aleancës për çlirimin e Kosovës.

Në verën e vitit 2015, tamam 16 vjet pasi forcat serbe nënshkruan kapitullimin para oficerëve të NATO-s në Kumanovë dhe jo para gjeneral Hashim Thaçit, admiral Kadri Veselit, xhandar Azem Sylës, kapter Jakup Krasniqit, rreshter Sami Lushtakut dhe futbollistit Sylejman Selimi, në Kuvendin e Kosovës dështoi ndryshimi i Kushtetutës për të mundësuar themelimin e një gjykate që do të gjykonte të dyshuarit për krime lufte. Kësaj radhe të dyshuarit janë shqiptarë, rreth dhjetë sish, sipas pëshpëritjeve në qarqet e afërta me hetuesit.

A kanë kryer pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës krime? Po. Madje shumë. A është dënuar ndonjëri prej tyre? Pothuaj askush. Pse nuk dënohen? Sepse prej kriminelëve të luftës janë shndërruar në banditë të pasluftës që kontrollojnë shtetin, vrasin dëshmitarë, frikësojnë prokurorë e gjykatës dhe kanë një hall: si t’i menaxhojnë e fshehin miliona euro që kanë vjedhur. Po aq sa i duhet liria Kosovës i duhet edhe një Gjykatë Speciale kundër kësaj bande! Kjo do të duhej të ishte bindja e çdo qytetari të Kosovës që e do një ardhmëri më të mirë për vete dhe gjeneratat që vijnë.

Në vend të mendimeve racionale në opinionin publik po kalërojnë mbrojtës të të dyshuarve për krime si puna e Albin Kurtit apo e Jakup Krasniqit, i cili në euforinë e tij morbide nuk ngurron të bëjë albume me fotografi të njerëzve që e mbështesin Gjykatën Speciale – për t’i damkosur ata si tradhtarë dhe pse jo edhe si caqe legjitime për ekzekutim. Mes tyre Krasniqi e ka futur edhe Arben Idrizin, një publicist që në mënyrë konsekuente ka kritikuar ata që duhet kritikuar çdo njeri me dy kokrra mend: kriminelët e veshur me pushtet!

Mbrojtësi tjetër i kriminelëve quhet Albin Kurti. Ai dhe sekti i tij politik këto ditë me mish e me shpirt, me kuisje e shkumë në gojë po përpiqen ta bindin opinionin se krimet e palës shqiptare – ndonëse në asnjë rrethanë të krahasueshme me barbarinë e Serbisë - paskan qenë “krime të bukura”, “krime fisnike”, “krime patriotike”, “krime estetike”, “krime iliro-pellazge”, “krime me bekim të Skënderbeut”. Ta keni parasysh: kështu po argumenton një njeri që nga burgjet e Serbisë ka dalë sidomos falë protestave të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Nga një njeri i tillë do të ishte e logjikshme të pritej empati për viktimat – jo tallje, jo verbëri nacionaliste, jo kuisje primitive në mbrojtje të kriminelëve.
Albin Kurti e di që në Prishtinë, në qytetin ku është rritur, janë vrarë civilë serbë veçanërisht pas luftës – me qëllim të grabitjes së pronave të tyre. Albin Kurti e di që në Prishtinë është vrarë një bullgar vetëm përse i shkreti ka pyetur në sllavisht: “Sa është ora?” Albin Kurti e di që më 28 nëntor 1999 në Prishtinë për së gjalli është djegur një profesor serb gjatë një dalldie nacionaliste shqiptare.

E di shumë mirë Kurti se në atë vakt ministër i Brendshëm i së ashtuquajturës Qeveri të Përkohshme të Kosovës ka qenë Rexhep Selimi. Që Selimi bën zhurmë kundër drejtësisë në foltore të Kuvendit mund të kuptohet, sepse ai nuk ka asnjë interes që periudha e errët e pasluftës të ndriçohet, por cili është interesi i Kurtit? Zhurma që këta politikanë sot bëjnë kundër drejtësisë ndërlidhet mbi të gjitha me frikën nga drejtësia. Andaj qesin shkumë për goje kundër Evropës Perëndimore, kundër Amerikës, kundër prokurorit John Clint Williamson, kundër Dick Martyit të dekoruar nga SHBA-ja për punën e tij kundër krimit të organizuar.

Sa për Ramush Haradinajn nuk duhet humbur shumë fjalë: prej tij nuk duhet pritur empati për viktimat, halli i tij i vetëm është si ta shpëtojë lëkurën pas një karriere 16-vjeçare të përzier me reket, krim, korrupsion dhe lidhje me krerë të nëntokës. Nuk e ka hallin ky njeri sot se çfarë po bëhet me Kosovën, por mos, helbete, po e ha dreqi Bedri Krasniqin të flasë për shefin e tij me emrin Ramush Haradinaj dhe për veprat heroike të tij dhe të Daut Haradinajt në Dukagjin e më gjerë, sidomos pas luftës. Bedri Krasniqi, truprojë e Ramush Haradinajt, është i dënuar me mbi tri dekada burg për krime të llahtarshme anekënd Kosovës.

Në këtë lojë të pistë nuk janë aktorë vetëm këta që u përmendën më lart. Revista e famshme britanike “The Economist” duket se kishte të drejtë kur së fundi konstatoi se udhëheqësit kosovarë publikisht e mbështesin themelimin e Gjykatës Speciale, por në prapaskenë bëjnë çmos ta pengojnë atë. Askush të mos befasohet nëse në të ardhmen zbulohet se dështimi për të votuar ndryshimin e Kushtetutës me qëllim të themelimit të Gjykatës Speciale ka qenë një lojë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilëve eksplicit u përmenden emrat në raportin e Dick Martyit.

“Kush do të akuzohet?”, e kishte pyetur një aktiviste e të drejtave të njeriut para disa muajsh prokurorin amerikan John Clint Williamson. “Gjetjet e mia kryesisht përputhen me raportin e Dick Martyit”, ishte përgjigjur zyrtari amerikan. Pa u thelluar tani në detaje, një gjë është e qartë: asnjëri prej sundimtarëve dhe pasunarëve (duarnxirë) të Kosovës s’ka interes të veprojë drejtësia.

Në të ardhmen opinioni kosovar mund të mësojë edhe hollësi për një intrigë tjetër: përleshja e armatosur në Kumanovë para gati dy muajsh nuk ka qenë vetëm skenar i diktatorit maqedonas Nikolla Gruevski, por edhe i “uçkëistëve” kosovarë për të hequr qafe disa dëshmitarë potencialë të Gjykatës Speciale. Në këtë incident janë të përzier thellë edhe struktura të SHIK-ut, shërbimit të PDK-së për punë të pista. Përkundër kritikave të shumta që i meriton lideri i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti, kosovarët në të ardhmen duhet ta kujtojnë një pyetje të tij pas ngjarjes në Kumanovë: “Ata që janë në burg le të tregojnë përse erdhën në Kumanovë?”

Tani që euforia për “triumfin” në Kuvend pas votimit të së premtes po merr fund, mbrojtësit e kriminelëve po përpiqen të gjejnë arsyetime. Albin Kurti ka shkruar një përrallë se Kosova asnjë konsekuencë nuk do ta pësojë nëse e refuzon Gjykatën Speciale, sepse as Shqipëria nuk qenka ndëshkuar nga SHBA-ja pasi refuzoi asgjësimin e armëve kimike të Sirisë. Dallimi mes refuzimit të Edi Ramës dhe refuzimit të Kosovës për të gjetur e gjykuar kriminelët është kolosal: një vend sovran dhe anëtar i NATO-s si Shqipëria thotë se nuk mund t’i pranojë disa fuçi me armë kimike nga Siria, ndërsa Kosova thotë: “S’na ha palla për akuza për krime lufte”, madje pasi një prokuror amerikan ka kryer hetime disavjeçare dhe ka ardhur në përfundim se disa figura të nivelit të lartë të UÇK-së duhet të dalin para gjyqit. Pseudoargumenti tjetër i Kurtit është se më keq se ç’është tani nuk mund të bëhet në Kosovë.

Një politikan që flet kështu e ka humbur udhën në oborr. Mund të bëhet edhe më keq, sepse që tani po shihet një mobilizim i mbrojtësve më të mëdhenj të të drejtave të shqiptarëve në qortimin e kryeneçësisë kosovare. “Kosova ishte e lumtur të shpëtohej nga krimet serbe të luftës, por bllokoi themelimin e Gjykatës Speciale për të sajat”, ka shkruar në “Twitter” Kenneth Roth, drejtor ekzekutiv i Human Rights Watch. Vetëm naivët në Kosovë mund të mendojnë se një prononcim i tillë i një aktivisti që drejton një organizatë aq prestigjioze për të drejtat e njeriut është i parëndësishëm.

Derisa Albin Kurti me krenari vazhdon t’i bjerë murit me kokë, Ramush Haradinaj duket se ka nisur të zmbrapset: mediat njoftuan se kryetari i AAK-së paskësh thënë se me disa kushte “jemi të gatshëm” të pranojmë Gjykatën Speciale.
Një shoqëri normale nuk do të duhej ta bënte një gjykatë për kriminelët e vet për hatër të “miqve ndërkombëtarë”, por për hatër të ardhmërisë së Kosovës si shtet. Kjo gjykatë s’u bë në Kosovë për shkak se dominoi frika, oportunizmi, verbëria politike dhe nacionalizmi primitiv. Për të triumfuar të këqijtë mjafton të heshtë shumica e pafajshme.

Ndoshta të gjithëve na kujtohet ai gjykatësi i mjerë, që kur u dënua për krime lufte intelektuali i madh i kombit shqiptar Rrustem Rrustë Remi Mustafa Europë Evropa, doli e tha: unë isha kundër! Dhe kështu “fajin” ua la “të huajve”, këtyre armiqve të kombit shqiptar. Me këtë mentalitet kundër drejtësisë Kosova e ka të sigurt integrimin në perandorinë e arkadash Erdoganit, por jo në botën e lirë perëndimore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...