Një ekonomi që nuk nis

29 Qershor 2015 - 08:29 - Lumir Abdixhiku      

Mbi trendët e fundit në rritjen ekonomike, deficitin tregtar, investimet e jashtme, remitencat, inflacionin e papunësinë

-1-

Është bërë tërësisht e zakonshme – fatkeqësisht – praktika e publikimeve të analizave ekonomike dhe neglizhenca diskutuese e tyre. Jemi në gjendje të flasim me javë rend për gjërat më të parëndësishme të mundshme, por as edhe një gjysmë dite nuk e japim dot për, diçka si, rrjedhat ekonomike të Kosovës; për rritjen ekonomike, vendet e punës, investimet e jashtme apo deficitin tregtar – për punë e mirëqenie pra.

Këtë muaj, Banka Qendrore e Kosovës kishte publikuar raportin vjetor të ecjes sonë ekonomike gjatë vitit 2014. Fatkeqësisht, ky raport, kaq i rëndësishëm, vazhdon të publikohet plot gjysmë viti pas përfundimit të vet vitit analizues. Dhe kjo vonesë, bashkë me mungesën e një debatit më të gjerë shoqëror, të akademikëve, intelektualëve e ekonomistëve plot – që i krijojmë me mijëra sish për vjet – më bind përfundimisht për dy gjëra.

E para, se sado që nuk kërkon thellësi shumë, marrja erë në ekonomi është sport i shtrenjtë për kosovarët; nuk e bëjmë dot – rrjedhimisht dhe s’merremi me të. E dyta, edhe më e rëndësishmja, se politikat ekonomike këndej bëhen pa kurrfarë ndërlidhshmërie me të dhënat ekonomike. Numrat, siç dhe thjeshtëzohen këta trendë rëndom, nuk bëjnë bazë të një nisme politike që me siguri përcakton me vite fatin e mirëqenies këndej.

-2-

Raporti i publikuar këtë muaj, nga BQK pra, bën një përmbledhje të përgjithshme të ecjes sonë ekonomike gjatë 2014-ës. E duke ditur natyrën përcjellëse të efekteve ekonomike nëpër vite, të gjeturat domosdo përcaktojnë dhe ecjen tonë sivjet.

Ndër rrumbullakimet e para – dhe më të rëndësishme – të raportit, mbetet rritja jonë ekonomike e vitit 2014; ishte vetëm 2.7%. Kjo rritje vinte pas një parashikimi tejet modest për rritje, prej 3%; që do të thotë, se vitin e shkuar ky vend nuk kishte arritur të realizonte as objektivin më modest të mundshëm të tij. Herën e fundit kur Kosova kishte rritje ekonomike prej 2.7% ishte viti 2004; vetëm pasi kishte kaluar nëpër një periudhë të trazirave etnike, të pasigurisë e kaosit.

Kosovës, përndryshe, i duhet një rritje ekonomike prej 7-8%, për dhjetë vjet rresht, pra trefishi i së tanishmes, për të akomoduar kërkesat e reja për vende pune, e për të arritur mesataren regjionale të standardit jetësor. Me ritmet e tanishme do të na duhen 80 vjet për t’u barazuar me një mesatare evropiane.

Mbi të gjitha, edhe kjo rritje modeste, tejet modeste pra, është bazuar në rritje të konsumit e remitencave kundrejt uljeve të investimeve e eksporteve – krejt e kundërta prej çfarë realisht do të na duhej përvjet. Sepse, në secilën rrethanë, rënia e investimeve – publike a private pa dallim – e shoqëruar nga rëniet e eksporteve, dëshmon se sa e paqëndrueshme dhe sa e pareplikueshme është baza e rritjes sonë ekonomike. Në të vërtetë, po të mos ishin rritjet e remitencave gjatë vitit 2014, për plot 12% madje, kjo rritje jona do të ishte edhe më e ngushtë. Është vetëm falë ndihmave të diasporës që ne mbijetojmë disi. Në vitin 2014, ato kishin arritur në plot 693 milionë euro – vlerë rekorde e shënuar ndonjëherë.

-3-

Lajmi më i rëndë, ndërsa, i vitit që shkoi ishte tkurrja e investimeve të jashtme direkte në Kosovë. Për vetëm një vit, këto investime kishin rënë për plot 46%; nga 258 milionë euro, sa ishin në vitin 2013, në vetëm 176 milionë euro. Nuk mbaj mend kur kemi pasur një nivel kaq të ulët të investimeve të jashtme direkte sinqerisht.

Në nivelin e tanishëm të zhvillimit ekonomik, prurjet e jashtme mbesin alternativat e vetme të rimëkëmbjes. Kosova as nuk ka, e as që mund të ketë, burime të mjaftueshme që nisin këtë rimëkëmbje. Kosova, ç’është e vërteta, me shkurtimin prej 46% të investimeve të jashtme ka shkurtuar për aq – dhe më shumë – edhe mundësinë e ringritjes së saj. Dhe ky shkurtim vjen pas një sërë shkurtimesh të përvitshme. Kujtoj, se në ditën e parë të pavarësisë, Kosova shënonte plot 400 milionë euro investime të jashtme në vit. Është ecje sinqerisht e rëndë, mjeshtërisht e mbrapshtë, potencialisht rrënuese.

Në vitin e shkuar, vlera e importeve kishte arritur nivelin rekord; plot 2.5 miliardë euro. Kaq janë paratë që i dërgojmë jashtë – në këmbim të mallrave e shërbimeve gjithsesi. Eksportet, ndërsa, kishin shënuar vlerën prej 325 milionëve. Ato mbulonin importet me vetëm 13%, për të dhënë një bilanc përfundimtar të deficitit tregtar prej plot 2.2 miliardë eurove; për gati 5% më i lartë se sa një vit më parë.

E kam thënë vazhdimisht, do ta them sërish, përderisa nuk fillojmë zëvendësimin e një pjese të importeve, me prodhim e krijim të brendshëm, përderisa nuk fillojmë pra të mbajmë paranë këndej, vështirë se do të gjejmë brumë për zhvillim. Asgjë nuk mbetet këtu; gjithçka që vjen e krijohet, ikën për jashtë – në importe.


-4-

Lajmi i vetëm i mirë i vitit që shkoi ishte niveli i ulët i inflacionit. Vetëm 0.4% gjatë gjithë vitit 2014. Çmimet, gjatë këtij viti ishin rritur në produkte të alkoolit e duhanit, në energji elektrike e në veshmbathje. Ishin zvogëluar – në masë të theksuar madje – nga rënia e kostove të arsimit dhe nga rënia e çmimeve të naftës – që kishte nisur një zinxhir të ri rëniesh. Ushqimi, ndërsa, kishte shënuar rritje prej vetëm 0.2%.

Në të vërtetë, një vendi me kaq telashe, me kaq ngufatje, vetëm ngritja e çmimeve i mungonte për ta vënë në gjunjë përfundimisht. Në një llogaritje të “indeksit të mjerimit”, një kombinim i nivelit të inflacionit vjetor në Kosovë me nivelin e papunësisë (prej 30.3% - sipas të dhënave zyrtare) do të vendoste Kosovën në top 15 vendet më të mjerueshme në botë.

Dhe nuk do të na duhen fare rangimet për të kuptuar se në vitin 2014, Kosova njëmend ishte një vend i mjerimit – dhe vazhdon të jetë. Kur nga vendi ikin për pak muaj plot 120.000 banorë, pra rreth 7% e popullsisë së gjithëmbarshme të vendit, të duhet shumë pak rangim për konfirmim.

-5-

Viti ishte i rëndë. E për fatin tonë të keq, do të vazhdojë të jetë i rëndë edhe ky i sivjetshmi. Ta mendojmë për pak. Rritja ekonomike, për shkak se nuk ka bazë, as sivjet s’ka për t’u rritur më shumë se 3%. Konsumi e remitencat do të kontribuojnë në shtim, por mungesa e investimeve private – jopublike pra – do të vërë pragun e epërm. Investimet publike, si proporcion i vlerës ekonomike që krijohet në vend, kanë arritur pikën e ngopjes – s’mund të rriten më tej. Investimet private ndërsa, që kanë potencial për rritje, do të kenë qenë të goditura nga viti i vështirë paraprak. Investimet e jashtme ndërsa, kanë qenë në rënie, dhe përderisa nuk ndodh ndonjë mrekulli me asetet publike ose me ndonjë superinvestim, ato kanë për të mbetur në nivel të njëjtë për një apo dy vjet.

E gjithë kjo ka për të ndikuar në potencialin tonë krijues, si ekonomi pra. Kështu, do të eksportojmë më pak, do të importojmë më shumë. Do të kemi deficit më të lartë tregtar. Si çdo vit, si përherë.

Dhe në fund të vitit, diskutimin e vetëm ekonomik do ta bëjmë vetëm rreth buxhetit. Vetëm rreth atij dokumenti kontabiliteti që merret më shumë me barazime se sa me ide zhvillimore. Madje, dhe në ato barazime nuk jemi mirë. Sa për rikujtim, borxhi publik në vitin 2014 ishte rritur për plot 22%.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...