Letër e hapur liderëve: Cilin komb e udhëhiqni!

26 Qershor 2015 - 08:16 - Halil Matoshi      

Kjo letër u adresohet presidentes së Republikës, Atifete Jahjga, kryeministrit Isa Mustafa, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi: Derisa ju paguheni nga taksat e kosovarëve dhe betoheni në Kushtetutën e Republikës, juve fare nuk u intereson nëse qytetarët e Republikës i janë luajalë asaj apo jo, sepse edhe ju jeni pengje të kombit unik shqiptar, i cili ekziston vetëm si prononcim politik! Si është e mundur që shtetin-komb, të cilin e drejtoni, ta cilësoni si shtet pa komb dhe a e kuptoni ju se nëse një shtet s’ka komb që i jep besnikëri, ai shtet zhbëhet?

Mjeku kosovar emigrant në Suedi, R.R. shkruan: “Ylli im (e ka fjalën për të bijën e tij) pjesë e kombëtares suedeze në Kampionatin Evropian, Valencia, Spanjë 23 korrik - 2 gusht. Atje shkon si kampione e Evropës! Albana, i lumi unë që t'kam!”.

Vajza e tij, siç po shihet nga ky postim, luan hendboll për kombëtaren suedeze, pra paskësh kombëtare në të cilën nuk na qenkan të së njëjtës prejardhje etnike (“kombëtarista”) që të gjithë!?

Kurse kur vjen puna tek Kosova, nacionalisët thonë: “Gjermania, Franca, Kosova etj. nuk kanë kombëtare por përfaqësuese, vetëm Shqipëria ka kombëtare.”

Madje edhe vetë emigranti R.R. shpërthen: “Flamuri kosovar është i imponuar, sepse nuk është pyetur populli me referendum”, pa e çarë shumë kokën se kur rilindësit shqiptarë e rikthyen flamurin e Gjergj Kastriotit, shumica e shqiptarëve e përbuznin atë duke e cilësuar si “flamur të kaurëve’ ose të ngjashëm me atë të “Kralit të Serbisë”.

Një polemikë e madhe virtuale ka shpërthyer në Kosovë rreth dilemës: Bashkimi i Kosovës me Shqipëri që presupozon ndarjen e saj, apo unitetin e tokës kosovare dhe përqafimi i identitetit kombëtar kosovar.

Shkas për këtë ishte mosshpalosja e rendit simbolik kosovar nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i lëvizjes “Vetëvendosje”, për ditën e çlirimit të kryeqytetit kosovar… Sa herë që rikthehet ky debat në shoqërinë kosovare haste një shpërthim i nacionalistëve (madje njerëz edhe me pedigre akademike) që thonë: “Kombi kosovar nuk ekziston, nuk ka kombe artificiale”!?

Në thelb të gjitha kombet, edhe ato etnike (kulturore), edhe ato me bazë qytetarinë janë artificiale. Nuk ka kombe natyrale.

Në një debat televiziv ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi, shpërtheu (edhe pse, sipas kodit diplomatik, ai nuk e ka të drejtë të qortojë teorikët kosovarë të identitetit kombëtar) duke bërtitur se “Kombi shqiptar është dymijëvjeçarë (Sic!)

Pra, edhe diplomati shqiptar beson në kombe natyrale!

Doktori i filozofisë, Matteo Albertini, nga Universiteti i Bolonjës, Itali, në studimin “Kosova: një identitet në mes të lokales dhe globales” (http://www.ethnopolitics.org/ethnopolitics-papers/EPP015.pdf ka bërë një zbërthim semiotik të identitetit të ri, atij kosovar. Sipas Albertinit, semiotika studion kulturat dhe formacionet kulturore si identitetet dhe kombet, nga një perspektivë topologjike dhe narrative, duke u kushtuar vëmendje ndërveprimeve dinamike ndërmjet flukseve globale (politike, ekonomike, mediatike) dhe përgjigjeve lokale, në një kuadër më të gjerë të marrëdhënieve të pushtetit. Duke bërë fjalë për identitetin e ri kombëtar të kosovarëve, ky studiues përpiqet të dëshmojë se "bashkësitë e reja imagjinare” (Anderson, 1983) si kombi kosovar është etabluar tashmë:

ka ndërtuar një nivel simbolik;

a) ka ndërtuar narrativën (tregimet e veta.)

Albertini, duke bërë fjalë për limitet dhe kufijtë, vëren se në mes të homogjenizimit dhe heterogjenizimit identiteti është konceptuar nga semiotika si rezultat i marrëdhënieve brenda dhe jashtë semiosferës së caktuar - asaj personale, deri tek limiti. Tensioni në mes këtyre dy rendeve është gjithëpërfshirëse në fushën e politikës dhe nacionalitetit; identiteti kosovar më pas është përcaktuar nga marrëdhëniet ndërmjet kombësive brenda Kosovës (shqiptarë, serbë) dhe nga marrëdhëniet në mes të këtyre kombësive të veçanta dhe komb-shteteve të tjera dhe simboleve jashtë Kosovës (Shqipëri, Serbi e kështu me radhë).

“Në fakt, ndryshimi i pozicioneve dhe lëvizja nga Kosova në Shqipëri apo në Serbi, identiteti shqiptar nuk do të kuptohet në të njëjtën mënyrë. Për shkak të kësaj natyre të dyfishtë të identitetit, është e rëndësishme të analizohet lidhja ndërmjet hapësirave të brendshme dhe të jashtme në çdo semiosferë: për shembull, në mes të identitetit dhe ndryshueshmërisë. Kjo është ajo ku nocioni lotmanian i kufirit luan rolin e vet; ajo ndan edhe bashkon: “asnjë semiosferë nuk është zhytur në një hapësirë amorfe të ‘egër’, por është në kontakt me semiosferat e tjera që kanë organizimin e tyre; është një shkëmbim i vazhdueshëm, një kërkim për një gjuhë të përbashkët, ku sistemet semiotike të kreolizuara (kontakti i dy gjuhëve - v.j.) vjen në konsideratë” (Lotman, 1990: 137).

Albertini më tutje mendon se Kosova paraqet pikërisht këtë lloj të hapësirës së kreolizuar, një rezultat të një dinamike jo aq ndryshe nga indigjenizimi i kriketit në Indi i raportuar nga Appadurai (1996: 119-49). Çdo semiosferë karakterizohet nga dy karakteristika plotësuese dhe të dallueshme, të lidhura në mënyrë rigoroze me një çështje qendrore për studime bashkëkohore të globalizimit, e që është tensioni mes homogjenizimit dhe heterogjenizimit: nga njëra anë kjo tregon një heterogjenizim strukturor” (Lotman, 1984: 64).

Përderisa shkas, siç e theksuam më lart, për rikthimin e këtij debate ishte mosshpalosja e flamurit kosovar për Ditën e Çlirimit të Prishtinës (që dikush ka vendosur të jetë 11 qershori, ndonëse kryeqyteti është çliruar nga “Gurkat’ britanike mëngjesin e 13 qershorit 1999), njëjtë ishte vepruar edhe me 17 shkurt, (Data e Pavarësisë së Kosovës) ndodh e njëjta gjë.

Në vend të flamurit të Kosovës valon ai kombëtar. As për 17 shkurt nuk është çliruar kombi, por vetëm shënohet data e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ashtu siç është 28 Nëntori për Shqipërinë!
Dhe dikush (ndonëse ende në pakicë akuzon: Çfarë janë këta njerëz që sabotojnë institucionet dhe simbolet shtetërore dhe prapë thirren në shtetndërtim?!

Dhe pas 17 shkurtit 2008, Kosova ka një ligj për përdorimin e simboleve shtetërore, derisa në anën tjetër lëvizja VV po betohet se do ta vendosë sundimin e ligjit në këtë vend, ajo vetë nuk po e respekton, ngase Kosova ka një ligj edhe për simbolet, krahas atij për duhanin!

(Ky krahasim është cinik, për të dëshmuar se asnjëri nga këto ligje nuk gjen zbatim në Kosovë!?)

Në vërejtjen se Shpend Ahmeti paguhet nga taksat e qytetarëve kosovarë, pra nga taksapaguesit e kësaj Republike, nacionalisti tipik thotë: “Po, nga taksapaguesit shqiptarë, pikërisht për këtë dhe e kanë votuar VV-në zgjedhësit, për flamurin kuqezi, ndër të tjera. Pra, Ahmeti është përfaqësuesi i kësaj popullate”!

Plus, sipas nacionalistit tipik shqiptar në Kosovë, Kushtetuta e Kosovës njeh dy lloj rendesh simbolike, atë kombëtar dhe shtetëror!?

Mirëpo duke qenë se në kryeqytet ka edhe taksapagues joshqiptarë (turq, goranë e tërbeshë, myslimanë, pak serbë dhe pak romë etj.

Ky është një manipulim i pastër...

Pra, të tjerët që nuk janë "popull VV" (Ahmeti ka fituar 51.05% të votave përkundër 48.05% që kanë votuar tjetërkënd) e që paguajnë taksa), prandaj Ahmeti është kryetar edhe i atyre prishtinalive që nuk e kanë votuar.

E sa për dy rende simbolike, i dyti, pra, ai kombëtarit, është rend etnik, por që shkakton konfuzion.

Sipas Kushtetutës së Kosovës (Pakos Ahtisaari) dhe Ligjit për simbolet, vetëm krahas flamurit kosovar mund të përdoren flamujt e komuniteteve, pra edhe ai shqiptar. Por në praktikë nuk është kështu, sepse flamuri shqiptar përdoret gjithandej pa mbështetje në ligj.

Por një klasë politike me dije modeste për shtetformimin ka tendenca që t’i mbajë në përdorim dy rende simbolike në shtet, gjë që e cenon kohezionin e unitetit shtetëror dhe kombëtar.

Të gjitha komuniteteve ligji kosovar ua jep të drejtën t’i shpalosin simbolet e tyre etnike, por vetëm krahas atyre shtetërore.

Vetëm serbët kosovarë dhe VV-ja ende nuk e respektojnë këtë ligj!?

Sipas njëfarë logjike që katërcipërisht del në shesh sipas mendësisë së VV-së, nëse rastësisht vjen një serb për kryetar të Prishtinës (gjë që Kushtetuta e vendit e mundëson) , në kryeqytetin kosovar u dashka të valojnë ekskluzivisht flamujt e Serbisë?
Mirëpo personazhi R.R., suedezi me origjinë kosovare, mendon se kështu vijnë punët kur politikanët marrin vendime që janë aq të rëndësishme për popullin, pa e pyetur popullin hiç. Dhe normalisht që populli nuk i respekton ato vendime pastaj.

Po sipas kësaj logjike, qenka dashur që NATO-ja ta pyeste popullin shqiptar të Kosovës (me referendum!?) nëse dëshiron ose jo të hedhë “Tomahawk” mbi forcat serbe të sigurisë? Pavarësia e Kosovës është një projekt ndërkombëtar (perëndimor) dhe disa gjëra bëhen pa e pyetur fare popullin, sepse janë vendime thjesht politike.

“Unë veç po e shoh se flamuri i Republikës së Kosovës nuk është vullnet i popullit, nuk është vullnet i shumicës” – insiston R.R.

Porse, a janë vullnet i shumicës liria dhe pavarësia e Kosovës?

Po ashtu, sipas një rendi logjik - nëse shumica nuk e duan këtë shtet dhe nuk ia respektojnë rendin simbolik, atëherë po del se shqiptarët e Kosovës nuk kanë pasur vullnet politik për liri dhe pavarësi!???

Nuk ka shtet në hartën gjeopolitike të botës me dy flamuj zyrtarë!

Përderisa nuk ka shtet në botë me dy flamuj zyrtarë (me dy rende simbolike) shumë kosovarë insistojnë se shteti dhe kombi nuk duhet të përzihen.

Porse paradoksi qëndron në faktin se flamuri i Kosovës shtet - në bazë të dokumentit të Ahtisaarit (Pika 1. 7: “Kosova do të ketë simbolet e veta të veçanta kombëtare, përfshirë flamurin, stemën dhe himnin, që shprehin karakterin shumetnik të vendit) definohet si flamur kombëtar e jo shtetëror.
Prandaj është nonsens (edhe për juristët e pushtetit në Kosovë si Enver Hasani, Arsim Bajrami e Hajredin Kuçi, dhe për të gjithë kryeministrat dhe presidentët, që paguhen me taksat e kosovarëve, që ta cilësojnë flamurin shtetëror si jokombëtar dhe t'i lënë në përdorim dy flamuj konkurrentë, prandaj ata nuk dëshmojnë se janë shtetarë seriozë.

Këtë e bëjnë nga padija ose nën presionin e shkollës nacionalromantike shqiptare, e cila është etabluar gjatë regjimit të Enver Hoxhës.

Fuqia ikonike e flamurit rritet sa më shumë që qytetarëve u rritet mirëqenia, vetërespekti, sa më shumë që janë të lumtur. Nuk është dukja vizuale e flamurit ajo që shpreh krenarinë e qytetarëve, por është krenaria e tyre ajo që reflekton fuqinë e flamurit...
Sipas Ernest Gelnerit, fuqia dhe prestigji i një kombi varen nga përqindjet e rritjes ekonomike e jo nga madhësia e hartës që arrin ta lyejë me ngjyrën e vet.

(Vijon nesër)

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...