Hijet e së kaluarës mbi qytetin prej argjendi

25 Qershor 2015 - 08:27 - Enver Robelli      

Në korrik të vitit 1995 forcat serbe pushtuan Srebrenicën, një enklavë myslimane në Bosnjën lindore dhe vranë rreth tetë mijë djem e burra. Dy dekada më vonë Britania e Madhe po përgatit një Rezolutë në OKB për dënimin e gjenocidit, kujtimin e viktimave dhe njoftimin e gjeneratave të reja për përmasat e krimit. Kundërshtimi i Serbisë nuk është befasues, por gjithsesi skandaloz

Çfarë na kujtohet nga Srebrenica? Ratko Mladiqi duke ia ledhatuar flokët një çuni mysliman dhe duke i premtuar se gjithçka do të përfundojë mirë. Gjenerali i serbëve të Bosnjës, duke i frikësuar trupat paqeruajtëse holandeze, të cilat me mandat të OKB-së duhej të mbronin popullsinë civile. Mladiqi, ish-oficeri i Armatës Popullore të Jugosllavisë, që kishte shërbyer në Maqedoni, në Kosovë dhe në Kroaci, duke e detyruar komandantin e trupave holandeze Thom Karremans të ngrejë dolli – me raki. Kjo fotografi është e njohur gati në mbarë botën. Ajo është simbol i nënshtrimit të Perëndimit përballë një bande vrasësish, së cilës i printe Ratko Mladiqi.

Çfarë na kujtohet nga Srebrenica? Fjalët e Mladiqit se ka ardhur koha të merret hak ndaj turqve. Në të vërtetë, në Srebrenicë nuk kishte turq, por boshnjakë, siç e quajnë veten myslimanët sllavë të Bosnjës. Meqë ata e kanë përqafuar islamin gjatë sundimit turk, për Mladiqin ishte e qartë se bëhej fjalë për “turq të urryer”. Në ato ditë, kur Srebrenica u shndërrua në ferr mbi tokë, bashkë me simbolet nacionaliste dhe çetnike serbe valonte edhe flamuri grek. Një grup kriminelësh e neonazistësh kishin ardhur nga Greqia për t’u dalë në ndihmë “vëllezërve ortodoksë” në Ballkanin e epërm.

Çfarë na kujtohet nga Srebrenica e vitit 2005, kur shënohej 10-vjetori i masakrës? Aty gjendej Abdullahu, i cili ishte boshnjaku i parë që ishte kthyer në qytetin ndërkohë të serbizuar. Të gjithë e njohin Abdullahun. Ai është kuzhinier i mirë dhe diplomatët e stacionuar në Sarajevë dhe gazetarët perëndimorë ndalen përherë në lokalin e tij. Për Abdullahun kanë shkruar gazeta të mëdha perëndimore dhe kanë raportuar stacione edhe më të mëdha televizive. Puna i ka ecur mirë Abdullahut në Srebrenicë dhe ai mbi restorant tani ka edhe dhoma. Sepse kush shkon në Srebrenicë nuk mund të qëndrojë aty disa orë dhe të kthehet.

Duhet të kalojë së paku një natë për të përpunuar në kokë të gjitha përshtypjet.
Që në hyrje të Srebrenicës, në Potoçari, gjendet qendra memoriale, ku ndërkohë janë varrosur 6.241 viktima të identifikuara. Në 10-vjetorin e masakrës në Srebrenicë, më 2005, binin në sy veturat me targa të shumë shteteve: pas krimit masiv mijëra, kryesisht gra e fëmijë, u shpërndanë nëpër botë. Ata vijnë çdo vit, në fillim të korrikut, për të përkujtuar më të dashurit e tyre. Gra të përlotura, vajza që këndojnë ndonjë sure Kurani, burra që ecin nëpër varreza duke kërkuar emrat e familjarëve.

Janë shkruar disa libra për Srebrenicën. Këtu po i veçojmë katër prej tyre: Emir Sulajgiqi ka qenë përkthyes i trupave holandeze dhe në librin “Panorama nga varri” raporton mbi ferrin në Srebrenicë, Hasan Nuhanoviqi, po ashtu punëtor i trupave paqeruajtëse të OKB-së, në librin “Ikja – rruga drejt Srebrenicës” përshkruan tmerrin e përditshëm gjatë luftës në Srebrenicë, Takis Mihas, gazetar grek, në librin “Aleanca e pashenjtë” zbulon detaje mbi përzierjen e Greqisë në vitet e 90-të në konfliktet ballkanike dhe përkrahjen e regjimit të Slobodan Milosheviqit nga Athina, Roy Gutman në veprën “Dëshmitar gjenocidi” shkruan për ngjarjet që i paraprinë krimit masiv në Srebrenicë në verën e vitit 1995.

Sivjet, më 11 korrik, do të mbushen 20 vjet nga masakra. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka klasifikuar para disa vjetësh vrasjen e mijëra njerëzve në Srebrenicë si gjenocid. Parlamenti serb ka miratuar një Rezolutë, ku i dënon krimet, por pa e përmendur nocionin gjenocid. Në vokabularin politik serb gjenocidi në Srebrenicë minimizohet duke u quajtur “ngjarjet e Srebenicës” apo “krimet në Srebrenicë”, me ç’rast tentohet të barazohen disa aksione të palejueshme të forcave boshnjake ndaj civilëve serbë në rrethinën e Srebrenicës me vrasjet masive në verën e vitit 1995 të myslimanëve të Srebrenicës.

Dy dekada pas gjenocidit Britania e Madhe po përgatit një Rezolutë në OKB për dënimin e gjenocidit, kujtimin e viktimave dhe njoftimin e gjeneratave të reja për përmasat e krimit. Kundërshtimi i Serbisë nuk është befasues, por gjithsesi skandaloz. Ka disa ditë që mediumet serbe alarmojnë opinionin mbi projektrezolutën, në fletushkat nacionaliste bëhet thirrje që Rusia t’i dalë në ndihmë Beogradit, duke përdorur veton në Këshillin e Sigurimit, në qarqe antiperëndimore këndohet kënga e vjetër mbi botën perëndimore, e cila nuk ka punë tjetër përveçse të provokojë serbët.

A është provokim nëse kërkohet që të dënohet çdokush që mohon gjenocidin në Srebrenicë? Jo. A është provokim të dënohet gjenocidi i vitit 1995? Jo. A është provokim të kërkohet nga Serbia dhe shtetet e tjera anekënd botës që gjeneratat e reja t’i njoftojnë mbi krimet në Srebrenicë? Jo, nuk është provokim, por domosdoshmëri, sepse vetëm gjeneratat që e kuptojnë dimensionin e krimit mund ta evitojnë përsëritjen e tij një ditë.

Përballë argumenteve të Rezolutës, të cilat vështirë mund të rrëzohen, politikanët serbë janë gjendur në një situatë të sikletshme. Lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, deklaroi se do të pranonte që në Srebrenicë ka pasur gjenocid nëse edhe boshnjakët do ta pranonin se ka pasur gjenocid kundër popullsisë civile serbe në rajonin e Srebrenicës. Për këto krime të supozuara është nxjerrë para Gjyqit të Hagës Naser Oriqi, komandant i trupave boshnjake gjatë luftës. Në instancën e parë ai është dënuar, në të dytën është liruar. Tani Beogradi pretendon se ka dëshmi të reja dhe ka lëshuar fletarrestim kundër tij – dhe Oriq tani gjendet në burg në Zvicër, ku ishte nisur për të marrë pjesë në disa aktivitete përkujtimore në Gjenevë me rastin e 20-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Kërkesa e Dodikut është absurde: ai nuk ka më argumente të mohojë gjenocidin në Srebrenicë, por kërkon që të shpiket edhe një gjenocid ndaj serbëve.

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur keqardhje për krimet dhe gatishmëri të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në Srebrenicë, por fjala “gjenocid” për të mbetet tabu.
Dy dekada pas tmerrit Srebrenica, ku para 2 mijë vjetësh nxirrej argjend, mbetet plagë e hapur. Rezoluta e propozuar nga Britania e Madhe është një përpjekje e drejtë jo për ta mbyllur këtë plagë, por për ta sensibilizuar botën që krimet e tilla të mos përsëriten.

Nga një shtet që po pret të fillojë negociatat për anëtarësim në BE, siç është Serbia, bashkësia perëndimore ndërkombëtare duhet të tregohet shumë më këmbëngulëse në kërkesën që gjenocidi të mos mohohet më tutje dhe në të ardhmen edhe nxënësit serbë të mësojnë se në Srebrenicë nuk është mbrojtur kombi serb, por është njollosur nga gjenocidi i parë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...