Premtimet e kryeministrit katër vjet më parë

7 Prill 2014 - 11:48 - Lumir Abdixhiku      

Në vitin 2010 kryeministri që ka hapur sivjet imagjinatën premtuese gjerë e gjatë gjithandej, në këmbim të mandatit të dytë, kishte premtuar (ndër të tjera) për katër vjet qeverisje integrim të plotë në NATO, liberalizim vizash në Evropë, termocentral të ri energjetik, stadium supermodern në Prizren, dyfishim të buxhetit të shtetit e Ligjin për veteranët qysh në muajin e parë. Në vijë me këto, llogaritë për kredibilitetin e premtimeve të tanishmeve bëni vetë

Nuk duket se ka kaluar shumë kohë, sidomos jo nga këndvështrimi i memories sonë, kur kryeministri i tanishëm – që ka hapur gjerë e gjatë imagjinatën e tij premtuese – po jepte dhurata gjithandej; në stil të njëjtë, në frymë të njëjtë, në energji të njëjtë. Në të vërtetë, premtimdhënia vetëm tre e diçka vjet më parë bën memorien tonë të shpërfaqet si e shkurtër; fatkeqësisht.

Sepse në asnjë vend tjetër ku përgjegjësia qytetare gufon, fjalët e thëna nuk përbihen siç edhe përbihen këtu, thuajse nuk ka ndodhur asgjë, thuajse nuk është thënë asgjë asnjëherë; kurrë. E për të rifreskuar memorien tonë të shkurtër – fatkeqësisht – mjafton vetëm një “google search” me fjalë kyç “premtim”, “kryeministër” dhe “2010” për të gjetur mrekullinë imagjinative, të përzier me shumë injorancë dhe tallje publike të bërë katër vjet më parë nga i njëjti njeri që pretendon fron për herë të tretë sërish. Në të vërtetë, një punë të tillë do të duhej ta bënte opozita si reagim ditor ndaj talljeve publike, por si duket ajo është “tepër e zënë” për t’u marrë me opozitëbërje; ec e bjeru në fije.

Pavarësisht kësaj, për secilin mendimtar opozitar, votues e të interesuar tjetër, në këtë shkrim do të përmbledh disa nga superpremtimet; jo nga ato të zakonshmet, por nga ato më të mëdhatë e më të shpeshtat – të kryeministrit të tanishëm që duket se përdor të njëjtin stil e të njëjtën platformë si katër vjet më parë. Në vijë me premtimet e shkuara, llogaritë për kredibilitetin e premtimeve të reja bëni vetë.


***

Në vitin 2010, në këmbim të mandatit të dytë, kryeministri i tanishëm kishte premtuar (ndër të tjera) për katër vjet qeverisje integrim të plotë në NATO, liberalizim vizash në Evropë, termocentral të ri energjetik, stadium supermodern në Prizren, dyfishim të buxhetit të shtetit e ligjin për veteranët (madje qysh në muajin e parë).

Sa për rikujtim, më 30 nëntor 2010, në një deklarim përsëritës, kryeministri kishte dhënë me siguri premtimin më komik e më tallës të mundshëm; besoni ose jo, integrimin e Kosovës në NATO për katër vjetët e ardhshëm. Thoshte: “E ritheksoj dhe premtoj edhe njëherë, jam i bindur dhe i sigurt se Kosova do të bëhet pjesë e NATO-s gjatë mandatit tim katërvjeçar të ardhshëm." Tashti, në vijë me duartrokitjet e dhëna asokohe dhe me tolerancën kryesisht opozitare e më pas dhe mediatike që nuk ia ka përmendur talljen sërish asnjëherë, nuk arrij të kuptoj se a ishim të gjithë vërtetë naivë – që lejuam një trajtim të tillë – apo ishte ai supernaiv që besonte një gjë të tillë? Premtimi i integrimit në NATO për katër vjet përkon mirë e mbarë me premtimin tjetër – më të famshmin me siguri – të liberalizimit të vizave. Më 9 dhjetor 2010, sërish në stil përsëritës, kryeministri në stil të magjistarit po jepte këtë dhuratë: "Ju premtoj dhe garantoj se për 15 muaj, nga janari i vitit të ardhshëm, do të ndodhë liberalizimi i vizave. Ne do ta meritojmë liberalizimin e vizave".

Ndër të tjera, stadiumin modern, supermodern, që e premton sot në Prishtinë, dje në Mitrovicë, e kishte premtuar katër vjet më parë në Prizren. Më 29 nëntor 2010, kryeministri deklaronte: "Qyteti i Prizrenit e meriton stadiumin e mirë, të bukur të standardeve evropiane. Jam i vendosur ta filloj dhe ta ndërtoj gjatë mandatit të ardhshëm. Projekti është në finalizim e sipër, kështu gjithçka do të shkojë mirë. Prizreni definitivisht do ta ketë stadiumin". Projekt nuk ka pasur kurrë, asgjë nuk ka shkuar mirë, e Prizreni definitivisht ka mbetur pa stadium; siç do të mbesë pa gjithçka jo vetëm Prishtina e Mitrovica, por dhe çdo vend tjetër (përveç mëhallës së tij) në Kosovë gjatë mandatit të tretë të tij (nëse ndodh).

Llogaritë qindramilionëshe investive që bëhen sot nga ai, ishin bërë edhe katër vjet më parë. Atëherë në vend të milionave premtoheshin miliarda, në vend të disa mijëra vendeve pune bëheshin dhjetëra mijëra sosh. E si kulm premtues shpërfaqej gjithmonë ideja e një termocentrali të ri, aq të nevojshëm për vendin. Më 6 dhjetor 2010 kryeministri me të njëjtin ngulm që e shohim dhe sot, deklaronte: "Premtoj dhe potencoj vendosmërinë time për të përmbyllur me sukses projektin e termocentralit “Kosova e Re”, gjatë mandatit tjetër. Projekti do të ndërtohet duke i respektuar në plotni kriteret dhe standardet më të larta."

Jakë-jakë me NATO-n, vizat, termocentralin e ri e stadiumin supermodern, duket se shkon edhe deklarata e tij për dyfishim të buxhetit të shtetit. Më 8 dhjetor 2010 ai po deklaronte: "Ju premtoj se në mandatin e ardhshëm do të dyfishoj buxhetin e Republikës duke kaluar mbi 2 miliardë euro në vit." Për secilin tjetër me pak interes, në katër vjet qeverisje të tij buxheti i shtetit është rritur për vetëm 38%; larg shumë larg prej dyfishimit – dy-tre fish më larg se dyfishimi. Në të vërtetë, vlera e re e shtuar e buxhetit të Kosovës në këto katër vjet është plotësisht e barabartë me vlerën e borxhit të jashtëm që kjo qeveri ka marrë. Pra thënë ndryshe, kryeministri dhe qeverisja e tij jo vetëm se nuk kanë dyfishuar buxhetin, por në terma realë e kanë mbajtur atë në nivel të njëjtë.

E kulmi premtues duhet të jetë ai i bërë për veteranët. Më 9 dhjetor 2010, gjatë një fjalimi drejtuar ish-luftëtarëve, kryeministri premtonte kështu: "Ju garantoj se nga muaji i ardhshëm do të fillojë së implementuari Ligji për veteranët e luftës së UÇK-së, që do të institucionalizojë përkujdesjen shtetërore ndaj kësaj kategorie, që ka dhënë më së shumti për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës." Në stil të njëjtë, vetëm se katër vjet më pas, kryeministri instrumentalizon sërish me veteranët; sepse ligjin e premtuar për vetëm një muaj nuk ua kishte bërë as për një mandat të plotë – dhe po ua premtonte sërish në mandatin e ri.

***

Në të vërtetë, në stil të njëjtë e frymë të njëjtë po bëhen edhe premtimet e tanishme, për stadiumin e ri, integrimin evropian, Ligjin e veteranëve, integrimin në NATO e rritjen e buxhetit. Nuk ka asnjë dallim në madhësinë e premtimeve, gjasën për realizim dhe në fund vetë realizimin e tyre nga dhjetori i vitit 2010 me marsin e vitit 2014; as edhe një. Katër vjet më pas, do të na duhet sërish t’i rrumbullakojmë premtimet e dhëna e të pabëra – siç janë këto dhe shumë të tjera padyshim. Dhe sërish katër vjet më pas, nëse ia hedh ai sërish, do të duhet të pyesim veten se a ishim të gjithë vërtet naivë – që lejuam një trajtim të tillë – apo ishte ai supernaiv që besonte një gjë të tillë?

abdixhiku@facebook.com


© KOHA.net





 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...