Rutina

23 Qershor 2015 - 08:13 - Flaka Surroi      

Nuk është se në Kosovë nuk ndodhin sende. Porse ato aq shpesh përsëriten, saqë tashmë na janë bërë rutinë: edhe mospuna, edhe mashtrimi, edhe emocionimi e edhe rrena

Nisi Ramazani dhe u zbraz qyteti. Prishtinën kurrë nuk e kam parë më bosh e më të qetë sesa në dy ditët e fundit. Kurrë tarracat e restoranteve nuk kanë qenë më të thata. Se a është punë se numri i agjëruesve është shtuar; apo se ka shumë të tillë që nuk duan të shihen tek konsumojnë pije e ushqim, që të mos kritikohen për mosrespektimin e fesë; apo se ka plot të tillë që kanë ikur në pushim – nuk e di. Porse zvogëlimi i lëvizshmërisë së qytetarëve është i pabesueshëm. Madje edhe muzikantët e rrugës janë larguar, bile për një ditë, dhe jam e sigurt se këtë nuk e kanë bërë as Policia e as Inspektorati komunal. Thuajse jemi në pushim të zgjatur, që shkon duke u zgjatur akoma.

Kuvendi apatik

E në pushim të zgjatur vazhdon të jetë Kuvendi. Pavarësisht mbajtjes së seancave, ato shpesh shtyhen ose ndërpriten për mungesë kuorumi. Dhe kjo tregon gjithë mosseriozitetin me të cilin partitë iu qasen përgjegjësive të cilat rrjedhin nga Kushtetuta. Në vend se të jetë ky trupi i cili do ta rregullojë aspektin legjislativ të jetës në Kosovë, ky përherë e më shumë bëhet cirk këmbimi akuzash dhe bisedash që nuk çojnë ama bash asnjë kandar, për ta përmirësuar gjendjen në shtet.

Në këta muaj prejse ka nisur të funksionojë, kjo legjislaturë përfundimisht u tregua më e dobëta deri më tani – numri i ligjeve që i ka miratuar është shumë i vogël. Dorën në zemër, faji kryesor i mbetet Qeverisë, e cila është larg realizimit të planit legjislativ që ka hartuar, porse kjo nuk i amniston deputetët, të cilët e kanë të drejtën të hartojnë ligje vetë. Apo edhe të gjejnë sponsorë për t’i hartuar më mirë seç vijnë nga ministritë përkatëse.

Kuvendi ka dështuar plotësisht ta mbikëqyrë Qeverinë – e besoj se deputetët nuk e kanë idenë se me çka merret ekzekutivi, për shkak se ministrat më shumë iu shmangen seancave sesa që marrin pjesë në to për të dhënë sqarime. Dhe krejt kjo, për shkak se vetë Kuvendi, edhe pse e ka fuqinë, nuk ia ka gjetur vetes mekanizmin me të cilin do ta ushtronte këtë kontroll, duke parë se vetëm Kushtetuta nuk po mjafton.

Shumë zhgënjyese kur e di që “përfaqësuesit e popullit” janë mbledhur me një trup, të udhëhequr nga një njeri pa fije karizmi, e që njëkohësisht ngjall antipati për shkak të së kaluarës së njeriut nga hija, e të cilit trup qëllimisht i shuhet fuqia për të mos pasur asgjë në dorë.

Shkon Baba, më në fund

E ai që i ka pasur të gjitha dhe të gjithë në dorë, ka qenë kryetari i Kushtetueses, të cilit, më në fund, po i skadon mandati. Dhe jo vetëm që e ka pasur fuqinë e ligjit, por edhe aty ku nuk e ka pasur, e ka shpikur për t’ia akomoduar ato interesave të klikës udhëheqëse. Do të mbahet në mend si kryetari i parë i Kushtetueses dhe si njeriu që madje i shpalli dy kryetarë shteti jokushtetues; që anuloi pretendimin e deputetëve për privilegje të shtuara dhe e mbrojti post mortem viktimën e dhunës familjare, Diana Kastrati, dhe e hoqi taksën për RTK-në nga faturat e rrymës.

Porse ,gjithashtu, do të mbahet mend edhe për faktin që e shndërroi Kushtetuesen në Gjykatë të shkallës së katërt, në përpjekje për ta shpëtuar Bajrush Xhemajlin nga burgu, dhe më në fund do të shihet si shkaktar i krizës më të madhe politike që kishte përjetuar Kosova shtet, kur e dha interpretimin e vet të Rregullores së punës së Kuvendit dhe Ligjit të zgjedhjeve, të cilave u dha fuqi më të madhe se Kushtetuta, kur vendosi se Qeverinë në Kosovë mund ta formonte vetëm PDK-ja.

Do të kujtohet edhe për letrën që, kokë më vete, do t’ua dërgonte institucioneve ndërkombëtare për zgjatjen e mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë, emërim që u bë në formë jokushtetuese. Do të mbahet mend për shkak të anulimit të zgjedhjes së kryeprokurorit, me dyshimin shumë të madh se po ia rezervonte vetes atë post, ani që nuk kishte përvojë gjyqësore. Dyshim që u shtua kur Projektligji për Prokurorinë kishte paraparë heqjen e përvojës së punës në Prokurori si kusht. Skandali i fundit që do ta veçonte do të ishte ai i falsifikimit të pretenduar të një vendimi, ku nuk kishte kuorum dhe kishte vetëpërjashtim të një gjykatësi, e që për pasojë t’ia regjistronte edhe të pestin a të gjashtin kallëzim penal.

Vetë emërimi i Hasanit në Kushtetuese nuk kishte kaluar pa dyshime e ankesa. Flitej se i ishte fshehur dosja e kallëzimeve penale, që qysh atëherë e bënin të pakualifikueshëm për postin. Pas vetes kishte lënë një universitet me shumë probleme, edhe për shkak të marrëveshjeve për përkthime shumë të shtrenjta, e për blerje mobilesh gjithashtu të shtrenjta. Por aty e kishte lënë edhe një dyshim të madh: nëse diploma e doktoratës së tij ishte valide dhe e nostrifikuar si duhet.

Tash thotë se do t’i dedikohet punës shkencore – se do t’u kthehet studentëve. Ka të tillë që besojnë se po përgatitet t’i hyjë politikës, mbase edhe me formimin e një subjekti të ri politik, ku do t’i mblidhte përreth vetes “të pakënaqurit” e PDK-së. Me ta do ta krijonte edhe një PDK të vogël, me qëllim të marrjes së votave të të pakënaqurve të tjerë të partive të tjera, për t’u siguruar që, nëse pahiri ka zgjedhje në shtator, PDK-ja ta fitojë shumicën absolute. Natyrisht, e gjithë kjo mbetet në nivel të spekulimit, porse nuk e mohon ambicien politike të atij që u dëshmua më i fuqishëm sesa ligji dhe Kushtetuta, ani që detyrë e ka pasur t’i mbronte ato.

Sërish Sllovenia

E se nuk ka kush t’i mbrojë ata që kanë fletarrestime ndërkombëtare që i ka lëshuar Serbia pas luftës në Kosovë e dëshmoi sërish Sllovenia me arrestimin, apo ndaljen, siç po e thonë, të Ramush Haradinajt. Dhe përderisa është shumë e çuditshme sjellja e autoriteteve të shteteve të jashtme që nuk veprojnë me të njëjtin ngulm e efikasitet kur bëhet fjalë për fletarrestimet e Interpolit, Sllovenia për të dytën herë veproi për ta ndalur një komandant të UÇK-së, pasi këtë e kishte bërë vite më parë me Agim Çekun.

Por rasti i Haradinajt prodhoi dy dilema që lypin sqarim. E para, përse u bë ndalja e tij mu tash, dhe pse u ndal pikërisht ai, e jo ndonjëri nga zyrtarët e tjerë që gjithashtu kanë fletarrestime të Interpolit, e që njësoj udhëtojnë nëpër Evropë edhe nga Aeroporti i Lubjanës. Vështirë e shpjegueshme po qe se flitet për mbrojtjen e një parimi.

Dilema tjetër ka të bëjë me faktin se përse çështja e të gjithë atyre që kanë fletarrestime ndërkombëtare për krime lufte nuk u ngrit në bisedimet me Serbinë. Për më tepër, përse nuk u vu kjo punë si kusht nga pala kosovare, kur politikanët tanë u hyrën atyre si “pula pa kry”. Posaçërisht kur dihet se qysh atëherë u bë e qartë se themelimi i Gjykatës Speciale do të ishte i pashmangshëm.

Haradinaj nuk përfundoi i ekstraduar në Serbi, por çështja e arrestimit të tij do të shërbejë si alibi për të vazhduar shmangien e vëmendjes nga problemet e përditshme që i jeton Kosova. Gjithashtu do të shërbejë për fryrjen e epsheve nacionaliste dhe kërkesave për bojkotimin e produkteve dhe shërbimeve të Sllovenisë. E edhe të Serbisë besa. Do të ftojë eventualisht edhe për dhunë të pakontrolluar, aso çfarë kishin demonstruar serbët kur u shpall Kosova e pavarur, kur ua kishin mësyrë ambasadave për t’i djegur. Dhe e gjithë kjo do të zgjasë për një kohë, e më pas do të harrohet nga opinioni, por jo edhe nga ata që do ta pësojnë dëmin.

Hem veteran, hem historian

Shpejt u harrua nga opinioni se Naim Tërnava u paraqit për t’iu njohur statusi i veteranit të UÇK-së. E fakti se statusi iu njoh, me gjasë do ta ketë inspiruar atë që tash të shndërrohej në ekspert të luftërave e që të jepte mendime “profesionale” mbi atë se cila luftë kishte qenë çlirimtare e cila jo.

Gjatë shënimit të 626-vjetorit të vrasjes së Sulltan Muratit, aty te Tyrbja që e mban emrin e pushtuesit otoman, Tërnava citohet të ketë thënë: “Sulltan Murati e ka çliruar popullin shqiptar nga okupatori sllav, që kishte zaptuar trevat shqiptare duke zbritur nga malet e Rusisë, me qëllim që shqiptarët t’i asimilojë plotësisht dhe t’i zhdukë”. Pra, i kishte shqiptuar po të njëjtat fjalë që i kishte thënë disa javë më parë imami problematik i Prizrenit, i cili do të donte t’i shihte krejt gratë e Kosovës të mbuluara me ferexhe, për ta ruajtur moralin kuptohet. Tërnava e dënoi hoxhën e Prizrenit duke e suspenduar, por tash shtrohet pyetja se kush do ta dënojë Tërnavën, për po të njëjtin qëndrim a deklaratë. Apo ky mendim në fakt qenka qëndrimi zyrtar i BIK-ut, e njëkohësisht edhe filozofia me të cilën e ushqejnë xhematin: se shqiptarët u çliruan në çastin kur erdhën otomanët dhe kur ua ndërruan fenë.

Pra, në kundërshtim me idenë se shqiptarët para së gjithash janë shqiptarë, e më pas janë myslimanë, të krishterë, ortodoks, ateistë, etj., Tërnava tash e falsifikon historinë dhe ia përshtat nevojave të veta dhe dogmës të cilën e paraqet, sipas së cilës del se shqiptar i mirë është vetëm ai që është mysliman. Dhe kjo, “...mysliman që vdes në rrugë të Zotit, por që mbetet i gjallë dhe në vazhdimësi i furnizuar me begati të madhit Zot”.

Dhe kur e lexoj fjalinë e fundit, më shkojnë në mendje shqiptarët e ISIS-it, dhe e tronditur pyetem në mos kjo është ajo që i thuhet xhematit gjatë faljeve të xhumasë.

* * *

Nuk është se në Kosovë nuk ndodhin sende të reja. Porse ato aq shpesh përsëriten, saqë tashmë na janë bërë rutinë: edhe mospuna, edhe mashtrimi, edhe emocionimi, e edhe rrena. E ne sillemi në rreth, në pritje që do të zgjohemi nga kjo amulli. Një ditë.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...