Rezistenca e rrezikshme kundër drejtësisë

18 Qershor 2015 - 08:47 - Enver Robelli      

Nëse asnjë nga krerët e ish-UÇK-së nuk ka kryer krime të luftës apo krime të tjera, atëherë përse kjo rezistencë kundër Gjykatës Speciale? Arsyeja është e qartë: një pjesë e liderëve të tanishëm politikë frikësohen se mund të ketë mbetur gjallë ndonjë dëshmitar i veprimeve të tyre aspak patriotike. Shoqëria e Kosovës është peng i atyre “çlirimtarëve” që i tremben së kaluarës dhe bëhen merak se ku do t’u mbesin thasët me para, që i kanë mbushur nga qershori i vitit 1999 deri më sot

Të luash rolin e njeriut të verbër, të sillesh sikur asgjë dramatike nuk po ngjet, të mendosh se mund t’ia tregosh muskujt së paku gjysmës së botës, madje botës perëndimore, të kapardisesh si maçoku në thekër, t’ia çosh drejtësisë gishtin e mesëm të dorës – këto janë disa nga pamjet e Kosovës politike të javëve të fundit. Komedia që po luhet mban titullin: “40 hajdutë dhe Gjykata Speciale”. Aktorët e komedisë janë ata që i frikësohen drejtësisë. Por nëse asnjë nga krerët e ish-UÇK-së nuk ka kryer krime të luftës apo krime të tjera, atëherë përse kjo rezistencë kundër Gjykatës Speciale? Arsyeja është e qartë: një pjesë e liderëve të tanishëm politikë frikësohen se mund të ketë mbetur gjallë ndonjë dëshmitar i veprimeve të tyre aspak patriotike. Edhe më e madhe është frika se ku do të mbesin thasët me para, që i kanë mbushur prej se në mënyrë “heroike” nisën projektin për plaçkitjen e Kosovës cep më cep.

Andaj një pjesë e atyre që në raportin e Këshillit të Evropës – duke iu referuar analizave të NATO-s – quhen “kumbarë të llumit”, sot gjenden në siklet të madh, sot janë të gatshëm të shesin interesat e Kosovës, të rrezikojnë lirinë e saj dhe shtetësinë vetëm e vetëm për të shpëtuar lëkurën e tyre. Prapa kulisave kumbarët po kërkojnë garanci nga bashkësia ndërkombëtare që t’i kursejë nga ndjekja. Meqë garanci të tilla nuk po marrin, atëherë votimi në Kuvendin e Kosovës po shtyhet.

Ndërkohë shumë politikanë, aktivë dhe në pension, pastaj të ashtuquajtur intelektualë dhe baballarë të vetëshpallur të kombit, humbin kontrollin, arsyen dhe pa fije logjike e krahasojnë praninë ndërkombëtare me pushtimin serb. Kur ishte botuar raporti i Dick Martyit histeria ishte e tillë: Hashim Thaçi, atëbotë kryeministër, e krahasonte politikanin zviceran të dekoruar nga SHBA-ja me shefin e propagandës naziste, Joseph Geobbelsin, dhe paralajmëronte padi kundër tij, derisa Sali Berisha, atëbotë kryeministër i Shqipërisë, çirrej në Parlamentin e Tiranës se kur shqiptarët kanë pasur kulturë paraardhësit e Dick Martyit ecnin nëpër degë. Sa i përket kulturës: kur në Këshillin e Evropës u votua për raportin e Martyit delegacioni shqiptar nuk ishte i pranishëm me përfaqësi të plotë. Por edhe ata që ishin të pranishëm nuk u koordinuan në votim: një nuk mori pjesë, një votoi për, dy votuan kundër.

Kjo qasje e papërgjegjshme e politikanëve ndaj krimeve, ndaj sundimit të ligjit, ndaj gjykatave e ka prodhuar këtë situatë, këtë qorrsokak për Kosovën. Me gjasë është menduar se nuk do të gjenden dëshmitarë, se dëshmitarët më të rëndësishëm janë hequr qafe, se është tradhti kombëtare të dëshmosh për krime ndaj “kolaboracionistëve” apo pjesëtarëve të pakicave. E kundërta është e vërtetë: patriot është ai që denoncon krimet e luftës, korrupsionin, keqpërdorimin e resurseve të shtetit.

Rrjedhimisht, jo vetëm përpjekjet e disa figurave udhëheqëse të PDK-së për të bllokuar votimin e Gjykatës Speciale janë skandaloze, por edhe qëndrimet e lëvizjes “Vetëvendosje” dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Sjellja e këtyre partive ndaj drejtësisë është selektive dhe antiperëndimore, sepse apriori përjashtojnë mundësinë se edhe shqiptarët mund të kenë kryer krime gjatë dhe pas luftës. Aq kaotike ka qenë lufta e UÇK-së, saqë krerët e saj akuzohen shpesh për vrasje bashkëkombësish. Asnjë serb dhe asnjë kroat nuk është akuzuar për vrasje të bashkëkombësve. Është indikative që si VV-ja, ashtu edhe AAK-ja nuk shquhen me kërkesa për ndjekjen e kriminelëve shqiptarë të luftës. Ose të pasluftës. A është dëgjuar ndonjëherë Albin Kurti duke bërë thirrje që të gjenden vrasësit e Xhemail Mustafës? Njëri nga inspiruesit mendorë të krimeve, i afërt me PDK-në, para disa vjetësh me lehtësi të padurueshme thoshte: “Në kohëra lufte e paslufte disa e hanë!”

Kjo mendësi është në kundërshtim me themelin e sistemit juridik perëndimor. Krimet e luftës asnjëherë nuk vjetrohen. Një shoqërie normale nuk ka nevojë t’ia thotë këtë një i huaj, për shembull përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zhbogar, këtë duhet ta ketë të qartë opinioni vetë. Të adresohen çështjet e së kaluarës është vendimtare për të ecur përpara në integrimet euroatlantike. Këtë e tha para pak ditësh Samantha Power, ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara dhe njëra prej aktivisteve më të angazhuara në botë kundër krimeve të luftës.

Në vitet 90, ministri i Jashtëm amerikan, Warren Christopher, kishte thënë se urrejtja në Bosnjë është “gati e pabesueshme, frikësuese, një problem nga ferri”. Në mesin e gazetarëve që nga afërsia e përcillte gjakderdhjen në Bosnjë ka qenë edhe Samantha Power. Ajo ishte e tronditur me dështimin moral të Perëndimit për të ndalur masakrat në Bosnjë. Shkrimet e Powerit kanë ndikuar që Washingtoni të koncentrohet në Ballkan, pasi një kohë të gjatë kacafytjet mes popujve të rajonit i shihte si problem të Evropës. Power ka shkruar një libër - “Një problem nga ferri” - për politikën amerikane dhe gjenocidet në botë, ajo, bashkë me diplomaten Susan Rice janë aktivistet më të shquara majtiste në SHBA që angazhohen për intervenime ushtarake në emër të të drejtave të njeriut. Pikërisht kjo ka ndodhur në Kosovë.

Andaj është tejet e padobishme që të dëgjohen tani teori se vetëm për Kosovën po krijohet Gjykata Speciale dhe se “miqtë tanë ndërkombëtarë” po i barazojnë krimet e Beogradit me ndonjë gabim a krim të palës kosovare. E ndershme do të ishte të pranohej publikisht se Kosova s’do të ballafaqohej kurrë me sfidën e Gjykatës Speciale nëse nuk do të kishte këtë klasë politike tërësisht të përlyer me korrupsion, reket, tregti me drogë, manipulim tenderësh, frikësim dëshmitarësh, fshehje apo vjedhje dëshmish. Dhe sikur Kosova të mos kishte sistem të drejtësisë që funksionon me ndikim dajash e komandantësh. Por e vërteta brutale është edhe kjo: këta ishin dhe ende janë partnerët e Brukselit dhe të Washingtonit. Andaj është cinike që të kërkohet ndëshkimi i Kosovës dhe i popullit të saj për shkak të biografive të përlyera të disa figurave politike. Porosia për shtetet e Quintit duhet të jetë: atë që e keni mbjellë duhet ta korrni vetë.

robelli@bluewin.ch

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...