“Tribunali i ri”, një iniciativë jo e sinqertë

6 Prill 2014 - 15:29 - Adriatik Kelmendi      

Tribunali, ashtu siç është prezantuar deri më tash, është një e keqe dhe një padrejtësi shumë e madhe që mund t’i ndodhë Kosovës, që nuk do të ketë asnjë kontribut për të qenë as në dënimin e kriminelëve të supozuar, as në procesin e ripajtimit, drejtësisë transicionale ose të sundimit të rendit e ligjit. Kjo, jo pse mendoj se dikush që ka kryer krime, i cilësdo palë qoftë, nuk e meriton dënimin barabar. Absolutisht. Por precedenti i “Tribunalit të ri”, mes tjerash, do të vazhdojë që të stagnojë forcimin e gjyqtarëve shqiptarë të Kosovës, të cilët sa më parë do të duhej të fillonin pa drojë e me kompetencë të gjykonin kriminelët eventualë të luftës bashkë me të gjithë kriminelët e tjerë

FËMIJËT RITA VESJA 2 vjeç, Rina Haxhiavdija 2 vjeç, Egzon Haxhiavdija 4 vjeç, Arlind Vejsa 5 vjeç, Sihana Vejsa 6 vjeç, Marigona Vejsa 8 vjeç, Doruntina Haxhiavdija 8 vjeç, Dorina Vejsa 10 vjeç, si dhe të rriturat Tringa Vejsa, Valbona Haxhiavdija e Fetije Vejsa. Shumica prej këtyre fëmijëve do të duhej të ishin sot ose në vitet e para të fakultetit, ose fillimit të karrierës. Por – nuk janë! Ata, bashkë me nënat dhe gjyshen, mund t’i gjeni çdo 2 prill në faqen e përkujtimeve të gazetës “KOHA Ditore”.

Me këtë datë, 15 vjet më parë, forca të armatosura serbe kishin hyrë në shtëpinë e tyre në Gjakovë dhe i kishin vrarë gjakftohtësish. Natyrisht, Rita e Rina, si dyvjeçare, nuk kishin filluar ende të luanin as me lodra revole, e lëre më të kuptonin diçka rreth luftës. Kjo nuk u kishte bërë asnjë përshtypje vrasësve.

Rrëfimi i familjeve Vejsa e Haxhiavdija janë vetëm disa nga ato për krimet më mizore që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Por as sot e kësaj dite askush nuk është akuzuar për krimet e Gjakovës.
Me eksperiment të njëjtë s’ka rezultate të tjera

RASTËSISHT, HASA SËRISH, si edhe tash e 14 vjet, në këto fotografi përkujtuese, teksa po ulesha të shkruaja për temën e shumëpërfolur të Tribunalit, i cili po trumbetohet se do të themelohet për krimet e kryera në Kosovë.

Dhe po e potencoj që në fillim fare: Tribunali, ashtu siç është prezantuar deri më tash, është një e keqe dhe një padrejtësi shumë e madhe që mund t’i ndodhë Kosovës, i cili nuk do të ketë asnjë kontribut për të qenë as në dënimin e kriminelëve të supozuar, as në ngushëllimin e viktimave, as në procesin e ripajtimit, drejtësisë transicionale ose të sundimit të rendit e ligjit. Kjo, jo pse mendoj se dikush që ka kryer krime, i cilësdo palë qoftë, nuk e meriton dënimin barabar. Absolutisht. Por meqë konsideroj se një “Tribunal i ri” veçse do të kontribuojë në përkeqësimin e gjendjes në të gjitha këto rrafshe, e të cilat absolutisht nuk kanë funksionuar si duhet deri më tash.

(Ndoshta është e tepërt të thuhet, por sa për t’u sqaruar, besoj se jam një ndër ata persona që këtë fushë e njeh shumë mirë, duke qenë një ndër gazetarët që ka prodhuar shkrime e dokumentarë të shpërblyer ndërkombëtarisht lidhur me krimet e luftës në Kosovë, duke qenë pjesëmarrës në shumë konferenca e tryeza ndërkombëtare lidhur me këto tema, duke qenë avokues publik për Kosovë i Nismës për vërtetimin e fakteve të luftërave në ish-Jugosllavi “Komra” etj.)

Atëherë, si mund të përdoret brumi i njëjtë dhe të pritet që buka të dalë me shije tjetër?! Disa dështime që tashmë i kemi parë, nuk mund të rilindin si suksese.

“Tribunali i ri” është një rrëfim që tashmë e kemi parë me Tribunalin e Hagës, UNMIK-un, EULEX-in e edhe gjyqësinë kosovare.
Pse dështoi Tribunali i Hagës?

TRIBUNALI I HAGËS - duke qenë edhe ndërmarrja më e kushtueshme gjyqësore e fundshekullit - ka dështuar, pasi që nuk ia ka dalë të faktojë fajësinë e kryekriminelit të Ballkanit, Slobodan Milosheviq, dhe shumë të akuzuarve të tjerë për të cilët edhe minjtë në tavan e dinë se kanë pasur përgjegjësi për krimet në territorin e Ish-Jugosllavisë.

P.sh. me lirimin që i është bërë si të pafajshëm së fundi Jovica Stanishiqit, Franko Simatoviqit dhe Momçilo Perishiqit, del se asnjë serb i Serbisë nuk paska pasur gisht në krimet e kryera në Kroaci e Bosnjë. A ka dikush që e beson këtë, kur vetë këta protagonistë janë krekosur për rolin e tyre në spastrimin etnik në Bosnjë dhe atë të synuar në Kroaci?!

Për më tepër, edhe (ish-)kryeministri Ivica Daciq, në një tubim parazgjedhor për këto zgjedhjet e fundit në Serbi kërkoi vota duke thënë se po të mos ishte Milosheviqi nuk do të ishte sot edhe Republika Serbe e Bosnjës (sic!).

Tribunali i Hagës e ka mbyllur aktivitetin pa arritur dënimin e kriminelëve kryesorë, pa ndikim në ripajtimin e popujve, pa vërtetuar gjenocidet, dhe pa ndjenjën e drejtësisë për viktimat.

Për më tepër, duke mos dënuar serbët e Serbisë, Tribunali në njëfarë forme vetëm sa ka legalizuar spastrimin etnik të bërë në Bosnjë.

A s’mund të thuhet se njësoj ka ndodhur në Kosovë me dështimin e UNMIK-ut dhe të EULEX-it në raport me krimet e luftës e edhe ato të pasluftës?

Sigurisht se në Hagë, në UNMIK e në EULEX kanë punuar ose punojnë disa nga gjykatësit dhe prokurorët më të mirë ndërkombëtarë.

Atëherë, me cilët gjykatës dhe prokurorë do të përbëhej “Tribunali i ri”, nëse këta ekzistuesit paskan dështuar?

Pse nëse dështuan tri ndërmarrje, nuk do të dështojë e katërta, e përbërë me brumë të njëjtë?
Po, dëshmitarët janë frikësuar. Si t’i trimërojmë?

NJË ARGUMENT QË PËRDORET shpesh është se dëshmitarët shqiptarë janë kërcënuar e frikësuar, ose se kanë ndryshuar deklaratat fillestare në proceset gjyqësore në Hagë e Kosovë. Sigurisht se mund të ketë shumë të vërteta këtu. Por nëse ky qenka problemi kryesor që ka bërë që kriminelët sot të jenë në liri, atëherë a ka kush që do të na tregojë se si do të bëjë ky “Tribunali i ri” që këta dëshmitarë të njëjtë, ose të tjerë të rinj, të mos sillen njësoj?

Çka do të ketë aq speciale e që s’e paskëshin pasur deri më tash gjykatësit e prokurorët ndërkombëtarë e vendorë e që po e paskan këta të rinjtë, të cilët mund të angazhohen në “Tribunal të ri”?

Argument tjetër është se në Kosovë nuk janë gjykuar aq shumë shqiptarë për krime të luftës dhe pas saj sa është dashur. Edhe këtu mbase mund të ketë të vërteta.

Mirëpo, Fondi për të Drejtën Humanitare ka të evidencuar 85 procedime penale në Kosovë, prej të cilëve të akuzuarit janë 62 shqiptarë dhe 22 serbë. Nëse shikohet me proporcionin e etnisë së viktimave të luftës, i bie që janë proceduar më shumë shqiptarë se serbë.

Nga gjithsej 13.146 persona që llogariten si të vrarë, të rënë dhe të zhdukur në Kosovë për periudhën janar 1998 - dhjetor 1999, 10.495 janë shqiptarë, 2.077 serbë dhe 574 joshqiptarë e joserbë dhe të papërcaktuar. 7.965 shqiptarë janë civilë, 2.008 ushtarë/policë dhe 522 me status të panjohur, kurse civilë serbë janë 1.118, ushtarë/policë 859 dhe 103 më status të panjohur.

Edhe një herë, të gjithë kriminelët duhet të ndiqen, por pse krijohet përshtypja e paqenë se dikush nuk është ndjekur fare dhe dikush tjetër shumë, aq më tepër kur dihet se kush ka qenë agresori në këtë luftë?

Ose në një krahasim tjetër: Në Serbi aktualisht ka shqiptarë që akuzohen për krime lufte ndaj serbëve, duke u akuzuar se e kanë goditur shuplakë viktimën.

Paramendojeni se sa prej nesh gjatë viteve ’90 jemi goditur me shuplaka e grushte nga policët e paramilitarët serbë – pa hyrë këtu në keqtrajtimet dhe dëmtimet e tjera. E paramendojeni nëse secili prej nesh do të donim që ata serbë që i kanë bërë këto ndaj nesh të përfundonin të arrestuar e në gjykatore. Sa do të ishte numri, 20 mijë, 40 mijë apo më shumë?

Në këtë kontekst, mbase është e tepërt të flasim edhe për imazhin negativ që do t’ia shkaktonte vendit precedenti i krijimit të një “Tribunali” vetëm për krimet e kryera vetëm në Kosovë.

Ish-punonjësit e Hagës lobojnë për “Tribunal të ri”, me fond 150 milionë eurosh

JANË DISA ARSYE KRYESORE përse shtyhet përpara nga qarqe të caktuara ky eksperiment i ri, i cili që në start parashihet të jetë i pasuksesshëm.

Burime diplomatike perëndimore më kanë thënë se avokuesit dhe lobuesit kryesorë të një “Tribunali të ri” për Kosovën janë disa individë që kanë qenë të angazhuar në Tribunalin e Hagës, prej të cilëve disa kanë mbetur pa punë, e disa të tjerë vlerësojnë se UÇK-ja nuk e ka marrë dënimin e merituar për viktimat serbe të luftës.

Fondi i përfolur për themelimin dhe funksionimin e këtij organi sillet në rreth 150 milionë euro. Ky “Tribunal i ri” do të trajtojë kryesisht pretendimet nga raporti i Dick Martyt, si dhe të tjera të ngjashme, por – gjithnjë sipas burimeve të njëjta perëndimore – nuk do të pësojnë asnjë nga “peshqit e mëdhenj” të UÇK-së.

Tash këta avokues natyrisht se janë duke i shfrytëzuar gabimet e mëdha që janë bërë edhe nga gjykatësit e prokurorët dhe politikanët shqiptarë në Kosovë.

Gjyqtarët vendorë deri më tash ose nuk janë lejuar, ose edhe kur kanë marrë pjesë në ndonjë proces gjyqësor të krimeve të lidhura me luftën, janë distancuar nga verdikti. Ose politikanët të cilët kërkonin në Kuvend që të lirohen të akuzuarit nga EULEX-i për krime, ose kur kërcënonin me dëbim të EULEX-it në kohën kur arrestoheshin bashkëpartiakët e tyre. Të gjitha këto veprime, të dështuara, vetëm sa e kanë bërë edhe më të brishtë gjyqësinë kosovare, por edhe qëndrueshmërinë e institucioneve të Kosovës, në përgjithësi. Kritikët këto gjithnjë do t’i përdorin si argumente të mungesës së kapaciteteve, të përkushtimit dhe të vizionit për ta bërë Kosovën një shtet ku sundon rendi dhe ligji.

Mirëpo, “Tribunali i ri” nuk mund të ndihmojë në këtë situatë. Nëse mendohet për të mirën e Kosovës, për pastrimin, për katarzën, për sundimin e ligjit, për drejtësinë ndaj viktimave, për ripajtimin e popujve, përse këto të synohet të arrihen mbrapshtë?

Nëse kanë dështuar të gjitha segmentet e gjyqësisë sa u përket krimeve të lidhura me luftën, që kanë vepruar si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj, atëherë duhet menduar se si të gjendet një formë e re që të sanohen ato gabime që janë bërë deri më tash nga të gjitha palët.

Absolutisht, besoj fuqishëm se kjo bëhet vetëm duke investuar në gjyqësinë brenda Kosovës dhe në gjykatësit dhe prokurorët vendorë. Meqë jam i bindur se vetëm kur një gjyqtar shqiptar i Kosovës do të punojë me aq profesionalizëm sa të mund ta dënojë një shqiptar tjetër për krime eventuale të luftës ose krime të tjera të mëdha – kjo do të jetë një ditë e madhe për një Kosovë evropiane.
Gjykatë për shkeljet ’98-2000 me seli në Prishtinë

GJYQTARËT SHQIPTARË TË KOSOVËS ka rreth 25 vjet që nuk janë duke e bërë drejtësinë me kapacitetet që do të duhej. Gjatë viteve ’90 janë dëbuar nga puna, kurse pas luftës e deri më tash kanë punuar me kompetenca të kufizuara, duke ia lënë lëndët më të ndjeshme UNMIK-ut dhe EULEX-it.

Kjo periudhë do të ndikojë edhe psikologjikisht te popullata si dhe vetë gjyqtarët shqiptarë, të cilët nuk do të mund ta marrin me mend se një ditë do të duhej që një prokuror ose një gjykatës shqiptar i Kosovës ta ndjekë penalisht një shqiptar ose serb të Kosovës për krimet e ndërlidhura me luftën, ose edhe krime të tjera të rënda. Por, pa ardhur kjo ditë, asnjëherë nuk do të mund ta bëjmë Kosovën shtet normal.

Për këtë arsye, nëse do të mendohej për të mirën e Kosovës, ose edhe të rajonit, do të duhej që vendorët e ndërkombëtarët të merren vesh për krijimin e një gjykate të besueshme që do të merrej me shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë viteve ’98-2000 në Kosovë, e përbërë nga gjyqtarë të BE-së dhe të vendit; kjo kombinuar me një komision rajonal për evidencimin e humbjeve njerëzore dhe materiale nga luftërat në ish-Jugosllavi.

E nëse do të investoheshin 150 milionë në gjykatat e Kosovës, jam i bindur se suksesi do të jetë shumëfish më i madh sesa krijimi i çfarëdo “Tribunali të ri” me formulë të vjetër, tashmë të dështuar.

Si dhe, e fundit – por më e rëndësishmja - çfarëdo iniciative e këtillë që do të ndërmerrej në Kosovë, fare nuk do të kishte kuptim në qoftë se nuk do të vazhdohej paralelisht edhe në Serbi dhe në shtetet e tjera ku ka pasur luftë në rajon.

Përndryshe, kush do të ketë kurajën që t’u dalë përballë të mbijetuarve të familjeve Vejsa e Haxhiavdija dhe t’u thotë se është bërë shumë për të sjellë në vend drejtësinë e viktimave të luftërave!
Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk 

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...