Rrethanat nuk janë të favorshme për liberalizimin e vizave për kosovarët

17 Qershor 2015 - 08:18 - Augustin Palokaj      

Edhe nëse Komisioni Evropian do të vlerësojë pozitivisht përmbushjen e kritereve nga Kosova në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave janë disa zhvillime të cilat, sipas diplomatëve evropianë, mund të ndikojnë negativisht dhe të pengojnë heqjen e vizave në një të ardhme të afërt. Ndër to përmendet trendi i shkuarjes së të rinjve për t’u bashkangjitur grupeve terroriste në Siri dhe Irak, mungesa e rezultateve konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirja e personave nga Kosova në incidente në Maqedoni, rritja e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia në disa shtete të BE-së dhe, mbi të gjitha, situata e rëndë sociale në Kosovë. Po ashtu BE-ja është e zënë edhe me konfliktin mes shteteve anëtare rreth shpërndarjes më të barabartë të barrës së refugjatëve që vijnë nga Eritrea dhe Siria, e të cilët, për dallim nga kosovarët, sipas kritereve të BE-së, kanë të drejtë për të fituar strehim politik.

Kosova ia ka dorëzuar Komisionit Evropian raportin e vet për përmbushjen e obligimeve në dialogun e liberalizimit të vizave dhe tash ky komision do të duhej të dilte me raportin dhe vlerësimin e vet. Sikur edhe disa herë më parë, në vitet e shkuara, duket se edhe kësaj radhe do të kemi një gjysmë përgjigjeje nga BE-ja, e cila, në njërën anë do t’ua mbajë gjallë shpresat kosovarëve se liberalizimi i vizave nuk është shumë larg, e, në anën tjetër, nuk do të marrë ndonjë obligim për ndonjë afat kohor se kur do të mund të ndodhë kjo. Aktualisht të gjithë pretendojnë se procesi po vazhdon, se Kosova po bën përparim, se BE-ja po vlerëson këtë progres dhe po ndihmon, dhe se gjithçka në proces do të varet nga shpejtësia me të cilën Kosova do të përmbushë obligimet e saja nga procesi në fjalë.

Dhe do të vazhdojmë të dëgjojmë zotime të politikanëve nga Kosova, të cilët do të kapen për secilën deklaratë sado pak pozitive nga ndonjë zyrtar i BE-së, për të shpërndarë optimizëm, dhe, natyrisht, për ta lavdëruar vetveten për ndonjë rezultat të mirë. Nga komisari i Bashkimit Evropian, Avramopulos, kur ishte në vizitë në Kosovë, patëm dëgjuar se “shpejt do të ketë lajme të mira lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, por tash kanë kaluar disa muaj dhe nuk ka asnjë lajm. Në anën tjetër, diplomatë në Bruksel kanë nxituar që të thonë se lajm pozitiv nuk do të thotë në kuptimin e tyre edhe konfirmimi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se këtë vit do të hiqen vizat. Në fakt diplomatët pranojnë në Bruksel se edhe ky vit është i humbur për liberalizim vizash dhe nuk ka as gjasa teorike që ato të hiqen këtë vit. Për BE-në lajm i mirë mund të jetë sikur Komisioni Evropian të thoshte se “Kosova ka arritur përparim të madh në përmbushjen e kritereve”, por mjafton që të gjejë qoftë edhe një kriter të përmbushet në të ardhmen që lajmi i cili në shikim të parë duket pozitiv në fakt të jetë negativ.

Në anën tjetër, edhe po të konstatojë Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat nga ky proces në aspektin formal, atëherë vendimi do t’u kalojë vendeve anëtare në Këshill. E aty nuk ka për momentin një vullnet të mirë për të shpejtuar heqjen e vizave për kosovarët. Duke përcjellë atmosferën që mbretëron gjatë diskutimeve për vizat, hyrje-daljet në BE, emigracionin, diplomatët pohojnë se disa shtete, sikur të kishin mundësi do t’i kthenin vizat edhe për qytetarët e disa vendeve të Ballkanit, të cilave u janë hequr më parë. Shqetësim në rritje ekziston sidomos për Serbinë dhe Shqipërinë.

Kohëve të fundit janë regjistruar disa zhvillime, të cilat, sipas diplomatëve evropianë, mund të ndikojnë negativisht dhe të pengojnë heqjen e vizave në një të ardhme të afërt. Ndër to përmendet trendi i shkuarjes së të rinjve për t’u bashkangjitur grupeve terroriste në Siri dhe Irak, mungesa e rezultateve konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirja e personave nga Kosova në incidente në Maqedoni, rritja e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia në disa shtete të BE-së, dhe, mbi të gjitha, situata e rëndë sociale në Kosovë. Po ashtu, BE-ja është e zënë dhe me konfliktin mes shteteve anëtare rreth shpërndarjes më të barabartë të barrës së refugjatëve që vijnë nga Eritrea dhe Siria e të cilët, për dallim nga kosovarët, sipas kritereve të BE-së, kanë të drejtë për të fituar strehim politik.

Edhe pse nuk ka luftë në Kosovë, edhe pse është vend relativisht i vogël me më pak se dy milionë banorë, edhe pse ekziston regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës që të hyjnë në vendet e BE-së, numri i kosovarëve që kanë kërkuar azil në vendet evropiane është shumë i madh, duke ua tejkaluar edhe zonave të krizës nëpër botë. Në këtë situatë disa diplomatë evropianë, sidomos ata që janë të përfshirë në përpjekjet për luftë kundër terrorizmit dhe rritjes së radikalizmit fetar, thonë se prioritete në Kosovë, sikur edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni dhe në pjesën e Sanxhakut në Serbi, janë zbulimi dhe masat kundër atyre që ndihmojnë rekrutimin e personave që u bashkëngjiten grupeve në Siri dhe Irak, ndërsa çështja e vizave, sado e ndjeshme të jetë për kosovarët, mund të presë ditë më të mira.

Por as Bashkimi Evropian nuk mund të thotë se nuk do të ketë liberalizim vizash, sepse në atë rast do të mund të rrezikojë vazhdimin e bashkëpunimit nga autoritetet e Kosovës dhe të rrisë edhe më shumë dëshpërimin e qytetarëve, të cilët e kanë ndjenjën e diskriminimit. Madje ka edhe ekspertë të tillë që privatisht thonë se mbyllja e kufijve të BE-së për të rinjtë kosovarë paraqet rrezik që ata të orientohen “diku tjetër”!

Çështja e migracionit është bërë edhe problem serioz i brendshëm i Bashkimit Evropian dhe ka nxjerrë në shesh si kurrë më parë mungesën e solidaritetit mes vendeve anëtare. Për të ndarë më mirë barrën e refugjatëve, numri i të cilëve për shkak të luftës në Siri dhe trazirave politike në disa shtete të tjera të Afrikës është në rritje të madhe, Komisioni Evropian ka propozuar caktimin e kuotave të refugjatëve, që secili shtet anëtar duhet t’i strehojë. Ky propozim i Komisionit është kritikuar menjëherë nga shumë shtete anëtare, natyrisht me motive të ndryshme. Disa mendojnë se kriteret për caktimin e kuotave janë të padrejta, të tjerët janë kundër kuotave obliguese dhe duan që ato të jenë në bazë vullnetare, ndërsa të tjerët janë krejtësisht kundër tyre. Dhe në këto rrethana ka pak gjasa që propozimi i Komisionit Evropian të pranohet nga ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, dhe, si rrjedhojë, ky propozim nuk do të mund të zbatohet.

“Të gjithë pajtohen se BE-ja duhet të bëjë më shumë për t’ua shpëtuar jetën atyre që përmes Detit Mesdhe rrezikojnë për të ardhur në Evropë. Por askush nuk ka përgjigje se çfarë duhet të bëjmë me ta pasi t’i shpëtojmë, ku t’i dërgojmë“, ka thënë nënkryetari i Komisionit Evropian, Frans Timermans, duke kritikuar vendet anëtare për mungesë të sinqeritetit dhe solidaritetit. Prandaj Italia dhe Greqia, në njërën anë, do të mbeten vetëm për t’u përballur me numrin e refugjatëve, sepse janë vendet e para ku ata vijnë. Në anën tjetër, Gjermania dhe Suedia do të përballen me numrin më të madh të azilkërkuesve, ndërsa shtetet e tjera nuk duan të marrin përgjegjësi.

Ka pasur ide që edhe për shkak të fluksit të madh të kosovarëve në fund të vitit 2014 dhe në fillim të këtij viti Komisioni të aktivizojë mekanizmat urgjentë, por një gjë e tillë nuk është pranuar me arsyetimin se kosovarët, për dallim nga shtetasit e Sirisë dhe Eritresë, nuk kualifikohen për t’u dhënë strehim në vendet e BE-së dhe ata duhet të kthehen. Por lëvizja e kosovarëve po ndiqet me kujdes nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare, dhe, me gjithë faktin se nuk ka më valë të mëdha brenda një afati të shkurtër kohor, siç ndodhi në dhjetor dhe janar, vendet e BE-së janë të kujdesshme.

Me gjithë këtë situatë, BE-ja do të duhej të bënte një lëvizje të guximshme dhe t’ua hiqte vizat kosovarëve sa më shpejt. Në këtë mënyrë do t’ua hiqte atyre një ndjenjë të rëndë të diskriminimit, do t’ua mundësonte vizitat në vendet e BE-së pa ndonjë obligim të shteteve ku shkojnë, që t’u lejonte punësim apo përdorim të fondeve sociale. Po ashtu do ta lehtësonte kthimin e shpejtë të atyre që keqpërdorin lëvizjen pa viza për të kërkuar pa arsye azil politik apo për të punuar ilegalisht. Prapëseprapë heqja e vizave do të ishte në dobi të dyfishtë edhe për Kosovën, edhe për vendet e BE-së.

© KOHA

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...