Pse ka nevojë për Gjykatë Speciale nëse Kosova vërtet ka arritur aq shumë progres

10 Qershor 2015 - 08:54 - Augustin Palokaj      

Sa mirë do të ishte sikur kundërshtarët e krijimit të Gjykatës speciale të mund të thoshin se “për të nuk ka nevojë sepse Kosova e pavarur dhe sovrane i ka gjykatat e veta të pavarura dhe profesionale të cilat mund të gjykojnë secilin rast serioz”. Po aq mirë do të ishte sikur miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët herë kërcënojnë e herë “garantojnë” të pranojnë se insistimi i tyre për një gjykatë të tillë është për shkak se askush, as ata, nuk i besojnë deri në fund as EULEX-it e aq më pak gjykatave të Kosovës

Krijimi i një Gjykate speciale për t’u marrë me krimet e supozuara të disa nga ish zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila do të zhvillonte procese edhe jashtë territorit të Kosovës, është krejtësisht një proces politik. Nevoja për të lindi nga një raport politik i një politikani, një senatori zviceran, u miratua si raport nga një trup politik siç është Asambleja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, dhe me vendime politike u krijuar një Task force speciale hetuese e cila hetoi ato pohime për tre vjet. Tash në Kosovë është në vazhdim e sipër procesi politik për ndryshimet kushtetuese të cilat do ta bënin krijimin e një Gjykate të tillë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe do të linte përshtypjen se ajo u krijua me vullnetin e vetë kosovarëve. Dhe kur ky proces në Kosovë ka hasur në pengesa politike, sepse nuk po sigurohen votat në Kuvend dhe sepse brenda Partisë në pushtet ka pakënaqësi të qarta, po rritet presioni, prapë politik, për ta krijuar sa më shpejt atë Gjykatë. Dhe po ashtu për shkaqe politike liderët kryesorë politikë të kosovarëve kishin premtuar se do ta sigurojnë shpejt bazën ligjore për krijimin e saj.

Dhe kërcënimet ndaj Kosovës për pasojat në rast se nuk mundësohet krijimi i një gjykate të tillë janë të natyrës politike po ashtu. Thonë se “Në këtë rast çështja do t’i kalojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së” (Ku Rusia e Kina kanë të drejtë vetoje dhe si rrjedhojë ai trup nuk duhet të kuptohet si miqësorë ndaj Kosovës, sepse nuk e njeh fare Kosovën si shtet. Por harrohet se as BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet dhe harrohet se në Këshillin e Sigurimit edhe tri shtete që e kanë njohur Kosovën, e që vlerësohen si mike të Kosovës, kanë të drejtë vetoje dhe ato, nëse vërtet kalimi i një çështjeje të tillë do të ishte në dëm të Kosovës, do të mund ta parandalonin.

Kërcënimet e tjera janë se “Kosova nuk do të ketë as nënshkrim të MSA-së me BE-në e as liberalizim vizash”. Sa për liberalizim vizash edhe ashtu nuk do të ketë shpejt, me apo pa krijimin e Gjykatës. E për MSA-në Kosova do ta kishte moti sikur të mos e kishin ruajtur për kushtëzime ndaj saj dhe sikur të mos kishte probleme me procedurat e brendshme të Bashkimit Evropian për nënshkrimin e saj.

Debati për krijimin apo jo të kësaj Gjykate në Kosovë është mjaft i çuditshëm dhe shumë pak politikanë, të cilët në fund edhe duhet të vendosin, merren me argumentet juridike. Argumentet kryesore në debat nga ata që janë në favor të krijimit të saj, pa marrë parasysh motivet se pse kanë qëndrim të tillë, janë se “Nuk kemi nevojë të frikësohemi nga një gjykatë e tillë” se “kështu duan miqtë tanë ndërkombëtarë” dhe se “Kosova do të ketë pasoja nëse nuk e do krijimin kësaj Gjykate”. Në anën tjetër, kemi kundërshtarët të cilët kryesisht përdorin argumente se “UÇK-ja nuk ka bërë krime, por dihet kush i ka bërë ato (duke menduar në krimet e Serbisë” e deri tek ato se “Kjo Gjykatë do ta kriminalizojë luftën e drejtë çlirimtare”.

Sa mirë do të ishte sikur kundërshtarët e krijimit te Gjykatës speciale të mund të thoshin se “për të nuk ka nevojë, sepse Kosova e pavarur dhe sovrane i ka Gjykatat e veta të pavarura dhe profesionale të cilat mund të gjykojnë secilin rast serioz”. Po aq mirë do të ishte sikur miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët herë kërcënojnë e herë “garantojnë” të pranojnë se insistimi i tyre për një gjykatë të tillë është për shkak se askush, as ata, nuk i besojnë deri në fund as EULEX-it e aq më pakë gjykatave të Kosovës.

Problemet kryesore që do të nxjerrë për Kosovën krijimi i një Gjykate të tillë është trashëgimia historike që do ta lërë ky fakt. Nga shtatë shtete të cilat janë krijuar në territorin e ish-Jugosllavisë Kosova do të jetë i vetmi shtet për të cilin është kërkuar që disa krime të gjykohen nga një panel ndërkombëtar jashtë territorit të saj, edhe pas përmbylljes së punës së Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në territorin e ish-Jugosllavisë, i cili kishte mandat edhe për rastet në Kosovë. Deshën apo jo politikanët e sotëm në Kosovë, Evropë apo Amerikë, ky fakt në të ardhmen nuk do të mund të anashkalohet nga historianët.

Porosia tjetër negative që krijon krijimi i një Gjykate të tillë është profili shumë i lartë që i jepet asaj për shkak të pritjeve të krijuara se në mesin e të akuzuarve që do t’i trajtojë kjo Gjykatë ka politikanë të nivelit dhe profilit shumë të lartë. Kjo detyrimisht ka nxjerrë pyetjen. “Çka do të bëhet me krimet e tjera të nivelit të lartë në Kosovë”. Pa dyshim se kërkesa për krijimin e një gjykate speciale e cila do të dëgjonte dëshmitë jashtë territorit të Kosovës do të forconte bindjen se në Kosovë nuk janë mbrojtur e as që do të mund të mbrohen në të ardhmen si duhet dëshmitarët. Sa do të jetë besimi i qytetarëve të gjykatat e Kosovës nëse miqtë tanë ndërkombëtarë nuk kanë besim në to. Çfarë flet për imazhin e EULEX-it kërkesa aq e fortë ndërkombëtare për një Gjykatë speciale kur dihet se tash e tetë vjet EULEX-i ka pasur kompetenca ekzekutive për të hetuar dhe gjykuar raste të krimeve të tilla të natyrës që përmenden në raportin e Dick Martyt.

Dhe ajo që edhe më shumë e rrit dyshimin në krijimin e kësaj Gjykate janë skandalet e EULEX-përmes të cilave dolën në shesh dyshimet për keqpërdorime të gjykatave për qëllime politike. Pohimet e disa politikanëve kosovarë se “Nuk kemi nevojë të frikohemi” nga disa politikanë të tjerë merren si një lloj dyshimi i ri se mos disa prej politikanëve që tani kanë premtime se ata, apo dikush i afërt me ta, nuk do të preken. Po ashtu kredibilitet tërë procesit nuk i japin as ata diplomatë ndërkombëtarë të cilët publikisht thonë se kjo Gjykatë do të merret vetëm me një “numër të vogël njerëzish”. Ku e dinë ata se kush do të akuzohet dhe sa do të jetë numri i tyre nëse hetimet kanë qenë të fshehta dhe vetëm organet hetuese dhe gjyqësore, e jo ato politike, do të duhej të ishin në dijeni të plotë me emrat e atyre të cilët do të akuzohen.

Kur vitin e kaluar kësaj gazete i dha një intervistë ish-shefi i Task Forcës Speciale Hetuese, Clint Williamson ,ai pati thënë që atëherë se i di emrat e personave që do të akuzohen. Por ai nuk i ka bërë ata publikë sepse vetëm një gjykatë mund të konfirmojë aktakuzat. Nëse ai ata emra ua ka dhënë ambasadave në Kosovë e ata ua kanë përcjellë disa politikanëve kosovarë apo jo, kjo mbetet çështje e teorive të konspiracionit. Por rastet që dolën në shesh për keqpërdorime në misionin e EULEX-it, më të madhin, më të shtrenjtin dhe më të fuqishmin mision të tillë të BE-së, na shtyn që edhe teoritë më të çuditshme të konspiracionit në Ballkan të mos duket të pabesueshme.

Tetë vjet pas pavarësisë së Kosovës, pas një periudhe ku BE-ja dhe shtetet e tjera kanë shpenzuar disa miliarda euro përmes pranisë së tyre, vetë nevoja e krijimit të një Gjykate të tillë dëshmon se nuk është arritur aq shumë përparim sa thuhet nga politikanët. Sikur të ishte aq i madh përparimi në krijimin e demokracisë, sundimin e ligjit, sigurimit të pavarësisë së gjyqësorit, profesionalizimit të policisë, gjykatave, sikur niveli i zhvillimit të shoqërisë të ishte rritur po ashtu, atëherë nuk do të kishte fare nevojë që të diskutohet për krijimin e një Gjykate të tillë. Ata të cilët kanë premtuar, ata le t’i sigurojë në edhe votat, sepse ata më së miri i dinë arsyet pse kanë dhënë premtime të tilla. Por Bashkësia ndërkombëtare do t’i bëjë edhe me këtë Gjykatë një dëm edhe më të madhe Kosovës, nëse edhe atë dikush e përdor për qëllime politike.

© KOHA

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...