Kosova e milionerëve me borxhe shumë

9 Qershor 2015 - 08:10 - Flaka Surroi      

...apo rrëfimi për masakrimin e demokracisë, për faljen e borxheve për paqe sociale e stabilitet partiak, për daljen nga zablluda dhe fituesin e të gjitha varianteve

Nëse moti nuk e keni ndier fjalën presion, atëherë këtë do t’jua ketë kujtuar gjatë gjithë javës së shkuar puna e Gjykatës Speciale. Sërish, duke i lënë mënjanë dhe në plan të dytë çështjet sikurse janë masakrimi i demokracisë në Kuvendin e LDK-së; falja e borxheve, jo aq qytetarëve sa bizneseve që kanë pasur mbrojtje shumëvjeçare nga shteti që i ka kursyer nga ndjekja; dhe zbulimi i një fakti të paprecedent në historinë e luftërave çlirimtare që e bën Kosovën, edhe në këtë aspekt, sui generis.

Kuvendi i aklamacionit

Java kësaj radhe nisi ditën e fundit të majit, megjithatë, dhe me ngjarjen kryesore politike: Kuvendin zgjedhor të LDK-së me të cilin u përmbyllën zgjedhjet e brendshme dhe u zgjodh lideri i partisë për katër vjetët e ardhshëm. Dhe asgjë e jashtëzakonshme do të thoshte dikush, po të mos të ishin një sërë veprimesh e intrigash telenoveleske që e përshkuan gjithë procesin e zgjedhjeve në këtë parti. Fillimisht nisi me kandidimin e Mustafës nëpërmjet aklamacionit në degën e tij – në shkelje të hapur të Statutit të partisë. Më pas, vijoi me anulimin e zgjedhjeve në diasporë, ku rryma e tij nuk arriti t’i impononte kandidatët e tij. Kjo solli për pasojë, ndalimin e pjesëmarrjes së delegatëve nga Gjermania dhe Zvicra nga madje dy organizata sigurimi fizik që ishin angazhuar të dielën në Emerald.

Po sikur kjo të mos mjaftonte, pasoi përjashtimi i të gjithë gazetarëve nga salla ku po mbahej Kuvendi; eliminimi i Vjosa Osmanit si kundërkandidate e Mustafës për kryesimin e partisë në mënyrë diskutabile dhe më në fund me zgjedhjen e tij për kryetar partie me aklamacion – ashtu që të kufizohej mundësia e votës kundër, po qe se do të ishte e fshehtë.

Sido që të jetë, në këtë proces, LDK-ja tregoi një frikë të jashtëzakonshme: së pari nga ideja se partia do të mund të kryesohej nga një femër e re, inteligjente dhe e vendosur. Përderisa nuk mund të paragjykoj nëse Vjosa Osmani do të ishte kryetare e suksesshme, ngase kjo mundësi iu mohua në formën më jodemokratike të mundshme, atë që kemi parë nga Vjosa Osmani në disa vitet e fundit është se është treguar shumë parimore sa herë është dashur të votonte sipas ndërgjegjes e jo diktatit; se është jashtëzakonisht elokuente dhe e arsyeshme në argumentimet e saj, posaçërisht juridike; dhe se së paku e ka një ide se çfarë do të duhej të ndodhte në LDK që të dalë nga kriza në të cilën është ngujuar. Frika e dytë që u reflektua nga ky proces ishte humbja eventuale e pozitave të “burrave të fortë” të LDK-së. Vetë kryesia e punës e Kuvendit e dëshmoi në mënyrë më plastike se kush janë ata që në fakt e kontrollojnë LDK-në sot, përjashto Lirie Kajtazin, e cila aty e plotësonte edhe formën e edhe një gjysmë norme përfaqësimi të femrave në atë parti.

Reagimi kronikisht cinik i Mustafës vetëm sa e kompletoi shijen e keqe që e la pas ky Kuvend. Një shije masakrimi të demokracisë, ku nuk pati hapësirë as për shprehje të një mendimi të kundërt pa pasoja; ku u dëshmua se burrnia e kosovarëve humb në çastin kur duhet ngritur duart dhe “burrat e fortë” të shikojnë shtrembër se mos pahiri po voton kush kundër; ku u dëshmua se rreziku më i madh që u kanoset politikanëve kosovarë janë pikërisht femrat e mençura që kanë ego të vetën, që kanë vizion, e që nuk frikësohen. E kompletoi edhe me konstatimin se fituesi i vetëm i gjithë kësaj cirkusiade është PDK-ja.

Diskriminimi

Falë këtij skenari, ajo që është e sigurt është se koalicioni LDK-PDK do të vazhdojë gjithsesi deri në zgjedhjen e kryetarit të Kosovës vitin e ardhshëm. Po të kishte fituar zonja Osmani, do të shkonim në zgjedhje të jashtëzakonshme. E kjo nuk u ka konvenuar as LDK-së, që, sipas një sondazhi të papublikuar e që ka qarkulluar gjatë fushatës zgjedhore në LDK, ka rënë në 13% të përkrahjes, e as PDK-së, që patatet e nxehta nga qeverisja e kaluar ia ka hedhur në duar kryesisht shefit të financave, Hotit.

Kështu, njëra nga patatet ishte premtimi për rritjen e pagave krejt sektorit publik për 25% -- e që është i pamundur për shkak të mungesës së parave. Dhe për të blerë paqe sociale e besa edhe përkrahje financiare për aktivitete politike të këtyre partive, Qeveria ka marrë vendimin për faljen e borxhit publik prej nja 680 milionë eurosh. Prej këtyre, rreth 148 milionë janë borxh ndaj ATK-së, rreth 6 milionë janë borxh ndaj Doganës së Kosovës, rreth 57 milionë borxh ndaj tatimit në pronë dhe rreth 465 milionë borxh ndaj ndërmarrjeve publike.

Sipas këtij ligji, do të falet borxhi publik - çdo shumë e papaguar e borxhit, përfshirë ndëshkimet, gjobat, interesin si dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mospagesa me kohë e kryegjësë së borxhit, sipas gjendjes me datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, që kanë qenë obligim për pagesë i personave ndaj institucioneve shtetërore në emër të obligimeve tatimore, doganore dhe tatimit në pronë, si dhe të gjitha obligimeve të tjera financiare ndaj ndërmarrjeve publike që ofrojnë shërbime publike, në emër të shërbimeve të ofruara, për qytetarët në Republikën e Kosovës deri më datë 31 dhjetor 2008.

Ajo që nuk thuhet në arsyetimin e Qeverisë është se çka ndodh me ata taksapagues që i kanë paguar rregullisht të gjitha obligimet ndaj shtetit dhe ndërmarrjeve publike. Ajo që nuk thuhet e nuk mund të përjashtohet është se secili taksapagues i rregullt do të duhej të kishte mundësinë juridike që të ngrejë padinë për kompensimin e dëmit – e besa edhe të kërkojë dëmshpërblim për diskriminim. Dhe ajo që nuk thuhet është se dikush ato para i ka hëngër dhe ato do të harrohen mu në çastin kur do të kalojë ky ligj, sepse ato borxhe do të shlyhen, thuajse nuk kanë ekzistuar kurrë.

Atë që gjithashtu nuk e thotë ky projektligj është se e ligjëson mosndëshkimin dhe vazhdon të hapë rrugën e trasuar nga Kouchneri menjëherë pas luftës, kur e liroi popullatën nga obligimi i pagesave të shërbimeve publike, që njerëzit të vazhdojnë të mos paguajnë, sepse kurdo që të ketë nevojë për fitim votash e përkrahjesh, do të miratohet ligji i ri që do t’i lirojë nga pagesa krejt ata që parave ua gjejnë vendin në sende të tjera, shumë më fitimprurëse.

Zengjinët

Ndoshta pjesë të këtyre parave dhe evazioneve do të shkojnë në xhepat e atyre që vit pas viti deklarohen përherë e më të pasur. Është mahnitëse të lexohen raportet që po publikohen në bazë të asaj çfarë kanë deklaruar se kanë në pronë apo nëpër banka zyrtarët politikë kosovarë. Edhe më mahnitëse kur po kuptohet se shumica e këtyre janë njerëz që stazhin e punës e kanë nisur pikërisht në institucione. Pra njerëz që dikur mund të mos kenë pasur të ardhura vetjake, porse janë varur nga familja, diaspora, miqtë e ku ta di unë nga kush tjetër.

Mbeta absolutisht e shokuar kur lexova se një deputet i kishte në pronësi madje 13 vetura, duke qenë më “e keqja” ndër to Golf 5-shi. Me një moment thashë mos pahiri e kishte hapur biznesin e taksive, por mandej m’u kujtua se ishte mjek që dikur kishte qenë kryetar komune. Më pas e kuptova se shumica e deputetëve të PDK-së kishin prona të paluajtshme me vlera milionëshe, e që në shumtën e rasteve i kishin trashëguar nga familja. Me vete thashë, po shumë milionat i kishte pas kjo Kosovë e ne nuk e paskemi ditur, duke e marrë parasysh faktin se jemi shteti më i varfër i Evropës, qaty diku afër me Moldavinë po më duket. Disi s’më dolën hesapet.

E tue mendue e tue kujtue, m’u bë një lëmsh në kokë, se disi s’ma kapte rradakja: shumica e këtyre deputetëve dhe figurave politike dikur kishin qenë komandanta në UÇK. Me gjithë këta miliona të trashëguar, që d.m.th., paskan ekzistuar që prej vaktit të katragjyshërve të tyre, këta vendosën të bëheshin ushtarë të lirisë, përkatësisht vendosën ta udhëheqin revolucionin kosovar. Që na bën sui generis. Se zakonisht ata që çohen me ba revolucione, janë të shtypurit dhe të varfrit, se dojnë me u çliru. Te na, e kundërta: krejt komandantat zengjina, që i bie se qenkan çuar të luftojnë për ideal. Me siguri kjo paska qenë, po ja që nuk më shkoi ndërmend menjëherë. Sepse kur e analizoja punën me matematikën time bazike, s’më dilte hesapi sesi dikush që i merr 1300 euro rrogë, mund të kishte pasuri 5 milionëshe ta zëmë. Bile, bile – mendoja ta thërrisja ndonjërin prej tyre që të ma mësonte menaxhimin e rrogave. Ose, më mirë, t’ua jepja krejt rrogat e stafit në menaxhim.

Por prej zabllude më nxjerri një komandant, i cili më në fund, dhe me shkrim, e pranoi atë që krejt bota e di, e që përherë ka marrë përgjigje zyrtare se ky është vetëm perceptim. Sami Lushtaku, në një letër proteste nga burgu tekstualisht e tha një gjë që do të duhej të ishte bazë e mjaftueshme për prokurorinë që t’i zbardhë emrat e këtyre mjeshtërve: “Të gjitha vjedhjet, keqpërdorimet, abuzimet, tenderët etj., të realizuara me mjeshtëri nga eksponentë të PDK-së na janë faturuar ne. Dhe meqë kjo nuk ka mundur të argumentohet, sepse nuk kishte ndodhur, atëherë me dëshmitarë të përpunuar na dënuan për krime të luftës”.

Specialja sërish

E me krime lufte do të duhej të merrej specialja. Se a i ka apo s’i ka votat për ta kaluar amendamentin e më pas edhe Ligjin për Specialen, PDK-ja nuk po deklarohet, përderisa duket e interesuar që saga të vazhdojë. Përherë e më shumë po përflitet opsioni i negociatave që po i bëjnë zyrtarët e lartë qeveritarë për ta shpëtuar kryeprotagonistin e Raportit Marty nga procedimi i tij nga kjo Gjykatë.

Nga ana tjetër, duket se pjesë e pakos së negociatave është garancia që do të mund ta ofronte ky lider për t’i dorëzuar personazhet e tjera të Raportit, po ta kishte pushtetin e plotë në dorë. Kështu, nga hija dhe rehatia e Ministrisë së Jashtme, ai shikon me vëmendje se si LDK-ja po shkapërderdhet; si AAK-ja po fundoset dhe si Vetëvendosja s’po fiton elan të mjaftueshëm, për shkak se nuk po tregohet shumë efikase në udhëheqjen e Prishtinës – aty ku e ka shansin për ta dëshmuar një qeverisje më ndryshe.

Evropa e Amerika po kërcënohen se po qe se nuk votohet specialja, do të mbetemi pa MSA-në dhe pa liberalizimin e vizave, e se do të mbetemi edhe pa përkrahjen amerikane në KS të OKB-së për çështjen e speciales. Porse esenca e gjithë kësaj trysnie është se Kosova, nga kjo Speciale nuk do të fitojë gjë: as pranimin nga pesë shtetet e BE-së; as prishjen e idesë së Zajednicës me fuqi ekzekutive; e as pastrimin me të kaluarën, për shkak se edhe kjo Gjykatë mund të jetë identike me ato të EULEX-it – në ndjekje të peshqve të mëdhenj, do të ngujohet diku në cekëtinë.

Duket se fituesja e vetme në gjithë këtë skenar, do të jetë sërish PDK-ja me në krye liderin e vet.

Humbëse del Kosova, në të gjitha variantet.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...