Drejtësia e mosbesimit

6 Qershor 2015 - 11:00 - Adriatik Kelmendi      

Në qoftë se gjyqtarë nga shtetet e Evropës e kanë dënuar kryekomandantin e luftës sonë çlirimtare pa fakte, i bie se Evropa paska diçka kundër Kosovës, shqiptarëve, ose kësaj lufte në veçanti. E në qoftë se gjyqtarë nga shtetet e Evropës e kanë dënuar kryekomandantin e luftës sonë çlirimtare me fakte të qëndrueshme, juridikisht të arsyeshme, i bie se edhe lufta jonë nuk paska qenë gjithaq e pastër sa paskemi pandehur. Në të dyja rastet, ky është një dëm i madh dhe e keqe e madhe për Kosovën. Për këtë arsye zgjidhja e drejtë, dhe e kompromisit, është të përfshihen gjyqtarët kosovarë dhe ata evropianë bashkë në Gjykatë Speciale.

TA SHOHIM ESËLL këtë punë:
Javën e kaluar u dënua me 14 vjet burgim Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, për atë që u quajt shkelje e konventave të luftës.
Aktgjykimin e ka shpallur një gjykatë/mision i Bashkimit Evropian.
S'ka dënim më të madh hierarkik për ndonjë pjesëtar të UÇK-së.
S'ka ku të gjenden gjyqtarë më të besueshëm (në parim) se ata që vijnë nga shtetet e BE-së.
Ose edhe më trup:
Na është dënuar kryekomandanti i luftës sonë çlirimtare, nga gjykatës evropianë.
Ky është lajm i keq, në fakt ndër lajmet më të këqija që mund t’i kenë ardhur Kosovës kohëve të fundit.
Edhe kësaj radhe, si zakonisht në raste të këtilla, opinioni publik kosovar u nda në dysh. Të parët, që thoshin se kryekomandanti (dhe të tjerët) u dënua pa fakte të qëndrueshme dhe, të dytët, që në njëfarë mënyre e miradonin verdiktin kundërthënës.
Në fakt, duket se kjo është huqja më e madhe në këtë mes.
Shikuar gjakftohtë, thelbi i problemit del të jetë mosbesimi. Në këtë rast mosbesimi i thellë dhe i ndërsjellë që evropianët (EULEX-i, në këtë rast) ka ndaj kosovarëve dhe mosbesimi që kosovarët po fillojnë ta kenë ndaj evropianëve.
Këtu qëndron e keqja e madhe.
Në qoftë se gjyqtarë nga shtetet e Evropës e kanë dënuar kryekomandantin e luftës sonë çlirimtare pa fakte, i bie se Evropa paska diçka kundër Kosovës, shqiptarëve, ose kësaj lufte në veçanti.
E në qoftë se gjyqtarë nga shtetet e Evropës e kanë dënuar kryekomandantin e luftës sonë çlirimtare me fakte të qëndrueshme, juridikisht të arsyeshme, i bie se edhe lufta jonë nuk paska qenë gjithaq e pastër sa paskemi pandehur.
Në të dyja rastet, ky është një dëm i madh dhe e keqe e madhe për Kosovën.
Gjë që, fatkeqësisht, u kap pak ose hiç në debatet që pasuan aktgjykimin, të cilat në masë të madhe ishin të mbushura me reagime emocionale, inatçore e të mujshisë. Kjo sjellje absolutisht nuk mund të ndikojë në kthimin e besimit të ndërsjellë në relacionin evropianë-kosovarë, por përkundrazi ta thellojë atë, gjithnjë në të keqe të Kosovës.
Pyetja që imponohet këtu është, pra, si të rimëkëmbet ky besim i humbur?

PËR T’I KUPTUAR më përafërsisht fillet e mosbesimit evropianë-kosovarë shembullin më ilustrues e gjejmë sërish në lëmin e drejtësisë.
Që nga instalimi i administratës ndërkombëtare në Kosovë pas luftës, çështjet më delikate të shkeljeve të ligjit, siç janë krimet e luftës, incidentet ndëretnike dhe krimi i organizuar, u bënë kompetencë ekskluzive e gjyqtarëve të UNMIK-ut.
Kjo praktikë u vazhdua edhe pas shpalljes së pavarësisë, me ardhjen e misionit të EULEX-it, kur u vazhdua me ekskluzivitetin e fushave të njëjta.
Dhe, tash, së fundi, po bëhen përpjekjet që të vazhdohet edhe me dhomat e veçanta të Gjykatës Speciale.
Kjo i bie se nëse je kosovar, ty nuk të besohet se mund të jesh mjaft profesionist, mjaft i përkushtuar, mjaft i përgatitur, mjaft i guximshëm, ose mjaft i dijshëm për ta trajtuar një lëndë nga këto fusha të errëta të drejtësisë.
Në thelb, ky është një përkufizim racist.
Në anën tjetër, ne shpesh i kemi akuzuar prokurorët dhe gjykatësit kosovarë, ose shqiptarë të Kosovës, se po ashtu, nuk po merren me këto raste. Mirëpo, ata në këtë kontekst e kanë arsyetimin e përkryer: edhe nëse duam, ndërkombëtarët nuk po na e lejojnë.
Pra, ndërkombëtarët nuk po besojnë se një kosovar mund ta gjykojë një kosovar tjetër.
Sakaq, ne po ashtu jemi dëshmitarë se gjithë këto misione ndërkombëtare me kaq shumë gjyqtarë, për kaq shumë vjet, nuk ia kanë dalë deri më tash ta bëjnë Kosovën vend që nuk do të renditet në majat e toplistave të zeza për krim e korrupsion.
Skandalet që po plasin kohëve të fundit, me dyshimet se zyrtarë të EULEX-it janë të përfshirë në situata korruptive dhe të kurdisura, flasin se joefikasiteti megjithatë nuk paska as racë, as etni e as shtetësi.
Për këtë arsye, siç u pa në rastin e dënimit të kryekomandantit të UÇK-së dhe të tjerëve, tash edhe kosovarët kanë filluar - gabimisht, them unë - të bien në kurthin që gjyqtarët ndërkombëtarë ia kishin ngritur vetvetes në Kosovë – ta bëjnë etninë, ose shtetësinë, kriter për matjen e cilësisë së drejtësisë.
Këtu e ka burimin, mes tjerash, edhe refuzimi i dhomave të veçanta të Gjykatës Speciale.
Kosovarët nuk po i besojnë më drejtësisë ndërkombëtare se është e tillë, pra, evropiane, ndërkombëtare; ndërkombëtarët nuk po i besojnë drejtësisë kosovare, se është – shqiptare, kosovare.

SIDOQOFTË, NËSE KRIME të caktuara supozohet se kanë ndodhur, nuk do të guxohej të hyhet në këtë spirale mosbesimi, meqë në instancën e fundit nuk do të kishte drejtësi për viktimat.
Mosbesimi i ndërsjellë, mbase është koha e fundit, që të përdoret si leksion, e edhe si kompromis.
Nuk bën të përjashtohen juristët profesionistë kosovarë nga çfarëdo gjykimesh vetëm pse janë kosovarë, njësoj siç nuk do të duhej të përjashtoheshin ndërkombëtarët për të njëjtat arsye.
Nëse po flasim për drejtësi, dhe jo politikë (e në rrethanat aktuale këto të dyja janë bërë vështirë të dallueshme nga njëra-tjetra), atëherë kompromis duhet të jetë përfshirja në dhomat e veçanta të Gjykatës Supreme edhe të prokurorëve, gjykatësve dhe avokatëve kosovarë, bashkë me ata evropianë.
Kjo formulë do të mund të paraqiste shansin e fundit për drejtësi të paparagjykuar dhe rikthim të besimit të ndërsjellë evropianë-kosovarë.
Dhe mbi të gjitha – drejtësi.
Drejtësi për ata persona që pandehin se po akuzohen pa të drejtë.
Drejtësi për ata që besojnë se janë viktima të personave të caktuar.

adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk


 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...