Varrosja e LDK-së me aklamacion dhe me kërcënime

4 Qershor 2015 - 08:50 - Enver Robelli      

Kuvendi i LDK-së ishte një shfaqje e dobët cirku. Në një atmosferë kërcënuese për delegatët udhëheqja aktuale arriti ta kontrabandojë Isa Mustafën si kryetar edhe për një mandat – jo me votim, por me aklamacion. Kritikët dhe reformatorët, megjithatë, nuk duhet të zmbrapsen

Pas kositjes në Kuvend vazhdoi kositja në katund. Të dielën njëri nga djemtë e Isa Mustafës u ngut ta prezantojë babanë e tij në një pozë relaksuese: kryetari i vjetër dhe i ri i LDK-së shihej duke kositur barin në fshatin e tij të lindjes. Ishte një përpjekje e zbehtë për të simuluar normalitet politik, i cili nuk ekziston prej vitesh në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe pas Kuvendit të së dielës ka gjasa të ashpërsohet edhe më shumë.

Të dielën para hotelit “Emerald” silleshin e pështilleshin djemtë e Isa Mustafës, djemtë e Agim Veliut, djemtë e Famir Sejdiut. Aty ishte edhe Ukë Rugova, një kontrabandist vizash të Schengenit dhe prostitutë politike, që më shpesh i ndërron padronët se sa këmishën. Ai tani do të jetë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së – ndonëse këmbë e kokë prej vitesh është në shërbim të nëntokës politike të PDK-së.

Kuvendi i së dielës mbi të gjitha ishte një përpjekje me mish e me thonj e klaneve ekonomike brenda LDK-së për të shpëtuar bizneset e tyre të krijuara falë favoreve që ua jep pushteti – qoftë qendror apo lokal. Kjo “demokraci djemsh” është në harmoni të plotë me mentalitetin tribal që ende mbretëron në shoqërinë kosovare. Aspak më ndryshe s’është situata as në partitë e tjera: në PDK djemtë e Adem Grabovcit falë pushtetit të babait marrin guxim të rrahin policin, vëllezërit e Hashim Thaçit përfitojnë nga resurset shtetërore, në AAK vëllezërit Haradinaj me vite të tëra, sipas raporteve të sigurisë të shteteve perëndimore, kanë kontrolluar rrjete të fuqishme të krimit të organizuar.

Lidhja Demokratike e Kosovës viteve të fundit gjithnjë e më shumë i është përshtatur këtij ambienti të ndotur nga krimi. Etja e pafrenueshme për pasurim personal e klanor, nepotizmi i shfrenuar, paaftësia për ndërtimin e shtetit, gjakftohtësia në shkeljen e rregullave demokratike, ligjeve dhe heqja dorë nga etika minimale njerëzore e kanë shndërruar Kosovën në peng të kësaj klase politike shkurtpamëse. Kjo kategori mund të mendojë se doli fituese të dielën, por në thelb vetëm sa e ka zgjatur agoninë e Kosovës.
Kuvendi i LDK-së ishte një shfaqje e dobët cirku.

Në një atmosferë kërcënuese për delegatët udhëheqja aktuale arriti ta kontrabandojë Isa Mustafën si kryetar edhe për një mandat – jo me votim, por me aklamacion. Në një skenar të ndërtuar nga dyshja Agim Veliu e Ismet Beqiri u shkel statuti i partisë, u kërcënuan delegatët, sidomos ata që janë shërbyes civilë, duke ua bërë me dije se mund të humbin vendet e punës, kritikët u quajtën armiq, madje Agim Veliu me vokabularin e tij politik që do t’ia kishin zili edhe sundimtarët e Koresë së Veriut tha se Vjosa Osmanit i bie në mend për LDK-në në çdo katër vjet. Vetëm në zgjedhjet e fundit Osmani i ka sjellë LDK-së mbi 30 mijë vota, derisa Agim Veliu i ka mbushur xhepat e vet dhe të djemve të vet me para dhe është në rrugë të mbrapshtë t’ia dorëzojë edhe Podujevën PDK-së.

LDK-ja do të kishte dalë më e fuqishme nga Kuvendi sikur gara të ishte e barabartë së paku të dielën. Falë pozitës si kryeministër Mustafa gëzonte disa përparësi në betejën e tij për të mbetur në krye të partisë. Por edhe ambiciet e të tjerëve në një parti duhet të trajtohen si legjitime dhe jo si pjesë e komploteve. Sepse po folëm për komplote e mashtrime mjafton t’i përkujtohen Isa Mustafës përbetimet e tij të përditshme para një viti: “kurrë me PDK-në”, “kurrë me SHIK-un”, “kurrë me përfaqësues të krimit të organizuar”.

Pas zgjedhjes së tij në krye të LDK-së që bart shumë njolla si proces Isa Mustafa mendjen, me sa duket, e kishte te kosa, andaj i kositi të gjithë ata që ishin kritikë të metodave të tij të sundimit partiak, duke mos i futur në Këshillin e Përgjithshëm. Në të ardhmen në LDK do të ketë edhe më shumë servilë dhe më pak idealistë, më shumë demagogë dhe më pak aktivistë të mirëfilltë, më shumë poltronë dhe më pak ekspertë. Qasja e Isa Mustafës ndaj kritikëve është absurde, hakmarrëse, idhnake. Këtë ai nuk e ka demonstruar vetëm me grindjen bajate me Rexhep Qosjen, provokimet e të cilit ai do të duhej t’i injoronte si Ibrahim Rugova, sepse nga komunizmi jugosllav më shumë ka qenë i privilegjuar Qosja se sa Mustafa.

Fatkeqësisht, Mustafa është sjellë nën nivelin e kryeministrit dhe kryetarit të LDK-së, duke atakuar verbërisht edhe kritikët e tij me kredibilitet publik, vetëm e vetëm pse ata nuk i duartrokasin plogështisë së tij në qeverisje, mungesës së ideve, kreativitetit, ekipit. Kjo sjellje e tij flet për një mendësi të vjetruar të njëpartizmit. Kjo mendësi nuk është kompatible me sistemet pluraliste demokratike.

Para katër vjetësh, kur gëzonte mbështetjen e shumë medieve për të marrë drejtimin e LDK-së, Isa Mustafa buzëqeshte vesh më vesh dhe këtë e quante zhvillim normal demokratik. Sot, kur një pjesë e medieve dhe e analistëve, bazuar në të drejtën e tyre të pakontestueshme për shprehje të mendimit të lirë, mendojnë se për LDK-në do të ishte më mirë një udhëheqës tjetër apo udhëheqëse tjetër, Isa Mustafa humb kontrollin, hedh kosën, rrok kazmën dhe atakon lirinë e medieve, duke kritikuar mediet përse nuk vallëzojnë sipas ritmeve të dallues së tij.

Fakt është: Isa Mustafa me sejmenët e vet të dielën penguan gazetarët në punën e tyre. Të tjerat çfarë thotë ky person janë veç kërcënime bajate që mund të shërbejnë për zbavitje në klubin e hokatarëve. Derisa nuk jemi dorëzuar para falangave politike dhe aleatëve të tanishëm të Mustafës, presionet e kryekomisarit të LDK-së i konsiderojmë veç hukama e kukama absurde.

Pas Kuvendit të së dielës kritikët dhe reformatorët, megjithatë, nuk duhet të zmbrapsen. Paniku i agim-ismetave që është parë ditëve të fundit tregon se sa të pasigurt janë ata në punët që i kanë marrë përsipër. Tani ata kanë një mision të ri: ta bëjnë shefin e tyre Hashim Thaçin kryetar të Kosovës, sepse kështu forcohet martesa mes krimit dhe ligësisë, që LDK-ja e realizoi vitin e kaluar. Kjo aleancë nuk është e qëndrueshme, sepse bazë e bashkëpunimit mes PDK-së dhe LDK-së nuk është besimi i ndërsjellë dhe angazhimi për një Kosovë si shtet funksional, por qeverisja sot për nesër.

Atmosfera me sharmë stalinist në Kuvendin e LDK-së duket se e kishte entuziazmuar aq shumë Thaçin, saqë ishte i pari nga rivalët politikë jashtëpartiakë që e uroi Mustafën për rizgjedhjen në post.
Në këtë mes nuk duhet harruar as rolin tejet destruktiv që luajti Fatmir Sejdiu jo vetëm në prag dhe gjatë Kuvendit. I hidhëruar nga humbja ai prej vitesh sillet sikur mbarë bota i ka faj, sillet sikur të gjithë janë armiq të tij dhe jo të rrenave të tij, sillet thuajse ekziston një komplot botëror enverhoxhist kundër tij. Duke i dhënë aq shumë rëndësi parëndësisë së tij si politikan i pensionuar ai të dielën me apo pa dashje i dha mbështetje Isa Mustafës, kur tha se nuk do ta përkrahte asnjë kandidat dhe nuk do të kandidonte as vetë. Kjo ishte votë kundër Vjosa Osmanit.

Në këso momentesh vendimtare shihet se garda e senilëve më parë e merr me vete LDK-në atje pas Dragodanit se sa të mundësojë një frymë të re në parti. “Grupi i Dragodanit” nuk mund të jetë kurrë krah reformator, ai është varrmihësi i LDK-së. Aq më pak mund të jetë reformator “Grupi i Gorenjës”, ku, me ndonjë përjashtim, vegjetojnë njerëz të korruptuar dhe me lidhje të ngushta me baronë droge. Grupi i reformatorëve të rinj duhet të orientohet në zgjimin e potencialit brenda dhe jashtë partisë. Shanset janë të mëdha, sepse LDK-ja prapë mund të rikthehet si alternativë në mungesë të konkurrencës serioze politike.

PDK-ja me vite të tëra do të ballafaqohet me pasojat e trashëgimisë së saj - korrupsioni, krimet, Gjykata Speciale. AAK-ja është reduktuar në thelbin e saj – krim e haraç. Lëvizja “Vetëvendosje” gjithnjë e më shumë i përngjan një sekti agresiv që keqpërdor marrëzisht nacionalizmin për t’u konfrontuar me gjithë botën perëndimore në përpjekje për të mohuar krimet e supozuara të palës shqiptare në luftën e viteve 1998-99. E, kur nuk konfrontohet me botën, VV-ja merret me çlirimin e Çamërisë nga Prishtina, me zbulimin e përmendoreve dhe me licencim shqiptarësh.

Shanset e LDK-së nuk do të rriten nëse reformatorët nuk janë këmbëngulës dhe të sinqertë në qëllimet e tyre. Nuk mund të rriten shanset as duke harxhuar kohë me degë, nëndegë e pipa në diasporë. Kush dëshiron të merret me politikë aktive partiake le të kthehet në Kosovë. Kush dëshiron të merret me politikë në Gjermani, Austri apo Zvicër le të anëtarësohet në partitë e këtyre vendeve.

robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...