Pa profilizimin e partive politike nuk do të funksionojë demokracia në Kosovë

3 Qershor 2015 - 08:39 - Augustin Palokaj      

Zgjedhjet në LDK dëshmuan se në këtë parti nuk ka aq pluralizëm sa mendohej dhe se “delegatët” votojnë sipas interesit të tyre personal. Për “fytyra të reja” ka vend vetëm nëse ata nuk kanë ide, por vetëm mbështesin rrymën dominuese. LDK-ja, duke i ndihmuar PDK-së që të bëhet anëtare edhe e Partisë Popullore Evropiane, po shkon drejt krijimit të një mega partie me PDK-në. Dikush mund të thotë se zgjedhjet e secilës parti janë punë e tyre e brendshme. Por e keqja qëndron se pa profilizimin e partive politike nuk mund të ketë as demokraci të mirëfilltë në Kosovë.

Sikur para disa javësh më parë në Maqedoni, kur Nikola Gruesvki mori mbështetjen e mbi 99 për qind të partisë së tij për të mbetur në krye të VMRO-së, ose sikur kur Hashim Thaçi u rizgjodh shef I PDK-së, ashtu edhe Isa Mustafa, pa asnjë problem, “I pëlqeu dikujt apo jo” (nëse e citojmë atë) u rizgjodh në postin e shefit të Lidhjes Demokratike të Kosovës pa i mundësuar kundërkandidates një garë të drejtë. Edhe kur janë vetëm partiake, zgjedhjet si element kryesor kanë mundësinë për të zgjedhur, që sigurisht nënkupton të kenë më shumë mundësi, më shumë kandidatë. Elementi tjetër që i bën zgjedhjet demokratike është fshehtësia e tyre, që përsëri nuk ndodhi në zgjedhjet për kryetar të LDK-së.

Siguria dhe lehtësia me të cilën liderët në Ballkan zgjidhen dhe rizgjidhen në postet e tyre tregon se sa larg janë këto shtete dhe shoqëri nga arritja e vlerave demokratike evropiane në të cilat aq shpesh betohen të njëjtit liderë që vetë nuk i respektojnë ato.

Por që dëshmuan edhe një herë se për të arritur sukses në zgjedhje në Kosovë duhet të punosh në terren, me degë dhe nëndegë, me persona që kryesisht përfitojnë nga nivelet e ndryshme të pushtetit, e jo të llogarisësh se me ide, qëndrime dhe parime apo me program mund të arrish diçka.

Zgjedhjet në LDK dëshmuan se në këtë parti nuk ka aq pluralizëm sa mendohej dhe se “delegatët” votojnë sipas interesit të tyre personal. Për “fytyra të reja” ka vend vetëm nëse ato nuk kanë ide por vetëm mbështesin rrymën dominuese. LDK-ja, duke i ndihmuar PDK-së që të bëhet anëtare edhe e Partisë Popullore Evropiane, po shkon drejt krijimit të një megapartie me PDK-në. Dikush mund të thotë se zgjedhjet e secilës parti janë punë e tyre e brendshme. Por e keqja qëndron se pa profilizimin e partive politike nuk mund të ketë as demokraci të mirëfilltë në Kosovë.

Prandaj Hashim Thaçi, i cili pak njihet si ministër i Jashtëm e më shumë si shef i PDK-së dhe lider praktik politik i Kosovës, ka pasur shumë arsye të jetë ndër të parët që ia ka uruar fitoren Isa Mustafës. I përballur me dy sfida të mëdha, vështirë të pajtueshme me njëra- tjetrën, Thaçit si lehtësim i vjen fitorja e Mustafës dhe rrymës pro PDK-së në LDK. Thaçi, i cili lehtësinë shpesh e gjen duke qenë në vizita jashtë vendit kur ndodhin zhvillime jo të lehta në vend, siç ishte gjykimi i Grupit të Drenicës, po përballet me realizimin e premtimeve që u ka dhënë “miqve ndërkombëtarë” për krijimin e Gjykatës Speciale, e që është e domosdoshme për ruajtjen e kredibilitetit të tij në raport me “ndërkombëtarët” dhe, në anën tjetër, të mos i humbë mbështetësit të cilët në Kosovë i kryejnë punë PDK-së dhe të cilët nuk e shohin me shumë simpati kur gjykatat, të mbështetura pa rezervë nga PDK-ja, gjykojnë njerëzit e kësaj partie. Thaçi po ashtu duhet të sigurojë zbatimin e zotimeve që kishte marrë në dialogun e Brukselit rreth marrëveshjeve me Serbinë. Prandaj asnjëherë më shumë sesa sot Thaçi ka pasur nevojë për një Isa Mustafë të fortë.

Tash, me forcën që i dha LDK-ja me delegatët e vet, Mustafa mund të takohet përsëri me kryeministrin e Serbisë, në Bruksel, dhe të pranojë zbatimin e pjesës së marrëveshjes që më herët e kishte arritur Thaçi për krijimin e “Asociacionit/bashkësisë”së Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Po ashtu Mustafa, pas forcës që i dha kjo rizgjedhje, mund të punojë në sigurimin e votave të LDK-së për krijimin e Gjykatës Speciale, e cila nuk do të hetojë vrasjet e njerëzve të LDK-së pas luftës, por do të ngrejë akuza për dyshimet për trafikime organesh dhe krime të tjera që dyshohen të kenë bërë pjesëtarët e UÇK-së, sipas raportit famëkeq të Dick Martit.

Tash me forcën që mori nga rizgjedhja, Mustafa do të duhet t’i sigurojë Thaçit votat për t’u zgjedhur president i Kosovës, qoftë me vota të deputetëve apo edhe në zgjedhje popullore. Mustafa si kryetar i LDK-ë do të dojë gjithsesi të ruajë edhe postin e kryeministrit dhe këtë nuk e ka të mundur nëse Thaçi nuk zgjidhet kryetar.

Edhe Mustafa, ehe LDK-ja, kanë edhe një obligim ndërkombëtar ndaj partnerit PKS-së, ta ndihmojnë atë në përmbylljen e suksesshme të procedurës së anëtarësimit në EPP, grupimin e partive evropiane të qendrës së djathtë ku LDK-në e kishte lënë si anëtare e shoqëruar Ibrahim Rugova, ndërsa Thaçi, pas largimit të Tony Blairit nga pushteti, kishte hequr dorë nga anëtarësimi në grupimin socialist dhe kishte vendosur që edhe PDK-ja të jetë “Parti e qendrës së djathtë”. Dhe kur PDK-ja të anëtarësohet këtu ajo do të jetë më e rëndësishme sesa LDK-ja, sepse, të mos harrohet, PDK-ja është partia më e madhe për nga numri i votave në Kosovë dhe ajo është partneri i parë në qeverinë e koalicionit.

Pas zgjedhjeve në LDK duhet pritur një bashkëpunim edhe më të madh mes Mustafës dhe Thaçit. Mustafa e ka kuptuar se vetëm bashkëpunimi me Thaçin i siguron sukses në karrierë. Duhet pranuar se Mustafa është i vetmi lider i LDK-së që ka arritur të sigurojë postin e kryeministrit për këtë parti. Këtë nuk e kishte arritur as Ibrahim Rugova. Për pragmatikët në politikë pak ka rëndësi se Mustafa si humbës në zgjedhje fitoi duke bërë pazare me Thaçin dhe PDK-në.

Edhe ndërkombëtarët mund të dalin të kënaqur nga rizgjedhja e Mustafës në krye të LDK-së. Atyre edhe ashtu pak u ka interesuar ndërtimi i vërtetë i demokracisë në Kosovë. Nuk kanë ngurruar të bëjnë edhe veprime jodemokratike, të tolerojnë kërcënime, manipulime sa herë që zhvillimet demokratike kanë rrezikuar realizimin e ndonjë prioriteti tjetër, si për shembull dialogun me Serbinë.

Dominimi i rrymës pro PDK-së në LDK bën që edhe parashikimet për shuarjen e LDK-së në PDK të merren më seriozisht. Këto dy parti asnjëherë nuk kanë qenë më afër. Sikur edhe VMRO-DPMNE-ja, parti me dy shkurtesa që lidhen, është anëtare e EPP-së ashtu një ditë mund të ndodhë që nga Kosova në këtë grupim evropian të kemi një parti, pse jo me emrin PDK-LDK. Kështu do të krijohej një mega parti. Kjo gjithsesi do të krijonte një stabilitet politik, do të siguronte një zbatim të plotë të kërkesave ndërkombëtare e, në anën tjetër, dëmi që do t’i bënte zhvillimit të demokracisë në Kosovë do t’u lihej gjeneratave të ardhshme që ta përmirësojnë. Për momentin është vështirë të pritet në një të ardhme të afërt që kriter gjatë votimit të mos jetë klientelizmi partiak, por programi politik. Partitë politike në Kosovë sot kanë më shumë klient dhe shfrytëzues të shërbimeve të tyre, në nivele të ndryshme, sesa votues të thjeshtë.

© KOHA

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...