33 arsye përse duhet të votohet 33-vjeçarja Vjosa Osmani

29 Maj 2015 - 08:21 - Halil Matoshi      

Deputetja më e votuar për Kuvendin e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i sfidojë 355 delegatët e Kuvendit Zgjedhor të 31 majit 2015, dhe jo vetëm liderin e saj të partisë dhe kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa. A do të mbizotërojë arsyeja mbi paqsionet partikulare tek shumica e delegatëve për t’i dhënë partisë një lider për shekullin 21 e për t’ia kthyer LDK-së primatin!? Vota për Vjosën presupozon modernitet, reformë dhe përgjigje të fuqishme ndaj demagogjisë nacionalromantike. Vota për Vjosën do të thotë ta marrësh anën e jetës kundër kalbëzimit. Ajo e bën diferencën

1. Për shkak se ajo e di se ku synojnë kosovarët për të shkuar.

2. Sepse ju gjithmonë mund të shihni një fytyrë femre që rrezaton rini e paqe. Është 33-vjeçare (mosha më paqësore sipas të gjitha aspekteve) dhe e lindur në muajin e luleve, në maj, dhe ajo synon ripërtëritjen e partisë.

3. Për arsye se ajo dëshiron ta kthejë mbrapsht koalicionin me PDK-në, sepse qeverisja e saj në dy mandate ishte një horror.

4. Të hapë debatin e madh nëse një zyrtar i lartë i LDK-së guxon ta kritikojë liderin e të mos ketë pasoja.

5. Sepse ka respekt për liritë individuale.

6. Dhe natyrisht lirinë e shprehjes.

7. Për shkak se njerëzit e ditur që kanë çfarë t’i japin politikës kosovare nuk duhet të jetojnë nën hije, të margjinalizuar.

8. Për shkak se Lutfi Haziri, Haki Rugova e Agim Veliu janë lobuesit kryesorë për Mustafën e ky i fundit synon t’ia lërë si trashëgimi partinë Lutës, pas katër vjetësh.

9. Dhe për shkak se Fatmir Sejdiu është njëri prej kandidatëve.

10. Dhe pa ta në majë të LDK-së do t’i shkurtohet jeta demagogjisë në politikën kosovare.

11. Dhe do të vijë në konsideratë guximi i qytetarit të edukuar mirë.

12. Dhe Vjosa e sjell mendësinë e re me vete. Ripërtëritjen shpirtërore dhe mentale.

13. Së paku, besohet se për gjërat që nuk i di do të pyesë të tjerët.

14. Për shkak se ajo i do kosovarët dhe u beson atyre dhe kosovarët e duan atë, sepse është e pakorruptueshme.

15. Për shkak se në dekalogun e saj gjithkush është i përfshirë.

16. Sepse ajo synon ta instalojë përgjegjësinë në udhëheqje dhe nëse LDK-ja i humb zgjedhjet do ta lërë drejtimin e partisë.

17. Për shkak se çdo javë ajo lexon një libër dhe blen lule.

18. Dhe Kosova ndien mungesë të qytetarëve të ditur në pushtet.

19. Sepse në pushtet janë ngjitur qytetarët më të këqij. Kakistokracia.

20. Për shkak se populli, në emër të të cilit është shkruar Kushtetuta, duhet mbrojtur nga një Enver Hasan i ardhshëm si gardian i saj.

21. Për shkak se nuk e mallkon popullin si paraardhësi i saj - lideri aktual!

22. Sepse kur ajo do të shkojë jashtë shtetit nuk do ta shohin vetëm si kukull (grua udhëheqëse në një vend patriarkal), por do ta dëgjojnë se çfarë thotë…

23. Sidomos në Amerikë.

24. Për shkak se ajo do t’i mbrojë kosovarët prej armikut më të madh: fabrikimit të armiqve dhe të votave.

25. Sepse është ca mbi peshë, por elegante.

26. Ajo e di se si i shërbehet atdheut, por më parë e di se cili është atdheu real dhe nuk vrapon pas një atdheu fiktiv sikur pas fluturave të kaltra, si një Avatar…

27. Dhe ne me të vërtetë kemi nevojë për më shumë kohë për të gjetur nëse Kosova është shtet i pavarur dhe që duhet të bëjë miq nga fqinjët!?

28. Për shkak se ajo zotohet se nuk do të marrë asnjë vendim pa diskutim serioz dhe të gjatë me anëtarësinë e LDK-së.

29. Për shkak se për të dhembshuria ndaj njerëzve të dobët është një gjendje konstante, sepse është një nënë e mrekullueshme e dy vajzave binjake. Siç është e shenjtë çdo nënë tjetër.

30. Dhe është zemërmirë, pa dyshim…

31. Për shkak se kjo është vajza që do t’u përgjigjet thirrjeve tona telefonike (numrit të shoqërisë civile për antikorrupsion.)

32. Për shkak se ajo është e lindur për t’u ngjitur në majë të lidershipit për ta rikthyer etikën e pushtetit, sepse politika pa moral është nëntokë.

33. Dhe për shkak se ne kemi për ta mbajtur atë për fjale – gjithmonë në luftë për drejtësi.

Sepse ajo vetë ka premtuar: “Mbajtjen e fjalës”

Në vend të post scriptum

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) imponohet si temë jo vetëm për arsyet se është një aset politik i kosovarëve dhe paraqet një trashëgimi të pasur politike (parti që e ka krijuar Ibrahim Rugova me Fehmi Aganin e bashkëmendimtarët e kohës), porse edhe për arsyen se është në koalicion qeverisës me kundërshtaren e saj më të madhe, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe se këto ditë po e zhvillon procesin e zgjedhjeve të brendshme, nga të cilat do të dalë lidershipi i ri i partisë.

LDK-ja ose duhet të angazhohet për një reformë të thellë të brendshme dhe në rrafshin e shtetndërtimit, ose do ta ketë fatin e partive historike të shqiptarëve, si p.sh. atë të Ballit Kombëtar, për të shkuar në histori pa asnjë shans të ringjalljes.

LDK-ja, së pari, duhet të shndërrohet në parti normale politike, konkurruese me të tjerat dhe ta heqë përfundimisht aurën e lëvizjes kombëtare, si dhe të pushojë së shituri në publik kinse flijimin e saj për hir të Kosovës!?

Po ashtu, LDK-ja duhet të angazhohet për reformë politike brenda vetes dhe në rrafshin e shtetndërtimit, për kosovacentrizëm (besnikëri e lojalitet ndaj Republikës së Kosovës) modernizim, emancipim dhe perëndimorizim të shoqërisë kosovare dhe jo për idetë e Rilindjes së shekullit 19 dhe për turbopatriotizëm (porn-folk) të shekullit 20 që e fashistizoi Serbinë.

Derisa zgjedhjet e brendshme partiake në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) janë në rrjedhë e sipër, mund të thuhet që tani se në kampin e partisë së Ibrahim Rugovës vërehet kalbëzimi ideologjik dhe politik, me vetë faktin se po rikthehen disa figura të së kaluarës që nuk i kanë dhënë vendit ndonjë ide apo vepër për t’u mbajtur mend. Pra, mendësia nacionalromantike po rikthehet dhe po stabilizohet në këtë parti, e cila pati shansin ta braktisë të kaluarën, jo si trashëgimi politike, por si manual për të sotmen dhe të ardhmen e kësaj partie.

Në LDK po zhvillohet një garë demokratike (dhe për këtë duhet lavdëruar edhe Isa Mustafën) jo vetëm për konsolidimin e strukturave të partisë, por edhe për një lidership të ri, mirëpo me gjasën që të mbetet ai i vjetri, ngase Isa Mustafa nga pozita e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës i ka të gjitha resurset në dispozicion dhe strukturat e partisë do ta dizajnojnë Kuvendin zgjedhor në atë mënyrë që shefi të mbetet shef!?

Sidoqoftë, gara në LDK vlerësohet demokratike (ndonëse Isa Mustafa është zgjedhur delegat në Kuvendin zgjedhor me aklamacion) dhe shembull i mirë për partitë e tjera se si duhet iniciuar garën e brendshme demokratike dhe fer me disa kandidatë.

Duket se në garën për lider partie do të hyjnë kryetari aktual i saj, Mustafa, ish- sekretari i përgjithshëm i partisë (në kohën e Rugovës) dhe pasuesi i presidentit historik të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Arben Gashi, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe me gjasë edhe deputetja Vjosa Osmani, e cila, ndonëse vlerësohet të jetë gruaja më e fuqishme për nga profili intelektual në parti, e ka më së vështiri, sepse strukturat e vjetra të partisë, që po rikonfirmohen nëpër degë, do ta ndajnë mejdanin mes ish-kryetarit Sejdiu dhe kryetarit aktual Mustafa.

Sidoqoftë, Mustafa do të ketë konkurrencë e pra edhe presion të shtuar dhe kjo atë ose e nxjerr nga loja si të humbur në një garë demokratike, ose e fuqizon në parti si lider të fuqishëm.

Zonja Osmani e ka të vështirë, sepse shumica e elektoratit naiv kosovar voton jo për partinë ose ideologjinë dhe reformat modernizuese, por për një “hyqymet”, pra për pushtetin klientelist, që e konsiderojnë se është i tyre, e që në fakt nuk është, sepse ky pushtet është kamikazllëk i disa krerëve të LDK-së për ta shpëtuar nga vdekja e sigurt politike PDK-në e Hashim Thaçin, për ta rehabilituar SHIK-un, pa u përballur me të vërtetën dhe për të mos i sjellë para drejtësisë atentatorët politikë dhe eksponentët e linjës terroriste-enveriste në skenën politike kosovare.

Duket se strukturat e kalbura dhe jointeligjente, pra fundësisht mendjekorruptuara të LDK-së, që jetojnë dhe frymojnë me idetë nacionalromantike të shekullit 19, duke qenë të konvertueshme lehtë, kanë shkelur mbi idetë liberal-demokratike të themeluesit të saj Ibrahim Rugova dhe e kanë marrë mbi supe barrën e rehabilitimit të haraçxhinjve e njerëzve të fuqishëm me alltia, që sillen si vrasës serikë nëpër Kosovë, jashtë kontrollit të shtetit, pra mbi ligjin.

Mirëpo elektorati i gjerë i LDK-së (elektorati i përgjumur dhe i zhgënjyer) po rizgjohet, pra është krijuar një frymë mobilizuese për ta nxjerrë Vjosa Osmanin fituese të kësaj gare.

Pra, ky elektorat i zhgënjyer besohet se do t’u kundërvihet strukturave demagogjike dhe lehtë të konvertueshme për ta bërë diferencën ndërmjet liderëve të së shkuarës dhe liderëve për një Kosovë evropiane si Osmani, e cila, ndonëse është pa konkurrencë më e afta, mjerisht nuk i ka në krah njerëzit e fuqishëm të partisë, mendërisht të kastruar.

Megjithëse ka një popullaritet të madh tek të rinjtë, megjithatë ajo nuk do të zgjidhet në rrjetet sociale por në një forum partiak, që ende duket i papërgatitur për ta vënë në ballë të LDK-së një lidere të shekullit 21.

Porse Vjosa Osmani, edhe nëse nuk e fiton këtë garë, mbetet një grua e guximshme, një lidere që i duhet politikës kosovare…

© KOHA

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...