Shansi për një Maqedoni të qytetarëve të barabartë

21 Maj 2015 - 08:52 - Enver Robelli      

Gati për 25 vjet si shtet i pavarur Maqedonia ka mbajtur pak a shumë qëndrim racist ndaj shqiptarëve. Ky vend ka vrarë njerëz në Tetovë vetëm pse kanë kërkuar shkollim të lartë. Sot në Shkup sundon një kryeministër i dyshuar për krime të llojllojshme – ndaj shqiptarëve dhe ndaj maqedonasve sllavë. Për shqiptarët është e tmerrshme që liderët e tyre politikë janë shndërruar në argatë të Gruevskit – prej vitesh. Kjo politikë kuislingësh të korruptuar duhet të fundoset. Ka ardhur koha për një mobilizim të madh të shqiptarëve nga Kumanova në Strugë

Ende pa u inauguruar përmendoret e Nikola Gruevskit, me të cilat synonte t’i jepte Maqedonisë dhe sidomos Shkupit një identitet të shpifur antik, këto ngrehina kanë nisur të rrëzohen. Së paku në mënyrë simbolike. Këtë e demonstroi protesta e së dielës kundër kryeministrit maqedonas, i cili prej një politikani shpresëdhënës para një dekade është shndërruar në imitues të diktatorit bjellorus, Aleksandar Lukashenko.

Për herë të parë në historinë e Maqedonisë së pavarur në një tubim kaq të madh publik maqedonasit sllavë i mirëpritën folësit shqiptarë. Nuk fishkëlleu askush kur një studente dhe një aktivist i shoqërisë civile folën shqip. Nuk u dogjën flamuj shqiptarë. Nuk u bënë thirrje për therje shqiptarësh. Nuk u panë flamuj jeshilë, as nuk u dëgjuan çirrje në përkrahje të qeverisë turke, e cila mohon gjenocidin osman kundër armenëve. Nuk u panë në protestë as disa imamë të korruptuar, të cilët ditën predikojnë nga Kurani, por natën lëpijnë në çanakun e hasreti Nikolës, duke e quajtur madje shenjtor.

Ata shqiptarë që dolën të protestojnë në Shkup përkrah maqedonasve kundër një regjimi që mund të quhet edhe diktatorial meritojnë respektin dhe përkrahjen e të gjithë bashkëkombësve të tyre – në Shqipëri, në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi.
Për fat të keq pjesëmarrja e shqiptarëve në protestën e së dielës në Shkup ishte pak më shumë se simbolike – e do të duhej të ishte masive. Shqiptarët e Maqedonisë nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj protestave në Shkup, sepse të drejtat e tyre mund t’i realizojnë duke i bërë aleatë ata maqedonas që duan një shtet me qytetarë të barabartë.

Numri i maqedonasve të tillë po rritet. Shqiptarët kanë dy rrugë: ose të bëhen faktor politik në Maqedoni, ose të vazhdojnë të ëndërrojnë për bashkim me Shqipërinë e Kosovën. Ëndrrat janë të bukura, por e keqja e tyre është që sapo të dalë gjumi përballesh me realitetin. Politikanët – dhe qytetarët - që rrinë duarkryq në pritje të bashkimit të “Iliridës me kombin lavdimadh shqiptar” mund të jenë interesantë për ndonjë shfaqje teatrale në Butrint, por jo për politikë efikase.
Protestat në Shkup po mbështeten hapur nga ambasadat e vendeve që gjatë tri dekadave të fundit i kanë përkrahur shqiptarët kudo në Ballkan për të realizuar të drejtat e tyre.

Shqiptarët nuk mund ta injorojnë as këtë fakt. Partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni po qëndrojnë indiferente ndaj zërit protestues qytetar. Pse? Sepse qytetarët atje (dhe jo vetëm atje) trajtohen vetëm si “kafshë me të drejtë vote”. Shqiptarët nga Kumanova në Strugë duhet të mobilizohen dhe urgjentisht të themelojnë një parti të re, duke i hedhur të vjetrat në bërllok. Partitë e etabluara politike të shqiptarëve nuk e kanë arsyetuar ekzistencën e tyre, përveçse si degë të stërzgjatura të sistemit klientelist të Nikola Gruevskit. Pse duhet pasur shpresë se interesat e shqiptarëve mund t’i mbrojë dikush që prej një rasti social shndërrohet në milioner ose prej një “drumski razbojnik” (shqip: kusar) shndërrohet në politikan që aktivitet kryesor ka dirigjimin e kamionëve që hyjnë e dalin me mallra kontrabandë?

Një deputete e BDI-së të dielën, duke e parë përmasën e zemërimit popullor, u përpoq të kërcejë nga treni i Nikola Gruevskit. Ajo tentoi të shfajësohej, duke thënë se ka votuar për këtë qeveri, sepse paskësh besuar se “do të anëtarësohemi në NATO”, “do të nisim negociatat për UE” (mendon Bashkimin Evropian), “do të realizojmë premtimet për barazi të plotë”, “do të rikthejmë vlerat e demokracisë”. Asgjë nga këto premtime, sipas deputetes, nuk është realizuar. E përse BDI-ja ka qëndruar në qeveri?

Se Gruevski po e izolon vendin shihet prej vitesh. Se imazhi i vendit është rrënuar – dihet prej vitesh. Se Gruevski nuk respektoi parimet e bashkëqeverisjes etnike – edhe kjo është vërejtur nga avioni. Se Marrëveshja e Ohrit është tkurrur – është sekret publik. Qëndrimi i BDI-së në pushtet ndërlidhet me përfitimet nga sistemi klientelist i Gruevskit. Ka diçka edhe më tragjike këtu: sikur të largohej BDI-ja, në prag do të priste për t’u bërë aleat i Gruevskit vetë Menduh Thaçi, një hajdut transballkanik.

Gati për 25 vjet si shtet i pavarur Maqedonia ka mbajtur pak a shumë qëndrim racist ndaj shqiptarëve. Ky vend ka vrarë njerëz në Tetovë vetëm pse kanë kërkuar shkollim të lartë. Sot në Shkup sundon një kryeministër i dyshuar për krime të llojllojshme – ndaj shqiptarëve dhe ndaj maqedonasve sllavë. Për shqiptarët është e tmerrshme që liderët e tyre politikë janë shndërruar në argatë të Gruevskit – prej vitesh. Kjo politikë kuislingësh të korruptuar duhet të fundoset. Ka ardhur koha për një mobilizim të madh të shqiptarëve nga Kumanova në Strugë.

Dhe ky mobilizim duhet të nisë nga Shkupi, jo nga kasabatë rajonale. Tetova, Gostivari, Kumanova, Struga, Kërçova, Manastiri janë qytete të rëndësishme të shqiptarëve të Maqedonisë, por qendra është Shkupi dhe aty duhet ta kenë selinë edhe partitë shqiptare. Sikur para një shekulli shqiptarët të kishin më shumë udhëheqës politikë si Hasan Prishtina, Shkupi sot do të ishte kryeqytet i një shteti shqiptar, ndërsa Vlora një port i parëndësishëm dhe Tirana një katund tyxharësh. Por nuk është punë e dobishme tani të lëpihen plagët e së kaluarës. Duhet vepruar tash – për të drejta të barabarta të shqiptarëve në një Maqedoni properëndimore, e cila e pranon multietnicitetin.

Në këtë betejë shqiptarët e Maqedonisë duhet të mbështeten në potencialin e tyre dhe të mos kenë shumë shpresa se mund të kenë përkrahje nga politikanët në Tiranë apo Prishtinë. Ilir Meta, po ashtu një hajdut transballkanik, kurrë nuk do ta përkrahë një parti politike shqiptare në Maqedoni, e cila u shërben qytetarëve dhe jo kamionëve me mallra kontrabandë – si partia e Menduh Thaçit, për shembull. Është iluzore po ashtu që shqiptarët e Maqedonisë të kenë shpresa se Edi Rama mund të bëjë mrekulli, kur atij i është dashur të bëhet kryeministër i Shqipërisë për të kuptuar dallimin mes Gostivarit dhe Gjakovës.

Në një kohë shumë idealistë dhe edhe më shumë budallenj nga Kosova besonin se sapo të fillojë kryengritja kundër Jugosllavisë “shoku Enver” do ta prekë sustën e bombës atomike dhe të nesërmen do të zgjohemi të lumtur e krenar derisa kafenë e mëngjesit do të na e servojë vetë Donika Kastrioti. U deshën gati 50 vjet luftë legale e “ilegale” e shqiptarëve në Kosovë për ta bërë Kosovën shtet dhe bomba e “shokut Enver” mbeti vetëm ëndërr e ëndërruar pranë radios “Grundig”, prej së cilës jehonte propaganda për Shqipërinë si “fanar i komunizmit” në botë dhe ndonjë këngë e Dervish Shaqës. Edhe më pak duhet të presin shqiptarët e Maqedonisë nga e ashtuquajtura elitë politike e Prishtinës.

Ata politikanë që vijnë nga ish-UÇK-ja e admirojnë Gruevskin që arriti të sundojë me metoda kriminale. “Pronto-politikanët” e Prishtinës janë adhuruesit më të mëdhenj të aferës së përgjimit në Maqedoni. Madje modeli maqedonas duket se shërbeu si inspirim edhe në bisedat mes protagonistëve të aferës “Pronto” në Prishtinë, për shembull kur Hashim Thaçi e quante Jakup Krasniqin “Jakupovski”. Shkupi për “pronto-politikanët” e Kosovës është vetëm stacion për kurdisje të ndonjë tenderi në bashkëpunim me biznesmenë kriminalë nga Tirana – asgjë më shumë.
Shansi për një Maqedoni të qytetarëve të barabartë ekziston tani, por ky shans edhe mund të dështojë nëse opozita maqedonase, në fakt nëse të gjithë maqedonasit sllavë nuk e kuptojnë se pa shqiptarët nuk ka Maqedoni, aq më pak me diskriminimin e tyre të përhershëm. Nëse maqedonasit duhet të mësojnë diçka nga protesta e së dielës, atëherë këtë: asgjë në histori nuk është statike, siç e tregoi fjalimi i politikanit bullgar dhe ish-kryeministrit Sergej Stanishev.

Në shekullin e 20-të Bullgaria shpeshherë ka mohuar ekzistencën e kombit, gjuhës dhe identitetit maqedonas. Të dielën Stanishev erdhi si politikan i një vendi të anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe bëri thirrje për rezistencë qytetare kundër regjimit të Nikola Gruevskit. Kohërat kanë ndryshuar falë integrimeve evropiane. Këtë duhet ta kuptojë edhe lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev. Prej tij nuk kërkohet që të mësojë shqip në dy-tre vjetët e ardhshëm, por së paku të kuptojë se Maqedoninë do ta gllabërojnë ujqit nëse nuk garanton barazinë e plotë të shqiptarëve. Urrejtja ndaj shqiptarëve nuk duhet të jetë konstantë e identitetit shtetëror maqedonas. Nga ana tjetër edhe shqiptarët duhet të braktisin rolin aspak të këndshëm të viktimës së përhershme dhe të shndërrohen në qytetarë që luftojnë për të drejtat e tyre. Ajo që vlente para një shekulli, kur heroi maqedonas Goce Delçev thoshte: “Nuk do të lejojmë që të tjerët të vendosin nëse ne maqedonasit duhet të jetojmë apo vdesim.

Gjaku i popullit është i çmuar dhe ne nuk duam të çlirojmë kufoma, por një popull të gjallë, i cili jeton dhe lulëzon” – pikërisht kjo duhet të vlejë edhe sot për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Delçev u vra nga pushteti osman dhe kënga popullore maqedonase e kujton edhe sot: “Mauzeri turk / e martoi heroin Delçev / me nusen e re Maqedoni / këtë vend të errët, të skllavëruar”. Maqedonia i ka dy rrugë para vetes: ose të vazhdojë martesën me krimin e organizuar e korrupsionin e Gruevskit dhe shërbëtorëve të tij shqiptarë, ose të niset me ngulm drejt integrimeve evropiane duke lënë pas skllavërinë.
robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...