Grupi i Kumanovës shpëton Maqedoninë

17 Maj 2015 - 08:11 - Brikenda Rexhepi      

Në horizont po shihet një fund. Ai o është i Gruevskit, o i Maqedonisë. Nëse është i Gruevskit, Maqedonia duhet t’ia nisë jo nga zeroja, por nga minusi. Pra, së pari me shkatërrimin e miteve fizike dhe psikike. Pavarësisht kush bie, shqiptarëve të Maqedonisë u duhet një revolucion i brendshëm, një alternativë e qytetëruar politike

Të gjithë mund ta gjykojnë grupin e Kumanovës: mënyra, koha, vendi... krejt të gabuara. Por, ky grup (idealistët dhe të tjerët brenda tij) zor se do të ekzistonte në një Maqedoni ndryshe. Dhe përderisa të gjithë tani vrapojnë për ta dënuar grupin, shteti i Maqedonisë, nëse do t’i mbijetojë vetvetes, dikur do ta kuptojë që Kumanova ka qenë një alarm shpëtimi. Një “vlerë e shtuar” demaskimit të pushtetit nga përgjimet e nxjerra nga opozita. Një shkundje e shoqërisë së hipnotizuar maqedonase dhe e bashkësisë neglizhente ndërkombëtare.

Pra, nëse mbijeton Maqedonia, ky grup do të çmohet – një përmendore mund t’i ngrihet – edhe pse qëllimin e ka pasur tjetër. Avokatët e të arrestuarve kanë thënë se grupi ka synuar të drejtat e shqiptarëve dhe presionin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Por, ajo që ndodhi menjëherë të hënën ishte diçka më e madhe.

Presioni përfshiu të drejtat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë - diçka që atyre do t’u merrte shumë mund për ta nxitur. Lëvizën Amerika, Franca, Italia, Britania, Gjermania dhe tërë Bashkimi Evropian. Vunë në pikëpyetje përkushtimin e Gruevskit ndaj demokracisë: Dështimi i vazhdueshëm për të demonstruar këtë përkushtim me veprime konkrete do ta cenojë përparimin drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.

Treguan se Maqedonisë nuk po i prish punë më veç emri për t’u integruar në shoqëri të civilizuara. Edhe pse u nxor nga ambasadorët, diskursi i reagimit nuk qe shumë diplomatik. Madje, u përmbyll në formë udhëzuesi për qytetarët: “...mbështesim plotësisht të drejtën themelore demokratike të qytetarëve për t’u tubuar dhe për të protestuar qetë...” Si dhe udhëzues edhe për të dyja palët, qytetarët e policinë: “... refuzimi i veprimeve agresive ndaj bashkëqytetarëve – qofshin ata policë apo demonstrues – është gjëja e duhur...”

Bashkësia ndërkombëtare po përpiqet që shoqërinë ta vetëdijesojë se është duke jetuar në vitin 2015 dhe se ka shumë arsye për ta ngritur zërin. Po përpiqet t’ia hapë sytë pas shumë vjetësh kontrolli e manipulimi nga një pushtet që ka shtrënguar në grusht gjykatat e mediat, që po ngrihet mbi një identitet inekzistent dhe që po nxit urrejtje ndëretnike si mënyrë e ruajtjes së pozitës.

Po kërkohet një shoqëri e 2015-s në një shtet të udhëhequr nga një mendësi e shekullit të kaluar. Mendësi që gjeti mënyrën për ta ndalur hovin e protestave pas përgjimeve të publikuara nga opozita dhe për të shtyrë nxjerrjen e paralajmëruar të përgjimeve rreth rastit “Monstra”. Qeveria e Gruevskit dhe Ahmetit e ka pranuar se ka kohë që është në njohuri për lëvizjet e grupit të armatosur dhe natyrisht e ka ruajtur goditjen për momentin e duhur. Vëmendja, së paku përkohësisht, është shpërqendruar dhe, meqë gjendje e jashtëzakonshme, rreth një tavoline janë ulur pozita e opozita. Gruevski është zbutur, por jo aq sa dëshiron kryeopozitari Zaev, i cili në dorë ka kartën që po demaskon gradualisht pushtetin diktatorial.

Në horizont po shihet një fund. Ai o është i Gruevskit, o i Maqedonisë. Nëse është i Gruevskit, Maqedonia duhet t’ia nisë jo nga zeroja, por nga minusi. Pra, së pari me shkatërrimin e miteve fizike dhe psikike, e pastaj t’u bashkohet përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për ngritjen e një shoqërie njëmend të shekullit 21.

E për shqiptarët duhet të ketë edhe më shumë.

Ata qysh tani duhet të insistojnë në publikimin e përgjimeve rreth rasteve të montuara politikisht. Gjashtë shqiptarë janë dënuar vjet me burg të përjetshëm në rastin “Monstra” për vrasjen e pesë maqedonasve, në një proces gjyqësor që nuk ka pasur për qëllim gjetjen e vrasësve të vërtetë. Raste të montuara dhe të trajtuara njëjtë janë edhe Sopoti i 2003-s dhe Brodeci i 2007-s, por edhe likuidimet e pasqaruara të shumë ish-ushtarëve të UÇK-së pas 2001-s.

Dhe po ashtu qysh tani, pavarësisht a bie Gruevski a Maqedonia, shqiptarëve të Maqedonisë u duhet një revolucion i brendshëm. Ata më së shumti po i vuajnë pasojat e mungesës së alternativave të reja politike, që janë të qytetëruara e intelektuale, që nuk janë arrogante as të manipuluara.

brikenda@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...