Tribunali i ri e çliron dhe e shpëton Kosovën

4 Prill 2014 - 09:26 - Enver Robelli      

Krimet janë kryer, vrasësit dhe urdhërdhënësit nuk janë dënuar. Bashkësia ndërkombëtare po bën një përpjekje të re që t’i jepet fund kësaj situate të patolerueshme në Kosovë. Për këtë dhe miliona arsye të tjera duhet mbështetur themelimin e Tribunalit të ri për trajtimin juridik të krimeve të luftës. Tribunali duhet ta ketë selinë jashtë Kosovës për të shmangur rrezikun e ndikimit mbi të nga nëntoka politike kosovare, e cila vret e pret dëshmitarë

Disa njerëz në Kosovë, kryesisht politikanë e patriotë të rrejshëm, mashtrues të pasuruar ilegalisht nga arka e shtetit, të ashtuquajtur gazetarë që shiten në pazarin e marrëzive, armiq të përbetuar të drejtësisë dhe të sundimit të ligjit, kur bëhet fjalë për bashkëkombës, me një fjalë: një shpurë mjaft e çakërdisur po e sheh të nevojshme të deklarohet kundër themelimit të një Tribunali ndërkombëtar, i cili do të merrej me gjykimin e rasteve të rënda, siç janë krimet e luftës.
Kush i kundërvihet drejtësisë ka diçka për të fshehur. Kush s’dëshiron të dëgjojë për krimet është cinik.

Që nga përfundimi i gjakderdhjes në Kosovë më 1999 më së shumti në këtë shoqëri ka lulëzuar cinizmi ndaj viktimave. Nëse bëhet fjalë për viktima të nacionaliteteve të tjera, atëherë duhet mohuar gjithçka, thonë patriotët e rrejshëm. Nëse bëhet fjalë për viktima nga radhët e oponentëve politikë shqiptarë, duhet heshtur po ashtu, thuhet më tutje në kanalet e propagandës kuazipatriotike. Viktimat kryesisht shërbejnë për pazare politike. Kjo ligësi duhet të marrë fund, një herë e përgjithmonë.

Kush nuk i jep fund padrejtësisë, ai është urdhërdhënës i saj. Këtë e ka thënë perandori romak Mark Aureli para dy mijë vjetësh. Vlen pa asnjë fije dyshimi edhe sot. Nëse individët, qofshin ata edhe me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë kryer krime, përse shoqëria të bartë këtë njollë të shkaktuar prej tyre? Pse Kosova të shikohet si “bursë veshkësh”? Përse të përfaqësojnë popullin e Kosovës persona që dyshohet se kanë kidnapuar, torturuar apo vrarë njerëz të pafajshëm?

Gjyqësori i Kosovës nuk e ka zbardhur deri më tani asnjë rast të krimeve të rënda që janë kryer gjatë luftës. Madje edhe në rastet kur gjykatësit vendorë ishin detyruar të uleshin në trupat gjykues bashkë me gjykatësit e EULEX-it, ata ose e mbanin kokën ulur ose distancoheshin nga dënimet kur bëhej fjalë për raste të profilit të lartë, siç dëshmon rasti i gjyqtarit Rrahman Ratkoceri, i cili qe distancuar nga dënimi i shpallur ndaj të ashtuquajturit “Grup i Llapit”. Jo vetëm ky rast tregon se Tribunali i ri ndërkombëtar duhet të themelohet sa më shpejt. Atë ditë kur Tribunali fillon punën do të fillojë edhe çlirimi i vërtetë i Kosovës nga kriminelët që janë maskuar me kostume e kravata dhe i kanë pushtuar forumet politike.
Krimet kanë ndodhur, andaj duhet të ketë edhe procese gjyqësore. Ka pasur kampe apo “qendra ndalimi” në shumë pjesë të Shqipërisë Qendrore dhe Veriore.

Këto kampe i kanë “mirëmbajtur” figura që krekosen si prijës të UÇK-së dhe si “çlirimtarë”. Viktimat që kanë mbijetuar dhunën në Cahan (për shembull) kanë folur publikisht. Por, për fat të keq, dhjetëra viktima nuk kanë guxuar të flasin ende për shkak të frikës, për shkak të kërcënimeve, për shkak të rrezikut se “dikush” mund t’i vrasë apo t’i shtyjë të bëjnë vetëvrasje. Të gjitha këto kanë ndodhur, pra janë vrarë e frikësuar dëshmitarë - dhe në Kosovë ka ende njerëz, sigurisht njerëz tepër të këqij, që bërtasin pa argumente kundër themelimit të Tribunalit. “Sipas hetuesve disa nga 40 njerëzit e keqtrajtuar në Kukës u arrestuan nga UÇK-ja në Durrës”, nënvizohej para disa vjetësh në një raport të BBC-së. Ky mediumin prestigjioz njoftonte se në “konfliktin e viteve 1998-99 hotel “Drenica” (në Durrës, v.j.) ishte qendër e çdo gjëje – ai ishte shtab i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Për çudi kundër Tribunalit të ri deklarohen sidomos ata që ditë e natë e terrorizojnë opinionin duke u përbetuar se “respektojnë Amerikën dhe sistemin e saj demokratik e juridik”. Tani kemi një prokuror amerikan, Clint Williamsonin, i cili nga zyra e tij në Bruksel po heton dyshimet për krime të kryera nga eksponentë të UÇK-së. Hetimet tani gati me siguri do të çojnë në ngritje aktakuzash kundër personave të nivelit të lartë politik, që pjesëmarrjen në luftën e UÇK-së e kanë (keq)përdorur për t’i ushqyer instinktet e tyre të ulëta dhe për ta njollosur idenë e çlirimit të Kosovës. Nëse ndodh ngritja e aktakuzave, atëherë pjesërisht ose në pjesën më të madhe do të konfirmohen pretendimet që kishte ngritur në raportin e tij kompleks i dërguari i Këshillit të Europës, Dick Marty. Atëherë do të jetë me rëndësi të shihet se ç’do të thonë ata që me çdo mjet përpiqeshin ta diskreditonin ish-prokurorin zviceran.

Diskreditimi i drejtësisë ndërkombëtare e dëmton zhvillimin e Kosovës drejt një demokracie funksionale. Kosova s’bëhet kurrë shtet demokratik dhe shtet ku sundon ligji me kryetarë komunash të akuzuar për vrasje. As me deputetë që prej vitesh akuzohen si urdhërdhënës vrasjesh. Kur bëhet fjalë për krime të rënda, për krime lufte, nuk mund të thuash “e dua Amerikën”, por prokurori Williamson “është antishqiptar”. Këto ditë me nënton pseudopatriotik është shpallur antishqiptar edhe Maurizio Salustro, ish-shef i Prokurorisë Speciale të EULEX-it, i cili mbi 90 për qind të aktakuzave për krime lufte i ka ngritur për raste kur viktima kanë qenë civilët shqiptarë, përfshirë edhe gratë. Cila është arsyeja e sulmeve kundër Salustros? Thuhet se paskësh gjetur punë si këshilltar në Prokurorinë Speciale të Serbisë.

Lajmi nuk është konfirmuar ende, por edhe nëse është i saktë, përse të paragjykohet një prokuror këmbëngulës, i cili derisa punoi në Kosovë u përpoq të godasë krimin përkundër vështirësive të mëdha që ndërlidhen kryesisht me “ligjin e heshtjes” ndër shqiptarë? Nëse Salustro jep kontribut që Serbia të ketë sistem të mirë të drejtësisë, atëherë kjo do t’i ndihmojë edhe Kosovës. Më mirë të kesh fqinjë shtete me sistem funksional të drejtësisë se sa shtete ku drejtësia është instrument i pazareve politike. Kosova vetëm mund të përfitojë nëse shtetet përreth, përfshirë edhe Shqipërinë e shkretë, arrijnë të ndërtojnë një sistem të pavarur gjyqësor.

Në një takim të mbajtur më 11 dhjetor 2012 ministrat e jashtëm të BE-së kanë theksuar se bashkëpunimi me Task Forcën Hetimore Speciale të drejtuar nga Clint Williamson është kriter për Kosovën dhe se është e domosdoshme që të adresohet mosndëshkimi dhe të sigurohet llogaridhënia. Në këtë vijë është shprehur edhe shefi i EULEX-it Bernd Borchardt, i cili këto ditë tha se “ka pretendime për akuza të ashpra dhe nëse ka fajtorë për këto pretendime, atëherë duhet të gjenden kush i ka bërë këto dhe natyrisht duhet të dënohen. Sepse këto janë shumë të këqija për Kosovën dhe si të tilla duhet të pastrohen”. Kush është kundër pastrimit? Vetëm ata që janë kundër çdo përparimi në Kosovë. Kjo është pakica në Kosovë. Shumica e pafuqishme qëmoti e ka kuptuar se kriminelët s’meritojnë solidarizim, por dënim!

Meqë themelimi i Tribunalit të ri nuk mund të pengohet nga pushteti aktual kosovar, të cilit shkëlqimi i vetëm i vjen nga krimet dhe korrupsioni, është shpifur një debat anakronik mbi selinë e Tribunalit. Po kërkohet që selia të jetë në Prishtinë. Ka shumë arsye që selia e Tribunalit të jetë jashtë Kosovës. Në Prishtinë zyra e këtij Tribunali do të pengohet, sabotohet dhe shkatërrohet nga protagonistët e politikës dhe nëntokës gjysmështetërore kosovare. Në fund të korrikut 2013 shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, kishte deklaruar se në Kosovë frikësohen dëshmitarët: “Ka presion te ta që të mos dëshmojnë dhe sigurisht kjo nuk vjen nga EULEX-i. (...)

Puna jonë është po ashtu ta thyejmë mentalitetin e heshtjes, t’i inkurajojmë njerëzit që kanë dëshmi të na afrohen dhe sa më shumë fajtorë të dënohen”. A ka ndryshuar diçka pozitivisht sa i përket mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë që nga deklarata e Borchardt-it para tetë muajsh? Përgjigjja është e qartë: jo, s’ka ndryshuar.
Kosova nuk ka dhënë prova se synon një sistem të pavarur të drejtësisë. Përkundrazi: ka dyshime se pushtetarët ndikojnë në sistemin e drejtësisë dhe kundër kësaj së fundi ka protestuar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Peter Blomeyer. ”Gjykatësit dhe prokurorët nuk do të duhej të merrnin thirrje telefonike se si të veprojnë me raste”, ka deklaruar ai në një intervistë për gazetën “Zëri” në fund të janarit. A do ta shpallin pushtetarët e tanishëm edhe ambasadorin Blomeyer “armik të Kosovës”? Kosovës i duhet jo vetëm Tribunali i ri me seli në Bruksel apo në Hagë, por kjo gjykatë duhet të kujdeset që të akuzuarit që eventualisht do të marrin dënimet e merituara t’i vuajnë vitet e burgut jashtë Kosovës.

Në Kosovë ka ministra që për të burgosur të caktuar hapin dyert e burgut madje edhe natën. Ka edhe të akuzuar për krime të rënda që rregullisht dalin nga burgu dhe zhvillojnë vizita dëfryese në rajonet prej nga rrjedhin. Kjo është gjendja e vërtetë dhe e tmerrshme sot në Kosovë sa i përket drejtësisë. Andaj, qytetarët e Kosovës duhet të mbështesin pa asnjë rezervë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për nxjerrjen e çdo krimineli para drejtësisë. Bashkësia ndërkombëtare e ka vërejtur se me këtë kastë politike Kosova nuk është në gjendje të trajtojë si duhet asnjë rast të rëndë të krimeve të luftës dhe të korrupsionit.

Derisa Tribunali i ri do të merret me akuzat e ngritura nga Dick Marty dhe me gjetjet e prokurorit Clint Williamson, për Kosovën është me rëndësi jetike që EULEX-i të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë dhe të godasë pamëshirshëm të dyshuarit për krime e korrupsion.

robelli@bluewin.ch
 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...