NATO-ja dhe BE-ja janë bashkëfajtore për situatën në Maqedoni

13 Maj 2015 - 08:26 - Augustin Palokaj      

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja aq shumë energji dhe vëmendje kanë investuar në “çështjen e emrit”, saqë për vite kanë injoruar problemet e vërteta të cilat janë shtuar në Maqedoni. NATO-ja dhe BE-ja kanë treguar pafuqi kundër një bllokade joracionale greke dhe, në anën tjetër, kanë heshtur ndaj degradimit të demokracisë dhe korrupsionit në Maqedoni. Tash kemi edhe rastin e fundit në Kumanovë, për të cilin nuk dihet se çfarë saktësisht ka ndodhur. Edhe po të vërtetohet gjithçka, do të ketë shumë që nuk do të besojnë, sepse është krijuar një situatë ku askush askujt në Maqedoni nuk i beson. E as që dikush nga Maqedonia i beson BE-së, ndërsa edhe në BE pak kanë besim tek liderët politikë të Maqedonisë, shqiptarë dhe maqedonas

Një gjë duhet sqaruar që në fillim: asnjë fajësim i organizatave ndërkombëtare për situatën në ndonjë prej vendeve të Ballkanit nuk duhet të kuptohet si shfajësim i vendësve, i elitave politike, qeverive, gjykatave dhe organeve të tjera të pushtetit. Sikur vendësit të ishin në rregull, sikur shtetet të ishin normale, atëherë këto shtete dhe ky rajon nuk do të ishin fare objekt i angazhimit të tyre. Dhe tash, duke pasur parasysh këto konstatime të mësipërme, të merremi me përgjegjësinë e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian për situatën e sotme në Maqedoni, e cila ilustron edhe situatën e brishtë në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ky rajon është vendi ku BE-ja dhe NATO-ja kanë pasur një angazhim dhe prani të gjatë që nga fillimi i procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Me vendet e rajonit ka zhvilluar raporte përmes një procesi përafrimi me qëllim që ai të përmbyllet një ditë me integrimin e plotë të këtyre shteteve në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Maqedonia ishe e para e cila ishte nisur në këtë rrugë. E para pati programin PHARE të BE-së, e para Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e para edhe Programin e Partneritetit për Paqe me NATO-n, e para kishte përmbyllur negociatat për liberalizimin e vizave. Sot Maqedonia është e fundit në procesin e zgjerimit të BE-së nga vendet të cilat kanë kërkuar anëtarësim. Kosova dhe Bosnjë - Hercegovina nuk kanë aplikuar për anëtarësim dhe nuk mund të krahasohen këtu. Kur Kroacia kishte nisur procesin e Stabilizim-Asociimit në vitin 2000, zyrtarët kroatë kërkonin këshilla nga kolegët e tyre nga Maqedonia. Sot Kroacia është anëtare e BE-së dhe NATO-s, ndërsa Maqedonia ndodhet e bllokuar. Në BE Maqedoninë e kanë tejkaluar në proces edhe Mali i Zi dhe Serbia.

Me Maqedoninë NATO-ja dhe BE-ja e kishin nisur mirë, madje edhe kur u arrit Marrëveshja e Ohrit, e cila me ndërmjetësimin e BE-së dhe NATO-s shënoi përfundimin e konfliktit. Ky ishte një sukses i këtyre dy organizatave, sepse, siç thonë vetë dëshmitarët e atëhershëm, e parandaluan përshkallëzimin e konfliktit dhe ky ishte një shembull i angazhimit parandalues të tyre.

BE-ja dhe NATO-ja e ndihmuan Maqedoninë që të ruajë paqen e brendshme, duke punuar edhe me partitë politike të shqiptarëve, ndihmuan edhe në ruajtjen e një baraspeshe ndëretnike. Me shpejtësi arriti edhe përmbylljen e procedurave në procesin e integrimeve. Kështu Maqedonia shpejt erdhi tek dera e hyrjes në NATO dhe mori statusin e vendit kandidat për në BE. Por pasoi një bllokadë e plotë nga ana e Greqisë, e cila përdor të drejtën e vetos si në NATO ashtu edhe në BE për të bërë presion ndaj Maqedonisë që të pranojë një kompromis rreth emrit të saj. Kështu në vitin 2008, NATO-ja konfirmoi se Maqedonia i ka përmbushur të gjitha kushtet për t’u bërë anëtare e kësaj Aleance, sikur edhe Shqipëria dhe Kroacia, dhe duhet ta përmbushë vetëm edhe një kusht: “zgjidhjen e çështjes së emrit”. Edhe në BE Komisioni Evropian konfirmoi se Maqedonia i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit: Por në Këshill nuk u arrit pajtimi për këtë. Prej atëherë gjërat në Maqedoni filluan të shkonin në drejtim të kundërt. Qeveria në pushtet nxiti ndjenjat nacionaliste dhe ashpërsoi qasjen ndaj çështjes së emrit. Ndërkohë filluan projektin e krijimit të “Maqedonisë më të vjetër dhe më të bukur!”. Reformat mbeten në plan të dytë, standardet demokratike shënuan rënie të mëdha. U ngadalësua edhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Se si ka funksionuar pushteti, si është keqpërdorur sistemi i drejtësisë, shihet tash nga përgjimet e bisedave të cilat po i zbardh opozita. Pa marrë parasysh se si janë mbledhur ato dhe me çfarë motivesh opozita po i bën publike, ato janë shokuese dhe dëshmojnë karakterin e këtij pushteti të Maqedonisë. Dhe tash kemi edhe rastin e fundit në Kumanovë, për të cilin nuk dihet se çfarë saktësisht ka ndodhur. Edhe po të vërtetohet gjithçka, do të ketë shumë që nuk do të besojnë. Sepse është krijuar një situatë ku askush askujt në Maqedoni nuk i beson. E as që dikush nga Maqedonia i beson BE-së, ndërsa edhe në BE pak kanë besim tek liderët politikë të Maqedonisë, shqiptarë dhe maqedonas.

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja aq shumë energji dhe vëmendje kanë investuar në “çështjen e emrit”, saqë për vite kanë injoruar problemet e vërteta të cilat janë shtuar në Maqedoni. NATO-ja dhe BE-ja kanë treguar pafuqi kundër një bllokade joracionale greke dhe, në anën tjetër, kanë heshtur ndaj degradimit të demokracisë dhe korrupsionit në Maqedoni. Kanë menduar se kryesorja është ruajtja e një stabiliteti politik ndëretnik. Por tash shihet se sa lehtë situata mund të shpërthejë dhe të nxisë tensione përsëri në tërë rajonin. BE-ja dhe NATO-ja pasi kanë investuar aq shumë në rajon në 20 vjetët e fundit, duhet ta kuptojnë se ende nuk e kanë kryer punën dhe ta çojnë deri në fund atë, përndryshe i tërë investimi do të bëhet i kotë.

Por çfarë mund të bëjnë BE-ja dhe NATO-ja? Jo shumë. Jo, sepse në këto dy organizata nuk ka më lidership politik që do të donte angazhim më të madh në Ballkan. Nuk mund të bëjnë shumë, sepse lidershipi i Maqedonisë nuk ka çfarë të humbë pos pushtetit. Nëse e humb pushtetin, ka humbur gjithçka. Në rastin e Maqedonisë BE-ja dhe NATO-ja kanë dëshmuar se nuk është i vërtetë pohimi se në proceset e integrimit gjithçka varet nga vendet kandidate. Sepse edhe atëherë kur janë plotësuar kushtet e caktuara procesi nuk ka lëvizur. Pa marrë parasysh kokëfortësinë e Greqisë, pakkush beson se ajo do të mund ta mbante kaq gjatë procesin e bllokuar sikur të kishte vërtet interes të sinqertë që Maqedonia të ecte përpara në këtë proces. “Maqedonasit janë shumë të talentuar për të humbur miqtë e tyre”, thoshte dikur një diplomat evropian, i cili ishte i irrituar me bllokadën e Maqedonisë, por thoshte se edhe sjellja e Shkupit ishte shumë iracionale. Sot në BE ekziston një interes shumë i madh për t’i ndihmuar Serbisë, por jo edhe vendeve të tjera të rajonit. Maqedonia ishte lënë në një situatë ku secilin vit përsëritej rekomandimi për nisjen e negociatave, por duke e ditur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Edhe në NATO tash e shtatë vjet vetëm përsëritet thënia se “duhet zgjidhur çështja e emrit” dhe asgjë nuk ndodh. Dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen nëse kjo që ka ndodhur nuk e zgjon nga gjumi edhe BE-në dhe NATO-n. Kjo situatë është edhe një shkollë se BE-ja dhe NATO-ja nuk mund të kritikojnë vendet e rajonit për korrupsion, të shprehin shqetësim për situata të krijuara, e në të njëjtën kohë të kenë komunikim miqësor pikërisht me ata të cilët janë fajtorë për situatën e tillë. Prandaj edhe mund të konsiderojmë si bashkëpërgjegjës.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...