Pa Britaninë BE-ja nuk do të kishte kuptimin e njëjtë

6 Maj 2015 - 08:34 - Augustin Palokaj      

Asnjëherë zgjedhjet britanike nuk janë pritur me aq interes në pjesën kontinentale të Evropës si këto të kësaj jave. Nëse fitojnë konservatorët dhe zbatojnë premtimin për referendum rreth anëtarësisë në BE për dy vjet Mbretëria e Bashkuar teorikisht mund të largohet nga Bashkimi Evropian. Me gjithë irritimin që shpesh shkaktojnë britanikët, askush në Evropë nuk do ta dëshironte largimin e këtij shteti nga BE-ja. Për Kosovën duhet thënë se pa dyshim Britania në njëzet vjetët e fundit ka qenë kampione në këmbënguljen për të mbështetur Kosovën si shtet. Por jashtë BE-së rëndësia e Britanisë edhe në Ballkan do të ishte vetëm simbolike

Britania e Madhe ka pasur fatin që të përmbushë të gjitha kushtet për anëtarësim në BE, t’i përmbyllë negociatat, por të refuzohet. Ky refuzim kishte ndodhur nga ata të cilët më së paku ishte pritur. Kishte ndodhur pikërisht nga aleatët e mëdhenj britanikë: francezët, të cilët në referendumin e thirrur nga presidenti Charles de Gaulle kishin votuar kundër anëtarësimit britanik. Më vonë ky gabim i francezëve u përmirësua dhe prej atëherë, nganjëherë me dy mendje, Britania është anëtare e BE-së, madje njëra ndër më të rëndësishmet.

Britanikët janë sot ata të cilët mendojnë të dalin nga Bashkimi Evropian. Nga aspekti ligjor një gjë e tillë më parë nuk ka qenë e mundur, por tash është e mundshme me Traktatin e Lisbonës. Sipas këtij Traktati, ashtu siç ka mundësi të aplikojë për anëtarësim një shtet evropian, ashtu edhe një shtet anëtar ka të drejtë të aplikojë për t’u larguar nga BE-ja. Dhe në rast të një kërkese të tillë, po ashtu duhet të zhvillohen negociatat për largimin e një shteti anëtar.

Një pjesë e madhe e britanikëve, sipas anketave, aty diku rreth gjysmës, janë seriozë se duan të largohen nga Bashkimi Evropian. Këto thirrje janë rritur aq shumë në vitet e fundit, saqë edhe kryeministri, lideri i konservatorëve në pushtet, David Cameron, për të ruajtur bazën e votuesve tradicionalë ka premtuar se do të organizojë referendumin për anëtarësimin e Britanisë në BE me pyetjen e thjeshtë “IN or OUT” (brenda apo jashtë) nëse fiton mandatin e dytë.

Dhe këtë javë në Britani zhvillohen zgjedhjet, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë aq interesante, sepse për herë të parë mund të shënojë ndoshta edhe sistemin pothuajse dypartiak në këtë shtet dhe të sjellë në pushtet ndonjë koalicion me më shumë se dy parti. Por këto zgjedhje për nga rëndësia tejkalojnë Britaninë.

Asnjëherë zgjedhjet britanike nuk janë pritur me aq interes në pjesën kontinentale të Evropës si këto të kësaj jave. Nëse fitojnë konservatorët dhe zbatojnë premtimin për referendum rreth anëtarësisë në BE për dy vjet Mbretëria e Bashkuara teorikisht mund të largohej nga Bashkimi Evropian. Me gjithë irritimin që shpesh shkaktojnë britanikët, askush në Evropë nuk do ta dëshironte largimin e këtij shteti nga BE-ja. Për Kosovën duhet thënë se pa dyshim Britania në njëzet vjetët e fundit ka qenë kampione në këmbënguljen për të mbështetur Kosovën si shtet.

Nganjëherë mbështetja dhe insistimi britanikë ka qenë aq të mëdhenj për Kosovën, saqë britanikët kritikoheshin nga burokratët e Komisionit se janë “më kosovarë sesa vetë kosovarët” apo “më shumë katolikë sesa vetë Papa!” Kritika të tilla kanë pasur kur insistonin që Kosova të trajtohet më shumë si shtet e në të njëjtën kohë zyrtarë kosovarë pranonin të bënin lëshime.

Sot Britania e madhe vazhdon të jetë njëra ndër aktoret kryesore edhe në Ballkanin perëndimor, kohëve të fundit, kryesisht duke bashkëvepruar me Gjermaninë, si në rastin e një nisme të re për Bosnjë e Hercegovinën, ashtu edhe në kushtëzimin e avancimit të Serbisë drejt BE-së me normalizimin e raporteve me Kosovën, dhe madje duke kërkuar dëshmi konkrete e jo vetëm raporte burokratike të Komisionit Evropian.

Largimin eventual të Britanisë së Madhe nga BE-ja nuk e duan as aleatët dhe partnerët e mëdhenj të tyre në tërë botën. Që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në Japoni Londrës i është dërguar porosi se edhe për ata fuqia dhe roli i Britanisë, në rast se ajo del nga BE-ja, do të jetë shumë më i vogël. Edhe në Ballkan sikur të gjendet jashtë BE-së roli i Britanisë do të jetë shumë më i vogël, mund të thuhet edhe simbolik, sidomos nëse vazhdohet me politikën e zgjerimit dhe realizohen edhe qëllimet për integrimin e kësaj pjese të Evropës në BE.

Është ndoshta ironike që Britania e Madhe ka qenë ndër mbështetëset më të mëdha të zgjerimit të BE-së në kohën kur për veten nuk është e sigurt nëse do të mbetet anëtare apo të dalë nga ajo. Britanikët e kanë parë gjithmonë projektin e Bashkimit Evropian si një rast të mirë për tregti, duke pranuar edhe fajin se është edhe projekt paqeje. Por thellimi gjithnjë e më i madh i integrimeve ka shkaktuar shqetësime ndër britanikët. Ata kanë arritur të kenë një status të veçantë në disa politika të BE-së, duke mbetur jashtë disa proceseve kyç të integrimeve evropiane siç janë zona e lëvizjes së lirë Schengen dhe Eurozona.

David Cameron thotë se ai nuk do që shteti i tij të dalë nga BE-ja, por do që të rinegociojë kushtet për të mbetur. Ndër kushtet që kërkojnë britanikët është edhe kufizimi i lëvizjes së lirë të fuqisë punëtore në tregun e përbashkët të punës. Britanikët besojnë se sistemi i tyre social po keqpërdoret nga shtetasit e vendeve tjera të BE-së dhe se ata, jo vetëm se po ua marrin vendet e punës, por edhe po i shfrytëzojnë beneficionet sociale të tyre.

Propagandën e tillë e ka udhëhequr kryesisht UKIP (Partia e Pavarësisë e Mbretërisë së Bashkuar), parti antiemigracionit dhe euroskeptike, e cila për secilin problem në Britani të madhe fajtore e sheh BE-në. Liderin e kësaj partie, Nigel Farage, nuk e pengon të marrë para nga BE-ja si deputet i Parlamentit Evropian dhe me to madje ta paguajë edhe bashkëshorten si asistente, e cila nuk është britanike, por gjermane. Por Farage është një komunikues, ndonëse manipulues, shume i shkathët dhe kjo është parë në suksesin e tyre në zgjedhjet për Parlamentin Evropian vitin e kaluar. Ky sukses i UKIP-it nuk i ka lënë indiferentë as konservatorët të cilët pjesërisht kanë pranuar të kenë në fushatë si temë edhe migrimin, edhe BE-në. Pak ka rëndësi që Brukseli, por edhe bizneset në Britani të Madhe, dëshmojnë me statistika se nga anëtarësimi në BE dhe nga ardhja e shtetasve nga vendet tjera Britania dhe ekonomia e saj kanë pasur dobi të mëdha. Me të gjitha problemet që ka Britania ka rritjen më të madhe ekonomike në botën e zhvilluar dhe papunësinë më të voglën.

Po ashtu nga dalja e Britanisë së Madhe vetë Britania dhe ekonomia e saj do të kishin humbje të mëdha. Por humbje do të kishte edhe BE-ja, e cila pa Britaninë e Madhe si pjesë e saj nuk do të kishte shumë kuptim.

Britanikët në insistimet e tyre që gjërat të ndryshojnë në BE do të gjejnë shumë aleatë brenda saj. Edhe sot ka pak dallim mes Britanisë së Madhe dhe Holandës në insistimin që të mos ketë më shumë bartje të fuqive nga qeveritë e vendeve anëtare në institucionet e përbashkëta në Bruksel. Edhe rreth kufizimeve të qasjes në sistemin e sigurimeve sociale dhe shëndetësore nga qytetarët e vendeve tjera, nëse ata më parë nuk kanë punuar në Britani, kanë mbështetje dhe interes edhe nga shumë vende të vjetra dhe të pasura anëtare.

Por Londra në BE, së paku nëse është për t’u besuar liderëve të institucioneve të saj dhe disa shefave të shteteve, nuk do të gjejë mbështetje për të kufizuar lirinë e lëvizjes së punëtorëve, e cila konsiderohet si njëra ndër arritjet më të mëdha të projektet të integrimeve evropiane.

Pas këtyre zgjedhjeve gjërat do të sqarohen, por tema e daljes apo jo të Britanisë së Madhe nga BE-ja do të mbetet permanente, me intensitet të ndryshëm në disa periudha kohore. Kjo ndoshta nuk do të jetë edhe diçka negative, sepse do të qëndrojë si një presion ndaj BE-së se duhet të funksionojë më mirë. Dalja e Britanisë së Madhe, që do të ishte e dëmshme për vetë Britaninë, do të ishte një goditje shumë e rëndë edhe për BE-në, e cila deri tash ka parë vetëm zgjerim, rritje të numrit të anëtarëve e asnjëherë nuk ka pasur kërkesa për të dalë.

© KOHA

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...