Tërmeti

5 Maj 2015 - 08:11 - Flaka Surroi      

Kosova ka nevojë për një tërmet që do ta shkundë atë nga diletantizmi, nga despotizmi dhe nga frika, ashtu që të dëshmohet se këndellja është e mundur. Që të vërtetohet se nisja nga zeroja mund të ndodhë disa herë në jetë, posaçërisht atëherë kur askush s’çan kokë për ty

Katastrofë pas katastrofe – kësaj radhe u drodh toka, dhe e shkatërroi një pjesë të madhe të fshatrave dhe të kryeqytetit nepalez, Katmandu. Pos vrasjes së, besohet, rreth 10 mijë njerëzve, të cilëve u humbën gjurmët sa nën rrënoja, e sa nën ortekë bore nëpër masivet malore, shkundja e tokës mori me vete edhe një pjesë të madhe të trashëgimisë kulturore. Shteti, i cili me sipërfaqe është shumë i vogël në krahasim me fqinjët (India e Kina), por që ka një dendësi shumë të madhe të popullsisë (është katërmbëdhjetë fish më e madhe se Kosova dhe ka po aq fish më shumë popullatë), burimin kryesor të të hyrave e ka turizmin. Tash, me shkatërrimin e tempujve kryesorë të qytetit, që datonin që nga shekulli i tretë i erës sonë, kryeqyteti nepalez bëhet objekt i vajtimit, jo vetëm për njerëzit që kanë humbur, por edhe për objektet arkitektonike më unikale të mbaruara prej gurit – ekzemplarë të rrallë të shkathtësisë ndërtimore.

Shumë syresh kishin qenë dëmtuar edhe gjatë tërmetit tjetër katastrofal, që e kishte goditur këtë shtet në të ‘30-at e shekullit të shkuar dhe ishin rindërtuar, duke e ruajtur së paku formën e vet autentike. Të tilla, u kishin bërë ballë të këqijave që i sjell koha, deri në ditën kur krisi kiameti. Sërish.

Dhe secila tragjedi përherë veçohet me një a dy raste që e vërtetojnë atë të vjetrën, ani se në kontekst tjetër, se njeriu është më i fortë se guri. Në rastin nepalez, djaloshi i cili mbijetoi pa dritë e ujë rrafsh 120 orë nën dhé, si dhe foshnja katërmuajshe që doli e gjallë nga rrënojat, tekstualisht e vërtetuan këtë thënie. Mbase edhe si ogur, se rrënojat, megjithatë, kanë jetë, dhe se së shpejti do të bëhen përpjekjet që tempujve të rrënuar t’u kthehet pamja e vjetër. Me a pa ndihmën e UNESCO-s.

Kush e fëlliqi

Se a ishte UNESCO-ja apo jo ajo që vendosi ta fëlliqte Hamamin e Prizrenit – këtë mbase nuk do ta kuptojmë kurrë. Sepse faji është jetim. Porse, vetëm të hënën e shkuar, duke iu falënderuar postimit të një arkitekti prizrenas në Fejsbuk, është se e kuptuam se, sipas versionit zyrtar, Hamami i Prizrenit paskësh pasur suva në mure qysh në shekullin e 16-të dhe se kishte pasur një ngjyrë të keqe pembeje. Që as nuk është e kuqe, as e portokalltë, as ngjyrë pjepri, por njëfarë ngjyre që as ai që e ka lyer me të, me siguri nuk di t’ia qëllojë po qe se i thonë që ta përziejë për shtresën e dytë.

Fakti është se Hamami, ndër objektet më të dalluara të qytetit historik, të lashtë të Jerusalemit të Thaçit, tash duket keq – duket sikur të ishte magazë çorapësh najloni, sa për të përshkruar vlerën pesëparëshe që e ka “fituar” tash. Dhe nuk dëgjova që dikush nga pushtetarët të ketë shkuar për të pyetur së paku se çka në hamam kishte ndodhur.

Në storjen televizive që e transmetoi KTV-ja, përgjegjësi i “konservimit” thoshte se ata kishin të drejtë, dhe se muret paskan pasur mallter atëherë kur ishin ndërtuar. Se si erdhën te ky konstatim pesë shekuj më vonë, nuk na e bëri fort të qartë. Dhe jo rastësisht, menjëherë m’u kujtua diku 1974-a dhe Xhamia e Çarshisë e Prishtinës. Mbase në vazhdën e “modernizimit” të qytetit, dikush kishte vendosur ta veshte me mallter xhaminë më të bukur dhe me minaren më origjinale të qytetit – duke e shndërruar atë pak a shumë në një magazë, të themi për shembull, peshqish: në një send katror me mure të verdha që zbeheshin për çdo vit, thuajse po kaloje pranë një vetëshërbimi.

Katërdhjetë vjet më vonë, donacioni turk do ta zhvishte atë nga petku fals që ia kishin imponuar, për t’na e zbuluar para syve një bukuri të rrallë monumentale. E pse paratë e donatorit nuk dolën boll, apo pse kërciti një fesat ndërmjet Komunës e Ministrisë – rikthimi në gjendje të mëparshme ende nuk ka përfunduar, duke e rrezikuar tash strukturën e saj.

Kosova, sado që e ka databazën e gjerë të objekteve që i konsideron trashëgimi kulturore, dëshmon se është absolutisht e pakujdesshme për ruajtjen e tyre. Fakti se ka lejuar që donatorët ta imponojnë edhe restaurimin, pa i marrë parasysh elementet autoktone apo edhe origjinale të objekteve për të cilat kanë dijeni vendasit, tregon vogëlsinë intelektuale që e kemi. Dëshmon për diletantizëm që na bën t’iu nënshtrohemi atyre që me para mund t’na i qorrojnë sytë. Porse duhesh të jesh shumë i verbër për të mos parë krimin që i është bërë Hamamit të Prizrenit. Për më tepër, duhet të jesh shumë injorant në profesionin që thua se e ke. Dhe, duhet të jesh njeri që nuk e do qytetin në të cilin jeton, aq sa je i gatshëm të hysh në histori për një punë të keqe që ke bërë.

Por, dhe natyrisht, është një por e madhe këtu: kjo nuk kishte ndodhur po qe se qytetarët do të kishin treguar guxim të mjaftueshëm për të dalë e për ta ndalur punën në shkatërrimin e Hamamit. Kjo punë s’është bërë për një ditë dhe nuk është bërë fshehtazi – gjithë ajo popullatë vendase ka pasur edhe sy e edhe gojë për të parë e për të bërtitur që të ndalej shkatërrimi i një objekti, që nëse asgjë tjetër, simbolizon pastërti. Apo është se politikanët e këqij ua kanë humbur edhe motivin apo është se i kanë frikësuar aq shumë, sa të mos guxojnë ta kundërshtojnë te keqen bile me piskamë. E krejt esenca është se politikanët vijnë e shkojnë, përderisa objektet mbijetojnë – përderisa i lënë të frymojnë ashtu çfarë ishin, me zgjidhjet arkitektonike që kanë qenë gjeniale në kohën kur teknologjia ishte kufizuar në daltë e çekiç.

Shteti i papunëtorëve me popullsi të papunë

Daltat dhe çekiçët supozohet se janë simbole të punës së njerëzve që bëjnë pjesë në sindikata. E sindikata supozohet se është trupi, i cili duhet të luftojë për të drejtat e punëtorëve – e që ato t’i manifestojë me kërkesa të argumentuara dhe me metoda presioni ndaj atyre që kontrollojnë buxhetet, e me këtë edhe jetët e tyre.

Porse Kosova, në vazhdën e karakteristikave sui generis që i ka, natyrisht se veçohet edhe me punën e pushimeve dhe të drejtave sindikale. Tashmë jemi lodhur duke e përsëritur, se Kosova është shteti laik me më së shumti festa fetare në kalendarin e festave zyrtare: prej 11 festave, duke përfshirë edhe atë 9 Majin e Evropës, që askush s’e kupton pse e festojmë, madje gjashtë janë të kultit. E, meqë ligji parasheh që festa të festohet në ditë pune, këto ditë në fakt bëhen dy. E nëse pahiri i bie hisja të qëllojë ndonjë të enjte, atëherë pa pyetur merret edhe e premtja e mandej me automatizëm pushohet edhe për vikend, kështu që i gjithë shteti ndalet: sepse ata që gjithmonë ua çëpojnë këtyre ditëve janë administrata publike.

E tash, ekziston njëfarë sindikate e sektorit publik – që s’ka zë, dhe ndonjë tjetër ku hyjnë të gjithë të tjerët, që gjithashtu nuk kanë zë, pos kur duhet bërë grevë në shkolla apo në spital. Pra, duke ditur se nuk kanë zë, për shkak se udhëheqësit janë akomoduar në postet e paguara nga Qeveria dhe me veturat që kjo ua fal, këto sindikata dëgjohen vetëm në ndonjë konferencë të kotë shtypi. Ose në ndonjë konferencë me ndonjë OJQ, ku do të ankohen se të drejtat e punëtorëve në Kosovë shkelen.

Ky i djeshmi ishte maji i 16-të i pasluftës që punëtorët nuk u panë duke protestuar për kushtet në të cilat punojnë. Është viti i 16-të, në të cilin zyrtarët e sindikatave dolën për të thënë tekstualisht se “vetëdija e punëtorëve është e ulët, dhe kjo i bën që të dalin të festojnë e jo të protestojnë”. Po ta kisha unë një kësi udhëheqësi sindikate përfaqësues, pa ia nis procedurës së shkarkimit të tij nuk e kisha lënë.

Ta ofendosh gjithë atë numër punëtorësh, për shkak se nuk kanë udhëheqje që do të duhej ta kishte vetëdijen më të ngritur dhe të dinte të luftonte e të negocionte për të drejtat e punëtorëve, është e patolerueshme. Ani pse është shumë e qartë se të jesh udhëheqës sindikal në Kosovë është të jesh pjesë e pushtetit – nëse jo aktiv në vijën e parë, atëherë gjithsesi aktiv në vijën e prapme, duke e përmbajtur masën e punëtorëve nga kërkimi i realizimit të të drejtave të tyre.

Koreja e Veriut dhe Kosova mbase do të jenë dy nga shtetet e rralla në botë që 1 Majin e festojnë – për shkak “se e kanë vetëdijen e ulët”. Mbase do të jenë dy shtete që pos që e kanë të përbashkët shkronjën e parë të emrit, e kanë të përbashkët edhe mendësinë e frikës nga hakmarrja e punëdhënësit: se përderisa në Kore punëdhënësi është diktatori, në Kosovë punëdhënësi kryesor është grumbulli i institucioneve publike, pra sektori publik, i cili i ka rrogat më të mëdha sesa sektori privat, që ua krijon ato rroga..., ec dil n’guxofsh m’u anku për ndonjë gjë..., ta gjejnë kushëririn zëvendësim saora.

* * *

Në vitin 518, Kosova kishte përjetuar një tërmet që arkeologët e quajnë katastrofal. Atëbotë, qendra e botës e paraardhësve tanë, Ulpiana, ishte përpirë nga toka. Porse kishte pasur një perandor, i cili paskësh qenë dashuruar në të, dhe e kishte ringritur e ringjallur. Justiniana Secunda e atëhershme, rrënojat e Ulpianës së sotme, dëshmojnë se këndellja është e mundur. Se nisja nga zeroja mund të ndodhë disa herë në jetë. Posaçërisht atëherë kur askush s’çan kokë për ty.

Kosova ka nevojë për një tërmet që do ta shkundë atë nga diletantizmi, nga despotizmi dhe nga frika. Dhe nuk ka përse të jetë tërmet në plot kuptimin e fjalës, edhe pse jam e sigurt se po të ndodhte përnjëmend, një pjesë e madhe e ndërtimeve pa leje do të zhdukeshin nga harta.

Sidoqoftë, ka nevojë për një tronditje të fuqishme që do ta zgjojë prej letargjisë së thellë në të cilën ka rënë në pritje të realizimit të thënies përherë aktuale kosovare: “Hajt se bëhet mirë”. Kurrë nuk do të bëhet më mirë, përderisa ta pranojmë si normale gjendjen ku gjërat janë si janë dhe se s’kanë si ndryshojnë, sepse “janë ata tjerët, të fuqishmit, që nuk na lënë të ndryshojmë asgjë”.

Tërmetet zakonisht i shkakton natyra. Por s’ka rregull që nuk ka përjashtim. E as kjo e tërmeteve.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...