Kush s’na merr seriozisht

28 Prill 2015 - 08:21 - Flaka Surroi      

Për 16 vjet eksperimentimi të shtetndërtimit jemi treguar përherë të nënshtruar dhe inferiorë ndaj të huajve. Sepse kemi pranuar të na e diktojnë krejt ritmin. Sepse ende jetojmë me bindjen se të huajt e dinë se çfarë është mirë për ne se na vetë. Për më tepër, se ata na e duan të mirën më shumë sesa ne vetë

Lajmi i javës për mua, pa dyshim, ishte vdekja e madje 900 të ikurve nga Afrika, pas fundosjes së lundrës (se asaj nuk di a t’i thuash anije, a barkë, a çfarë) para brigjeve të jugut të Italisë. Njerëz në kërkim të shpëtimit nga jeta e mjerë, pasojë e kolonializmit shekullor, eksploatimit, moszhvillimit dhe të jetuarit nën thundrën e qeverive diktatoriale e që vetëquhen demokratike -- ishin nisur për ta kaluar Mesdheun, pa asnjë siguri madje se do të mund t’i mbijetonin udhëtimit.

I tmerrshëm qe, pak a shumë, injorimi që ia bëri Evropa kësaj ngjarjeje: nuk u panë as ndezje qirinjsh, as minuta heshtjeje nëpër rrugë, as reagime shumë që do ta nxisnin bile një grimë pendese për atë që kishte ndodhur, e që ishte pasojë e drejtpërdrejtë e politikës së moçme dhe të tashmes. Dikur, Evropa do të shtrihej deri në cepin më të largët të Afrikës për ta grabitur pasurinë e vendësve, duke ua ndërruar rrugës edhe gjuhën, edhe fenë, edhe traditat, edhe jetën. Tash, sado që ka hapur dyert për të pranuar valët e atyre që ikin prej mungesës së perspektivës, megjithatë mban një pjesë përgjegjësie për atë që ndodh atje: duke i përkrahur pushtetet dhe pushtetarët që brengën e vetme e kanë se si ta bëjnë veten dhe rrethin e vet sa më të pasur dhe të paprekshëm. Pothuajse si në Kosovë.

Sipas një statistike të publikuar para pak ditësh, numri më i madh i emigrantëve kryesisht ilegalë që arrijnë në Evropë vijnë nga Afrika nëpërmjet Italisë (150 mijë vitin e shkuar) dhe Greqisë (50 mijë po në të njëjtën periudhë). Ilegalët e tjerë (40 mijë) “janë nga Ballkani”, që përkthyer në realitetin tonë, janë nga Kosova. Dallimi ndërmjet afrikanëve dhe tanëve është ngjyra e lëkurës. Kurse motivi i ikjes, është i njëjti: mungesa e perspektivës për një jetë bile dinjitoze në shtetet e tyre të origjinës.

Pa pretenduar fare ndonjë ekspertizë në çështjet afrikane, megjithatë s’ka si t’i iki konstatimit se edhe Afrika, sikurse edhe Kosova, i kanë shërbyer shumëkujt për eksperimentim. Dhe në çastin kur janë komplikuar punët aq shumë, është shkuar në zgjidhje të improvizuara, në emër të pjekjes së popullatës lokale për të vetëqeverisur. Shteteve afrikane u janë caktuar kufijtë me vizore – e besoj askund në botë nuk do të gjeni kufij drejtvizorë sikur në Afrikë. Dhe sa herë u janë thelluar krizat, të cilat kurrë nuk janë shëruar, u janë dërguar misione paqebërëse e misione paqeruajtëse, përderisa popullata vazhdonte të rritej barabar me skamjen në të cilën jetonte. Kosova, nga ana tjetër, ka shërbyer si laborator për shtetformim, që do të shërbente për shkrimin e udhëzuesit: “Çfarë nuk duhet bërë nëse krijoni shtet”.

“Katastrofë Kuvend”

E keni vërejtur se sa herë e pyetni një kosovar se si shkojnë punët e jeta në përgjithësi, do të përgjigjet me “katastrofë” apo “katastrofë kushtet”. Kuvendi i Kosovës i ka kushtet super de luxe, krahasuar me shumë gjëra të tjera që i kemi në Kosovë. Por, për punën që e bën, posaçërisht në mbledhje plenare, nuk ka atribut më të qëlluar se ky alla kosovarçe: katastrofë.

Nuk e kam besuar se pas zgjedhjeve të pesta parlamentare do të kishim një përbërje të Kuvendit edhe më të dobët seç e kishim pasur në legjislaturat e kaluara. Lëre që konstituimi u vonua gjashtë muaj (dorën në zemër pa faj të deputetëve, por me faj të shefave të partive politike, kryetares dhe Gjykatës Kushtetuese), pra që morën rrogë gjashtë muaj pa punuar asnjë send, por në pesë muaj qysh se i janë zgjedhur trupat, brenda 21 javësh, i ka mbajtur vetëm 18 seanca plenare. Nuk e di sa ligje i ka miratuar, por e di që seanca e paraparë për këtë javë është shtyrë për shkak se Qeveria nuk kishte përgatitur materiale të domosdoshme që të mbahej ajo. Pra, nuk ka pasur ligje që janë proceduar, nuk ka pasur tema që është dashur të debatoheshin. Thuajse Kosova krejt punët i ka në dyzen, dhe s’ka nevojë për t’u mërzitur, prandaj edhe duhet lëshuar në ler.

Kuvendi është katastrofë edhe për nga fakti se kësaj radhe, duket më shumë se kurrë, nuk e ka as fuqinë minimale për ta mbajtur madje as në vëzhgim Qeverinë. Ministrat kryesisht nuk vijnë për t’u ballafaquar me komisionet; shumë syresh duken në seancat plenare nja 15 minuta a sa, e mandej shkojnë; shumë pyetje parlamentare mbesin pa përgjigje, për shkak se Rregullorja e parasheh se nëse pyetja e njëjtë shtrohet tri herë, e nuk ka përgjigje, atëherë të tretën herë ajo publikohet në “Gazetën Zyrtare”. Punë e madhe që do të botohet: kush do ta lexojë atë, posaçërisht nëse nuk ka përgjigje në të?

Ky Kuvend është katastrofë edhe për shkak se për herë të parë ka bërë vaki që publikisht deputetët e një partie të kërcënoheshin nga shefi i partisë së cilës i përkasin për shkak se nuk e kishin respektuar disiplinën partiake dhe kishin votuar kundër. Ani pse mandati është i deputetit e jo i partisë – së paku kështu e definojnë rregullorja e ligji. Është katastrofë edhe për shkak të faktit se me shumë lehtësi janë ndërruar taborët ashtu që deputetët që deri dje e kanë sharë një parti të caktuar, i janë bashkuar asaj duke thurur lavde. Ose, pasi që kanë mbajtur poste të larta partiake, përnjëherë e kanë kuptuar se kishin hyrë në ekip të gabuar dhe janë vetëshpallur të pavarur. Është shumë e gërditshme kjo punë dhe flet për mungesë të parimit.

“Koalicioni joparimor”

Koalicioni joparimor, termi që e kishte shpikur politikani maqedonas, Vasil Tupurkovski, në kohën e ngritjes së Millosheviqit, e që ishte kuptuar si përkrahje e Maqedonisë për të, duket më i përshtatshmi për ta përshkuar Qeverinë aktuale kosovare. E formuar prej dy partive që nuk kishin lënë gjë pa thënë për njëra-tjetrën, kinse në emër të stabilitetit dhe të prosperitetit, ka qenë lajmi më i keq që ka mundur t’i ndodhte Kosovës në kohën kur ndodhi.

E panatyrshme, e madhe, vështirë e kontrollueshme dhe megjithatë e brishtë – kjo është Qeveria e Kosovës sot. Për më keq, do të dëshmohet edhe e paaftë për të zgjidhur çfarëdo qoftë që karakterizohet si problem sot në Kosovë, për shkak se ishin udhëheqjet e këtyre partive që sollën Kosovën në derexhenë e sotme: PDK-ja me imponimin e vendimeve dhe marrjen e përgjegjësive ndërkombëtare kokë më vete, kurse LDK-ja për shkak se një kohë ishte bashkëfajtore aktive në krim e më pas me oportunizmin e vet klasik, lejoi që e gjithë skema e ndërtuar nga PDK-ja të zbatohej në praktikë.

Institucionalizimi i krimit dhe shtrirja e pushtetit partiak mbi gjithçka që në shikim të parë dhe, sipas përkufizimit juridik-ligjor duhet me qenë e pavarur e ka një kryefajtor, PDK-në, dhe disa bashkëfajtorë, LDK-në, AAK-në dhe një pjesë të udhëheqësve të NISMA-s (pa i harruar edhe minoritetet që disi me automatizëm bëhen pjesë e koalicionit qeverisës), po ku peshën më të madhe e ka LDK-ja. Fakti se jo vetëm që është lejuar, por edhe ushqyer zaptimi i gjithçkaje e bën pastrimin e institucioneve nga kjo murtajë të pamundur me këtë koalicion.

Me këso Qeverie, kush të merr seriozisht?

Opozita e bashkuar joparimore

E pastrimin e institucioneve nga ajo që u përshkrua më lart, nuk do të mund ta bëjë as opozita, e cila para pak kohësh ka nisur të tregohet e bashkuar rreth “shkapjes së shtetit”. Po them, shyqyr që e botuam librin “Këmbët e gjarprit”, ku u shfaq sefte termi “kapja e shtetit”, se vërtet politikanët opozitarë nuk kishin pasur moto për ta luftuar të keqen në Kosovë. Është joserioze kur dikush që ka qenë personalisht apo partiakisht pjesë e skemave të “kapjes së shtetit”, si dhe të të mirave që i sjell pushteti, të dalë tash e të paraqitet mbrojtës i interesave popullore. Mbase do të duhej të kuptonin se mu për shkak të tyre, është se protesta “gjithëpopullore” e javës paraprake iu afrua dështimit. Për shkak se shumëkush që kishte protestuar herëve të tjera, nuk mund të identifikohej me ta në ballë të kësaj proteste.

Për më tepër, është shumë vështirë t’u besohet atyre që ishin në gjendje ta prishnin marrëveshjen e opozitës, në çastin kur u ofrua posti i kryeministrit, ani që më pas mbeten me gishta në gojë, për shkak se po shihet qartë që edhe bashkimi i tashëm nuk ka të bëjë me interesin e gjerë, por me interesin personal të atyre që ndihen të anashkaluar dhe të tallur nga ata që po dinë t’i tërheqin lëvizjet e duhura. Dhe për këtë arsye, krimi i organizuar, korrupsioni e nepotizmi s’mund të eliminohen nga ta. Mund të eliminohen vetëm nga njerëz të rinj, me mandat të qartë e duar të pastra – të cilët nuk kanë kurrfarë hipotekash e që nuk mund të ndikohen nga askush për të keq. Mund të eliminohen vetëm nga njerëz që do të jenë në gjendje t’ua ndalojnë veprimin shpirtrave të shitur, qofshin ata edhe të huaj, përfshirë edhe ndonjë prokuror finlandez.

Me opozitën që e kemi tash, zor që dikush mund të na marrë seriozisht.

Finlandezi intrigant

E sa nuk na marrin seriozisht e tregon edhe letra e shënuar “sekrete” që një prokuror, për të cilin as që e kemi ditur se ekziston, ia ka drejtuar drejtpërsëdrejti kryetares së shtetit, duke e udhëzuar që mos ta dekretojë kryeprokurorin e shtetit. Paramendoni komunikimin, i cili i kapërcen të gjitha rendet hierarkike nga të dyja anët dhe i shkon kryetares në tavolinë me farë messengeri a farë pëllumbi. Kjo, jam shumë e sigurt, nuk ndodh në Finlandë – pavarësisht sa më demokratik të jetë ky shtet se Kosova. Për shkak se nuk është demokraci kur përzihet njëri pushtet te punët e tjetrit; e aq më pak është demokraci t’i kapërcesh fillimisht rregullat e mirësjelljes e më pas edhe të etikës profesionale për ta bërë një punë të pistë me porosi e me gjasë edhe me kundërshpërblim parash.

Kjo ndodh te ne, sepse për 16 vjet eksperimentimi të shtetndërtimit jemi treguar përherë të nënshtruar dhe inferiorë ndaj të huajve. Sepse kemi pranuar të na e diktojnë krejt ritmin; kemi lejuar të na i zgjedhin qeveritë, kryetarët, kuvendarët; u kemi lejuar të na e diktojnë drejtësinë, sepse nuk kemi pasur besim në vetveten, ose pse na është dashur të kemi gjyqësi joefikase për ta ruajtur rehatinë në krim. Sepse ende jetojmë me bindjen se të huajt e dinë se çfarë është më mirë për neve se ne vetë. Për më tepër, se ata na e duan të mirën më shumë sesa ne vetë.

Të tillë, sinqerisht, s’ka kush na merr seriozisht. Pos për eksperiment.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...