Kambanat e opozitës

25 Prill 2015 - 09:16 - Adriatik Kelmendi      

Pa reformim të thellë në struktura dhe qasje te të tria subjektet politike opozitare, mjerisht për opozitën e edhe më mjerisht për Kosovën e qytetarët e saj, potenciali alternativ i të pakënaqurve do të vazhdojë të mbetet i shkapërderdhur dhe si i tillë edhe i pafuqishëm, kundrejt një qeverie me shumë pushtet e arrogancë

JANË DY GJËRA KRYESORE:
E para, kjo Qeveri ka shumë më tepër opozitë në Kosovë sesa që përfaqësojnë tri subjektet aktuale opozitare të përfaqësuara në Kuvend.
E dyta, nëse lëvizja “Vetëvendosje”, AAK-ja dhe NISMA nuk do të fillojnë urgjentisht një reformim të thellë në radhët e tyre, në qasjen ndaj problemeve dhe ndaj opinionit, do ta lëshojnë nga dora rastin për të mobilizuar zërin e përgjithshëm opozitar ndaj binomit PDK-LDK.
E PDK-ja e LDK-ja, për shkak të komoditetit të numrave në Kuvend dhe arrogancës përballë një opozite të dobët partiake, jo që mund të vazhdojnë ta rafinojnë tutje kapjen e shtetit, por edhe të rrezikojnë thellësisht funksionimin demokratik të këtij vendi, me pasoja të pariparueshme për shumë e shumë vjet që do të vijnë.
Për këto arsye (por si duket ende të paperceptueshme si duhet nga opozita partiake), pjesa më e madhe e qytetarëve dhe intelektualëve të pakënaqur të këtij vendi - shumica prej të cilëve kanë vepruar, shkruar e folur për kapjen e shtetit edhe para se kjo të bëhej temë e subjekteve partiake opozitare – këto ditë kanë drejtuar kritikën më shumë nga këto të fundit, sesa ndaj dy partive në pushtet. Me drojën e vetme – se kjo opozitë partiake, e këtillë çfarë po na paraqitet, vetëm mund t’ia lehtësojë punën pushtetit.

ËSHTË E THJESHTË: Kapja e shtetit në ata sektorë ku ka mundur është bërë nga PDK-ja. PDK-ja është vetë e kapur nga dyshja Thaçi-Veseli në maje dhe e kapur nga ish-struktura të SHIK-ut në përgjithësi (siç po dëshmojnë tashmë edhe vetë zyrtarë shumë të lartë të PDK-së).
LDK-ja, që tashmë i është bashkuar në pushtet qendror, e kapur nga interesat e klaneve të shumta të brendshme, vlerësohet e pafuqishme për ta luftuar këtë kapje dhe së këndejmi do të mjaftohet vetëm me ndarjen e disa aksioneve për vete në këtë hise.
LVV, AAK dhe NISMA duhet fillimisht të na bindin se e kanë seriozisht me idenë e kthimit të institucioneve te populli dhe jo vetëm ndërrimin e partive uzurpatore në pushtet dhe vazhdimin e kapjes së shtetit. Fatkeqësisht, tri entitetet opozitare deri më tash kanë dështuar t’i bindin qytetarët se ata po luftojnë për ta dhe jo për vete, dhe rasti i fundit ilustrues që e dëshmoi qartë këtë është dështimi i mobilizimit të qytetarisë së pakënaqur në protestën e fundit.
Pse qytetarët të cilët janë të pakënaqur me qeverisjen e tashme të vendit nuk po i shohin si alternativë tri subjektet aktuale opozitare?
Përgjigjja mbase mund të jetë se të tria këto, ndoshta pa ndonjë dallim që ia vlen të ceket, kanë treguar se kanë struktura të larta udhëheqëse që kanë kapur vetë partitë e tyre dhe njësoj kanë dhënë shpesh sinjale të forta të kapjes së pushteteve në komunat në të cilat udhëheqin.
Lëvizja “Vetëvendosje”, si më i madhi subjekt politik opozitar, ia ka dalë ta ketë grupin më cilësor parlamentar në Kuvend aktualisht dhe individë gjithashtu shumë të përgatitur që udhëheqin Komunën e Prishtinës. Mirëpo, sidomos me veprimet e fundit që kanë të bëjnë me zgjedhjet në parti, tashmë po vërtetohet mungesa e demokracisë së brendshme dhe fuqia e një klani që dëshiron të kontrollojë gjithçka si brenda ashtu edhe jashtë “organizatës”. Bartja klandestine, por e kamufluar si demokratike, e udhëheqjes së LVV-së nga Albin Kurti te Visar Ymeri, si dhe emrat e një pjese të madhe të anëtarëve të Kryesisë së re, flasin mjaft për tendencën e patjetërsueshme të klanit “të vjetër” për kontroll thuajse absolut. E me kontroll të brendshëm, mendoj në kontrollin që i bëhet punës së Ahmetit e Sejdiut me bashkëpunëtorë në Komunë, punës së deputetëve të saj në Kuvend, punës së udhëheqësve e koordinatorëve nëpër komuna e ish-kandidatëve për deputetë. Kurse, me kontroll të jashtëm nënkuptoj gjykimin dhe paragjykimin e përcjellë shpesh edhe me akuza ose krijim insinuatash për secilin që nuk është anëtar- aktivist i “Vetëvendosjes”, qoftë në politikë ose jashtë saj, e deri në rastet ilustruese si ky i fundit, kur një gazetari e opinionisti ndër më kritikët dhe antiestablishment në Kosovë, i numërohen me nëntekst kërcënues artikujt dhe prononcimet se ku dhe çka ka folur e shkruar.
Të gjitha këto flasin për një subjekt politik bukur paranoik (një paradoks më vete ky, meqë zakonisht paranoja është tipar i partive që rrinë kohë të gjatë në pushtet dhe e mbajnë të njëjtin me metoda jodemokratike), të obsesionuar me kontroll dhe që e trajton vetveten si një shoqëri e mbyllur e veçantë, tip sajentologjie ose masonerie, gjë që i cyt njerëzit të pyesin e të frikësohen se çka do të bënin të njëjtit sikur të kishin më tepër pushtet. Fakt ky që po e ritheksoj edhe një herë, me shumë sinqeritet, është për keqardhje të thellë, duke pasur parasysh gjithë potencialin e shkëlqyer të shumë individëve të caktuar aty.
Ngjashëm na paraqitet tash e sa vjet edhe AAK-ja. Pavarësisht meritave dhe cilësive që mund të kenë, dy vëllezërit Haradinaj (e së fundi edhe daja i tyre, Lahi Brahimaj) janë alfa dhe omega e çdo gjëje brenda partisë, pavarësisht a janë të angazhuar direkt në parti fizikisht, ose në pozita hierarkike. Që nga themelimi i saj menjëherë pas luftës e deri më sot, ky subjekt politik ia ka dalë që të ketë tre kryeministra dhe shumë nënkryetarë të parë, të cilët sot janë jashtë partisë dhe të përbuzur nga ata që kanë mbetur në të. Bajram Kosumin dhe Agim Çekun vetë Ramush Haradinaj i kishte caktuar si pasardhës të tij, njësoj siç e kishte caktuar edhe Blerim Shalën si të dytin e partisë, që të gjithë këta në një formë ose tjetër të përjashtuar dhe të pafalënderuar për kontributin. Në anën tjetër, figurat më të dalluara dhe më të përgatitura në legjislaturën e kaluar, në krye me shefin e Grupit Parlamentar, Ardian Gjini, kanë mbetur të margjinalizuar dhe jashtë Kuvendit shkaku i konkurrencës jo fer dhe lojës me bërryla nga kundërkandidatët partiakë.
A është AAK-ja parti private e një familjeje dhe a mundet një familje e vetme, cilado qoftë ajo, t’ia zgjidhë problemet Kosovës? Besoj këtë pyetje duhet t’ia shtrojë vetvetes më shpesh Ramush Haradinaj.
Dhe së fundi NISMA, e cila u krijua në masë të madhe duke potencuar nevojën për çkapjen e shtetit nga ish-partia e kapur PDK, të cilët gjithashtu që në themelimin e partisë i ndanë dy postet më të larta ekzekutive për njëri-tjetrin. Fatmir Limaj u bë kryetar i partisë, kurse Jakup Krasniqi – kryetar i Këshillit Kombëtar. Përveç kësaj, qytetarët ende nuk ia kanë dalë që të perceptojnë tutje se si do të funksionojë ky subjekt dhe çfarë alternative do të sjellë, kryesisht për shkak se u krijua fare rishtas dhe se, në fakt, dy nga liderët e saj, njësoj si dhe pjesa më e madhe e Kryesisë, kanë qenë për së paku një dekadë ndër njerëzit kryesorë të PDK-së.

TË GJITHA KËTO KONSTATIME natyrisht se bëhen me zemër të thyer dhe sjellin më shumë pesimizëm se gjithçka tjetër, se një kthesë pozitive do të ndodhë së shpejti në skenën politike kosovare. Mirëpo, këto vrojtime, kritika dhe sugjerime opozita partiake duhet t’i pranojë me dashamirësi e zemërgjerësi në mënyrë që t’i hapë sytë. Nëse vazhdojnë kështu si po veprojnë tash, do ta kenë shumë të vështirë të nxisin kuadro të reja t’iu bashkohen nëpër subjektet respektive partiake, ose t’i përkrahin masivisht në nismat e tjera. Në këtë mënyrë, mjerisht për opozitën e edhe më mjerisht për Kosovën e qytetarët e saj, potenciali alternativ i të pakënaqurve do të vazhdojë të mbetet i shkapërderdhur dhe si i tillë edhe i pafuqishëm, kundrejt një qeverie me shumë pushtet e arrogance.
Duke i pasur të ditura të gjitha këto, nesër jo vetëm të luajë shah, por Thaçi do të mund ta ftojë edhe Mustafën të luajnë domina ose “Čoveče ne ljuti se”, në kohën kur opozita partiake do të përpiqet të organizojë protesta.

Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk
 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...