Mbi vitet e humbura

20 Prill 2015 - 08:24 - Lumir Abdixhiku      

Një refleksion mbi investimet që nuk u bënë kurrë

-1-

Vetëm 193 milionë euro është vlera e investimeve të huaja në Kosovë përgjatë vitit 2014. E meqë nuk kisha mbajtur në mend të kem regjistruar vlerë më të paktë në këta shtatë - tetë vjet të shkuar, iu ktheva numrave të prodhuar nëpër raportet e Bankës Qendrore të Kosovës. Numrat e fundit do të duhej të ishin alarmantë për secilin që provon të merret me pak ekonomi; sepse numrat – që nuk rrejnë kurrë – shpërfaqnin më së miri nivelin e rënies sonë ekonomike nëpër vite – përfshirë edhe këtë të sivjetshmin pra.

Dhe numrat e njëjtë tregonin qartë se me vetëm 193 milionë euro investime të jashtme, ne kishim rrumbullakuar një trend rënës investues për plot tetë vjet. Tetë vjet më parë vlera e investimeve të jashtme ishte rreth 440 milionë euro në vit; ishte një rritje prej një çereku nga viti paraprak. Viti i parë i pavarësisë që e vijonte 2007-n kishte shënuar rënien e parë nga 440 në 336 milionë; për të vazhduar gradualisht e sigurt (ani pse me fluktacione) nëpër vitet vijuese – si 287 në vitin 2009, 365 në vitin 2010, 393 në 2011, 228 në 2012, 258 në 2013 e 193 në vitin 2014; kalimi i pragut të ulët nën dyqind milionësh këtë vit mbetet risia e zezë.

Paramendojeni një rast të përmbysur; kur në vend të trendëve rënës do të ndiqnim ato rritëse; pra në vend të rënies së vazhdueshme do të kishim atë çerekun e përvitshëm. Sepse si një vend i ri, i pavarur e me plot mundësi të pashfrytëzuara (në investime kapitale, projekte publike e procese privatizuese) ne do të nxirrnim më të mirën. Paramendojeni një rast të rritjes prej çereku të përvitshëm; sot, në një trend të tillë, ky vend do të kishte plot miliarda euro investime të jashtme për vit – saktësisht tre sish.

-2-

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato, sikur në tetë vjetët e shkuar të kishim një proces privatizues mirëfilli në telekom, që do të merrte një miliard vlerë shitje aty, dhe miliona të tjerë investime në rrjet e shërbime. Sikur në vend të dy proceseve të cilësuara si korruptuese, të mos largonim secilin investitor serioz – përfshirë dhe Deutsche Telekom – që sot na mbetet veçse një ëndërr investuese e largët madje. Do të bënim nam sikur në vend të prurjeve të pafundme të militantëve që gjithçka veçse punë bëjnë, të sillnim përvojë, dije dhe emër të njohur mbarësisht. Sot telekomi i Kosovës vlen hiçgjë; miliona euro janë shpenzuar në procese konsultative për privatizime me sherr që mirë se nuk ndodhën kurrë. Fatkeqësia mbetet ideja se i njëjti aset provohet të rivitalizohet nga të njëjtit që shkatërruan atë, humbën miliarda e tmerruan investitorë të tjerë.

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato, sikur në vend të faljes së distribucionit për 26.3 milionë euro; aq sa arkëtimi i falur tek ta për dy muaj rresht, ne do të kishim një proces serioz, të bollshëm e jo – pa fije rezervimi e them këtë – mafioz. Do të kishim sërish investime, fonde të bollshme e shërbime të denja nga kompani e biznese që kanë model modernen jo allashverishet e vëllezërve të partiakëve tanë; jokredibilë e të frikshëm sa s’bëhet më.

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato sikur në vend të pritjeve e rehatimeve politike e zaptuesve në “Trepçë”, të kishim një model të punuar e të ekzekutuar kaherë. Thuajse kemi kohë e vjet për të pritur e falë. “Trepça” nuk u bë asnjëherë; modelet diskutuese politike morën kah populist – u shndërruan në taborë thirrës herë për pozitën e herë për opozitën; muhabet i thatë qe sa vjet. Në pritje të mrekullisë, Kosova vazhdon të mbetet paradoksalisht larg minierave që i zotëron vetë.

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato, sikur në vend të ndryshim-emrit rreth termocentralit të ri, të kishim aktualisht një termocentral të ri. Tetë e më shumë vjet të humbur në diskutime të kota letrash e burokracie; as edhe një hap më tej. Me termocentral të ri, përveç fondeve, hiseve e punëve pra, ne mund të kishim dhe trajnime e kërkime shtesë – korporatizim modern e jo shitblerje mos pyet – pra do të kishim një kulturë e sistem modern që dallon me të tanishmit që s’sjellin gjë. Regresim në bërje biznesi tash e sa vjet.

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato, sikur për secilin interesim të huaj në vend të mos u kërkonin hise e haraç politikanët tanë. Licenca fantome për kushërinjtë e vet – për t’iu shitur si kushtëzim secilit që ka njëmend interes; kërcënime primitive për evropianë e investitorë të mbarë; dhe hisenikë-kërkues të shkretë – të gjithë kanë mbyllur këtë vend për secilën mundësi të jashtme. Kështu, mijëra vende të reja pune, të destinuar për një vend të ri e me plot prosperitet, janë zhvendosur nëpër rajon.

-3-

Pra i kemi humbur tetë vjet dhe investimet e vetme të jashtme tani janë ato të një autoudhe korruptuese e miliardëshe që merr paranë tonë tash e sa vjet – çdo vit. Paradoksalisht, paratë që i paguajmë vetë tek një kompani tjetër na llogariten si investim i jashtëm këndej.

I kemi humbur tetë vjet të një gjenerate që nuk meriton kaq shumë sakrificë. Barrën e transicionit po e paguajmë shtrenjtë, dhe nuk besoj – e ky është lajm i mirë – se do të ketë një gjeneratë tjetër të marrë kaq pak nga ky vend. Prandaj, përtej sakrificave qëllimmira, me ose pa qejf, është e udhës që përfundimisht edhe ne të kërkojmë kompensim të pasurisë sonë për mirëqenien tonë. E në mungesë e rënie të investimeve, secili investim e para e sjellë më ngjall një fije shpresë.

Dhe mu në shpresë dua ta shoh projektin e Brezovicës. Secili që ka kaluar një gjysmë vikendi atje, ka mundur ta kuptojë rëndesën e fukarallëkun e një vendi me kaq shumë potencial. Dhe secili që ka kaluar andej mund ta ketë kuptuar rëndësinë e madhësinë e investimeve që kërkohen atje. Procesi i përfunduar këtë javë mund – dhe me siguri mbetet – larg prej më të mirëve. Por gjithsesi, si prospekt, më bëhet mjaft premtues.

Sepse investimi i 400 milionëve në një vend është pikërisht ajo për të cilën ky vend e kjo gjeneratë ka sot nevojë. Nuk ndaj bindjet me askënd që ankohet mbi mospasjen aktuale të mjeteve në dispozicion nga investitori nënshkrues i ri. Ç’është e vërteta, nuk ka asnjë biznes sot që ka në llogari plot 400 milionë – kesh edhe atë. Përkundrazi, secili biznes që ka një shumë të tillë – pra s’di çfarë të bëjë me to – më mbetet më së paku biznes. Aftësia dhe zotësia e një investitori matet me aftësinë e tij për të gjeneruar mjetet e nevojshme. Dhe nëse ky investitor mund t’i gjenerojë 400 milionë – ngado (brenda e jashtë) – dhe këto mjete mund t’i investojë në Kosovë, sidomos në një vend të lënë shkret, them se kemi bërë një hap të mirë.

E hapa të mirë duhet ndjekur edhe në energjetikë, edhe në telekom, edhe në miniera. Na duhen përfundimisht investimet pa të cilat nuk mundemi të ngrihemi ekonomikisht në këmbë. Natyrisht se duke njohur urinë dhe pangopjen për para të klasës aktuale politike pres sfida e përballje plot. Sepse, siç dhe kemi humbur telekomin e distribucionin e të tjerat deri më tani – në tetë vjetët e shkuar – mund të humbim dhe këto të mbetura në të tjerat që vijnë. Na duhet pra një storie e re, një sukses i ri, një emër i ri që këtë vend e bën sado pak më të butë përballë investimeve të huaja që ndodhen sot gjithandej. Projektet e mëdha kapitale mbesin shanset tona të fundit për këtë.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...