Afrodiziaku nacionalist i Edi Ramës për argëtim të popullit

16 Prill 2015 - 09:07 - Enver Robelli      

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka zbuluar nacionalizmin për dëfrim popullor. Thirrjet e tij për bashkim të Shqipërisë me Kosovën janë përpjekje për t’i ikur ballafaqimit me problemet e vërteta që shqiptarët kanë sot në Ballkan

Për Edi Ramën gjërat janë shumë të thjeshta. Nëse Bashkimi Evropian nuk i pranon në radhët e veta Shqipërinë dhe Kosovën për të mundësuar kështu bashkimin e kombit shqiptar, atëherë kjo do të ndodhë, sipas tij, jashtë BE-së.

Që nga rrëzimi i komunizmit në Shqipëri në fillim të viteve 90 dhe që nga nisja e lëvizjes kosovare për pavarësi në po atë kohë si në mesin e politikanëve në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, por edhe në Tetovë ka ekzistuar një konsensus: synim parësor i shqiptarëve në Ballkan është integrimi në Bashkimin Evropian. Edi Rama me deklaratën e tij se bashkimi mund të ndodhë edhe jashtë BE-së bëhet kështu politikani i parë që e vë në dyshim procesin e integrimeve evropiane dhe përmend alternativa karshi tij. Derisa deklarata të tilla absurde Ramës do të mund t’i lejoheshin si publicist e piktor që kalon ditët në sallonet e Parisit apo në kafenetë e Tiranës, si kryeministër i Shqipërisë ai me këso prononcimesh vetëm shkakton skandale.

Nuk është këtu çështja se si do të reagojë bashkësia ndërkombëtare ndaj deklaratave të Ramës: ata, në Bruksel e Washington, kanë qëndrimet e tyre të bazuara në investimet mbi njëzetvjeçare në arkitekturën e paqes në Ballkan. Skandaloze këtu janë deklaratat e Ramës për shkak se përmes tyre po bëhet aleat i nacionalistëve serbomëdhenj, të cilët po ashtu kontestojnë kufijtë në Ballkan dhe mbi të gjitha pavarësinë e Kosovës.

Por, ka një dallim të madh në këtë mes: nacionalistët serbë në përpjekje për të ndarë Bosnjën nuk kanë ngurruar të kryejnë edhe gjenocid, ndërsa shqiptarët e Kosovës i ka bërë të pavarur Perëndimi për t’i shpëtuar nga rreziku i gjenocidit serb. Deklaratat ambivalente të Ramës janë të rrezikshme sidomos në këtë moment kur BE-ja dhe SHBA-ja po përballen me hegjemoninë ruse, me Vladimir Putinin, i cili vë në dyshim sovranitetin e shteteve të ish-Paktit të Varshavës. Paradoksi është ky: tani janë Putini, Edi Rama, ndonjë budalla nacionalist në Prishtinë dhe nacionalistët radikalë serbë që kërkojnë ndryshim kufijsh në Evropë! Në të njëjtën kohë krejt politikanët shqiptarë në Ballkan pohojnë me kokë në shenjë miratimi kur ministra të jashtëm të vendeve të rëndësishme perëndimore thonë: “Me pavarësinë e Kosovës kufijtë në Evropën Juglindore janë skicuar tashmë”.

I etur për famë, i etur për të qenë një lloj “babai i shqiptarëve në Ballkan” (ndonëse Kosova e ka të vulosur atësinë në Kushtetutën e saj, në projektin për pavarësi dhe përmes liderëve të saj historikë) – Edi Rama po bëhet gjithnjë e më shumë një figurë e zakonshme në llafazanërinë politike shqiptare. Kosova po keqpërdoret prej tij dhe qarqeve të tjera politike e kuazipublicistike në Tiranë si temë komerciale – për dehje patriotike dhe për mbushje të xhepave të aksionarëve të Digitalbit.

Është lehtë të bërtasësh nga plazhi i Ulqinit për bashkim, është zor – ose së paku kërkohet shumë guxim të ballafaqohesh me tema të nxehta, me deputetë me njolla krimi që rrinë në kolltukët e Kuvendit të Shqipërisë, me trafiqe të paligjshme, me drogën që shkarkohet e ngarkohet në vijën bregdetare, me korrupsionin e madh, me diplomatë shqiptarë që kryeqyteteve të Evropës ecin me raki Skrapari në qese, me fajtorët për shkatërrimin e ambientit. Të gjitha këto çështje të ndjeshme po mbulohen duke e kontestuar me apo pa dashje shtetësinë e Kosovës dhe duke i çuar peshë zemrat e nacionalistëve që gërvallen gjatë ndeshjeve të futbollit. Nacionalizmi si afrodiziak për dëfrim popullor.

Kosova nuk është shtet në pazar. Ajo ka identitetin e vet shtetëror. Shtetësia e Kosovës e forcon faktorin shqiptar në Ballkan. Edi Rama nuk duhet ta njollosë edhe më tutje orën e fatit që nisi të matë kohën e lirisë në qershor 1999, pas intervenimit të NATO-s. Këtë orë Edi Rama mund të përpiqet ta shkatërrojë nga dëshira për të qenë i duartrokitur si nacionalist dhe i manipuluar nga qarqet komerciale që patriotizmin e shohin vetëm me syze të lekut. Por, si Sali Berisha edhe Rama nuk do të ketë sukses në këtë mbrapshti populliste.

Ka shumë zhurmë rreth bashkimit dhe nuk ka asnjë projekt konkret, as analiza serioze të mundësive reale, as vlerësim të saktë të rrethanave gjeostrategjike. Përpjekjet e Ramës për të shantazhuar BE-në askush nga faktorët vendimmarrës në botën perëndimore nuk i merr seriozisht. Por, deklaratat e Ramës për bashkim janë një rast i mirë për diplomacinë serbe të bëjë zhurmë kudo në forume ndërkombëtare mbi rrezikun e krijimit të së ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”.

Edi Rama mund t’i ndihmojë Kosovës nëse punon për shtetin e tij – Shqipërinë. Puna më e mirë për Shqipërinë është kur politikanët në Tiranë e kuptojnë se gjatë çerekshekullit të fundit janë humbur plot shanse të mëdha për integrimin e Shqipërisë në Evropë, për shkak të zënkave mesjetare mes klasës politike shqiptare. Nga pësimet e deritanishme duhet urgjentisht të nxirren mësime. Pjesë jo përherë e lavdishme e klasës politike shqiptare ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe Edi Rama – herë me karakterin e tij arrogant e shpërthyes, herë me aksione me bojëra sa për të prodhuar ndonjë titull për ndonjë gazetë perëndimore.

Tash këtij kokteji i është shtuar edhe nacionalizmi zhurmëmadh. Më mirë do të ishte sikur Shqipëria të prodhonte tituj të tjerë për mediet perëndimore: për shembull me dhjetë prokurorë të rinj, të arsimuar në Perëndim, të cilët pa asnjë kompromis godasin krimin e organizuar dhe korrupsionin nga Vermoshi në Konispol. Meqë ballafaqimi me krimin në Shqipëri në shumë raste domethënë të presh degën ku rrinë segmente të partisë në pushtet apo të opozitës, jo pak politikanë të Tiranës e shfrytëzojnë Kosovën si arenë për pehlivanllëk patriotik. E njëjta vlen edhe për jo pak politikanë të Kosovës: pasi e kanë bërë punën pis me vite, duke u bërë pjesë të krimit e korrupsionit, paradat bajate patriotike i shohin si mundësi për të dalë më të pastër para popullit.

Edi Rama po shfaq njëfarë nervozizmi në opinion kundër Bashkimit Evropian, i cili, sipas tij, po e mban Kosovën të izoluar, duke mos ia hequr regjimin e vizave. Natyrisht që karantina kosovare e Schengenit është e padurueshme, por Rama do të duhej ta dinte përse gjendja është e tillë: policia e Kosovës nuk ka arritur të zbulojë asnjë krim serioz, në dhomën e dëshmive të policisë janë vjedhur 50 kilogramë drogë, shtypja e pasaportave biometrike është shoqëruar me një aferë të madhe korrupsioni, segmente të rëndësishme të policisë së Kosovës janë degë të nëntokës politike brenda institucioneve, Agjencia Kosovare e Inteligjencës ende mbetet një trupë për spiunazh kafehanesh dhe larg synimit për të qenë garantuese e sigurisë së shtetit të Kosovës.

Në këto rrethana është iluzion të presësh liberalizim vizash dhe ta mallkosh Evropën “plakë e kurvë” për politika antishqiptare. Nëse prej një vendi si Kosova brenda pak muajsh ikin 50 mijë njerëz, atëherë nuk duhet pritur që vendet e Schengenit do t’i hapin dyert gjerë e gjatë për kosovarët. Liberalizimi i vizave domethënë qëndrim në hapësirën e Schengenit për një kohë të caktuar, por pa të drejtë pune.
Edi Rama duhet të mësojë shumë për Kosovën dhe të flasë sa më pak për të. Kështu i ndihmon shumë Shqipërisë. Dhe shqiptarëve kudo në Ballkan.

robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...