Rrëfime për shpuplimin

14 Prill 2015 - 08:10 - Flaka Surroi      

Pas luftës, mbase nuk ka pasur katund ku nuk janë gjetur bile katër- pesë shtëpi në të cilat shkruante “E nxant’ UÇK”. Mbase nuk ka pasur katund ku shtëpive nuk u janë “shnuk” dyert e dritaret, qeramidhet a gypat e ujit. Me lehtësinë e shpuplimit të një pule, pasi t’i jetë prerë koka. Do të ketë qenë kjo indice e parë e asaj që po na përgatitej, e që nuk kemi qenë të gatshëm as ta besonim e as ta kuptonim

Më kujtohet të kem lexuar dikur moti se kinezët e moçëm kishin qenë mjeshtër të torturës. Një nga metodat që më me dëshirë e aplikonin për ta çmendur dikë që s’e kishin për qejfi, ishte ta lidhnin për këmbë e duar dhe t’ia vendosnin kokën nën çezme. Me tëmthin e kthyer nga gypi, do ta lëshonin çezmën aq, sa për të pikuar pikë-pikë. Pikja e njëtrajtshme në të njëjtin vend, për kohë të pakufizuar dhe me të njëjtin ritëm, do ta kishte për pasojë përqendrimin e gjithë vëmendjes së viktimës në pikjen sistematike, së cilës nuk i dihet fundi. E duke mos u ditur fundi, pikja e detyronte viktimën që ta dëshironte fundin. Që e gjitha të mbaronte, sepse në të kundërtën do të luante mendsh...

Panagjyri prej kohësh nuk ka më kinezë. Por ka “muzikantë” të importuar nga Shqipëria, që e shkrijnë gjithë “talentin e tyre” duke nisur ekzekutimit të “Ani mori nuse”-s dhe një valleje për mua të paidentifikuar prej orës 9 në mëngjes e deri në orën 8 të mbrëmjes. Nga ora 3 e pasdites paraqitet fizarmonicisti i verbër, përcjellë nga një grua me një fëmijë ngrykë, i cili nuk ndalet së ekzekutuari krejt çka i bie n’mend se e ka në repertor. Deri në orën 10 apo 11 të natës. Përsëritja e pandërprerë e tingujve të njëjtë, jo fort të koordinuar, të sjellë në situatën kur pos mbylljes së dritareve të detyron t’i fusësh “cucllat” në veshë, që të mund të përqendrohesh në një diçka tjetër që nuk do të bëjë të luash mendsh.

Rrëfimi 1

Muzikantët nga lart janë vetëm një pjesë e mjerimit, të cilin e paraqet Kosova, të cilën prej ditësh po e parafytyroj si një pulë të shpupluar (apo të nduktë, siç do ta quanin në popull), e cila ashtu me atë lëkurën krejt mornica, mërdhin dimrit e përzhitet verës.

Panagjyri në të cilin ata “operojnë” krahas shitësve të pashmangshëm të qenve me bateri, balonave, karrocave për kukulla e çkamos tjetër; shitësve të syzave fals; shitëseve të artizanateve të shtrira nëpër tokë, si të ishim në fushë; shitësve të farave; lypsarëve e kush e di edhe sa të tjerë që nuk i përmenda, është pasojë e drejtpërdrejtë e varfërisë, por edhe mungesës absolute e zbatimit të rendit dhe ligjit. Për shkak se pulës Kosovë puplaxhinjtë ia kanë shpuplu edhe atë grimë dinjitet që ka mundur ta ruajë. Më parë lejohet që të shpenzohen me qindra miliona eurosh në ndërtimin e rrugëve të shtrenjta sesa në krijimin e vendeve të punës – qofshin ato edhe të përkohshme për punë fizike.

Në kohë të luftës, të gjitha luftimet ishin zhvendosur në brendi, përderisa Prishtina, për shkak të prezencës së të huajve, ishte e qetë dhe e paprekur. Kushdo që vinte nga jashtë e kishte përshtypjen se në Kosovë nuk po ndodhte asgjë. Të gjithëve u thoshim mos e merrni Prishtinën shembull, ngase e keqja po mbahej larg kryeqytetit.

Tash, mjaft vjet pas luftës, e keqja në Kosovë po ndodh pikërisht në Prishtinë. Thuajse po dënohet për shkak se gjatë luftës “prishtinalitë pinin makiato”. Është Prishtina ajo në të cilën janë paraqitur madje 45 mijë kërkesa për legalizimin e ndërtimeve pa leje; është Prishtina ajo që e pasqyron kaosin më të madh urbanistik e arkitektonik e besoj në Evropë; është Prishtina ajo që me shndërrimin e saj në Panagjyr dhe me ruajtjen e kësaj trajte, pavarësisht se cila parti është në krye të saj, e tregon mjerimin e mentalitetit uzurpues, ku gjithkush beson se ka të drejtë të bëhet pronar i asaj që i pëlqen, posaçërisht të hapësirës publike. Për shkak se puplaxhinjtë e kanë bërë atë dhe kanë kaluar pa asnjë ndëshkim. Me paret e popullit, të cilat ia kanë shpuplu buxheteve qendrore e komunale. Prishtina, për fat të keq, është pasqyra më reale e Kosovës së sotme: të varfër dhe që mbijeton duke iu falënderuar diasporës.

Rrëfimi 2

E besoj se nuk janë të paktë ata që do t’i kujtojnë ditët menjëherë pas luftës. Pos vjedhjes që e kishin bërë dhe shkatërrimit që kishin lënë pas ushtria e policia serbe, ishte shfaqur një kategori e re uzurpuesish të cilët me hiç përtesë u kishin hyrë inventarizimit të shtëpive dhe banesave, të cilat do të mund t’i merrnin për vete. Qoftë për të jetuar në to, qoftë për ta shitur pronën e huaj, qoftë për të kërkuar para si kusht për t’ua kthyer pronarëve origjinalë.

Mbase nuk ka pasur katund ku nuk janë gjetur bile katër-pesë shtëpi në të cilat shkruante “E nxant’ UÇK”. Mbase nuk ka pasur katund ku shtëpive nuk u janë “shnuk” dyert e dritaret, qeramidhet a gypat e ujit. Me lehtësinë e shpuplimit të një pule, pasi t’i jetë prerë koka. Do të ketë qenë kjo indice e parë e asaj që po na përgatitej, e që nuk kemi qenë të gatshëm as ta besonim e as ta kuptonim. Dhe përderisa këto veprime kanë mundur t’i bënin njerëzit e papërgjegjshëm duke u thirrur në UÇK-në, disa vjet më vonë, do të ishin njerëzit që më së shpeshti thirreshin në meritat e veta për luftën e UÇK-së që do ta sillnin Kosovën në derexhenë e tashme.

Në mesin e shumë objekteve të “nxanta” ishte edhe ai i “bororamizit” në Prishtinë. Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, u shfaq në ekranet televizive njeriu me kokë të thyer për të thënë se ishte ngirë duke paguar haraç, të cilin duhet t’ua jepte njerëzve që thirreshin në emrin e dy komandantëve nga Zona e Llapit. Për shkak se më në fund kishte refuzuar ta paguante edhe qiranë, edhe haraçin, për pak sa nuk e kishin mbytur. Kishte heshtur 16 vjet, duke u bërë pjesëmarrës në krim. Krim që ia siguronte përdorimin e papenguar të hapësirës, ku shiste mallin e specializuar për sporte. Por thoshte se nuk ka pasur alternativë, se përndryshe nuk do ta lejonin të punonte. Ata të cilët bartin armë dhe nuk frikësohen se dikush do t’i merrte në burg.

E puna e haraçit është folur që nga ditët e para – se nuk do të ketë qenë rastësi se një ish-komandant të jetë vrarë, e një ish-komandant tjetër të jetë plagosur mu në qendër të Prishtinës për punë dyqanesh – me ç’gjë ishte bërë sekret publik. E këtë punë e ka ditur edhe UNMIK-u, por atëherë ai kishte zgjedhur të mos bënte gjë: ish-komandantët e kishin fuqinë e ndezjes dhe fikjes së zjarrit vetëm për ta ruajtur pasurinë me të cilën u bënë brenda natës. Këtë punë e di edhe EULEX-i, porse tash e ka mandatin e kufizuar dhe e ka një alibi të mirë që të mos merret me punët tona të fëlliqura. Këtë punë e di edhe hetuesia dhe gjyqësia kosovare: por këtyre a u besohet kur i mbajnë gati një milion lëndë të pazgjidhura me vite të tëra.

E paratë e haraçit duhet të mblidhen diku, e shitja në kushtet kur njerëzit mezi ia dalin të mbijetojnë disi nuk mjafton. Për pasojë shumëkush do t’i qaset shmangies së obligimeve qoftë doganore, qoftë tatimore, duke krijuar zinxhir të përvetësimit të parave të shtetit që kështu kalojnë në xhepa privatë. Të atyre që e kanë forcën e besa edhe pushtetin. Posaçërisht atë politik.

Rrëfimi 3

Prej moti e njihja si djalë të një familjeje të kamur zanatlinjsh. Në kohën kur shumëkush dëgjonte për arritjet teknologjike nga radio a televizioni, ky do të ishte prej të rrallëve që do të dilte në korzo për të shitur mend sesi e kishte blerë këtë apo atë, dhe kjo me deviza të shtrenjta që nuk i kishte bash gjithkush në dispozicion.

Kur u bë për martesë mori rrugën për në Turqi, për të blerë flori për nusen. Babai ia bëri dasmën e madhe në “Grand” (atëherë vendi më luksoz e i shtrenjtë në Kosovë) me kush e di sa qindra mysafirë, ceremoni që u pasua me muajin e mjaltit (ama përnjëmend muaj) diku në ishujt e Greqisë, të largët për shumicën e kosovarëve. Pas ca vjetësh familja u shtua, e me të u shtuan edhe kërkesat. U mbajt e gjallë dëshira për t’i pasur krejt gjërat e reja, tash jo vetëm për vete e për bashkëshorten, por edhe për fëmijët. Me ato që i fitonte nga dyqani i zanatit që ia kishte lënë baba.

Luftës i shpëtoi mirë, por nisën problemet. Puna filloi të binte, por kërkesat nuk shuheshin. Mori një kredi të shtrenjtë. E më pas edhe një. E edhe një, derisa më nuk kishte çfarë të hipotekonte. Puna ra përtokë. S’kishte më interesim për atë që e ofronte në treg. Paratë e gatshme pasi u shkrinë erdhën në pikën ku nuk mund t’i paguante kreditë. Mendoi se e kishte gjetur zgjidhjen: iu qas një “dosti” dhe ia kërkoi ca para hua. Me afat për t’i kthyer. Dhe nëse pahiri nuk mund të arrinte t’i kthente paratë me kohë, do të detyrohej të paguante kamatë. “Kamatë të gjelbër” e quanin. Përkthyer në gjuhën e popullit quhet “fajde”.

Borxhi u bë aq i madh, sa u detyrua ta shiste shtëpinë e besa edhe dyqanin. Raportet në familje u çrregulluan aq shumë, sa martesa u prish. Fëmijët mbetën as këndej, as andej – dhe të pamësuar se duhej punuar për të mbijetuar. Pa zgjedhur se çfarë të punonin, me kusht që të jetë punë e pastër. Borxhi u pagua. Ky mbeti praktikisht në rrugë. I vetëm. Pa miq e bile edhe pa dosta. Tash jeton me aq sa fiton, duke ofruar shërbim kalfe të një zanatliu tjetër. Mbijetoi, se mos ta kishte kthyer borxhin, mbase një ditë prej ditësh e kishim gjetur në gazetë diku në ndonjë raport të kronikës së zezë.

“Dostat” e fajdesë ishin njerëz që i kishin premtuar se do t’ia zgjidhnin problemin e punës “duke intervenuar te të mëdhenjtë”. E në fakt ishin të mëdhenjtë ata që i kishin paratë për t’i huazuar – se të pista çfarë ishin, nuk kishin si t’i shpëlanin nëpër banka e firma më të mëdha. E në vend se të rrinin kot gjithë ato para që ishin mbledhur me turli trafiqesh, e kishin riaktivizuar sistemin sipas të cilit me pak mund dhe shumë kërcënim do të bëheshin ose me më shumë para, ose me pronat e atyre që binin në grackën e premtimit se do të mund të vazhdonin të jetonin mbi re.

* * *

Dallimi midis asaj se ku kemi mundur të mbërrinim dhe ku kemi arritur është shumë i madh. Është tejet dëshpërues dhe shpresëhumbës. Dhe këtë ua kemi borxh shumë puplaxhinjve të fortë që Kosova ka zbuluar se i ka: atyre që s’ka ditë që nuk e lënë pa e përmend se “kanë luftuar për të”, e besa edhe për bashkimin me Shqipërinë – të cilin e kanë pasur ideal të luftës. Kur po dëgjoj për atë që ndodh në Shqipëri dhe kur po e shoh se çka po ndodh këtu dita më ditë veç po e parafytyroj se si do të ishte të jetosh në një shtet të bashkuar, ku numri i puplaxhinjve do të dyfishohej me automatizëm. Të tillëve që do të përpiqeshin t’ia nxirrnin edhe fijen e fundit të yndyrës pulës së shkretë. Të tillëve që madje edhe shqiponjën dykrerëshe do ta nduknin duke e lënë cullak. Për marre dhe vajtim.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...