Zvicerani Behrami dhe kleptokrati Koci

3 Prill 2015 - 08:52 - Halil Matoshi      

Ta akuzosh një të ri me origjinë kosovare që ndihet “më shumë zviceran” se e paskësh pasur gjyshin pjesëtar të sigurimit serb, e ta mallkosh atë në emër të fesë e besë, në emër të atdheut e flamurit, është marrëzi, budallallëk dhe për më tepër porn-folk…

Turrin që kanë marrë kinse tifozeritë shqiptare, duke iu bashkuar etnonacionalizmit, kritiku Ardian Vehbiu e ka quajtur porn-folk.

Ky turr fanatikësh e fantazmash nuk mund të thuhet se na ka zënë n’zgabim, sepse gjatë kohë e kanë kultivuar elitat politike të dyja vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës.

Në këtë sfond edhe disa zyrtarë mujshorë kosovarë, që paguhen nga taksapaguesit e Republikës së Kosovës, si puna e Gani Kocit, u bien kot në qafë futbollistëve që janë me origjinë nga Kosova, por që janë rritur, edukuar dhe ndërtuar si të tillë - futbollistë kulmorë - nga shtete të organizuara mirë si Zvicra p.sh., e jo nga shteti i kapur nga çifti i Kocit.

Valon Behrami nuk e ka mohuar asnjëherë prejardhjen e tij.

Mesfushori i Hamburgut e ka origjinën nga një familje emigrantësh nga Kosova, por është rritur në Zvicër.

Ashiqare, ai është mirënjohës si çdo kosovar dhe nuk e harron asnjëherë atë që i ka dhënë shteti helvetik, prandaj edhe zemra e tij është ndarë në dysh dhe bravo i qoftë për këtë.

“Unë ndihem edhe zviceran, edhe kosovar. Mirëpo vajza ime është tashmë një napolitane”, pati thënë Behrami në një intervistë për “Piuenne”, kur ai luante për Napolin.

Së fundmi, ai e mori epitetin e ambasadorit të Kosovës. Për të ky çmim ishte një nder dhe insiston se Kosova ka nevojë për mesazhe pozitive.

Futbollisti i Zvicrës ka thënë se kur ka qenë i ri, nuk ka arritur ta kuptojë dhe vlerësojë peshën e kësaj fanelle dhe domethënien e të qenit zviceran, e që tashti e kupton, prandaj tutje nuk do të festojë për golat duke improvizuar shqiponjën.

Mirëpo këtë deklaratë të zviceranit me origjinë nga Mitrovica e ka baraspeshuar me një tradhti kombëtare zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci.

"Po, ke të drejtë Valon Behrami, se ti axhë e ke Avdi Behramin, një ish-inspektor i lartë i Sigurimit shtetëror të ish-Jugosllavisë. Për ty nuk ka fe, atdhe as flamur" – ka shkruar Koci.

Me çfarë të drejte i lejohet një zyrtari të lartë shteti që të gërryejë biografitë e të tjerëve përderisa partia të cilës i takon Koci e ka emëruar Behramin ambasador nderi të Republikës!?

Dhe së dyti, PDK-ja e Kocit, që me shpalljen e Pavarësisë kombëtare më 2008, e pati kundërshtuar forcërisht ligjin e lustrimit të figurave publike!?

Dhe fundja, edhe sikur Valon Behrami të hynte në listat zgjedhore për Kuvendin e Kosovës, askush normal nuk do ta akuzonte për të bëmat ose të pabëmat e gjyshit të tij, sepse përgjegjësia është individuale.

Mirëpo në mungesë parimesh demokratike, në mungesë të zemrës vërtet të madhe dhe fisnikërisë njerëzore që e shquante shqiptarin kosovar, bastisja e historisë është bërë pasion e profesion i disa eksponentëve stalinistë të Kosovës.

I pari, Valon Behrami, futbollist i Hamburgut dhe i kombëtares zvicerane, nuk i ka marrë asgjë Kosovës, por i ka dhënë emër të mirë.

Pra, imazh.

I dyti, Gani Koci, ish- i burgosur i ndërgjegjes për Republikën e Kosovës, ish- luftëtar i gueriljes kosovare për liri kombëtare dhe Kosovën shtet të pavarur – për disa mandate deputet e zëvendësministër – nga një çlirimtar është kthyer në një urrejtës dhe armik i lirisë së tjetrit/tjerëve (pra, edhe të lirisë së Behramit dhe Behramëve) duke ia marrë Kosovës edhe emrin, edhe fytyrën.

Pra, imazhin.

Koci me vite është zyrtar shteti, i zgjedhur nga partia që e sundon me frikë dhe frikësim Kosovën e mjerë e të vogël, tash e një dekadë.

I pari, Behrami, me paratë e tij të fituara ndershëm në Zvicër e Gjermani, megjithatë kujtohet t’ia ngjitë dorën ndonjë të mbeturi në vendlindjen e prindërve të tij, kurse i dyti tallet kafehaneve të Prishtinës me të mbeturit, duke i parë qytetarët me ngërdheshje si nga një pirg kafkanë, nga majat e pushtetit më mashtrues dhe më hajdut në Evropën e sotme, derisa rrogën e ministrit dhe benefitet e tjera, si ish-deputet, ish- i burgosur dhe veteran i luftës çlirimtare (e merr nga taksapaguesit kosovarë.)

Koci harron se ai dhe partia e tij e kanë votuar në Kuvend Ligjin për simbolet e shtetit - një flamur të shtetit të ri – por që për hir të shqiponjës dykrerëshe, shanë dhe pështynë kosovarët sa herë t’i teket, edhe pse mbahet mirë nga votat dhe paratë e tyre, pa e bërë asnjë hair për ta!?

Prandaj personazhe të tilla hipokrite përditë trashen jo vetëm nga qafa por dhe nga mendja.

Në Ballkanin e mbipopulluar nga amokë e hipokritë ndër fare pak qytetarë të edukuar, sikur janë rilindur marshet luftarake, kinse si hite muzikore, të dedikuara futbollit – por në thelb shfaqen si mësymje agresive - secili kundër secilit, në mungesë politikash normale që i shkojnë për fytyre shekullit 21, shekullit të pajtimit rreth vlerave të përbashkëta evropiane.

Dhe në këtë mësymje etnonacionaliste, e para e punës, dyshoj se i duhen fare Shqipërisë dhe hiç se hiç Kosovës si projekt perëndimor, këngë të tilla turbofolku, kur Republika e Shqipërisë pret në paradhomat e Bashkimit Evropian – si kryeprojekti më i madh perëndimor i të gjitha kohërave – dhe Kosovës që i bie në gjunjë po kësaj BE-je për mëshirë.

Është indikativ fakti se Shqipëria po i rikthehet nacionalizmit për të cilin nga e majta që sot është në pushtet akuzohej me të drejtë Sali Berisha.

Në anën tjetër, projekti evropian bie ndesh me kulturat mujshore që spikasin projekte të shekullit 19 dhe fillimshekullit 20, për “Shqipëri të madhe”, “Shqipëri të bashkuar” etj. Pra, projekti evropian bie ndesh me projeksionet unitariste panshqiptare (sikur me të gjitha Serbitë e mëdha, megalo-idetë greke etj.), që si projekt i rilindësve shqiptarë ka dështuar realisht, prandaj nuk i kuptoj ata shqiptarë se përse këndojnë me patetikë e emocion të rrëmbyeshëm për dështimet e tyre historike, të turpshme madje në disa raste.

Kënga e Evlanës dhe Florit, për një Shqipëri të Madhe – ndonëse synohet të jetë himn futbollistik - është një rikthim i porn-turbofolkut të tipit të Ceca Veliçkoviqit dhe Arkanit gjatë fashizmit koncensual të Milosheviqit.

Një “himn” i tillë i kitsch-nacionalizmit më shumë ngatërron Shqipërinë me fqinjët (të cilët kanë për t’iu dashur në procesin e integrimeve) në epokën e globalizimit, sesa që ndihmon dhe motivon futbollistët.

Pra, ajo kinse këngë mbjell sherr nacionalist, në vend që të ofrojë për mysafirët dhe fqinjët zemër të madhe e bujari shqiptare, të ndërtuar ndër shekuj…

Sidoqoftë, këto janë çështje të Shqipërisë dhe njerëzit atje duhet të vendosin vetë se çfarë do të thonë dhe si do të sillen në sy të botës, pra, ata duhet lënë të lirë ta ndërtojnë vetë imazhin e shtetit dhe kombit të tyre.

Ndërsa sa u përket kosovarëve do të ishte e udhës që të priren nga punë të mbara për veten duke e kujtuar të kaluarën e afërt, kur ishin shndërruar thjesht në refugjatë ose caqe gjahu nëpër malet e Kosovës.

Kosovarët, që vetë e kanë kaluar kalvarin duke qenë viktima të një fashizmi me thonj të rritur, duhet të irritohen nga shfaqjet e tilla me thonj të paprerë.

Së paku duhet të jenë më modestë që të mos ua tregojnë kthetrat të tjerëve!

E Gani Koci duhet të kujtohet që është zyrtar shteti e jo ngatërrestar mezhdash e intrigash fshatareske (jo në kuptimin gjeografik, por në atë mental) ngase roli i tij është t’i shërbejë atdheut të kosovarëve dhe të gjithë qytetarëve pa dallim, duke përfshirë edhe Behramët - pra ta bëjë punën për të cilën paguhet mirë madje – së këndejmi roli i tij nuk është ai i përçarësit, mallkuesit dhe piketuesit të qytetarëve si udbashë e armiq, në kohën kur ai punon e bashkëpunon në Kuvend e Qeveri me shumë të tillë, që Koci i pandeh për “armiq” e “udbashë”.

Prandaj Koci duhet t’u kthehet punëve të tij të zyrës e të mos e bastis historinë, duke rrëmuar biografitë e të tjerëve.

Fundja nëse i pëlcet culla e barkut për këso historish dhe për fabrikim armiqsh (“Historia, ky ankth nga i cili dua që të zgjohem”; Joyce) ai thjesht ka mundur të merrej me biografinë e Kocëve, helbete mos ka ndonjë “dele të zezë” mes tyre!?

Jo, kjo nuk është fare punë e Kocit.

Prandaj, po të ishte ai qytetar i edukuar do t’i kërkonte falje Valon Behramit dhe tërë qytetarëve kosovarë, të cilët gjatë kohë po terrorizohen me emnesa “tradhtarësh” dhe “patriotësh” në epokën kur në mungesë të bukës dhe perspektivës po detyrohen që me tesh e kotesh’ të ikin nëpër tokën armike, në drejtim të Evropës, për një copë bukë, ose thjesht për t’u shpëtuar mallkimeve dhe etiketave të Kocit e vëllezërve të tij për nga mendësia egërshane dhe damkosëse.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...