Ana tjetër e premtimeve të kryeministrit

31 Mars 2014 - 09:15 - Lumir Abdixhiku      

Numrat flasin, madje flasin shumë. E numrat e kësaj Qeverie, pavarësisht superpremtimeve për të ardhmen, flasin keq shumë

-1-
Mbërtheni veten, premtimet po vijnë, dhe është vetëm fillimi. Në kohë të lunatizmit elektoral ku secili jep përralla, ëndrra, e shfryrje imagjinatave të tjera gjerë e gjatë – pa fije gajle e pa fije marre – them të zbresim ne të tjerët – të vdekshmit – në tokë e të merremi me gjykimin. Sepse vetëm gjykimi jonë i kthjellët dhe asgjë tjetër mund të vërë sitë e mund të shoshitë secilën çoroditje zgjedhore që për këmbim votash jep gjithçka – dhe asgjë sërish.

E kampion në këtë proces premtues sërish del të jetë kryeministri, i cili nga tepria e fjalëve të dhëna ka filluar t’i devalvojë të mëparshmet. Sepse kur thotë se planifikon 400 milionë investime në një resor skijimi e nuk jep asnjë plan të vetëm, asnjë fletë të shkruar e asnjë informacion tjetër – sigurt që vepron në termat e futkotizmit. Sepse kur promovon një stadium qindramilionësh, por si fotografi jep “Etihadin” e Manchester Cityt, atëherë sigurt sërish se i jep flakë tragjedie një shakaje publike. Mendimet ad-hock me eufori parazgjedhore nuk duan shumë vlerësim.

Ta shtrojmë gjykimin tonë kështu. Një qeveri, dy mandate, asgjë për të shkuarën e shumë për të ardhmen; diçka nuk shkon. A nuk do të duhej të gjykonim një qeveri të dy mandatave jo në premisat e premtimeve të bëra, por në të shkuarën e dhënë? Sepse e shkuara është një produkt i prekshëm dhe me potencial ekstrapolues se çfarë në të vërtetë na pret në të ardhmen po patëm sërish ata; sepse e ardhmja premtuese mbi një të shkuar tmerruese është mashtrim i dytë. Jo se i ndalet dikujt e drejta për premtime; madje do të ishte bukur e çuditshme një kampanjë pa premtime; porse kredibiliteti i një fjale të dhënë karshi një pune të bërë është i pabarazueshëm – siç dhe, unë konsideroj, duhet të jetë refleksioni i premtimeve paraelektorale – shumica shkel e shko – të Qeverisë së tanishme për një të ardhme të ndritshme kur të shkuarën dhe të tashmen e kanë bërë lëmsh.

-2-

Numrat flasin, madje flasin shumë. E numrat e kësaj Qeverie, pavarësisht premtimeve për të ardhmen, pra, flasin keq shumë. E as që dua të merrem me premtimet për liberalizim vizash për 15 muaj, për shtetësinë e gjysmuar e proceset e tjera integruese të lëna në gjysmë – do të duhej një kolumne e veçantë për të përmbledhur secilën nga to. Fjalën e kam për premtimet ekonomike të sotshme përballë të bërave të deritanishme në ekonomi; aty ku duket së është përqendruar fushata e tanishme e Qeverisë së sotshme – kryeministrit me plot premtime.

Kur Qeveria e tanishme kishte filluar fushatën – katër vjet më parë – kishte premtuar investime të jashtme; investime të jashtme shumë. Ditën e premtimit të bërë, Kosova merrte, si rrumbullakim vjetor, pak më shumë se 365 milionë euro investime të huaja direkte. Në këto katër vjet qeverisjeje, kryeministri që premton sot miliona investime gjithandej, nuk ka arritur të sjellë as edhe një investitor të jashtëm serioz; as edhe një emër që vlen të përmendet e që e njeh dikush – sfidoj secilin të kujtoj vetëm një emër. Por jo vetëm aq, në katër vjet qeverisjeje, investimet e jashtme kanë rënë dukshëm çdo vit, për të përfunduar në vetëm 255 milionë euro vitin që shkoi. Pra kryeministri superpremtues, para se të japë fjalë gjerë e gjatë për një të ardhme të luluar po mbeti sërish ai, është mirë të arsyetojë rënien drastike prej 30% gjatë kohës së (dytë) të tij.

Kur Qeveria e tanishme kishte filluar fushatën – katër vjet më parë – kishte premtuar privatizim të denjë të PTK-së dhe investime të reja në “Kosovën C”. Përderisa nga PTK-ja trembi “Deutsche Telekom” dhe provoi të kamuflonte shitjen tek një grup anonim “Axos & Najafi” – pa adresë, pa përvojë dhe pa ide fare – në energjetikë arriti të ndërronte vetëm emrin e projektit; nga “Kosova C” në “Kosova e Re”. As “C” e as “e Re”, e tëra çfarë u bë në energjetikë ishte një falje skandaloze e distribucionit për një të dhjetën e pasurisë së asetit, tek një kompani turke; sërish për të cilën vetëm Kosova dinte. Përderisa varësia energjetike e vendit mbështetej në një termocentral më të vjetër sesa mosha mesatare e kosovarëve; investimet në telekom jo që nuk u shtuan por u zvogëluan. PTK-ja përfundimisht u shndërrua nga një aset me vlerë gati njëmiliardësh në një kompani mëhallësh – e gjitha gjatë mandatit të tij.

Kur zvogëloi investimet e jashtme – sepse trembi gjithkënd – kur largoi secilin investitor të mundshëm nga asetet publike – sepse trembi gjithkënd – mbeti ai e ne vetëm me një autoudhë, të bërë për katër vjet, me kosto çoroditëse e trishtuese edhe për vendet më me nam për bërjen e superudhave nëpër Evropë. Ta themi se nuk kishte ide për investime; nuk ia donte. Duhet të ketë bërë diçka më shumë tjetërkah.

-3-

Fare. Sektorit privat i dha rëndesë, korrupsion, burokraci e varësi të mëtutjeshme tregtare. Kur Qeveria e tanishme kishte filluar fushatën – katër vjet më parë – Kosova kishte një bilanc tregtar të stërrënduar. E paaftë për të prodhuar e krijuar diçka vetë, ajo importonte plot 2.1 miliardë euro, ndërsa eksportonte vetëm 294 milionë; një bilanc negativ prej plot 1.8 miliardësh. I njëjti njëri, qe katër vjet më parë, e edhe disa para saj, premtonte përkrahje për prodhimin vendor, për bizneset lokale, për ndërmarrësinë kosovare – e që bën të njëjtën gjë sërish tash, sepse, kushedi pse, nuk e ka bërë për katër vjet rresht – arriti që për një mandat të vetëm të rrisë bilancin negativ në plot 2.2 miliardë euro. Në katër vjet qeverisjeje ky kryeministër e kjo Qeveri nuk ka arritur të rrisë eksportin as për një milion euro. Sot Kosova eksporton as sa ka eksportuar katër vjet më parë – rrafsh 294 milionë euro; ndërkaq importon çdo vit plot 2.5 miliardë. Për të thyer më shumë zemrën e nacionalistëve eventualë, katër vjet më parë Serbia ishte partneri i tretë tregtar, sot është partneri i parë.

Kur qeveria e tanishme kishte filluar fushatën – katër vjet më parë – kishte premtuar tolerancë zero ndaj korrupsionit, hajnisë e keqpërdorimit të pasurisë publike. Në ditën e premtimit Kosova ishte renditur nga “Transparancy International” organizata më me renome botërore që mat nivelin e korrupsionit nëpër botë, në vendin e 110. Katër vjet më pas, sot, kur kryeministri ofron sinqeritet, ndershmëri dhe sërish luftë zero ndaj hajnisë – sepse kushedi pse nuk e ka bërë për katër vjet me radhë – Kosova renditet në vendin e 111. Katër vjet të çuar huq për shtet, katër vjet parajsë për hajna e kriminelë. Bëjini llogaritë vetë.

Ta themi se nuk kishte ide për investime, për sektor privat, për tregti e për luftë kundër korrupsionit; nuk ia donte. Duhet të ketë bërë diçka më shumë tjetërkah.

-4-

Fare. Kur Qeveria e tanishme kishte filluar fushatën – katër vjet më parë – kishte premtuar punë, punë shumë. Por punë dha pak, për mos të thënë fare. Katër vjet më parë Kosova kishte 695.000 të papunë; sot i ka 735.000 sosh. Punëson jo më shumë se 350.000 me pagën mesatare më të ulëtën në rajon. Si rezultat vendi mban plot 29% të popullsisë në prag të varfërisë.

Për të rënduar jetën dhe më shumë, i njëjti kryeministër që superpremton sot sërish mirëqenie për të gjithë – sepse kushedi pse nuk e ka bërë për katër vjet me radhë – kishte krijuar një ambient super-inflativ. Vitin e parë – pas ditës së premtimit për mirëqenie – Kosova kishte përjetuar normën rekorde të inflacionit në historinë moderne të saj, plot 8.3% brenda një viti. Vitin tjetër kosovarët ishin varfëruar për 3% më shumë; dhe 3% të tjera një vit më pas – gati 15% në tre vjet zhvlerësim për të gjithë.

E për t’i dhënë vijë gjithë fotografisë ekonomike në vend – në katër vjet ecjeje – në ditën e premtimit për zhvillim të gjithëmbarshëm ekonomik, premtim identik sikurse ky për të nesërmen – sepse kushedi pse nuk e ka bërë për katër vjet me radhë – Kosova kishte një rritje ekonomike prej 4%. Sot rritja ekonomike e Kosovës është vetëm 2.5%. Plot katër herë më pak sesa i duhet; plot dy herë më pak sesa kishim katër vjet më parë.

Për të mos harruar, katër vjet më parë borxhi ynë publik ishte zero, sot është plot 500 milionë; katër vjet më parë ne ishim pa shëndetësi, pa edukim e pa gjykata – sot jemi njëjtë. Shërohemi jashtë, edukohemi për gazep e gjykohemi me mjerim. Në katër vjet kjo Qeveri e ky kryeministër nuk arritën asnjëherë të ndanin para për themelimin e fondit shëndetësor, një politikë parësore për të gëzuar jetën. Hapi universitete gjithandej, por nuk arriti të mbante serioz as edhe njërin nga ta. E për gjykata, përveçse futi frikë e tmerr për secilin që guxon të mendojë rreth tij e miqve të tij, krijoi nevojën për një sistem paralel – një lloj protektorati ndërkombëtar nën EULEX – sepse jemi, ai, ne dhe gjithë ky shtet të paaftë për të bërë drejtësi.

-5-

Ta themi se kryeministri që sot premton shumë, në katër vjetët e shkuar nuk kishte ide për investime, për sektor privat, për tregti, për luftë kundër korrupsionit, për papunësi, për varfëri, për çmim, për rritje ekonomike, për shëndetësi, për edukim e për gjykata; nuk ia donte. Duhet të ketë bërë diçka më shumë tjetërkah – nëse mbetet diçka për t’u bërë. Fare. Por premton superzhvillim, superinvestime, superbiznese, supertregti, supersinqeritet, superpunësim, superrritje, supershëndetësi, superedukim e supergjykata – sepse kushedi pse nuk e ka bërë për katër vjet me radhë.

abdixhiku@facebook.com


© KOHA.net

 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...